E premte, 19.04.2024, 07:30 PM (GMT+1)

Kulturë

Ndue Lazri: Arti i buzëqeshjes në skenën arbëreshe

E marte, 06.09.2016, 05:45 PM


ARTI I BUZËQESHJES, NË SKENËN ARBERESHE

-Rreth shfaqjes së grupit teatral “Shoqëria e ndrikullave” tek arbëreshët në Çivita.

NGA NDUE LAZRI

Mbrëmja bie e qetë në Çivita, këtë fshat të bukur arbëresh ngulur mbi shkëmb në këmbët e parkut të madh natyror të Polinos në Kalabri. Oborri i shkollës, ku janë vënë radhë me karrike në tërë hapësirën e tij, i ngjan këtë mbrëmje gushti një kinemaje verore. Kemi bërë 800 kilometra rrugë për të ndjekur shfaqjen e një spektakli teatror të grupit amator të fshatit, me ftesën e mikes sonë Rosanna La Cattiva. Oborri i improvizuar si sallë teatri pak nga pak mbushet me spektatorë të të gjitha moshave, aq sa nuk mbetet më asnjë vend bosh, madje ka nga ata që qëndrojnë në këmbë, edhe në dy rrugët anash oborrit. E të tjerë e ndjekin nga dritaret apo ballkonet e shtëpive që e hedhin syrin deri në oborrin e shkollës. Kanë ardhur edhe autoritetet lokale të të dy fshatrave, Frashnita e Çivita.

Shfaqjet e teatrit nga grupi amator, ashtu si edhe spektakle të tjera të organizuara në këto dy fshatra janë evenimente të gëzueshme, që i bashkojnë banorët e tyre. E kishim vënë re këtë në pranverë në Frashnita në shfaqjen e dramës “Kostantini e Garentina” (një nga versionet arbëreshe të legjendës së Kostandinit e Doruntinës), e shikojmë edhe në këtë fund vere këtu në Çivita në shfaqjen e komedisë “Kush pështon (ikën), kush qindron”, nga grupi “Shoqëria e ndrikullave”.

Komedia është shkruar në gjuhën arbëreshe nga Prof. Vincenzo Bruno, i cili është edhe regjisor i shfaqjes. Autori e ka menduar e shkruar komedinë pikërisht për ambiente të tilla të vogla, që nuk kanë nevojë për luksin e një salle të madhe teatri apo për dritat marramendëse të skenave të shquara. Grupi i vogël teatral, bashkë me regjisorin, përbëhet nga 12 veta. Një grup që mund të spostohet lehtë nga një vend në tjetrin nëpër fshatrat arbëreshe e ta improvizojë të vetmen skenë që ka e gjithë shfaqja edhe në mes të rrugës

Skena është ndërtuar mbi atë pakëz sipërfaqe që përbën një tarracë të vogël ku të çojnë shkallët para se të hysh brenda në shkollë. Ajo paraqet një shtëpi të zakonshme arbëreshe, të mobiluar thjeshtë e në mënyrë simbolike, ku zhvillohet edhe ngjarja e sjellë në komedi. Subjekti është i thjeshtë, por intrigues. Në një lagje të vogël arbëreshe ndërthuren e shkojnë drejt zgjidhjes disa fakte, ngjarje e intriga dashurie, që kishin filluar me kohë, por që autori i sjell para publikut në kulmin e tyre. Dy të rinjtë, Peppino e Samanta dashurohen e janë fejuar në mënyrë sekrete. E sapo vendosin ta bëjnë publike lidhjen e tyre, lindin një sërë kundërshtish e intrigash që kanë si qëllim prishjen e kësaj dashurie. Synimi i ndrikullave, mjeshtre në thashetheme e prapaskena, është që Peppino të lerë Samantën e të fejohet me Angjelinën, vajzën e njërës prej tyre. Situatat zhvillohen nëpërmjet një humori të hollë, plot situata komike e batuta të mprehta e goditëse, që meritojnë herë pas here duartrokitjet e ngrohta të publikut

Autori është mjeshtër në ndërtimin e subjektit e të situatave dhe në tipizimin e personazheve. Përvoja e tij 40 vjeçare bën të spikasë jo vetëm mjeshtria e penës, por edhe intuita dhe syri i regjisorit, që di të ravijëzojë një karakter të veçantë tek secili nga 11 personazhet e komedisë. E për ta bërë këtë i është dashur të kapërcejë jo pak vështirësi. Mbi të gjitha mungesën e elementit interpretues mashkull

Nga 11 aktorët, vetëm një është mashkull, dhjetë të tjerët janë femra. E janë ato që duhet të mishërojnë tre personazhe meshkuj. Duke ndjekur shfaqjen, vëren se falë mjeshtrisë së tyre interpretative, por edhe grimit, veshjeve etj. thuajse nuk vihet re që në ato role meshkujsh interpretojnë femra. Rosanna La Cattiva në rolin e protagonistit kryesor Pipinuçi, Delia Piscitelli në rolin e kumbarës Xhakino dhe Giovannina Barone në rolin e marshallit të karabinierëve kanë ditur të hyjnë psikologjkikisht e artistikisht në rol, duke e demonstruar në tipizimin e personazheve që luajnë e duke sjellë përpara spektatorit karaktere mashkullorë të spikatur. Gjuha, lëvizjet e tyre, mimika, mënyra e të sjellurit në momente e situata të ndryshme janë tipike burrërore. Veçanërisht Delia Piscitelli në rolin e kumbarës tregon një lojë të bukur artistike në skenë, duke dhënë një personazh midis dramatikes e komikes, sipas situatave të krijuara nga autori

Situata të mrekullueshme krijojnë me lojën e tyre Maria Antonietta Manna në rolin e zonjës Menucë, e cila nuk mund t’ i ketë asgjë zili një aktoreje profesioniste, si dhe Rosa Maria D. Agostino e Caterina Zaccaro në rolin e dy ndrikullave që janë ndërthurëset e tërë intrigave. Autori ka krijuar një treshe personazhesh, që e ndezin skenën sa herë që shfaqen përpara publikut, duke e bërë atë të përjetojë thellësisht ngjarjet që servir nëpërmjet pjesës së tij teatrale

Figura simpatike krijojnë me lojën e tyre edhe Carmela Mastrota në rolin e Samantës, Daniela Manna në rolin e Anxhelinës, Lina Lista në rolin e Ndonetës, Francesco Filatro në rolin e karabinierit e Lucia Restieri në rolin e Avokates.

U ndala në vlerat e shfaqjes dhe rolin e aktorëve për të evidentuar atë pasion dhe atë traditë të mirë që kanë arbëreshët për organizimin e shfaqjeve e spektakleve në gjuhën e tyre, me synimin e përhershëm për të ruajtur brez pas brezi gjuhën, traditat, zakonet e kostumet kombëtare e për t’ i transmetuar edhe tek brezat e rinj.

Është një sipërmarrje e lavdërueshme, sepse ata i japin kësaj po aq rëndësi sa vetë ekzistencës së tyre. Tek ndiqnim shfaqjen, intrigat, gjuhën e personazheve, psikologjinë e tyre harroje që ishe në një ambient arbëresh. Madje loja e ndrikullave na sillte disi në mendje komedinë “Këshilli i ndrikullave” vënë në skenë me sukses nja dyzet vjet më parë nga teatri “Migjeni” në Shkodër.

Meritë të veçantë ka autori i komedisë, Vincenzo Bruno, i cili ka dyzet vjet që është bërë si të thuash babai i teatrit në këto komuna arbëreshe dhe u servir grupeve amatore të këtyre fshatrave pjesë të ndryshme në dramë e në komedi, që ata i venë me sukses në skenë. Ai është bir i prindërve arbëreshë, ka studiuar letërsi antike në Napoli dhe ka dhënë mësim në shkolla 8 vjeçare e të mesme. Është bashkëdrejtor i revistës “Katundi ynë”, e cila botohet që nga viti 1970 dhe kujdeset në mënyrë të veçantë edhe për muzeun etnik arbëresh të Çivitës. Në vitin 2004 ka fituar çmimin letrar “Gjergj Kastrioti Skanderbeg” për krijimtarinë e tij.

Të nesërmen pas shfaqjes na ftoi të vizitonim shtëpinë e tij, e cila i ngjan më shumë një studioje të madhe pune. Ngado libra, dorëshkrime të shumta mbi tavolinë, kompiuteri gjithnjë në punë. Bëjmë me të fotografi dhe ai na dhuron me bujari disa nga 11 librat e shkruar prej tij.

Me arbëreshët e këtyre trevave Fedarata jonë FNAI ka krijuar një lidhje e bashkëpunim që vjen gjithnjë në rritje. Pas vizitave tona atje dhe pjesëmarrjes së Mjeshtres së Madhe Lucia Martino në Festivalin e Kulturës Shqiptare në Mantova, tani po ecet me projekte të përbashkëta aktivitetesh. Ndër më të afërtat është sjellja e grupit teatral të Frashnitës në Tiranë e Kosovë me pjesën teatrale “Kostantini e Garentina” e më vonë organizimi i një festivali të përbashkët të kulturës shqiptare tek arbëreshët. Në këto projekte po tërhiqen edhe autoritetet lokale të zonës, që janë të ndjeshëm ndaj problemeve të pakicave etnike dhe marrin pjesë në jetën e tyre.

Kësisoj jemi gjithnjë e më afër me vëllezërit tanë të një gjaku dhe bashkërendojmë pjesë të jetës dhe aktiviteteve të emigrantëve të 5 shekujve më parë me ato të emigrantëve të shekullit të fundit.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora