E enjte, 25.04.2024, 11:18 AM (GMT+1)

Kulturë

Sotir Athanasi: Romancë parisjene

E premte, 26.08.2016, 08:12 PM


SOTIR ATHANASI

ROMANCË PARISJENE

(PARAMNEZI*)

- Ai s'qe thjesht një vështrim, por vetëtimë e nisur nga matanë kaltërsisë përqëndruar në atë qelqe e cila, si pickimin e bletës, tejet ëmbëlsisht, në fillim e ndjeva.

Por, kur ula kryet në dritarezën çark, kuptova se ishin në të vërtetë dy shigjeta të ngulura thellë, në kraharorin tim. Prandaj ndjeva dhimbjen e një lëkurëkuqi raca e të cilit, jo vetëm me të bardhët, por edhe brënda llojit lufton.

- Po. Dhe kur ndodhi kjo "katastrofë femrore"? - e ngacmova unë, mikun tim.

- Pesë vjet më parë.

- Pesë vjet dhe e mban mënd me detaje atë?

- Po.

- Atëhere duhet të kesh qënë rreth të dyzetave, besoj?

- Në kokë më ke rënë.

- Po ajo?

- Besoj te të tridhjetat. Por mos më ndërprit se nuk është si befasimi, për të cilin, të kam folur dikur.

- Pa m'a kujto pak, se ty, çdo pesëvjeçar, do të ndodhi diçka për t'u rrëfyer, e ironizova për t'i dhënë shtytje të më tejshme gjasës.

- Mos u tall se nuk është roman.

- Atëhere duhet të jetë ROMANCË.

- Po. Edhe mund të merret si ROMANCË. . . .

Por, më parë dëgjo se ç'i ndodhi një mbarshtrues papagajsh kur Bonoparti u shpall Perandor. Ky, dëgjoi se një i ngjajshëm I tij kishte fituar një shumë të majme kur Papagalli i tij I tha NAPOLONIT:

"TË UROJ PERANDOR I PERANDORËVE" !

Kaq duhej që ai të niste punën raskapitëse me Papagallin e vet të "paaftë" për t 'a mësuar lehtësisht këtë shprehje. Prandaj ai, herëpas'here, thoshte:

- A I mjeri unë I mjeri, ç'po më venë mundimet dëm!

Gjithsesi, mbërrijti t 'a mësojë dhe mbërrijti edhe  t'u mbushë mëndjen kujdestarëve të NAPOLONIT që t'a priste.

Ky, kur dëgjoi shprehjen:

"TË UROJ PERANDOR I PERANDORËVE,

vari menjëherë buzët.

Pikërisht pas kësaj, PAPAGALLI, aspak I paaftë, por tepër I zgjuar, përsëriti shprehjen e dëshpëruar të pronarit të tij:

A I MJERI UNË I MJERI, Ç'PO MË VENË MUNDIMET DËM!

Pas kësaj, NAPOLONI entusiazt,  urdhëroi shpërblimin e tij.

- Të kthehemi miku im, te vështrimi I asaj tridhjetëvjeçareje.

Ai kridhej ndër yje drite e hije bashkë ku:

brenga, vuajtja e ndrydhja, pa vështirësi lexohej.

Se  ngjante i përhershëm dhe kurrsesi spontan.

Aq më tepër, teksa mundohej t'a fshihte me një buzëqeshje të sforcuar,

të turbullt e krejtësisht të natyrshme.

Kjo e tregonte megjithatë edhe më të hutuar,

por edhe më joshëse. Dhe....,

dalldinë e zalisjen, shfaqja e saj provonte.

Si shitëse, bashkë me grishjen për tregtimin e mallit, ishte e detyruar të buzëqeshte.

Por ç'e kishte, që e marrtë djalli e marrtë,

atë strukje e cila,

në tablonë e atij portreti,

i ngjante busullës akrepat e të cilit qarkonin në drejtim të kundërt?

Kë priste dhe çfarë kërkonte?

Se unë i kisha propozuar tashmë dhe ajo:

as nuk i flakte tej si marrëzi të çastit,

fjalët e përbetimit e përgjërimit tim tronditës,

sepse të tilla ato ishin.

Por, nuk është se i miratonte, sido që të qenë ato.

Ndonëse të siguroj që më kishin dalë nga shpirti

Ajo vetëm buzëqeshte hidhur, si të qe e sigurtë për njëmëndësinë e tyre, që . . .

megjithatë,

tërësisht të parealizueshme. Pra, të pavlerë.

Shkaku?

Për çastin, do të mbetej plotësisht monopol i saj.

Gjithsesi, sa më përkiste mua, nuk besoja për ndonjë kauz që ndalonte të dashuronte një shqiptar. Ndonëse frëngjishten e flisja rrjedhshëm dhe ajo as që e vuri fare në diskutim kombësinë time. Përveç faktit që,

ishim në Paris dhe këto koncepte kanë shekuj që janë gremisur.

Të nesërmen, avioni më ktheu në Tiranë

duke më larguar çdo tentativë për t'a riparë atë..., kometë.

Se e tillë m'u shfaq në qiellin parisjen dhe

( me shumë dhimbje )

po me atë ngut, m'u zhduk

Megjithatë, të vërtetën, do t'a mësoja vetëm pesë vjet më vonë. Saktësisht javën e shkuar kur u ndodha sërish me shërbim në Paris.

Por le të mos shkëputemi edhe për një grimë herë nga çasti i parë:

- Pagova kollaren bordo që ma paketoi ndihmësi I saj, vërsniku që, (siç do të mësoja pesë vjet më vonë,) ishte adashit im algjerian.

Unë, u bëra gati të largohesha pa marrë kusurin.

Ajo më ndaloi vetëm me një fjalë:

- Monsieur! - dhe bëri shenjë për reston.

Më kot kurseu fjalorin. Ndofta nga që e dinte se zëri i saj qe një tjetër tregues magjepseje dhe donte të mënjanonte humbjen e rëndesën tek unë.

Dhe kishte të drejtë.

Toni i atij zëri, qe radiofonik dhe plot muzikalitet.

Ajo e njihte vetveten.

Kurse unë, si përpara një ndriçimi, isha jo vetëm larg dallimit të çdo tipari të saj, që fekste me pamje breroreje, a komete, por kisha harruar tanimë edhe emrin tim.

Veç kësaj, një ngazëllim I beftë më largonte edhe nga çdo arsyetim

Algjeriani, që mesadukej, e kishte zakon t'i numurojë mbetjen në kohën që pronarja e tij, i nxjerr të hollat nga arka, vuri re që ato ishin me tepri. Kur ia tha,

zonjusha bëri rinumërimin dhe, bashkë me purpurin në fytyrë,

më hodhi mua një buzëqeshje të plotë që të zbrisja nga qielli i shtatë. Dhëmbët e saj si inxhi, në atë gojë të bukur, për mua qenë një tjetër befasim e një tjetër ngasje që s'kishte të bënte me përcjelljen e klientit. Por mbase me të kundërtën:

mbajtjen, gozhdimin, a robtimin e tij.

Portreti i saj, o Zot, pas kësaj,

qe kthyer në një aorerore të mëvetëshme.

Në atë kioskë,

Hëna shfaqej e Plotë edhe pse ishte mesditë!

Mua më mjaftonte edhe vetëm ky hutim i natyrshëm, që të bindesha se edhe ajo e kishte gëlltitur, pa e kuptuar,

atë që e quajmë jo thjesht dëshirë, por dashuri, me shikim të parë.

Se miklimin tim ajo pati përthithur.

Të them se ndjehesha gati të fluturoja pas kësaj,

s'mjaftonte

Nuk e di se ç'ishte. Por, vetëm trupërisht

gjëndesha aty,

se mëndërisht,

kisha kapur majën e Kullës Eifel.

Dhe kjo, ngjante kaq e vërtetë, sa:

në çastin që më lindi një përshtypje e tillë,

pranë meje,

o Zot,

bëri ballë ajo.

Të dy të gatshëm drejt kozmosit.

Algjeriani I bëjshëm,

në fillim me ëmbëlsi dhe tejet I mirësjellë,

më tregoi paketën e kollaros mbështjellur me kujdes dhe,

të lidhur me një fjongo tejet të hijshme, si paping.

Por, kur pa hutimin tim,

me një qesëndi ngacmuese deri në cingrisje,

më çiku paksa në gjoks, që të më përmendte.

Atëhere ndjeva gravitetin e humbur vetëm nga një buzëqeshje përzier me një skuqje e hutim të atij portreti kthyer tashmë,

në kometë të vërtetë në ikje dhe....:

zbritjen time, të detyruar, me këmbë në tokë,

nga vetëm cikja e një dore arabe.

2,

- Pesë vjet më vonë.

I gjithë grupi I vizitorëve, shkuan në Luvër.

Kuptohet: pavijonet e saj janë objekt i gjithkujt.

Për mua,

Monaliza ishte zonjusha në atë kioskë,

emrin e së cilës nuk e mësova që nuk ia mësova dot.

Ndonëse në përfytyrimin tim e kisha quajtur:

"E shenjta pa emër".

Kuptohet: këtë s'guxoja t'ia thosha kërkujt....

Dhe ngutesha të mbërrija përpara se të bëhej pushimi i drekës,

siç u tha.

Apo, se do të kishte grevë dhe lokalet mbylleshin për të shmangur përplasjen me demostruesit,

siç pëshpëritej.

Dhe ashtu ndodhi.

Unë vrapoja dhe dallova që nga larg se:

qepeni i sapo ulur, u ngrijt.

Një përndritshmëri,

si atij që po mbytej në detin e errët, fari iu shfaq edhe unë qartësisht dallova. Kë, miku im?

Vajzën, emërin e së cilës nuk e dija, po e dalloja dhe isha I sigurtë që më kishte njohur.

Ishte “E shenjta pa emër”.

"Portat e Qiellit" për mua befas, u hapën.

Unë, me po atë veshje, (si ngjyra të para pesë viteve ) dhe përveç kësaj, në këmishë shquhej që tutje edhe kollarua bordo, blerë në dyqanin e saj.

Dëgjo tani dialogun më të dhimbshëm midis dy njerëzve që. . . ,

janë pëlqyer në shikimin e parë:

- Mirëse erdhët, zotni.

- Mirëse u gjej, zonjushë! - iu përgjigja.

- Gaboheni zotni. Nuk jam më zonjushë, por zonjë!

"Portat e Qiellit",

në një grimcë të sekondës, u mbyllën

Unë shtanga nga befasia,

ndonëse kalimi I saj në një tjetër shkallë respekti qytetarie,

në atë të ZONJËS,

ishte plotësisht I natyrshëm.

- Mos ndofta dëshironi një tjetër kollare?

Pas goditjes së parë, erdhi edhe e dyta. Vetja më ngjau me një penglënës. Ajo më kujtonte kollaron. Më barazonte me blerësit e rëndomtë të saj.

Unë pohova duke ulur kryet dhe jo me tundjen, siç edhe ndodh rëndom.

Në këtë mënyrë, instiktivisht pranoja në një farë mënyre kërkesën dhe, klasifikimin e saj, por edhe pendesën e rishfaqjes sime, kaq vonë, pas pesë vjetësh.

Ishte po ai zë radiofonik,

po ato tinguj me muzikalitet veçse...,

një vështrim krejt I ndryshëm.

Jo si përpara kësaj gjysëm dekade.

Jo vetëtimë!

Jo si shigjetë!

Jo dhe jo, do të përsëris njëqind herë.

Se "Jo"-ja duhet të ketë brënda dridhjen jo vetëm të buzës e të zëmrës. Por të të gjithë trupit.

Shkaku? Tepër I thjeshtë:

dikur, të gjitha tiparet në atë portret,

më dukeshin në shpërpjestim me botën e saj të brëndshme  ku,

një lloj trishtimi dilte më në pah.

Kurse tani

Ai vështrim qe:

Plot dritë.

Për më tepër se pranë trotuarit ndali një "Peugeo".

Prej andej zbriti Algjeriani me një fëmijë tri a katër vjeç.

E zonja e kioskut iu drejtua arabit:

- Ali! Zotnisë paketoi një kollaro bordo dhe fjongon vure Natalinë tonë t'ia lidhi, se ajo është me fat.

Unë, me duart që s'ishin më të miat,

zbërtheva kollaren time dhe ia lashë në dorë vogëlushes për t'a paketuar. Kurse të renë e vendosa në qafë dhe u ula që të m'a shtrëngonte miturakja Natali.

Duart e njomzakes e kryen me dëshirën fëminore tërheqjen e atij rripi bordo.

Pagova si përpara pesë viteve me monedhë që kërkonte resto.

Francezes,

edhe asaj,

po I dridheshin duart tek përgatiste kusurin.

Turbullt, por vërejta në ato duar një tejnderje.

E zonja u mundua t'a paraqiste si tejnxitje,

aty më parë, kur i tha të shoqit që të vinte të bijën, Natali, këtë dlirësi kristali si më të denjë, a si një kujtim lamtumire të kësaj "romance" shikimesh e dialog shpirtërash, vetëm në heshtje.

Unë I mora të hollat dhe...

bashkë me faturën e blerjes,

edhe një copë pusullë,

të cilën s’guxoja t’a hapja e t’a lexoja.

Në çast, qepeni u ul me ulërimë si të donte të ilustronte britmën që ndrynte shënimi. Se të tillë, parandjenja m’a sillte.

Sikur të kishin shpërthyer nga Qielli bubullima e vetëtima me shtrëngatë, nuk do të bënin ndonjë efekt më të butë e paqësor.

Gjest, që fliste për ndërprerjen përfundimtare të çdo..., dialogu.

Pas një grimë herë ZONJA e kioskut me fëmijën e saj për dore,

po hidhte hapat në trotuar.

- Ali! - I tha arabit.

- Do eci pak me vajzën se ka edhe kjo nevojë të lozi.

Ajo më bëri një përshëndetje me dorë përpara se të më kthente shpinën dhe tha me tonin plot muzikalitet.

Por zëri i saj, tingëllonte, megjithatë, orakullitaritar.

- Orvua!

Qytetaria kishte fituar mbi çdo mëdyshje.

A më duhej falja e saj, përveçse:

si një kujtim i hidhur?

- Orvua ZONJË! Orvua, Natali! - përsërita.

Fjalët më përziheshin me dhimbjen e natyrshme të një ndarjeje përgjithmonë.

Zëri më dridhej.

Përkitas ndali hapin një afroamerikan. Pepagalli I tij tha diçka në anglisht: - E ka me ju zotni, - m'u kthye I zoti.

- Dhe çfarë thotë?

- Ai është i veçantë zotni. Ju ka studiuar nga larg dhe e kanë zënë ethet e tij që quhen PSITAKOZË.

- Që do të thotë?

- Ethet e Papagallit. Ato shfaqen me përqeshje.

Unë I dhashë një bakshish dhe ndjeva përqeshjen e një mendtë të shpendit.

Ky, I kënaqur që I zoti mori monedhën, ashtu si papagalli te Bonoparti,

u ndje I përfillur dhe tha diçka shtesë:

- Paraselenë*)

Ktheva edhe një herë kryet nga ZONJA, emërin e së cilës, nuk e mësova që nuk e mësova kurrë.

Hapat e saj largoheshin dhe vetëm atëhere kuptova se ku ishte burimi i atij trishtimi e mosbesimi në propozimin tim të para pesë viteve.

Këtë ma tregoi ajo pusullë. Aty shkruhej:

“ LAMTUMIRË! JAM ME LEUÇEMI"!

Tutje papagalli përsëriste: - Paraselenë, paraselenë, paraselenë.

-------

*) Paramnezi = Përzierje e realitetit me fantazinë

*) Paraselenë = Njollë në breroren e Hënës.

SOTIR ATHANASI

Athinë, 26, Gusht, 2016!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora