E enjte, 28.03.2024, 10:53 PM (GMT)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Shenjtërim

E diele, 04.09.2016, 08:00 PM


Shenjtërim

Nga Elvi Sidheri

Është ndër ato ditë që mënjanë që shenjohet nga një ngjarje e hyjshme si “Shenjtërimi”, faktikisht edhe në vetvete shenjtërohet katërcipërisht, sikur të ishte spërkatur me ndonjë pikël nga shenjtëria e përçuar drejtpërdrejt nga aureola tashmë përfundimisht e shenjtë e Nënë Terezës sonë shqiptare.

Sepse, sepse nuk i dihet a për rastësi ( “non a caso il caso” do të thoshin fqinjët italianë, pra “jo rastësisht rastësia”), por një Zot e di se përse, gjithçka e lidhur me kremtimin e hyjshmërisë së Nënë Terezës, gjithnjë ndodh dhe mishërohet me tërë bekimin qiellor, pashmangshëm vetëm në muajin shtator.

Ajo pati vdekur në shtator 19 vite më parë, Papa Françesku do ta nderonte dheun e gjakut dhe kombit të saj, në shtatorin e dy viteve më parë, me atë vizitë më tepër lartësuese drejt qiejve të perëndishëm të të gjitha vlerave dhe cilësive të rralla shqiptare, sesa thjesht madhështore, faqe botës së tërë, dhe, sot, Nënë Tereza shpallet shenjtore, sërish në shtator.

Në qytetin e përjetshëm të Shtatë Kodrave Romane, aty ku dikur u pat kryqëzuar përçmueshëm me kokëposhtë Shën Pjetri, aty ku tradita e krishterë do të zinte pandalshëm fill, krah Kostandinopojës, pas vegimit të hyjshëm të një paraardhësi të shqiptarëve modernë, një iliri të madhërishëm, Kostandinit të Madh, që fesë të përqafuar me mish e shpirt në tërë qenien e saj nga Nënë Tereza rreth 16 shekuj më vonë, do t’i jepte ligjësitë dhe ligjshmërinë e lirinë e plotë në Perandorinë e drejtuar mençurisht prej tij.

Një fe e krishterë, që në të dyja nëndegët e saj parësore (katolike dhe ortodokse), sot e kësaj dite, duke mënjanuar sikur qoftë edhe njëherë përunjësisht modestinë e tepruar, mbetet pra, jo pak e shenjuar nga gjurmët e shumë pinjollëve të racës shqiptare ndër shekuj, të prirë denjësisht nga biri i Dardanisë Kostandini i Madh nga Nishi, dhe bija tjetër e Dardanisë moderne, Shkupit shqiptar dhe Shqipërisë e shqiptarësisë së prag-mijëvjeçarit të tretë, Nënë Tereza.

Të gëzojmë sot, është pak, ndoshta vetëm një shprehje e pavetëdijshme e diçkaje fort më fisnike dhe të papërshkrueshme që të tërë ne shqiptarët jo gjakprishur, ndjejmë thellë në vetvete.

Nënë Tereza është shenjtorja e botës, por ajo shenjtëroi njëkohësisht, bashkë me forcën e saj të besimit tek Hyu në qiej dhe vullnetin e saj të paepur, edhe thelbin e qenësisë shqiptare ngaherë... “In saecula seculorum” siç do të thuhej në gjuhën liturgjike katolike.

Nënë Tereza pra, u desh pikërisht kjo grua shtat-mpakur dhe plot dhembshuri të krishterë, sa edhe thelbësisht shqiptare, që përmes BESËS shqiptaro-hyjnore që i pat dhënë të skamurve dhe të vobektëve të krejt botës në të gjallë dhe amëshim të saj, që shqiptarësia të shpërfaqte planetarisht gjithë tërësinë e mirësisë shqiptare!

Nënë Tereza është shembulli sesi të qenët shqiptar, nuk do të thotë vetëm tranzicion vlerash dhe mënyre jetese, sesi shpresa mund të ngadhënjejë mbi pezmin, mohimin e të ardhmes si dimension jetësor, zhytjes në përditshmërinë amorfe të lakuriqësisë së ndjenjave dhe besimit të përtharë tek e ardhmja, gjë kjo që nuk prek dhe përfshin gjerësisht vetëm popullin e saj të gjakut, pra shqiptarët, por tërë të tashmen e botës së ditëve tona, të ngërthyer në një krizë identitare që po i regj dhe vyshk pakthyeshëm të tëra ndjesitë që njeriun modern do të duhej ta shtynin drejt përpjekjes për përmirësimin e vetvetes dhe ambientit të tij jetësor, duke u mishëruar kështu në rrezatimin e shpresës, si mëshirë qiellore, por edhe njëkohësisht si një e drejtë e pamohueshme e gjithëkujt.

Prandaj Nënë Tereza e pati nisur veprën e saj të pashlyeshme pikërisht nga India e kastave, e varfërisë së skajshme, por edhe e potencialeve të jashtëzakonshme zhvillimore, siç po dëshmon ky vend i stërmadh, tanimë prej dekadash, duke u ranguar imponueshëm mes ekonomive më vitale botërore.

Ajo u dha dinjitet të përçmuarve, jetë të vdekurve, frymë të mbyturve, buzëqeshje të fikurve, një dorë të pamundurve, gjak të plagosurve, mbështetje të thyerve, nuk e kurseu një fjalë të ëmbël për të ligështuarit dhe u ofroi parajsën edhe atyre që pandehnin se ferri ishte dimensioni që u qe caktuar qysh në lindje.

Ferr nëpër të cilin, në vendin e gjakut të saj, kaluan familja e saj më e afërt, nëna Roza dhe motra Age në Tiranë, të pllakosura nga mënjanimi, evitimi porsi të mishëronin lebrën apo zgjebjen për eksponentët e regjimit sadist monist shqiptar.

Ato u lanë të shuheshin në heshtje, të skamura e të përçmuara, njëlloj si lebrozët e Kalkutës, që motra dhe bija e tyre kuronte me pasion vetëmohues ditë për ditë.

Ishte ky fati i tyre, ishte ky edhe fati i Nënë Terezës sonë të Shenjtë mesa duket.

Kontradiktat dhe rastësitë aspak rastësore të jetës pra.

Kalvari i familjes së Nënë Terezës, fatmirësisht nuk mund t’i atribuohet popullit të saj që e deshi qysh në fillim (aq sa njerëzit e thjeshtë të lagjes ku pati banuar familja e Shenjtores sonë, iu pat gjendur përherë pranë nënës dhe motrës së saj, përkundër rrezikut përkatës nga ndihma ndaj këtyre të nëmurave në syrin e autoriteteve moniste), pavarësisht territ informativ të imponuar nga regjimi lidhur me të, pavarësisht etiketimeve më të padenja dhe të turpshme kundrejt saj, të artikuluara nga goja e merhumit Enver, ulkonjës së tij apo kërrmangrënësve të tjerë të Byrosë Politike që lehnin kundër murgeshës shqiptare para të cilës përulej një botë e tërë dhe njerëzit më të pushtetshëm të planetit, kur asaj i jepej çmimi Nobel, apo në OKB e kudo tjetër.

Sot të gjithë ngazëllehemi e festojmë ? përfaqësuesit më të lartë shtetërorë të Shqipërisë dhe Kosovës, qëndronin në rradhë të parë në shenjtërimin e saj, ashtu si mijëra e mijëra shqiptarë me flamuj kuq e zi në duar në sheshin Shën Pjetër, me mungesën e vetme dallkauke të “liderëve” politikë pushtetarë e opozitarë shqiptarë të IRJ Maqedonisë, që duket se patën deleguar presidentin antishqiptar Ivanov në emër të tyre – kremtojmë, pushtohemi nga hareja hyjnore që na fali Shenjtorja Jonë që botës i përçon plotësinë më unike të gjithëvlerësisë më të epërme,dëshmi e shpirtmirësisë më burimore shqiptare.

Shën Nënë Terezën, tani e tutje do të nevojitet ta ndjekim në hapat e saj shenjtëruese, dhe Zoti na ndihmoftë gjithmonë!



(Vota: 12 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora