Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Adil Fetahu: Një letër nga Krusha e Madhe

| E diele, 28.08.2016, 09:07 AM |


NJË LETËR NGA KRUSHA E MADHE

Nga Adil FETAHU

Duke hulumtuar një material nga  dy regjistratorë të “arkivit” ish-Këshillit Ekzekutiv të ish-Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, që kohë më parë m’i dha  ish-normalisti i vyeshëm, Ismail Muharremi, ndër të tjera, gjeta një shkrim që më tërhoqi vëmendjen, dhe besoj se është me interes ta bëj publik për lexuesit e nderuar. Ai shkrim është titulluar: “Letër e hapur protestuese e intelektualëve dhe studentëve të Bashkësisë Lokale Krusha e Madhe, për të drejtat elementare njerëzore të Mr.Ukshin Hotit”. Letra mban datën 6 mars 1990, është nënshkruar nga 111 veta, dhe është dërguar  me postë në të gjitha adresat e organeve më të larta shtetërore në nivel të  RSFJ, të Republikës së Serbisë dhe të Kosovës, pastaj Forumit Jugosllav për të Drejtat e Njeriut, Këshillit për të Drejtat e Njeriut në Kosovë, si dhe të gjitha mjeteve të informimit në Kosovë, dhe gazetave kryesore në ish-Jugosllavi: “Rilindja”, “Jedinstvo”, “NIN”, “Borba”, “Delo”, “Danas”, “Oslobodjenje”, “Pobeda”, “Dnevnik”, “Nova Makedonija”.  Kopja të cilën e ka marrë Këshillit Ekzekutiv i KSAK, është vulosur me vulën e pranimit  dhe është regjistruar me numër: 01-07-590/96, datë 13.03.1990. Në vazhdim po e japim përmbajtjen e letrës (pa asnjë ndryshim):

“Të motivuar nga obligimi moral dhe njerëzor, ne intelektualët e studentët e BL Krusha e Madhe (ku bëjnë pjesë edhe fshatrat Nagafc, Celinë), i bëjmë me dije opinionit të gjerë demokratik, kosovar e jugosllav se tash e 9 vite, i injoruar në shekullin e triumfit të plotë tëtë drejtave të njeriut, në baltën e perzhinës, në periferinë e fshatit qëndron i burgosur Mr.Ukshin Hoti, për fajet që koha e dmosit veë I vorrosi. U lind po në këtë fshat më 1943. Në moshën 12 vjeçare që i detyruar të largohej për hire të shkollimit (8 vite shkolla fillore, 5 vite shkolla e normales në Prizren e Prishtinë, 4 vite Fakulteti i Shkencave Politike në Zagreb, 2 vite studimet posdiplomike në Beograd – drejtimi i Marrëdhënieve Ndërkombëtare Politike dhe Ekonomike dhe specializoi në Universitetin e Çikagos, të Harvardit në Kembrixh – Boston dhe në Uashinkton D.C.,1 vit), në të cilën pas plot 31 vjetësh, në moshën 42 vjeçare e detyruar të kthehet po aty. T’i ndalosh njeriut të jetojë, mbi të gjitha, si qenie njerëzore e kreative, pas tërë këtij shkollimi sistematik 20 vjeçar dhe punës intelektuale e shoqërore (ku, kudo dhe kurdo që qe – ishte ndër më të mirët), vetëm për shkak se në një çast të caktuar të jetës së tij u përcaktua për atë që atij iu duke si opcion i vetëm i mundshëm i rregullimit të tërësishëm shoqëror të Jugosllavisë dhe i statusit të KSA të Kosovës brenda saj, ndonëse kjo u ndesh me vlerësimin e politikës zyrtare; as atëherë e drejta për të shprehur mendimin e lire, në kohë të duhur, në vend të duhur dhe në mënyrë demokratike nuk ishte e ndaluar me ligjet pozitive, me të cilat mburrej shoqëria e jonë. Kjo edhe atëherë si edhe sot do të thoshte: jo vetëm brutalisht ta  injorosh, me dhunë ta jetërsosh, por trajtimi i tillë doemos e denigronte, jo vetëm personalitetin e tij, por edhe të rrethit, sikurse do të duhej ta denigronte edhe shoqërinë në tërësi; lindjes të së cilës i kontribuoi babai i tij me gjeneratën e vet (baballarët tanë), ndërtimit dhe zhvillimit të së cilës në kuptimin më të mirë të shprehjes ia kushtoi vitet më të bukura të jetës dhe fuqitë më të mëdha kreative të qenies së tij.

Mbi keqtrajtimet e tilla kush vallë mund të qëndrojë mospërfillës dhe indolent??? Njeriu që ka gjak, kockë e mish kurrë!!!

Pasimi i procesit të montuar politik, ndaj Mr. Ukshin Hotit, e përjashton çdo logjikë të komentimit. Një gjë e tillë së paku gjer më tani në Kosovë është bërë e zakonshme, njëslloj, si ushqimi ditor. Diskutimi i lirë (mbledhja e OB të LK të Fakultetit Filozofik, dega Filozofi-Sociologji të 19 nëntorit 1981), mbi proceset aktuale të kohës së atëhershme, polli arestimin e tij, një ditë më vonë, më 21 nëntor 1981 dhe pastaj nenin 114 të LPJ dhe dënimin prej 9 vitesh burgim për kontrarevolucion. Duke qenë e “meshirshme” Gjykata Supreme pa se gjygjtari Ismet Emra, i sellshmi dhe i paanshmi e kishte stertepëruar, dënimi u zbrit në 3 vjet e gjysmë, i cili e u mbajt në tërësi, nëpër burgjet hetuese të Jugosllavisë, në mbështetje të nenit 133, pika 1 e LPJ.

Athua vallë, ish-ligjeruesi i vitit të III-IV të Fakultetit Juridik, drejtimi Juridiko-Diplomatik; të vitit të III të Fakutletit Filozofik, dega Filozofi-Sociologji; të shkollës politike Qendrës Krahinore për Arsimimin Marksist “Edvard Kardel”, isht-sekretari i Sekretariatit për Marrëdhënie me botën e jashtme të KE dhe Kuvendit të KSA të Kosovës; ish-anëtar pothuaj i të gjitha forumeve që merrëshin me politiken ndërkombëtare dhe pjesëmarrës më rëndësi në formulimin, krijimin dhe zbatimi e kësaj politik të vendit në tërësi, bëri sakrilegj aq të rëndë për këtë shoqëri. Po qëse besojmë në atë se është pikërisht vepra, ajo që, që mund ta vlerësojë njeriun, atëherë tek Mr.Ukshin Hoti kjo çështje demanton fuqishëm pozitën dhe trajtimin e tij, si në burg ashtu edhe jashtë tij.

Ç’ndodhi pastaj?

Mr. Ukshin Hoti më nuk ishte i privuar nga liria. Ai tanimë u privua edhe nga e drejta për të jetuar si qenie shoqërore. Pasoi izolimi i plotë, shkëputja e çdo komunikimi me rrethin intelektual e madje edhe me atë fshatar sepse edhe kontakti thjesht njerëzor i bënte ata fajtor ndaj shtetit me pasoja shpesh here të paparashikueshme – diferencimi famoz vepronte. E detyruan që të mbyllej në një kasollë përdhese, larg syve të njerëzve në mënyrë që e vërteta tmerruese mbi gjendjen e tij të mos mbërrinte gjer tek ata. I mbetur pa as më të voglin burim të ardhurash materiale, si baba e bashkëshort, iu bë barrë gazetëshitësit 70 vjeçar – babait të tij, i cili  ato pak para që i merrte duhej t’i ndante edhe më të birin. Kjo barrë peshonte shumë më rëndë mbi shpirtin e plakut sesa vitet e pleqërisë mbi shpinën e krrysur. Ia mbyllen rrugën e ekzistencës për ta lënë në varësi të plotë e të pamëshirshme mateiale, ashtu siç ia mbyllen edhe të gjitha rrugët për të mos i dhënë përgjigje kurrë. Ne, intelektualet dhe studentët e kësaj BL ndihemi thellë të indinjuar për shkelje të këtillë të papresedan të të drejtave të njeriut.

Përse e gjithë kjo?

Duke mos dashur që partinë dhe shtetin ta identifikojmë me grupe të caktuara, tek të cilët në momente të caktuara ishte i koncentruar pushteti, besoi se më në fund do ta kuptonin se politika e ostrcizmit intelektual që ushtrohej ndaj tij ishte tejkaluar për kohën dhe nuk i bënte aspak nder shoqërisë jugoslalve, në emrin e të cilës edhe që i dënuar dhe për të cilat pasoja s’pushon të jetë përgjegjës. Për gjendje të tillë të konzervuar, ku i mohoheshin edhe të drejtat më elementare njerëzore e qytetare, disa here iu drejtua organeve shtetërore e partiake.

1.         Më: 24 shtator 1986, iu drejtua: KK të KSA të Kosovës, kopje e kësaj kërkese iu është dërguar edhe KQ të LKJ, KQ të RSS, si dhe Kyesisë së RSFJ, Kryesisë së RSS dhe Kryesisë së KSAK. Pa përgjigje.

2.         Më: 25 qershor 1987 – KQ të LKJ (Komisionit për Punë Ideologjike-Teorike të LKJ), Komisioni për Marrëdhënie Ndërkombëtare të LKJ, Sekretariatit Federativ të Punëve të Jashtme – Drejtoratit Politik. Pa përgjigje.

3.         Më: 18 gusht 1988 – KQ të LKJ (Komisionit për lutje dhe ankesa), ku ky komision e ka autorizuar KK të LKR, ku pohohet se Komisioni për lutje dhe ankesa i këtij Komiti ka konkluduar se komisioni në fjalë s’ka mundësi ta zgjidh problemin e punësimit tuaj të sërishëm.

4.         Më: 31 dhjetor, 1 janar 990 – KK të KKR Përgjigje nuk mori kurrë.

Përse ky qëndrim vallë?

Të kesh pranë një jetë të tillë, objektivisht të izoluar, si në karantinë, brenda katër mureve, ne intelektualët dhe studentët e BL s’mund të mos e ngrejmë zërin, s’mund të mos protestojmë. Apo ndoshta, mos vallë ky denim i paparë qëndron më mbështetje të bazuar ligjore e kushtetuese të shoqërisë sonë? Po që se është ashtu atëherë njesoj kërkojmë shpjegim nga kompetentët që të na rrëfejnë mbi “mekatet e pashpaguara” të Mr.Ukshin Hotit, i cili do të duaka të jetë pranë jetës i pajetë.

Demokracia që rrezoi edhe murin e Berlinit dhe qe po jetësohet çdo ditë e më tepër kudo e edhe në Jugosllavinë ton;, si duket është bërë nuse e mekur para dyerve të Kosovës, duke pritur kurorizimin e saj të gjatëpritur me dialog, barazi dhe me vullnet të të gjithëve që jetojnë e veprojnë në të. Dhe, ne s’mund të lejojmë më që mu pranë jetës sonë të shkelen të drejtat më elementare njerëzore.

Kjo letër e hapur protestuese ësht aprovuar unanimisht në tubimin e intelektualëve dhe të studentëve të BL Kusha e Madhe, mbajtur më 06.03.1990. Në vazhdim të kësaj letre jepen edhe nënshkrimet”. Pasojnë nënshkrimet: Emine Shala (arsimtare), Nasibe Nalli-Ahmetaj (punëtore), Fiqrije Zeqiri (e papunë), Ganimete Sejfullahu (mëssuese), Remzije Gashi (motër medicinale), Jusuf Duraku (arsimtar), Naim Hoti (i papunë), Musli Veseli (mësues), Xheladin Nalli (mësues), Ilmi Gashi (mësues), Reshat Gashi (tekn.medicinal), Abaz Ibrahimi (inxh.dipl.), Lufti Gashi (arsimtar), Adem Shala (arsimtar), Eqrem Hoti (arsimtar), Sejfulla Krasniqi (shitës), Ramadan Duraku (arsimtar), Avdyl Duraku (arsimtar), Dalip Duraku (student), Xhavit Duraku (student), Binak Nalli (elektricist), Shaban Nalli (elektricist), Jemin Dana (arsimtar), Avni Ibrahimi (student), Ismajl Ibrrahimi (student), Xhelal Hoti (student), Mehmet Morina (student), Rrustem Ibrahimi (student), Hazer Behra (mësues), Maksut Meti (mësues), Xhelil Dina (arsimtar), Manush Ibrahimi (arsimtar), Xhemajli Duraku (arsimtar), Irfan Gashi (student), Ilvi Gashi (student), Hamëz Krasniqi (student), Isuf Duraku (student), Idriz Hoti (student), Bajram Gashi (student), Sali Dellova (student), Osman Sejfullahu (profesor), Qerim Rexhepi (profesor), Gani Nalli (arsimtar), Beqir Reshiti (prof.), Fejzullah Mustafa (arsimtar), Haxhi Dellova (arsimtar), Selajdin Gashi (jurist), Ruzhdi Duraku (student), Ismail Berisha (arsimtar), Kapllan Dana (student), Kapllan Malësori (inxh.dipl.), Feim Reshiti (student), Avni Dellova (student), Gëzim Reshiti (inxh.dipl.), Ismet Nuredini (profesor), Shaban Danaj (prof.), Shaip Duraku (ekspert b.), Lulzim Sejfullahu (student), Fadil Reshiti (ekspert pyjor), Shkelzen Zeqiri (student), Ejup Hoti (student), Emine Hoti (studente), Sylejman Hoti (student) Besnik Nuredini (student), Shaban Bajrami (student), Hamëz Bellanica (student), Nasim Mamza (student), Fadil Dellova (profesor), Ali Hoti (student), Fahrije Hoti (studente), Nazim Reshiti (mjek), Jahja Hoti (student),  Afrim Reshiti (student), Shaban Hoti (student), Rexhep Hoti (prof.dipl.), Gafur Hoti (student), Avdi Gashi (ekonomist), Avni Hoti (arsimtar), Imer Hoti (biolog), Ahmet Reshiti (student), Milaim Krasniqi (ekonomist), Osman Ramadani (arsimtar), Xhevdet Sadiku (arsimtar), Muhamet Malsori (profesor), Xhemajl … (mjek neurolog), Nasip Gashi (mësimdhënës), Halim …(nëpunës), Feim Malsori (prof.i kimisë), Xhevdet  Duraku (ek.dipl.), Hilmi Krasniqi (arsimtar),  Hasan Duraku (arsimar), Fatmir Sejfullahu (student), Adem Sadri Reshiti (arsimtar), Rasim Fazliu (mësues), Afrim Zeqiri (student), Shyqeri Gashi (student), Falorim Gashi (student), Vahid Halit (student), Bajram Duraku (student), Hazim Duraku (student), Hyzri Gashi (student), Ibrahim Bellanica (student), Muharrem Fazliu (student), Musli Fazliu (student), Sali Fazliu (student) dhe Flamur Hoti (student).

Shënimi im: Emrat dhe mbiemrat e personave të përmendur në listen e nënshkrimeve, janë të shkruar me dorë, prandaj ka qenë vështirë të lexohen, dhe iu kërkoj falje nëse ndonjë emër e mbiemër nuk e kam shkruar drejt. Ndërkaq, përmbajtjen e letrës e kam transponuar me pikë e me presa, ashtu siç  ishte e shkuar, dhe natyrisht se aty kam vërejtë shumë gabime, drejtëshkrimore, gramatikore e sintaksore, por nuk kam bërë kurrëfar korrigjimi. Qellimi im për publikimin e kësaj letre ishte që të njihet opnioni i gjerë me përkrahjen  publike që intelektualët e asaj ane i kishin dhënë profesorit Ukshin Hoti, në një kohë kur, pa të drejtë,  atë e kishin braktisur pothuaj se i gjithë.