Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Tefik Selimi: Engjëll Sedaj – emër i madh i kulturës

| E diele, 18.09.2016, 11:50 AM |


Në 10-vjetorin e vdekjes

Engjëll Sedaj – një emër i madh i kulturës mbarë shqiptare...

Nga Tefik Selimi

Sa herë na vjen fundi i shtatorit, na përkujton profesorin e nderuar, tani të ndjerë, Dr. Engjëll Sedajn, i cili vinte rregullisht në Takimet e Dom Mikelit, të Mësuesit të shkollës së parë shqipe, në Stubëll, më (1584). Ai tash e 10 vjet na mungon. Mungon dhe, mungesën e tij e ndjemë shumë. Ai ka shkuar në përjetësi. Por, njerëzit që kanë lënë  vepra të mira, nuk vdesin. Ata jetojnë dhe janë “gjallë” në zemrat e popullit të tij.

Engjëll Sedaj ishte një personalitet i rrallë i botës shqiptare. Personalitet që rrallë kush mund t’ia tejkalojë si njeri dhe si studiues e dijetar. Ishte profesor i merituar i një kohe. Por, ja vdekja, ajo e mori profesorin e nderuar para kohe. Para kohe e mori njeriun e urtë, punëtor, studiues, por edhe njeriun që la gjurmë të pashtlyera në jetën studimore e shkencore. Ishte njohës i madh i shumë gjuhëve. Ky personalitet shqiptar qe një poliglot dhe njohës i thellë i kulturës sonë dhe të huaja. Dhe, jo vetëm kaq.

Dhe, sa herë Engjëll Sedaj, profesor, tash i ndjerë, vinte në Manifestimin Tradicional “Takimet e Dom Mikelit”, që mbahet në Stubëll, ai vinte aty dhe ishte “strumbullar” i krejt këtyre ngjarjeve. Vinte dhe, “hija” e tij shkëlqente si nuri plot dritë. I pati hije qëndrimi i tij dinjitoz, se ishte i madh nga kultura, por i pati hije e ndeja ku ai fliste e zbërthente ngjarje nga kultura më të ndryshme. Por, i kishte hije fjala, respekti, por ai ishte njeri i madh i kulturës shqiptare, në përgjthësi. Ai (Engjël Sedaj), ishte studiues i madh i letërsisë klasike-greke, por edhe i letërsive të  tjera.

Profesor Engjëll Sedaj vinte në këto takime dhe kolegët e tij e respektonin shumë. Ai, sa herë vinte në këtë ditë të shenjtë të Madhit Mësues, Dom Mikelit, ishte i buzëqeshur dhe i përgaditur. Jo rastësisht, një vit pa shkuar në botën e përjetësisë, ai u gjend në këtë takim. Ai ishte si përherë i rrethuar nga vendasit dhe kolegët e tij, si: Isak Ahmeti, Sarë Gjergji, Mark Krasniqi, Frrok Kristaj, Engjëll Koliqi e shumë të tjerë. Mezi atë kohë e përshëndeta ish profesorin tim të nderuar. Ma ktheu përshëndetjen me shtërngim dore. E ndjeva një respekt të ndërsjell. Kjo ishte hera e fundit që e “takova” profesorin e nderura, i cili tash e 10 vjet mungon.

Ndonëse ai mungon, vepra e tij ka mbetur e “gjallë”. Ajo jeton dhe kurrë nuk harrohet. Shumë herë jam afruar afër te kutia “magjike” (kompjuteri) për ta marrë guxim sa për të shkruar pak fjalë për profesorin Engjëlll Sedaj, por e kam pasur si “vështirë” vullnetin tim që ta përkujtoj më denjë në 10-vjetorin e shkuarjes së tij në amshim. Ai (Prof. Engjëlli) e meriton edhe më shumë të shkruhet e të përkujtohet. Qe njeri, studiues, persnolitet e dijetar i denjtë i dijeve filologjike e shkencore...

Siç dihet, Engjëll Sedaj, tash i ndjerë, lindet,  më 14 korrik 1943, në Kabash të Vitisë. Vdiq në Prishtinë më 3 qershor 2006. Tash e 10 vjet më parë. Ishte fëmija i gjashtë i Jak Sedaj dhe Magdalene Sedaj. Pas mbarimit të Shkollës fillore në Kabash dhe Viti, vijoi mësimet e rregullta në gjimnazin klasik në Pazin të Kroacisë, të cilin e përfundoi në vitin 1962. Studioi filozofi në Fakultetin Teologjik në Zagreb, Kroaci (5 semestra) dhe filologjinë klasike në Fakultetin Filozofik në Shkup, ku ka diplomuar në vitin 1971. Mandej, ai, studimet tjera  pasuniversitare i ndoqi në Degën e Letërsisë Shqipe nëFakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, ku në vitin 1980 mbrojti tezën e doktoraturës me temë "Homeri tek shqiptarët". Kjo është një kryevepër e tij monument. Engjël Sedaj, disa herë qëndroi në Romë dhe në universitete të tjera të Italisë për kërkime shkencore, por edhe për të ndjekur ligjërata mbi latinishten mesjetare të prof. Renzo Avesani. Jo vetëm kaq.

Ai (E. Sedaj), karrierën e tij si mësimdhënës e filloi në vitin 1968 në Gjimnazin e Ferizajt, kurse nga viti 1971 punoi pa ndërprerje në Fakultetin Filozofik (filologjik) të Universitetit të Prishtinës. Ishte profesor ordinar i Fakultetit Filologjik të Universitetit të Prishtinës në lëndën Gjuha latine. Një vit akademik ka mbajtur mësim edhe në Universitetin e Tetoves, kurse ligjerata të veçanta ka mbajtur edhe në Beograd, Tiranë, Kozencë etj. Ndërkaq, me kumtesa e kontribute të tjera është paraqitur në më shumë se 50 mbledhje dhe konferenca shkencore në nivel kombëtar e ndërkombëtar. Duke filluar nga viti 1974 e deri ne fund te viteve '80 ka marrë pjesë rregullisht në pesë kongrese të filologëve klasikë të ish Jugosllavisë.

Engjëll Sedaj, profesor, tash i ndjerë, është autor i shumë studimeve për kulturën, letërsinë dhe gjuhësinë shqiptare. Shkrimet e para i botoi në vitin 1970-1971dhe që nga ajo kohë, vazhdimisht ishte i pranishëm në organet tona shkencore e letrare, duke trajtuar tema pak të njohura ose edhe të trajtuara nga e kaluara kulturore, e sidomos tema historiko-letrare dhe gjuhësore shqiptare dhe antike greko-romake. Botoi dhjetëra punime në revisten "Viva antika" (Antika e gjalle) (organ i Shoqatës së filologëve klasikë të ish-Jugosllavisë), me anë të të cilave dëshmoi formimin e tij shkencor si filolog klasik dhe ndihmoi në ndriçimin e atyre vlerave shpirtërore e kulturore shqiptare, të cilat konfirmojnë lidhjet e ngushta historiko-kulturore të Shqipërisë me Evropën dhe përkatësinë europiane të shqiptarëve si komb. Është marrë aktivisht me letërsinë antike - greke dhe romake, duke përkthyer në shqip autorët fondamentale: Aristotelin,Virgjilin, Horacin, etj.

Ai qe edhe kryeredaktor i revistës "Dardania Sacra". Mandej, Prof. Sedaj është marrë edhe me veprimtari politike, duke qënë një ndër themeluesit e Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës (PSH. Dr. Engjëll Sedaj,  tash i ndjerë,  qe një figurë e madhe e kulturës shqiptare. Ai ishte e mbeti një Emër i Madh i kulturës në përgjithësi.

Profesorin e nderuar, Engjëll Sedajn, e njoha në Katedrën e Gjuhës dhe letërsisë shqipe në Prishtinë. Isha student i rregullt i tij. Pata nderin të jem pjesë e ligjëratave të tij brilante. Aty  me profesorin Engjëll jemi takuar duke ligjëruar lëndën Gjuhë latine (Elementa lingua latina).  Engjëlli qe profesor ekspeditiv dhe i përpiktë në punë. A vinte pa u vonuar në orët e ligjëratave mësimore. Vinte me atë qantë që e bartte pas vetes libra e tekste të tjera, të cilat studime e tekste i botonte në Revistën shkencore e artistike “Fjala”, të cilën revistë e ruaj edhe sot me shumë gjelozi. Ky studiues i letërsisë klasike greko-romake, ishte i tëri i dhënë dhe i përkushtuar pas shkencës dhe dijes në përgjithësi. Kur fillonte të fliste për elementet e gjuhës latine, ai qe një pedagog dhe orator i fortë i kësaj lënde në fjalë. Bënte krahasime me gjuhë të tjera, na ushtronte rreth diksionit e të folmes së kësaj gjuhe. Na ushtronte për lakimet e emrave e për shumë “sende’ të tjera të kësaj natyre.

Kaluan vitet dhe erdhi koha të dalim profesorit në fjalë për të dhënë “llogari” për një vlerësim me notë. Në një sallë të katedrës së Gjuhës shqipe, ku prezentonim mbi 60 studentë, lindi një “incident” në mës  profesorit dhe një studenti. Ishte viti dytë i studimeve, viti 1971/72. Si student i rregullt, mu dasht dy herë të dali para profesorit për një notë. Por, edhe kur erdhi radha të jem para tij, e ndjeja vetën të “sigurtë” për një notë të mirë. Gjuhën latine e mësova nga libri në fjalë, por edhe nga ligjëratat e rregullat e nga shënimet e huazuara nga një shok imi, i cili e pati përkthyer krejt tekstin Gjuhës latine. I dija lakimet, fjalët, rasat, gjinitë, por e dija (pak) edhe tekstin ta përkthej nga gjuha latine në gjuhën shqipe.

Ja një detaj të kohës së studimeve. Një student, që nuk ja mësova emrin, u gjend para profesorit Engjëll Sedaj. Profesori ia dha pyetjet, e student nuk dha përgjigje. Pa një pa dy, ky student reagoi “egër” ndaj profesorit: I tha: “Profesor, ma shëno notën, se mjaft dita! Profesor Engjell Sedaj “sikur” nuk e dëgjoi aq mirë dhe vazhdoi të punojë me studentë tjerë. Kur student reagoi për të dytën herë dhe kërkonte një notë kaluese, profesori iu drejtua studentit me këto fjalë: “Ti student, notën nuk mund ta shënoj, se nuk dhatë përgjigje të mirë. Përgaditu dhe vjen herave tjera...”. Studenti bërtiti të njëjtën kërkesë, kurse profesori iu drejtua me këto fjalë: “A ke revole, qit se nuk jam kah të frikësohem. Qit, se notë kaluese nuk të japim, a morre vesh...! Të lus, mos më pengo!” Ne studentët, sa gjendeshim prezentë, heshtëm. Heshtja ishte jo aq e “mirë”, sa profesori, nga kjo “skenë” jo e  mirë, u ngri te dritarja dhe filloi ta pijë një cigare. U kthye te katedra dhe vazhdoi punën me ne, e tha këto fjalë: “O studentë e mi, unë jam me ju e për ju po punoj. Pa punë, s’ka shpërblim... Dijeni të gjithë”!

Prof. Engjëll Sedaj, ishte studiues i pasionuar i gjuhës dhe i së kaluarës së popullit shqiptar. Sedaj ishte autor dhe bashkëautor në shumë vepra e botime shkencore, si edhe pjesëmarrës aktiv në fushën politike e mbrojtjes i çështjes kombëtare të Kosovës. Prof. Engjëll Sedaj shkroi edhe për At Gjergj Fishtën, për veprën e Pjetër Bogdanit e për shumë personalitete të shquara e të merituara të  kombi tonë. Ishte njeri që pati një diapazan të gjerë të dije. Ky ishte Dr. Engjëll Sedaj, një EMËR I MADH I KULTURËS SHQIPE. Njerëzit e mëdhenj, nuk harrohen, por përkujtohen dhe mbesin të “gjallë”, përgjithmonë. Ky ishte profesori i nderuar, dr. Engjëll Sedaj, një emër i madh yni i dijes...

Gjilan, 4 shtator