E enjte, 28.03.2024, 08:59 PM (GMT)

Kulturë

Artan Minarolli: Rrëfimet në Lurën e gjakmarrjes

E marte, 19.08.2008, 08:31 PM


Oliverta Lila

Lura ka qenë edhe vendi më specifik i xhirimeve. Jo vetëm se përbën një vend të vështirë për të zhvendosur një skuadër filmi, por sepse filmi i Artan Minarollit preku në të realitetin për të cilin flet. "Gjallë", një histori mes gjakmarrjes dhe dëshirës për jetë të një studenti malësor, tashmë është i gjithi i hedhur në imazhe. Për më se dy muaj, aktorët dhe pjesa tjetër e prapavijës prekën më shumë se 60 shesh-xhirime. Teksa këto ditë pret të fillojë postproduksionin, në një reflektim për punën e bërë në terren, regjisori Minarolli i quan të suksesshme xhirimet. Të paktën kjo është pjesa të cilën ai mund ta përjetojë e mund ta rregullojë edhe kur diçka nuk shkon. Asaj që tashmë i druhet, apo që i intereson është kontakti i parë me publikun. Më shumë se sa festivalet ku do të konkurrojë dhe se të çfarë niveli do të jenë ata. "E rëndësishme është që filmi të dalë mirë, i besueshëm dhe interesant", - shprehet ai teksa punon në studion e ngritur posaçërisht për këtë qëllim. Ndoshta në pak kohë, për publikun do të shfaqet edhe një film tjetër i tij, "Kronikë provinciale", i cili ka kohë që ka përfunduar xhirimet, por që ka probleme teknike. "Filmi mund të jetë shumë i pëlqyeshëm si skenar dhe mund të jetë shumë mirë teorikisht, por ndoshta nuk merr aprovimin e publikut. Kjo ka të bëjë me një pjesë emocionale. Nëse i pëlqen, por është i ftohtë, filmi ka një problem. Nëse përkrahet që në fillim ecën. Unë jam në brendësi të filmit, kam shkruar skenarin, kam bërë regjinë dhe e kam të vështirë të bëj gjykime nga jashtë se si do më dukej mua filmi po të isha spektator. Do të presim reagimet e para, komisionin, publikun", - shprehet ai.

Xhirimet
 
Shtëpia e regjisorit Gëzim Erebara ishte edhe vendi ku nisën xhirimet për filmin "Gjallë" të regjisorit Artan Minarolli. Ishin rreth 60 vende të tjera me skena të vogla apo masive që u përfshinë në këtë projekt. Në Baldushk, në periferi të Tiranës, në Institutin Bujqësor, Durrës e deri në Lurë. Në këtë udhëtim dhe konkretizim të tij, filmi ka pasur edhe ndryshime të vogla apo improvizime. "Punuam shumë për periudhën përgatitore. Ishin përcaktuar sheshet e xhirimit dhe çdo gjë ishte e detajuar. Produksioni punoi shumë mirë. Por kishim edhe gjëra që nuk shkonin ashtu siç duhet. Xhirimi ishte shumë i ngjeshur, brenda ditës duhet të realizoheshin se s'bën skenat e parashikuara. Ka pasur momente të vështira", - tregon Minarolli tani që gjithçka ka përfunduar. Për personazhet e tij ai ka zgjedhur një kast aktorësh, ku ka profesionistë, por edhe të rinj.

Historia
 
"Gjallë" nuk shkon në kohë. Është një histori e ditëve të sotme. Një kronikë e thelluar e fenomenit shqiptar të gjakmarrjes dhe individit. Koli është një student që vjen nga Malësia. Ka ambicien e një të riu për jetën. Gjithçka thyhet me vdekjen e të atit. Dhimbjes së humbjes i shtohet hija e një gjakmarrjeje. Në varrim, teksa tentojnë ta vrasim, ai mëson për të parën herë se është trashëgimtar i një gjakmarrje. Jeta e tij tronditet. Ai dëshiron shumë të vazhdojë studimet e të jetë një njeri i lirë. Por kjo është e pamundur, kur në rrugën e tij futet thirrja e gjakut. Aktori i ri, Kreshnik Xhelilaj është mishërimi i këtij personazhi. Ndërsa në krah të tij qëndrojnë aktorë të tjerë, si Bruno Shllaku, Reshat Arbana, Niada Saliasi, Tinka Kurti, Xhevdet Feri, Luljeta Bitri etj. Xhelilaj e quan një rol kompleks, ndërsa personazhin e tij e përjetoi thellë ditët që xhiruan në Lurë, teksa shihte bashkëmoshatarët e tij, atyre që brumosen me këtë fenomen, të reagonin ndaj ngjarjes së filmit.

Në Lurë
 
Dymbëdhjetë ditë xhirime janë zhvilluar në Lurë. Aty ku regjisori Minarolli ka vendosur motivin që vë në lëvizje historinë. "Vendet janë pothuajse të shkreta dhe mundësia është shumë e vogël. Shumica e njerëzve kanë ikur. Ka vende interesante, por akomodimet ishim shumë të vështira. Qëndronim në një hotel të vjetër dhe në shtëpitë e fshatarëve", - tregon ai për kushtet në të cilat xhiruan. Tregon se një pjesë e mirë e banorëve atje kishin mbetur me kujtimin e një filmi që ishte xhiruar në vitet '80 dhe këtë e përmendnin shpesh. "Ishte komunitet i vogël. Kishte njerëz që donin të na ndihmonin, por edhe të bënin biznes", - shprehet regjisori. Ndërsa e kanë pranuar lehtësisht ngjarjen e filmit. "E quanin normale dhe u pëlqente subjekti. Një djalë i asaj zone studion dhe ka në kurriz një problem të tillë. Ata tregonin shumë histori të këtij lloji, me djem dhe vajza. Nuk çuditeshin, u pëlqente që ky personazh ishte vendosur aty", - thekson ai. Ndërsa tregon se xhirimi të jep sensin e jetës praktike dhe të realitetit. Në ato vende i është dashur që t'i përshtatë shumë marrëdhënie të personazheve apo kombinimet e lëvizjeve. Filmi realizohet si një bashkëprodhim shqiptaro-austro-francez. Menjëherë pas përfundimit të xhirimeve, regjisori është nisur drejt Austrisë për të realizuar fazën e postproduksionit. Mendohet që kjo fazë të mbarojë brenda dhjetorit dhe filmi të shfaqet shpejt për publikun.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora