E premte, 19.04.2024, 02:04 AM (GMT+1)

Kulturë

Bedri Tahiri: Kapitët- shpirti i shqiptarizmës

E merkure, 07.09.2016, 08:00 PM


Autori midis dy Skënder Kapitëve (Durrës, 1 Shtator 2016)
Autori midis dy Skënder Kapitëve (Durrës, 1 Shtator 2016)
Kapitët- shpirti i shqiptarizmës

Në 27-vjetorin e ndarjes nga jeta të atdhetarit Sabit Kapiti

Nga Bedri TAHIRI-GALICA

Përherë e më shumë po i besoj asaj thënies: Rasti është mbreti i botës. Po, po, se po e provoj vetë. Kështu më ngjau edhe sivjet kur vajta për të pushuar e për t’u çmallur me miqtë e mi, Kapitët e Durrësit, siç edhe kanë bërë emër tashmë në gjithë hapësirat shqiptare. Kësaj radhe edhe një befasi tjetër. Tek hotel “Drenica” e atdhetarit dhe luftëtarit të UÇK-së, z. Gani Kapiti, takohem me dy burra të Kapitëve, me emër e mbiemër të njëjtë: Skënder S. Kapiti!!!

Në të parë, disi si e pabesueshme për lexuesin, ashtu siç më erdhi edhe mua në fillim. Ama, ashtu është. Që të dy krijues, që të dy pinjoll atdhetarësh, që të dy modestë e fjalëpakët, por të vyeshëm e duarartë. Skënder Sadri Kapiti dhe Skënder Sabit Kapiti. I pari jeton në Durrës e i dyti në Londër. I pari publicist, politolog, opinionist e mbi të gjitha atdhetar, që gjatë luftës së lavdishme të UÇK-së ishte sekretar i qendrës më të madhe të rekrutimit të luftëtarëve të lirisë nga diaspora, në “Drenica” të Durrësit. I dyti poet, aktor e piktor që po lë gjurmë pavdekësie nëpër botë. Dhe, edhe ata vetë po takoheshin për herë të parë në jetën e tyre! Lidhja e tyre erdhi përmes vëllezërve të tyre, Ganiut e Ejupit, pas një takimi në Gjermani.

Lidhja e tyre- Atdhetarizmi

Sidoqoftë, ata, më shumë së gjithçka, i lidhi gjaku i tyre dhe atdhetarizmi që Kapitët e patën amanet brezash që nga trojet e veta stërgjyshore në Kapit të Medvegjës. Ajo ndjenjë i ndoqi si hije kudo që vajtën e kudo që u ngulitën.

Kapitët e Durrësit gjithmonë ndoqën rrugën e nderit. Kush nuk i njohu vëllezërit Sadri, Sadik e Baftijar Kapitin që  kurrë nuk i lëshuan nga dora armët e lirisë. Kush nuk i njeh vëllezërit: Sylejman, Fatmir, Skënder, Naim e Gani Kapiti, të cilën u shkrinë për lirinë e Kosovës. Ata, me mish e me shpirt, duke mos kursyer as mall, as shtëpi, as katandi, u vunë në shërbim të luftëtarëve të lirisë. Madje, jo vetëm kaq, ata që të gjithë ishin të mobilizuar në strukturat e organizimeve të UÇK-së. Orientimin e tyre kombëtar e vërtetojnë me gjithçka. Mjafton të shikohen emrat e fëmijëve të tyre: Dardan, Ilir, Drenicë, Kosovë, Arbër, Arbëra, Prizren, Liri, Qëndresë, Antigonë, Drin, Edonë, Ujkan, Egzon, Jehonë...

Për Sadri Kapitin, luftëtarin e Shaban Polluzhës dhe për djemtë e tij, që tashmi i njohin të gjithë, është shkruar tek libri “Atdhetarizmi jeton në përjetësi”, i cili ka përjetuar dy botime, të parin në Prishtinë e të dytin në Tiranë, ndërkaq për Sabit Kapitin, mësimdhënësin, doktorin dhe themeluesin e LNDSH (Lëvizjen Nacional-Demokratike Shqiptare) në Podujevë është e nevojshme të thuhen ca fjalë...

Atdhetari Sabit Kapiti ishte një personalitet i kompletuar kombëtar. Kishte studiuar për biologji-kimi dhe një kohë punoi mësimdhënës në shkollat e Podujevës, ku edhe formoi grupin më të fortë të Lëvizjes së NDSH. Si aktivist sypatrembur dy herë u burgos. Herën e parë i vuajti pesë vjet në burgun e Nishit. E arrestuan shumë keq, e nxorën nga ora e mësimit dhe duarlidhur e dërguan në polici. Nxënësit e tij sypërlotur i shkuan pas. Ai, nga përtej grilave, i këshilloi që të ktheheshin në mësim dhe të bëheshin të fortë, se nuk duhet lotuar, por duhet qëndruar ashtu siç i kishte mësuar në shkollë. Herën e dytë, më 1964, e dënuan me 3 vjet e shtatë muaj.

Edhe në burgje mbajti qëndrim të pathyeshëm e burrëror. Nuk bën të mos përmendet rasti kur familjarët e tij u kthyen nga Nishi, pa folur fare me të, ngase nuk pranoi të fliste në gjuhën serbe, siç kërkuan cerberët karpatianë.

Në ndërkohë kishte kryer edhe stomatologjinë në Split dhe ushtroi edhe profesionin e mjekut. Deri në vdekje, më 1 shtator 1989, qe i nderuar dhe i respektuar nga të gjithë...

Ekspresionisti modern shqiptar që nuk e harron atdheun

Të kthehemi sërish nga e para. Skënder Kapitin e dytë nuk e kisha njohur më parë. Gjatë një kuvendimi të qetë buzë Adriatikut mësova se ai ishte i lindur më 1950 në Shakovicë (sot Sukë) të Podujevës. I edukuar mirë e mbarë në rrugën e mbarësisë nga i ati, Sabit Kapiti, dhe i kalitur edhe në sfidat që përjetoi gjatë fëmijërisë, djaloshi entuziast mbaroi me sukses Akademinë e Arteve, dega e Dizajnit Grafik në Prishtinë dhe për shumë vite ushtroi misionin e shenjtë në Gjimnazin “Sami Frashëri” e në SHT “19 Nëntori” në Prishtinë.

Talentin e tij prej krijuesi, edhe pse i ndrydhur nga politika, e shfaqi herët, duke nisur me poezinë. Poezinë e parë “Katrorët e mia” e ka botuar në gazetën “Rilindja” në vitet e ’70-ta. E kishte ndihmuar dhe përkrahur shumë Beqir Musliu, i cili kur e kishte takuar para Teatrit, i kishte thënë: “Nëse vazhdon kështu (e kishte fjalën për poezinë e parë) të gjithëve do të na futesh në xhepin e vogël”. Poezitë e tjera, sot i numëron mbi njëqind, përveç në “Rilindje” i ka botuar edhe në “Bota e re”, Zëri i rinisë” etj.

Mirëpo, siç e pranon edhe vetë, shpirti i tij pushon në pikturë. Prej vitit 1992 jeton e krijon në Angli, gjegjësisht në Londër. Atje ke ecur shumë në fushën e artit pamor. Ka vizituar thuajse të gjitha galeritë e njohura botërore dhe ka bërë krahasime, duke e gjetur vetveten. Ka marrë pjesë në shumë ekspozita personale e kolektive, në shumë konkurse, duke zënë vende të merituara. Më 1993, në konkursin e Akademisë me titull “Ekspozita e Verës”, ku morën pjesë trembëdhjetë mijë piktorë, ky u paraqit me pikturën “Pajtimi” dhe zuri një vend të kënaqshëm. Ekspozita madhështore ishin edhe “Java botërore e refugjatëve” dhe “Gjurmët e jetës” të vitit 1995. Në Angli e cilësojnë si “Simboli i Kosovës”. Nga Shqipëria pikturat e tij i kanë vizituar edhe dy ambasadorët: Pavli Qesku dhe Agim Fagu.

Veprimtaria e tij është e begatshme, i ka mbi 500 piktura. Edhe pse, punimet e tij, kryesisht i takojnë ekspresionizmit modern, ato në vetvete ngërthejnë motive nga Kosova dhe nga Shqipëria. Prej piktorëve shqiptar e çmon Ibrahim Kodrën, ndërkaq nga të huajt amerikanin Viliam Decyny. Teknika e punimeve është temperi, tushi dhe letra. Mishërimin e poezisë me pikturën i ka në shpirt.

Sipas tij UÇK-ja është më e madhërishmja në gjithë historinë tonë. Derisa dolën në skenë luftëtarët e UÇK-së asnjë gazetë angleze kurrë nuk pati shkruar për Kosovën. Pra, ushtria jonë çlirimtare e ngjalli interesimin  e gjithë globit,-shton përmallshëm krijuesi i palodhur, që një ditë synon edhe Holivudin, ngase ka prirje edhe për aktrim. Ai ka bërë pikturë edhe për Skënderbeun, edhe për Shotë Galicën...E ka në përfundim e sipër edhe atë për komandanti legjendar të UÇK-së, për Adem Jasharin, të cilën do t’ia dhurojë qendrës ku u mobilizuan luftëtarët e lirisë që vinin nga mërgata, hotel “DRENICA” të Durrësit të luftëtarit Gani Kapiti. Një kopje të saj do të ma jap edhe mua që ta vejë në ballinë të librit tim “Adem Jashari-legjendë e legjendave” me rastin e ribotimit të njëmbëdhjete.

Në një formë a një tjetër, rrugën e tij po e ndjekin edhe të katër fëmijët: Rudina (disajnere), Ardiani (fotograf i talentuar), Gresa (njohëse e bizneseve) dhe Rroni (disajner).

Këta janë Kapitët që njoha unë. Ata janë edhe më shumë dhe që të gjithë, siç mësova nga historia, e lozin mirë këngën e grykëhollave. Ata, gjenetikisht e historikisht, sikur e kishin për turp të vdesnin me kokë në jastëk, gjithmonë i pëlqyen rëniet në fushë të nderit, në beteja e në istikame. Në radhët e UÇK-së kishte shumë djem të Kapitëve. Në mesin e tyre edhe dëshmori Florim Rushit- Kapiti “KINGJI”, armën e të cilit e mori në dorë dhe e vazhdoi luftën deri në çlirim i vëllai, Lulëzimi. Andaj, edhe shkrimin tim po e titulloj: Kapitët- shpirti i shqiptarizmës.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora