Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Adil Fetahu: Ata kurrë mos u harrofshin!

| E marte, 20.09.2016, 08:30 PM |


ATA KURRË MOS U HARROFSHIN!

-Zeqir Lushaj: ZBEHJA E HEROIZMIT (shkrime publicistike), “Albani”, 2016-

Shkruan: Adil FETAHU

Një pako me libra - dhuratë

Gjatë pushimit të sivjem në Shëngjin, u takuam  në terracën e Hotelit “Fredi” me publicistin, poetin e shkrimtarin Zeqir Lushaj, me të cilin jemi njohur e bërë miq në baza kulturore – në bazë të leximit të shkrimeve e librave të tij të mëparshme. Në atë takim, Zeqiri më tregoi se është duke punuar intensivisht në përfundimin e botimit të gjashtë librave, për të cilat më premtoi se së shpejti do t’i kem për t’i lexuar dhe pronë në bibliotekën time. Nuk kisha asnjë dyshim se premtimi i këtij burri të Malsësisë  do bëhej realitet. Sapo librat kanë dalë prej shtypi, “Zigi” (siç e quanin amerikanët gjatë kohës sa ishte  atje, në mërgim), pakot e para i kishte nisë për t’ua shpërndarë miqve e dashamirëve të tij të shumtë. Për miqtë në Kosovë, e kishte ngarkuar shkrimtarin gjakovar Tahir Bezhani, të cilit ia kishte dhënë adresat elektronike dhe numrat e telefonave, për t’i kontaktuar. Tahiri, pa pritesë e kreu amanetin, dhe përveç gjashtë librave të Zeqirit, m’i dha edhe gjashtë libra të veta. Gjatë takimit me Tahir Bezhanin, në kafe-parkun e Radio-Kosovës, erdhi e na u bashkua edhe poeti Adem Zaplluzha, të cilit Tahiri ia dorëzoi librat e Zeqir Lushajt, ndërsa Ademi na dha të dyve edhe nga katër libra të tij të botuara sivjet. Kështu, përnjëherë mora 16 libra, që as në panairet e librave nuk blej aq shumë, por që këto i mora dhuratë të çmueshme prej vet autorëve.

Shkrime që i kanë qëndruar kohës

Të parin prej  gjashtëmbëdhjetë librave që mora dhuratë, e lexova librin e Zeqir Lushajt: “Zbehje e heroizmit”, po paralelel me te lexova edhe librin me poezi: “Si n’kurbet, bre vëlla”, dhe librin e Tahir Bezhanit: “Vrapimi pas së bukurës”-vështrime, recensione dhe mbresa leximi.

Përmbajtja e librit “Zbehja e heroizmit” është, siç do thoshin francezët “déjà vu”, diçka e ditur, e parë dhe e njohur më përpara, ngase shumica janë shkrime publicistike të autorit, të botuara në gazeta e revista të ndryshme (në Shqipëri), në harkun kohor prej 1976 deri më 2012), të cilat autori i ka përmbledhur e botuar në këtë libër.  Edhepse shumica janë shkruar e publikuar para 40 vjetëve, në rrethana e sisteme krejt të ndryshme nga sot, ato shkrime i kanë qëndruar kohës dhe janë poashtu aktuale dhe interesante sikur atëherë. Në hyrjen e ciklit të parë, ku bënë fjalë për heroizmin si frymëzim dhe si nxitje për vepra të mëdha në dobi të Atdheut e të Kombit, në të gjitha kohët, autori thotë: “Shkrimet nuk i ndryshoj dot, tani mbas dekada vjetësh. … Unë vet jam bindur më shumë në ato që kam shkruar e që kam botuar”, dhe në këtë kontekst, në hyrje të librit e citon thënien e shkrimtarit Ismail Kadare: “Në qoftë se shkrimtari ka besim tek letërsia, tek arti i tij, ai është njëlloj tek të gjitha regjimet, pak a shumë njëlloj. Nuk ka ndryshim”.

Tri ciklet e librit

Shkrimet e botuara në “Zbehje e heroizmit”, autori i ka ndarë në tre kapituj, apo siç i quan vet, në tri cikle. Shkrimet e ciklit të parë përmbajnë portrete heronjësh, jo vetëm heronjë lufte, si Skenderbeu a Isë Boletini etj, por edhe heronjë pune e përkushtimi në fusha, aksione  dhe aktivitete të ndryshme. Ciklin e nisë me heroin Isa Boletini, në 70-vjetorin e rënies (botuar në Gazetën “Bashkimi”, më 23 janar 1986). Për Isa Boletinin, që thotë se “Njëherë ra në gjunj: para Flamurit”,  pasi përshkruan jetën, veprën, karakterin e heroit, autori thotë se “Ai është nga ato figura të mëdha të kombit, që idetë e tij përparimtare, dashurinë deri në vdekje për atdheun, nevojën e shkollës shqipe etj, i kuptoi dhe zbatoi të pandara nga aksioni konkret, të pandara nga gryka e pushkës”, dhe citon disa nga fjalët e vet herojit: “Armët për mue, janë babë e djalë”; “Unë jam mirë, kur është mirë Shqipnia”; përgjigjen që Isa ia dha Kral Nikollës (Malit Zi): “Gospodar, ne nuk u vramë e nuk u dogjëm për të përzanë një mbret, e të na hyjë brënda një tjetër”, etj. Nga fundi i shkrimit ka dhënë emrat, moshën dhe marrëdhëniet familjare të shtatë trimave që u vranë bashkë me Isën, në pritë në Urën e Ribnicës në Podgoricë (23 janar 1916), por që  edhe ata arritën të vrasin 28 malazezë të cilët u kishin dalë në pritë. Ciklin e vazhdon me portrete të heronjëve tjerë: herojin e popullit Nikë Pjetër Ndreka (13 vjeçë) – “I vogël si djalë, i madh si trim”, të cilin e vranë diverzantët kriminelë dhe e hudhën në humnerën e Jaçicës së Vermoshit. Heroina e popullit, Qibra Sokoli-Sokolesha korçare,  “mësuesja e këngës”, vajzë 20 vjeçare e plagosur dy herë, e së treti u vra si partizane. Metë Hasa, një shitës i gazetave e kikirikave në Durrës, shpërndarës i trakteve, “ekspert” për shpërthimin e gomave dhe grisjen e postereve të armikut, pionier-partizan trim, 15 vjeçar, që vrau një spiun dhe tre “mitralierë”, të cilin autori e krahason me Mic Sokolin, por që ky Meta “I zuri grykën mitralozit”. Heroi i popullit Ramë Sadria, i cili “e la shkollën, e mori malin”, u bë komandant i postës kufitare, që në Tropojë e kishte vra agjentin e nënprefektin kuisling dhe u vra (1953) në kufi nga diverzantët e UDB-es, të cilit pas 30 vjetëve ia viziton vorrin kolegu e miku i tij Servet Sinani nga Çorovoda. Jahë Mulosmani, njëni nga tre komandantët batalionesh nga dera e Mulosmanëve të Bujanit,  e katër luftëtarë prej kësaj familje të cilët kurrë s’iu ndanë Bajram Currit, deri sa  dha jetën në Shpellën e Dragobisë. Inajete Dumi, një veprimtare e lëvizjes, e pastaj partizane, që u vra në rrethin e Librazhdit, ndërsa i ati i saj (Jakupi) u vra në luftë si partizan në Jugosllavi. Kastriot Muço, organizator i demonstrave antifashiste, më 28 nëntor 1941 në Vlorë  e grisi dhe bëri copë-copë dhe shkeli flamurin fashist, në moshë 20-vjeçare iu besua detyra e zëvendëskomandantit të batalionit. Pasi u vra në luftë, katër motra të tij iu bashuan formacioneve partizane. Heroi i punës, mësuesi Ismet Bruçaj, shkok klase i autorit në Shkollën Pedagogjike të Shkodrës, duke shkuar natën nëpër mot të keq, për të festuar 28 nëntorin me nxënësit e tij, rrëshqet nga ura mbi lumin Kiri dhe bie në humnerë. Ilia Dashi, marinari që flijoi jetën e vet për të shpëtuar shokët dhe anijen nga zjarri që e kishte kapluar. Fatime Sokoli, çika e Tropojës, e para në Malësi që kapi çiftelinë dhe plot virtuozitet  këndoi këngë për luftën e luftëtarët, për Kosovën, edhe në oda burrash, dhe shënoi hap të emancipimit të femrës në Malësi.

Cikli i dytë i shkrimeve janë reportazhe, skica e portrete, për ngjarje, vende e personalitete të ndryshme. Nga ato shkrime shihet se autori, në kohën kur ishte gazetar i “Zerit të Rinisë” dhe aktivist i Frontit Demokratik të Rinisë, ka vizituar Shqipërinë cep më cep, prej Konispoli e në Vermosh, dhe prej Gorice e në Sazan. Aso kohe gazetarët nuk shkruanin prej zyrave të ngrohta a të freskëta të redaksive, por prej vendit të ngjarjes, qoftë edhe nga majat e maleve mbi 2000 metra  lartësi mbidetare e në kohë dimri të ashpër. Ishte kohë zori, por edhe lavdie, thotë autori, dhe shton: “E kam një amanet nga Lekë Dukagjini – mos folni keq për kohët, se bani ma shumë dam…!”.

Homazh për të vdekurit, e kujtesë për të gjallët

Reportazhet dhe skicat e asaj kohe, sot janë homazhe për të vdekurit, dhe kujtesë për protagonistët e gjallë, nëse e lexojnë librin. Autori ka shkruar për bukuritë natyrore, gjeografinë e pak histori për secilin vend të vizituar, për njerëzit, burrat e mençur, urtinë popullore (“burrat takohen në këmbë, e flasin ulur”; “pse nuk e piu kafën Shaban Aga?”…), shkruan për punëtorët, fshatarët, kooperativistët, barinjët, nxënësit, studentët, kufitarët….Shumë shënime të asaj kohe autori i ka marrë me vete sa ishte mërgimtar në Amerikë, dhe atje përveç se i ka përgatitë për botim në libër, thotë se i dukej sikur atdheun e kishte marrë me vete. Të gjitha skicat e këtij cikli janë, secila ma interesant se tjetra, sikur ajo  për Naser Shatrin, i cili e pat vra inspektorin e policisë serbe në zyrën e tij (në Istog). Shënime udhëtimi nëpër zona të ndryshme të vendit, vizita të shumta, përcjellje e aktiviteteve, aksioneve të rinisë, mbjelljen e 1000 ha me agrume (Likovë),  ndërtimin dhe shndërrimin e fshatit Kolgecaj, në  qytetin Bajram Curri, ndërtimin e tuneleve e hekurudhave, hidrocentraleve. Është mbresëlënëse skica për Arbëreshën që ka ikë nga Shqipëria para 500 vjetësh, por që e flet shqipen bukur. Si në poezitë e tij, veçmas në përmbledhjen: “Si n’mërgim, bre vëlla” e në shumë tjera, edhe në prozën e Zeqir Lushajt shquhet tema e emigracionit,  mërgimit, malli për atdhe e vendlindje, për bukuritë, njerëzit. Dhe kush din ma mirë të shkruajë për këto tema, se Zeqir Lushaj që vet e ka vuajtur mërgimin aq kohë (në Amerikë), me tërë mallin për nënën, familjen, shokët, vendlindjen, atdheun. Vendlindjen e tij, Grinë e Tropojës, nuk e heqë nga mendja, nga vargjet e poezisë e nga rreshtat e prozës. Kjo temë shquhet edhe në skicën “Amanet – mos e hup vorrin”, që është edhe porosi e autorit për të gjithë gurbetçarët. Ka skica edhe të dhemshme, sikur ajo për Zija Hasën, shokun e klasës së autorit, nga shkolla e mesme;  mbresa për mikpritjen në skicën “Te panjohur, por miq”, “Kolltuku i partizanit”,etj,etj.

Me shkrimet e tij: reportazhe, portrete, skica, ese, ditar shënimesh, Zeqir Lushaj portretizon heronjë të luftës e të punës, të mendjes e të veprës,  njerëz të dijes e të kulturës, të pushkës e të penës, për të cilët shpreh nder e respekt, për të mos lejuar zbehjen e heroizmit të tyre. Në veprat e tij, autori e bashkon elitizmin me populloren, dukekrijuar efekte te edukimit letraro-artistik. Duke shetitur gjithë gjeografinë kombëtare, ka krijuar shumë miqë, shumë prej të cilëve ua ka dërguar (falas) librat e tij.  Zeqir Lushaj ka një mjeshtri e stil të veçantë të shkrimit, gjuhë  të rrjedhshme e të pasur edhe me terma nga thesari popullor, e mbi të gjitha një ndjeshmëri, realizëm e humanizëm, duke shquar cilësitë morale, nderin, traditën,  bujarinë, trimërinë, mençurinë e personazheve, të cilët dhanë jetën dhe u flijuan me ndërgjegje për lirinë e për ndërtimin e vendit dhe edukimin e njeriut (“Ata kurrë mos u harrofshin/, në këngë e në valle por u këndofshin”, /At GjergjFishta).

Thonë se distanca kohore sjell dilema në qëndrime e besime  në përceptimin e vlerave për ngjarje, çështje e personalitete të ndryshme, por Zeqir Lushaj e ka ruajtur drejtpeshimin  e palëkundur në idetë dhe në gjykimet dhe vlerësimet e tij, pavarësishtë kohëve e politikave, duke mbajtur gjallë e ringjallë kujtesën për ata burra, luftëtarë, heronjë të luftës e të punës, personazhe të epikës shqiptare, që nuk e lë të harrohen e të zbehet heroizmi i tyre, sado që dikush e diku mund të ketë tendenca për rivlerësimin (a zh-vlerësimin) e ngjarjeve e personaliteteve, për t’ua ulë rëndësinë disave, e për t’ua ngritë të tjerëve pa meritë. Autori Zeqir Lushaj, pa hamendje, thotë: “Unë e besoj heroizmin – po Ti lum zotnia? …Heroizmi na ka frymëzuar, na ka nxitur për vepra të mëdha në dobi të Atdheut e të Kombit, në të gjitha kohët. ..Unë, prap shkruaj libra duke i rënë fyellit (ndoshta për Ty), në të njëjtën vrimë. Qëndrimet tona janë edhe vlerësim edhe (zh)vlerësim i heroizmit, i të djeshmës. … Mendimet i kemi të ndryshme, por them se qëllimin (ishalla) ta kemi krejt të përbashkët”.

Zeqir Lushaj kaloi hapësira kohe, sistemesh e gjeografie të ndryshme, por mbajti drejtpeshimin stabil dhe për shkrimet e veta të asaj kohe thotë: “…Të paktën, në mbi 90 përqind,  fjalë për fjalë do t’i rishkruaja”. Veprat e shkrimtarit Zeqir Lushaj duhet te lexohen të gjitha në vazhdimësi, sepse përmbajtjet e tyre nja 4-5 përqind  janë të ndërlidhura njera me tjetrën, që përsëritën nga botimi paraprak, edhe ato të prozës edhe të poezisë, po dhe të të dy gjinive bashkë.

Parathënien e librit  “Zbehje e heroizmit”, e ka shkruar Halil Katana (dritë e ndjesë pastë),  në të cilën, ndër të tjera thotë: “Reportazhet e Zeqir Lushajt, skicat, esetë dhe tregimet, shquhen për realizëm, janë pasqyrë e një jete të gjallë plot optimizëm në mes të Rinisë aksioniste që, në kohën time lexoheshin me një frymë. Tani autori po ua lë ato brezave të ardhshëm të gatshme në këtë libër, ku jo pak, sidomos prej skicave, botohen e  lexohen për herë të parë” .

-Per ZemraShqiptare, nga Prishtina, shtator 2016-