E shtune, 20.04.2024, 11:15 AM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri: Dashuria, besa, nderi dhe dinjiteti

E enjte, 08.09.2016, 07:06 PM


DASHURIA, BESA, NDERI DHE DINJITETI

(Hasan Elshani, Zjarri i dashurisë, Amanda Edit, Bukuresht 2016)

Nga Baki Ymeri

Mërgimi, vendlindja dhe dashuria janë subjektet elementare të këtij libri me lirika të bukura. Takimi me poezinë është një rast unik kur shpirti i flet shpirtit. Po kjo vlen edhe për artet tjera, sidomos për pikturën dhe muzikën. Poetit i digjet shpirti për t’u rikthyer në vendlindje. Poeti është kalorës agimesh, në takimin imagjinar, herë me yjet, herë me hyjnitë, herë-herë duke vajtur deri në fund të kësaj bote.

Poeti ndarjen nga vendlindja nuk e nënshkruan. Poeti dashuron, ëndërron, shpreson dhe zhgënjimin e dëbon. Poeti ka imagjinatë të fuqishme dhe e ndjen veten si një trung i ndezur përbrenda: ”Po tretem i tëri në flakë/ Vrap në vendtakimin diku lart/ Atje ne orbitë ku digjen zemrat/ Nga zjarri ndaj njëra-tjetrës/ Ti e di se unë jam në udhëtim kurbeti/ Këtë e di sa zgjat itinerari ndër yje / Atje ku unë fluturoj mbi re/ Me vete kam flatrat që m'i fale”. (Acar mes vape)

Jeta është një dhuratë e shenjtë e cila nuk blehet apo shitet me para. Para se të sigurojmë para të veojshme për ekzistencë, kemi nevojë të rizbulojmë lumturinë e lojës së jetës dhe të bëjmë nga ajo lojën e fjalëve, lumturimin e jetës me fjalë të përshtatshme që burojnë nga zemra.

Kjo është logjika e ekzistencës. Një shpirt i çiltër dhe një mëndje e ndërgjegjshme, din ta ndryshojë lojën e jetës me vullnet, me këngë dhe vitalitet. Poeti ka aftësi për  lumturimin e jetës me vlera të mirëfillta artistike, siç vepron edhe autori i këtij libri që të josh ta rilexosh: “Jeta të jep lirinë e natyrën ta gëzojmë”, “Thyeje qetësinë e heshtjes”, sepse: “Këngën e ke art, jetë e dashuri”.

“Zjarri i dashurisë” është një vëllim atraktiv që inkorporohet në spektrin e lirikës së mërgimit shqiptar. Dorëzohet shqiptari, apo jo? Jo! Pse? Sepse, siç thekson poeti: “Nuk dorëzohemi e as nuk frigohemi/ Përderisa kjo botë do të ekzistojë/ Fjala Gjuha, Nderi dhe Besa gjallon/ Thellë rrënjët i kemi në tokën stërgjyshore/ Këtu lindën e rilindën të parët dhe ne/ Ilirë lindëm nga fisi Dardan në tokë të lirë.” (Nuk dorëzohemi).

Dhe më tej: “Shqiptaria nuk dorëzohet as'frigohet/ Sot krenohemi me Tokën e Arbërisë/ Nesër do t’ia bashkojmë tokat e bekuara/ Nënës krenare e të dashur – Shqipërisë”. Fotografia që flet, Dashuria, Në ëndërr më vjen, Një ditë, Mall për ty, Gjithnjë duke qeshur, Musa Hoti, Mërgimtari, Të dashurës, Shpresoj, Cicërrimë shpendi, Acar mes vape, Arbëreshi, Kur vjente vera, Stuhi orkanesh, Symbyllur, Po humbemi ngadalë, Malli për ty Kosovë, Do të kthehemi, Zjarr i dashurisë, janë disa nga titujt e poezive që të joshin që në lekturim të parë. Ta gëzoni edhe këtë vepër të re, Zt. Hasan Elshani!

Shënime për autorin

Hasan Elshani u lind në Kroikovë të Drenasit (23 maj 1948), në një familje patriotike, i edukuar ne frymë dhe ndjenja kombëtare nga babai Hamit Elshani dhe nëna Fahrije Xani-Elshani. Babai i tij kishte kryer tre vjet medrese dhe katër klasë të shkollës fillore në vitet 1924/28. Gjatë luftës së Drenicës ishte në mbrojtjen e interesave të qytetarëve. Punoi në Ministrinë e Punëve të Mbrendshme dhe qe  i burgosur plitik... Si fëmija i pestë nga tëtë fëmijët që kishin prindërit e tij, Hasani qe rritur me vështirërsi, pasi prindi i tij ishte i përndjekur politik. U rrit dhe edukua në një vatër patriotike. Ka kryer tre klasët e para në Gjimnazin e Mitrovicës, si dhe një vit të Normales në Prishtinë. Meqë kishte nevojë për kuadro, u punësua në Ish Gllogovc (Drenas), por për fat të keq, pasiqë ishin të përndjekur, e largojnë nga punësimi. Pjesmarrës aktiv në demonstratat e vitit 1968... Pas shërbimit ushtarak shpërngulet në Slloveni, ku kreu studimet në Universitetin e Lublanës (drejtimin e Krimilnalistikës), ku punoi tërë kohën, deri në pensionim. Është autor i një numri të konsideruar poezishë për fëmijë dhe për të rritur. Merret edhe me përkthime letrare, kurse poezitë i para i ka qëndisur qysh në moshë të njomë, kur ishte nxënës i shkollës fillore. Hasan Elshani jeton dhe krijon në Lublanë.



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora