E enjte, 25.04.2024, 06:58 AM (GMT+1)

Kulturë

Përparim Hysi: Petraqin e kemi në shtëpi

E enjte, 08.09.2016, 06:44 PM


Petraqin e kemi në shtëpi...

In memoriam, Petraq  Zoto

Nga Përparim Hysi

Vjet, në këtë kohë, kam qenë në llixhat e Elbasanit. Atje dhe më gjeti lajmi i ndarjes nga jeta të Petraq Zotos. Mysafirja që kish ardhur në atë kohë tek dhoma ime, mësuesja pensioniste nga Elbasani, zonja e nderuar Ferie Bylykbashi (Bungo), sa më pa që u prisha në fytyrë, më tha:- Mos u mërzit ! Petraq Zoton e kemi në shtëpi. Dhe, vërtet, si mund të harrohet një njeri si Petraq Zoto, kur gati gjithë shqiptarët e kanë atë në shtëpi?!

Tani nga ikja e tij, u bë plot një vit dhe, tek tentoj të shkruaj për të, më duket krejt e pamundur që të shkruaj ndryshe:  se, kur thuaj, e kemi në shtëpi, sikur i ke  thënë të tëra. Dhe janë të rrallë ata që, gjithmonë, i  kemi në shtëpi. Natyrisht, si mik që e kam patur, më vjen mirë. Më vjen mirë që Petraq Zoto është si puna e atij burimit që, pa u tharë, nuk ia di njeri kimetin. Petraq Zoto, në vizionin tim (për fat të mirë dhe jo vetëm në vizionin tim) është një burim që nuk do të thahet kurrë.

*      *    *

Për  tri vjet me radhë, nuk kishte muaj apo dyjavësh pa pirë kafe me  të. I ndërronim klubet me radhë: që nga "Grandi","Ulqini","Migena" e deri tek "Taivani". Vinte gjithmonë me zonjën e tij, Tatjanën dhe,sa uleshim, fillonte"lufta mes meje dhe atij". Shkaku i kësaj "lufte" isha unë që si "çoban me dhënë" që kam qenë, i doja takimet në orë të shpejta. Kisha harruar që këtij "çobanit nga Ziçishti", dhëntë ia "kish ngrënë me kohë ujku" dhe e maste kohën me "sahatin" e një qytetsi të dalë me kohë në pension. Unë po nuk lëshoja pe dhe, tek i  bënim "hutat gushë për gushë", vendosnim urat e pajtimit: "ilaçi" i paqes mes nesh, o ishte Tatjana që ndiqte me prudencë "sherrin" tonë, o mikja jonë e përbashkët, Meri Lalaj që nuk  ndahej nga takimet.

Petraqi! Nuk di, po sa e përmend dhe tak e më rimon me fjalën"mjalti". Po qe mjalti dhe, tek fliste, fjala nuk i binte për tokë. Bëj një analogji të largët. Në një këngë të vjetër popullore, thuhet: " Sumbullën e çmuar, nuk e lë njeri të bjerë për tokë". Dhe e tillë ishte fjala e Petraqit.

Kam shumë gjëra për të thënë për Petraqin, por ndodh një fenomen si me atë lojtarin e mirë të shahut që do të bëjë një mori lëvizjesh për x..kohë të caktuar dhe, ngaqë nuk  arrin dot, bie në atë "bunacë" që në shah quhet "ceitnot".

Kështu ndodh me të vërtetë. Se kam bërë me të një mori diskutimesh e debatesh për letërsinë  dhe sikur kishim dalë nga një "lëkurë". U  jepnim "zgjidhje" (natyrisht, sipas gjykimit tonë) shumë temave apo autorë letërsie.

Unë kisha vlerësim të veçantë për Petraq Zoton (jo vetëm e kisha, por dhe e kam) dhe e quaja: dekan të prozës së bashku  me Naum Prftin, se si "rektor" kam "dekretuar" Paskon dhe,veç tij (epo vlerësimi im,de) dhe Jakov Xoxën për "Lumi i vdekur". Pastaj, si "bluanim mirë e mirë" me "bereqetin" e botës, ktheheshim tek shkrimet tona.

*      *     *

Proza e Petraqit... Qe i çuditshëm: sa lexoje  iks tregim dhe do ndaloje që ta risillje në kujtesë se të ndiqte "frika" se mso e harroje. I  thosha unë: "... po ç'është ai tregim lirik si "Vesitje".Sa poetik! Kur i thosha kështu, ai, modest më tepër se çdo njeri, skuqej sikur kish bërë turp. Dhe, mandej, ndalesha unë në tregimin e tij antologjik "Edhe njëqind". Të dy këta tregime i veçoj dhe i lakoj me superlativa. Mjafton që çdo lexues të lexojë "Enigma e një ftese" dhe, vetëm atëherë, do thoshte kam apo nuk kam të drejtë.

I kthehej dhe i stërkthehej një tregimi dhe ishte për t'u patur zili.

Qe i dhënë shumë pas historisë së popullit tonë dhe kapitulli me tregime historike është nga më  të pëlqyerit edhe prej tij. I thosha unë:- Peço, një student i fakultetit të historisë, mëson më shumë nga tregimet e tua se sa nga ato leksionet si "pastë e thatë" të teksteve të autorëve të ndryshëm. Dhe, për ta bërë më konkrete thënien time, i thosha: - E kam filluar fakultetin për gjuhë-histori unë dhe nuk flas kot.

I vinte mirë dhe mend "lëpinte gjuhën nga kënaqësia", kur i veçoja tregimin "Isuf Arapi". Se vërtet ky tregim është si një baladë e gjallë.

Natyrisht, jam gati të bie në "ceitnot", por, megjithatë, kam të drejtë të bëj dhe ca "lëvizje".

*      *     *

Më duket se kam të drejtë që të thërres si Arkimedi: "Eureka!". Kur them kështu, se, pikërisht, kur vendosa të shkruaj për mikun tim të ndjerë tashmë, gjeta një "thesar". "Thesari" made in Petraq Zoto. Gjeta një fletë të shkëputur nga një bllok i tij dhe mu në krye të faqes: " Me Përparim Hysin..."

Dhe, për të mos mërzitur lexuesin, unë po u bie këtyre shënimeve të mikut tim,ashtu si dy hunj e një purtekë.

"... tek "Lotët  e kumurisë", gjysma është e bukur. Për t'u veçuar: "Disidenti i çudtishëm"," Oha, Balash!","Kolera në fshat"... Xha,Nasi në takim me Enver Hoxhën është personazh që të imponohet. Tek " Rrëfimet e mëkatarit"  e ke"shkelur pak!!!".

Në linjën e tregimit sikur ndjek "Dekameronin" e Bokaçios. "Një meshë për rrobaqepsin e Konti Monte Kristos" është kopsitur mirë.

Ke një frazeologji të zgjedhur dhe di si të folmen e Skraparit, të myzeqarit dhe të  Kosovës në tregimet e tua.

Tregimi "Syri i Diellës" është kapak floriri... Sa mirë e  njeh gjuhën, zakonet e deri tek të folmet  në dialekt.

*     *   *

Po e mbyll këtë shkrim homazh për mikun tim të ndjerë që, gjithmonë e kemi në shtëpi, me një homazh dhimbjejej dhe për  ZONJËN e tij të NDERUAR, Tatjanën, e cila, ende qëndron e "ngujuar" brenda shtëpisë, duke "përtypur" dhimbjen e madhe për NJERIUN që donte më tepër: bashkëshortin e saj, Petraqin. Por unë Petraqit nuk i them dot:-Lmtumirë!

Ai është me mua në raftet e bibliotekës dhe, si thelë përmbi bishtit,  me atë"fletëzën thesar" të shkruar me dorën e tij.

Ca më shumë:" Petraqin e kemi në shtëpi!!!".



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora