E shtune, 05.12.2020, 10:25 PM (GMT)

Kulturë » Muzikë

Elvis Presley

E enjte, 18.08.2005, 05:41 PM


28 vjet nga vdekja e këngëtarit që revolucionoi vitet ‘50

Elvis Presli, atë ditë kur vdiq mbreti i rrokut
 
Mbreti vdiq. Këto ishin fjalët e para që shpallën vdekjen e këngëtarit Elvis Presli ditën e 16 gushtit në radiot amerikane. Me miliona fansa rreth botës edhe sot mbajnë mend detajet e asaj dite. Diku një DJ i përlotur shpalli lajmin, diku tjetër vajzat humbnin ndjenjat dhe një pjesë dëgjonin muzikën e tij në formë nderimi. Për vite me radhë ata kanë mbajtur zi dhe kanë përkujtuar në një ditë vdekjen e Elvis Preslit në shtëpinë e tij, Graceland. I njëjti ritual ka ndodhur edhe dje. Mijëra fansa u mblodhën në Memfis për të kujtuar përvjetorin e 28 të vdekjes se mbretit, i cili vdiq nga një atak në zemër. Duke mbajtur qirinj, fansat nga 10 deri në 80 vjeç qëndronin në radhën që rrethonte shtëpinë, ndërkohë që dëgjonin qetësisht melodinë e Elvisit.

Fillimet e legjendës
Fëmijëria e Elvis Preslit ishte shumë e vështirë dhe e varfër. Datëlindja e tij e gjashtë shënon edhe fillimin e legjendës së këtij mbreti. Si dhuratë ai dëshironte një biçikletë, por meqenëse ishte shumë e shtrenjtë e ëma i dhuroi një kitarë të përdorur. Kaq mjaftoi që ai të binte në dashuri me akordet dhe muzikën, aq sa qëndronte me orë të tëra duke dëgjuar muzikën e shenjtë të kënduar në kisha. Në verën e vitit 1953, Presli pagoi 4 dollarë për të regjistruar dy këngë të cilat i hapën rrugën. Formula që i solli fitoren ishte një përzierje e muzikës cauntry, blues dhe rock’n’roll, ndërkohë që thjesht bënte prova në studion e Sun Records në vitin 1954, në një version të këngës “That’s all right mama”. Ai skandalizoi audiencën me lëvizjet e trupit, ndërkohë që kritikët televizivë përreth vendit goditën performancën për mungesën e muzikalitetit, vulgaritetin dhe animalizmin. Por, me gjithë kritikat audienca vazhdonte dhe rritej, aq sa kapi shifrën 60 milionë shikues në një mbrëmje. Madje edhe kinemaja nuk kishte si mos ta përfshinte në industrinë e saj. Mori pjesë në 33 filma, ku performancat e tij u krahasuan me ato të aktorit të madh të asaj kohe, Xhejms Din.

Një fenomen amerikan
Elvis Preslin e cilësojnë si shpikësin e rock’n’roll-it dhe sot vlerësohet gjerësisht si personazhi më me ndikim në historinë e muzikës. Revista “Rolling Stone” ka thënë se Elvis Presli është rock’n’roll dhe e quajti punën e tij si një testament të përkryer muzikor. Gjatë karrierës prej dy dekadash, Presli vuri dhe në të njëjtën kohë theu disa rekorde me mbi 100 këngë hite në vendet e para të klasifikimeve. Ai është përshkruar si gjiganti i muzikës së shekullit të 20, i cili ndryshoi rrjedhën e muzikës dhe kulturës në mes të viteve ’50. Incizimet e tij, lëvizjet e trupit, sjellja dhe veshja u panë si një personifikim i rock’n’roll-it. Vendet ku ai këndonte mbusheshin me një numër të madh adoleshentësh. Për t’u kujtuar është performanca e tij në Alabama në 1956-ën, ku u deshën më shumë se 100 roje kombëtare për të rrethuar skenën, në mënyrë që të kontrollonin turmën e ekzaltuar të fansave. Gjithçka ishte revolucion, për sa i përket atij brezi me në krye Elvis Preslin. Muzika e tij madje u ndalua të transmetohej në disa radiostacione, duke u konsideruar nga disa si muzika e djallit e nga disa të tjerë si e zezakëve. Pamja e tij joshëse godiste veçanërisht vajzat. Por siç ka thënë edhe kantautori Doug Flett, Elvis Presli kishte një zë të mrekullueshëm, seksi për vajzat, por që arrinte të kapte edhe djemtë. Modeli i tij i flokëve, pantallonat e gjera, këmishat e hapura u bënë linja e re e veshjeve për djemtë adoleshentë, të cilët përdornin stilin Elvis për të tërhequr vajzat.

Vdekja e mbretit
Elvis Presli u gjend në moshën 42-vjeçare pa ndjenja në banjën e shtëpisë së tij në Memfis, Tennessee. Ai u dërgua menjëherë në spital, por me të mbërritur ai u shpall i vdekur. Një ekzaminim pas vdekjes së këngëtarit zbuloi se ai vdiq nga një aritmi kardiake, një formë e krizave në zemër. Por gjithnjë ka pasur spekulime se mbidozat e kokainës luajtën një rol në përkeqësimin e shëndetit të tij. Që kur u divorcua me Prishilën në vitin 1973, ai u mbështet te përdorimi i drogave dhe ushqimi, madje kohëve të fundit ai shtoi edhe shumë në peshë. Megjithatë ka ekzistuar hipoteza se Elvis Presli nuk ka vdekur kurrë, jeton deri sot në një vend të fshehtë në Shtetet e Bashkuara dhe është 70 vjeç. Por sido që të jetë, midis adhuruesve të tij ekziston shprehja që ata e përdorin shpesh: “Jetë të gjatë mbretit”.

Në shekullin e 21
Interesi për këngët e Elvis Preslit u rikthye pas kupës botërore të vitit 2002, kur “Nike” përdori versionin remiks të këngës “A little less conversation”, si prapavija muzikore e disa reklamave televizive. Kjo këngë u bë hiti numër 1 në 20 shtete, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Anglinë dhe Australinë. Menjëherë pas këtij suksesi dolën në treg edhe albume të tjera si “Burning love”, “Rubbernick”, si dhe kënga e parë që ai incizoi para 50 vjetësh, “That’s all right”. Presli u shpall një nga 100 “amerikanët më të mëdhenj” të historisë. Sipas votimit, ai kapërceu të gjithë personazhet e shou biznesit dhe u rendit në vendin e tetë, menjëherë pas presidentëve Regan, Linkoln, Uashington, Klinton dhe Bush, plus Martin Luter King dhe Benxhamin Franklin. Ndërsa në vitin 2001 ai ishte në krye të klasifikimit të revistës “Forbes”, si personazhi i famshëm që ka fituar më së shumti para pas vdekjes së tij.

Jetëshkrimi
Emri: Elvis Presli
Datëlindja: 8 janar 1935
Vendlindja: Tupelo, Misisipi
1953: Incizon këngët e tij të para, “My Happiness” dhe “That’s When Your Heartaches Begin”
1956: Nisi karrierën kinematografike me “Love tender”, një nga 33 filmat e tij
1958: U rekrutua në ushtrinë amerikane, ku kreu shërbimin ushtarak për dy vjet
1967: U martua me Prishila Presli, me të cilën u divorcua pas gjashtë vjetësh
1968: Pas një shkëputjeje tetëvjeçare Presli rikthehet fuqishëm në skenë
16 gusht 1977: Vdiq në shtëpinë e tij, në Memfis


ELVIS PRESLEY –The KING (1935-1977)

Ajo qe me pelqen shume te bej eshte te argetoj njerezit dhe per kete do te perpiqem deri ne castin e fundit te jetes.

Kengetari dhe aktori amerikan, nje nga yjet me te njohur te shekullit te 20-te, pionieri i muzikes rrok qe vazhdon te mbetet nje nga interpretuesit me te medhenj te muzikes te te gjitha koherave.

Femijeria
Elvis Presli, djali i Vernon Elvis Presli dhe Gledis Love Smith Presli lindi ne Tupelo Misisipi. Ai u rrit ne Tupelo dhe me vone ne Memfis ku familja e tij u vendos kur ishte 13 vjec. Kishte nje vella binjak (Xhesi Garon Presli), i cili vdiq gjate lindjes. Elvisi filloi ti binte kitares qe ne moshen 11 vjecare dhe pas shkolles se mesme punoi per Kraun Elektrik Kompani.
Autori skocez Alan Morison pretendon se Elvsi kishte origjine skoceze. Morison ne nje liber te tij shkruan se kishte gjetur paraardhesit e tij ne Lonmei ne 1700-en. Sipas Morisonit Andriu Presli u martua me Elspeth Leg ne Lonmei ne 1713. Djali i tyre i quajtur perseri Andriu u vendos ne kolonite angleze ne 1745-en.
Nga nena e babait te tij Mini Mei, Elvisi ishte pasardhes i mbretit King Henri II i Anglise ndersa gjyshja e Elvisit nga nena ishte cifute.

«Sun» Studio
Ne vere te 1953-shit, gjate pushimit te drekes nga puna e tij, pagoi 4 dollare per incizimin e dy kengeve te njohura te kohes “My Happiness” dhe “That’s when your heartaches begin” si dhurate per ditelindjen e nenes se tij Gledis. Themeluesit e shtepise diskografike “Sun”, Sem Fillips dhe Marion Keisker pasi degjuan diskun dhe vecuan menjehere talentin e lindur te djaloshit simpatik e therriten ate serish ne studio ne korrik te 1954-es. Pas suksesit me kengen “Blue moon of Kentucky”, qe e beri te njohur dhe jashte Tenes, Elvisi regjistroi dhe 5 kenge te tjera me kete studio. Me te shumtat ishin muzike bluz ose hite western. Ne gusht te 1955-es prinderit e Elvisit lidhen nje kontrate me shtepine diskografike RCA te Kolonel Parker, duke perfunduar keshtu lidhjen e Elvisit me “Sun”.
Pas moshes 21 vjecare deri ne fund te jetes se tij ne 1977, Elvisi kishte me teper se 100 hite ne majat e top hiteve ne mbare boten. Koncerti i tij me i suksesshem ishte ai i Havajit ne Janar te 1973-shit, i cili u dha nepermjet satelitit ne te gjithe boten dhe bile u ndoq nga me teper njerez sesa kur u transmetua vajtja e Neil Armstrong ne hene. Ky kocert ishte nje cast historik per karrieren e kengetarit te njohur dhe daton audiencen me te madhe qe kish marre ndonjehere pjese ne koncertet e tij.
Elvis Presli ishte dhe nje besimtar i devotshem. Ai regjistroi disa albume me muziken gospel (ungjillore), sidomos ne vitet e fundit te jetes se tij. Ka shitur me teper se 1.000.000.000 (1 bilion) albume ne mbare boten, me shume se ndonje muzikant apo grup tjeter muzikor, duke perfshire ketu dhe te famshmit The Beatles, te cilet ishin admirues te punes se tij, ndersa vete Elvisi ironikisht mendonte se The Beatles ushtronin influence te keqe mbi rinine amerikane.

Elvisi ne televizion
Ne Janar te 1956-es Presli beri debutin e tij te pare ne ekranin televiziv. Pas nje sere suksesesh ne show te ndryshme Elvisi u shfaq ne « Ed Salivan Show » ne 9 Shtator te po atij viti duke sjelle nje rekord ne numrin e teleshikuesve qe kapi shifren 52-60 million. Kur u shfaq per here te dyte ne kete show te suksesshme, Elvisi ndryshoi floket e tij nga te verdhe te erret ne te zinj. Ne shfaqjen e tij te trete dhe te fundit ne po kete show, Salivan i detyruar nga presioni i moralisteve urdheroi qe Presli te filmohej nga mesi e siper per shkak te levizjeve te tij te konsideruara « teper moderne » per kohen.
I suksesshem, i talentuar dhe shume terheqes Elvis Presli nuk kish se si ti mungonte dhe ekranit te madh kinematografik. Duke filluar me «Love me Tender», (1956) Presli mori pjese ne 31 filma midis 1956 dhe 1969, duke nenshkruar nje mori kontratash te suksesshme. Filmat ishin ne pergjithesi muzikore dhe pavaresisht se nuk vleresoheshin shume nga kritika, u priten shume mire nga publiku duke sjelle keshtu fitime kolosale. Elvisi cilesohej nga regjizoret me te cilet punoi si shume i sjellshem, i bindur dhe kembengules ne pune. «King Creole» (1958), filmi me i pelqyer i Elvisit, eshte cilesuar njekohesisht nga kritika si me i miri. Ndersa filmat me te dashur per publikun ishin «Blue Hawaii»(1961) dhe «Viva Las Vegas» (1964).

Sherbimi ushtarak
Ne 20 Janar 1958, Presli mori nje njoftim per kryerjen e sherbimit ushtarak per 2 vjet. Presli sherbeu ne Gjermani prej dhe ku u lirua me nderime ne Mars te 1960-es. Shume akoma nuk e kane kuptuar se si nje femije i vetem, ne ate kohe mbeshtetja e vetme e nenes dhe gjyshes se tij, u dergua me sherbim larg ne kohe paqeje. Dyshohet se therritja e tij per te kryer sherbimin ushtarak ishte politikisht e qellimshme per te menjanuar disi influencen e tij «te rrezikshme» ne perzierjen e racave. Elvisi ishte nje adhurues i Martin Luter Kingut dhe kishte kerkuar shume here te takohej me te, por ky takim nuk u realizua kurre. Ne kohen kur ishte ne ushtri ai zoteroi rripin e zi ne karate dhe mbante graden e Rreshterit.

Lidhjet…
Qe ne fillim te karrieres se tij Elvis Presli ishte quajtur nje sex symbol qe kish bere te enderronin me mijera femra. Kishte nje sere lidhjesh me femra te njohura te ekranit para dhe pasi u be i njohur duke perfshire dhe Mami Van Doren, Natali Ud, Tjusdi Uelld, Sivil Sheperd, Barbra Streizend apo An Margaret.
Ne 1 Maj te 1967-es, ai u marua me Prishila An Baulie ne Hotelin Aladin ne Las Vegas. Prishila ishte vajza e gruas se oficerit komandant te Preslit ne Gjermani gjate sherbimit te tij ushtarak. Ne menyre te habitshme, Elvisi arriti te bindte nenen e Prishiles dhe njerkun e saj per ta lejuar ate te jetonte me Elvisin ne Greislend, megjithese ishte akoma e mitur. Vajza e tyre Liza Mari Presli lindi ne 1 Shkurt 1968. Pas divorcit te tyre ne 1973-shin, Liza jetoi me nenen e saj Prishila.

Progresi i 1969-es
Pas 7 vjetesh suksesi, kenga “Mendje e dyshimte”, u be hiti numer 1 ne Billboard Music Charts ne nentor te 1969-es. Kjo ishte kenga e fundit qe kapi majat sa kohe qe Elvisi ishte gjalle. Mesi i viteve 70 e kapi ate krejt te izoluar, nen ndikimin e drogave te ndryshme te cilat sollen ndryshime negative ne aparencen, shendetin dhe karrieren e tij artistike. Elvisi dha koncertin e fundit live ne Indianapolis, Indiana ne 26 korrik te 1977-es.

Vdekja
Elvis Presli vdiq ne moshen 42 vjecare ne shtepine e tij ne Greislend ne Memfis Tenes (shtepia me e vizituar ne Amerike pas Shtepise se Bardhe), ne 16 gusht 1977 ku dhe eshte varrosur. Fillimisht u varros ne varrezat e Forest Hill dhe me vone u vendos ne Greislend pas nje perpjekjeje per tu vjedhur trupi nga fansa te tij. Ekzaminimet e shumta pas vdekjes konstatuan se shkaku i vdekjes ishte nje atak zemre, i ardhur si pasoje e perdorimit te tepruar te droges. Gjate ekzaminimeve, ne trupin e tij u gjeten shenja perdorimi te rreth 10 lloje drogave te ndryshme. Sipas nje legjende popullore, Elvisi nuk vdiq ne 1977-en dhe mund te jete akoma gjalle.

Influenca
Elvis Presli u be perhapesi i interesit per rrok & rollin ne Europe. Emri i tij ishte i njohur dhe per njerezit mbrapa “perdeve te hekurta” te kohes. Ne France, kengetari Xhoni Hallidei kopjoi Preslin ne frengjisht, duke u kthyer ne yll te skenes ne vendin e tij. Presli u hapi rrugen aristeve te tjere amerikane te cilet filluan te organizonin turne ne Europe dhe disqet e tyre filluan te kishin sukses dhe jashte kufijve amerikane. Adoleshentet kopjonin stilin e tij te flokeve dhe te veshjes, duke sjelle nje mode te re.
Tani, pas me shume se 25 vjet pas vdekjes, Elvis Presli mbetet figura me e njohur e muzikes pop te shekullit te 20-te. Ai vazhdon te jete akoma standarti me te cilin maten nocionet e fames.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora