E enjte, 25.04.2024, 03:05 PM (GMT+1)

Mendime

Kostaq Xoxa: Skënderbeu, Gjon Hunyadi dhe Lazar Brankoviçi

E enjte, 21.08.2008, 06:10 PM


Pikture nga Arsen Boçaj
Skënderbeu, Gjon Hunyadi dhe Lazar Brankoviçi
     
Bastardimi i historisë mesjetare serbe

Nga Kostaq Xoxa

Enciklopeditë më me prestigj mezi e zënë në gojë Llazarin!
Akademia serbe është bërë e njohur si më e pabesueshmja në Europë e më tej, me akademikë fanatikë, që e kanë politizuar historinë gjer në veleritje. Jo vetëm historinë e re, por edhe atë të vjetër. Ne po merremi me mesjetën dhe me atë 1389-n që Sllobodan Millosheviçi e bëri si kushtrim për të terrorizuar popullin shqiptar të Kosovës, sikur e kishte ai fajin populli kosovar që Lazar Brankoviçi u mund keqazi nga sulltanët turq, të cilët pastaj vunë nën zgjedhë Serbinë. Na e bënë atë Kosovo Polia-n (Fushë-Kosovën) si truallin e mëkatit shqiptar, ndonëse kryetari i serbëve, Llazari, hëngri dru nga turqit! Lazar Brankoviçi na u ngrit në legjendë: Luftoi kundër turqve heroikisht! Po Skënderbeu? Po Gjon Hunyadi?
Që të dy këta fitimtarë dhe jo të mundur historiografia serbe kërkon t’i vërë në një rrafsh të dytë. Por është e pamundur që Lazar Brankoviçi të marrë bekimin e historisë europiane të paindoktrinuar e t’i japë këtij Llazari serb ndonjë titull si „shpëtimtar i Europës Perëndimore nga pushtimi otoman“. Kjo, tashmë, është e dokumentuar në një rezolutë të depozituar në analet e Kongresit amerikan, me rastin e 600-vjetorit të heroit tonë. Skënderbeu, në këtë dokument, paraqitet si „burrë shteti, si diplomat dhe si gjeni ushtarak“. Janosh Hyniadi (1387-1456) paraqitet në faqet më të rëndësishme të enciklopedive më me prestigj, si hero i Hungarisë, i cili në Varna organizoi një luftim të famshëm kundër turqve, në atë luftë në të cilën u vra sovrani hungaro-polak, Ladislavi III. Fan Noli e ka përmendur në vargje dhe në prozë.
Një digresion i dhimbshëm/Një miku im historian, i cilësuar si i tillë me diplomë vjeneze, që u akuzua për agjitacion e propagandë bash se kishte bërë studimet në një shtet perëndimor, më flet gjithmonë me admirim për Hyniadin. Kishte qenë edhe në Budapest tek i biri, emigrant. Në një lartësi në kodrat veriore të kryeqytetit të Hungarisë, nga Buda, e shihte Pestin përtej Danubit, si në pëllëmbë të dorës. - Kur të zbresim poshtë, të kalojmë urën dhe të vemi në atë pjesë të Danubit që është Pesti, do të shkojmë prapa atij Pallatit madhështor që duket këtu (Parlamenti), ku ndodhet një park i madh i gjelbëruar, i kushtuar heronjve hungarezë, viktima të ripushtimit hungarez prej sovjetikëve, në vitin 1956.
Bashkëbiseduesi ma la si porosi: - “Mos vdeksh pa e parë atë park të famshëm, me në qendër statuja dhe një memorial mbresëlënës, me mbishkrimin lapidar: 1956: Gjëja më mahnitëse: në këtë memorial është ngritur një flamur, flamuri hungarez, me në qendër një goxha rreth të prerë, që e përshkonte era tejpërtej. - Përse është përgjysmuar ky flamur, në këtë mënyrë? – pyeta djalin. Është emblema e flamurit në kohën e diktaturës, që tani është prerë me gërshërë! - më tha djali. Dhe ne të dy na çoi kujtesa në ato vite jo shumë të largëta kur, në parlamentin e kohëve të para të pasnëntëdhjetës, u kërkua nga deputetët tanë demokratë, që të hiqej ylli i kuq që i rrinte ende mbi kokë shqiponjës sonë dykrenare, nostalgjikët s’e patën për turp të kundërshtonin me budallallëqe, ndërmjet të cilave na kujtohen edhe ato të një injoranti që e kishin mësuar të përmendte edhe San Remon: - Edhe në atë festival yjet e panumërt mbulonin të gjithë sfondin! - Po, por jo flamurin!- ia përplasi njëri nga tanët. Pastaj përmendëm fjalën çindoktrinim dhe na u kujtua ai festimi i 16 shtatorit në Pezë, me basyretet e Enver Hoxhës! Çrrënjosjen e mendësive të së kaluarës nuk mund ta bëjnë ata që ishin pikëmbështetja e Ramiz Alisë në kohën kur ndahej shapi nga sheqeri: perëndimorët me nostalgjikët emërndërruar të partisë së re (me botëkuptimin e vjetër!).
Krahasimi me Skënderbeun është i pamundur/Sikur të bëhet një anketim në Perëndim, në njerëzit me njëfarë culture, se cili ka qenë Llazar Brankoviçi, me siguri që do të ngrenë supet. (Millosheviçit dhe akademikëve të tij, u shkoi mundi më kot!). Por sikur të pyeten se cili ka qenë Antonio Vivaldi, nuk do të jenë të pakët ata që nuk do të rrinë gojëmbyllur. Veçanërisht ata që e dashurojnë muzikën. E, pra, ky autori i famshëm i “Të katër stinëve”, Vivaldi, më 12 qershor të vitit 1718 vuri në skenë në „Teatro della Pergola“ të Firences, një dramë me libret të Antonio Salvit. Titulli i kësaj vepre muzikore: „Skanderbeg“.
Janë me dhjetëra veprat historike, romanet, pjesët letrare, sonetet, filmat, që kanë për protagonist Skënderbeun. E, meqë shqiptarofobët e kanë të pamundur ta mohojnë, siç është bërë një figurë e paqenësishme ajo e Llazarit, ata hileqarë kërkojnë ta përvetësojnë, duke parapëlqyer emrin Gjergj Kastrioti. Kështu mund ta asimilojnë më lehtësisht si serb, shovinistët e veriut, por pa lënë pas dore edhe shovinistët e jugut, që kërkojnë ta kenë të tyren, si grek! Veçse historianë të kohës së Skënderbeut, apo fare afër kohës së tij, nuk i lënë këta përdhosës të historisë të bëjnë punën e tyre të mbrapshtë. Marlin Bareti, për shembull. Por edhe mjaft të tjerë, jo të kohës së sotme. Por edhe tani, u orvatën që t’ia tjetërsonin identitetin nënë Terezës, madje t’i bënin edhe monumente dhe buste me shkronja cirilike, sikur të ishte sllave!
Përkundrejt këtij bastardizimi historik, jashtë të cilit nuk gjendet assesi historiografia e kohës së Josif Brozit e të Sllobodanit, më vonë (dhe të koshtunicëve, tani), përkundrejt kësaj historiografie mashtruese që kishte nën gardhet e saj të kafshëve të egra Akademinë, - përkundrejt zvetënimit të së vërtetës, pra, - kemi Everestin e fakteve që flasin me vërtetësi historike për heroin tonë që mund ta quajmë edhe Gjergj Kastrioti, por pa asnjë kompleks hileqar, edhe Skëndërbej, apo Skanderbeg, siç e ka quajtur Antonio Vivaldi. Do të thosha, meqë ra fjala, se shpëtimtari i krishtërimit europian - siç është quajtur, për ne shqiptarët nuk ka rëndësi të thellohemi nëse heroi ynë është i krishterë apo mysliman. Sepse, duke pasur si kryefjalë që të mos zhbëhemi shqiptarizmin dhe jo përkatësinë fetare, nuk kemi rrezikun e fondamentalizmit dhe fondamentalistë janë, në të vërtetë, edhe ata kinse-të-krishterë që përdorin institucionet fatare si objekte politike. Ç’mund të quhen tjetërsoj ata që na përrallisin për Llazarin që luftoi për vendin e tij, vërtet, por të tillë janë me qindra dhe me mijëra në këtë rruzull. Kurse Gjergj Katrioti ynë luftoi për mëmëdheun dhe për Europën, njëherësh! Në Bibliotekën e Venedikut gjenden dëshmi të shumta për këtë të vërtetë. Letrarë të mëdhenj e kanë bërë protagonist. Por le të shkojmë në kontinentin amerikan.
Që nga sh. XVI gjer në sh. XX janë shkruar në Amerikë 7 tragjedi, 3 romane, 3 soneta, 2 poema dhe mjaft drama e melodrama për Skënderbeun. Në vitin 1730 janë shkruar tri vepra letrare dhe në vitin 1789 Çarls Stearns, një vepër letrare të rëndësishme. Poezia e Lonfelout është shkruar në vitin 1916.
Pallati ku Skënderbeu qëndroi në Romë në vitin 1466, mban edhe sot emrin e tij. Në qytet kemi edhe një shtatore që i është kujtuar Skënderbeut.
Legjendat/ Në Wikipedia kemi edhe disa legjenda për Skënderbeun: Sipas njërës prej tyre, kur Skënderbeu ishte në prag të vdekjes, i tha të birit që të shkonte në Itali për t’iu shmangur hakmarrjes; e udhëzoi që, sapo të zbarkonte në bregdet, të gjente një pemë sa më afër dhe aty të lidhte kalin dhe shpatën e tij. Kur të frynte era, turqit do të shihnin shpatën e tij të valëvitej sërish në ajër dhe kalin që do të hingëllinte dhe, nga frika, nuk do ta ndiqnin më tej.
Gjatë viteve kur turqit kërkuan të zaptonin perandorinë e Skënderbeut, rruga që të çonte në Krujë u quajt prej tyre “Jezitjoll”, që do të thotë “rruga e djallit”.
Një ushtar, pjesëmarrës në ekspeditat turke kundër Shqipërisë, kishte thënë: - “Luftëtari i tyre më i dobët mund të krahasohet me ushtarin tonë më të fortë”.
Gjon Hunyadi/ Edhe për këtë hero të Hungarisë dhe të Polonisë, literatura historike është plot. Edhe Hunyadi i kalon përmasat e kufijve nacionalë, ndryshe nga ç’ndodh me Car Llazarin. Ai miku historisan më tha se në Budapest kishte ndeshur rastësisht në një rrugë, emrin e Hunyadit dhe një ndërtesë arkivore kushtuar atij. Por atë ditë arkivi ishte në rikonstruksion dhe bileta për në Tiranë ishte prerë për ditën e nesërme. Kishte mbajtur shënim vetëm kaq, nga pllakada e mermertë, në mur: I. ker. Viziváros, Hunyadi Jànos, 12 út 22. – Mbaje edhe ti shënim. Dhe, në të rëntë rasti të vesh në Budapest, patjetër do ta gjesh këtë adresë! – më tha.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora