Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ndue Ukaj: Hosana shpëtimtar! Kryqëzojeni, kryqëzojeni!

| E merkure, 20.08.2008, 08:00 PM |


Ndue Ukaj
Hosana shpëtimtar! Kryqëzojeni, kryqëzojeni!

(Fenomeni i glorifikimeve dhe përbuzjeve ekstreme)

Nga Ndue Ukaj

1.

Fenomeni i glorifikimeve dhe përbuzjeve ekstreme, që e ka karakterizuar nëpër kohë të ndryshme mendësinë shqiptare, ende vazhdon të mbetet një plagë e rënd dhe e ndjeshme në gjitha nivelet. Në të vërtet, është moment që kjo filozofi e mbrapsht të shndërrohet në filozofi të vlerësimit real për të tashmen, të shkuarën dhe vizionet për të ardhmen?

 2.

Vënia e këtyre fjalëve në titull të kësaj teme, menjëherë na rikujtojnë poezitë e Fan Nolit dhe klithmat e tij, klithma të rënda brenda një kontekstit dranatuj politik e shoqëror, nëpër të cilat kalonte Shqipëria. Poeti e intelektuali i madh Fan Noli, me shpirt artisti e dije universale, kur i vë këto sintagma në poezitë e tij, disi na parathotë një lloj profetizimi, në formë shqetësimi, për fenomenin glorifikimeve dhe përbuzjeve ekstreme. Ky fenomen shqetësues nolian, po të analizohet në kontekstin sotëm kombëtar, shihet se bënë jetë brenda mendësisë shqiptare. Madje kjo psikologji e të menduarit dhe bërit jetë publike, jo vetëm që ekziston, dhe atë në përmasa alarmante, por është bërë paradigme rreth së cilës sillën vërdallë grupe politike, intelektuale, ekonomike e mediatike, etj. S’ka dilemë se poezia e Nolit mund të lexohej sikur të ishte shkruar në çdo kohë shqiptare, natyrisht edhe sot. Mund të presopuzohet se Noli, duke shfrytëzuar një simbolikë domethënëse biblike, synonte të çjerr maskën e fenomenit. Në të vërtetë, Noli këtë mentalitet shoqëror e kritikon për të shfryer mllefin personal karshi ngjarjeve të 1924, aq sa për të vënë në pah fenomenin shqetësues. Për ta bërë sa më bindës këtë shqetësim, Noli synon të ndërtoj një paradigmë letrar duke e ndërlidh me prototipin (modelin e tij jetësor dhe intelektual) Jezu Krishtin. Në këtë formë Noli paratregon dhe thekson fenomenin, të cilin e ndërlidh me dy konceptet esenciale problematike, të cilat si të këtilla, edhe sot e gjithë ditën, predominojnë opinionin shqiptar, janë pjesë e organizmit të jetës kombëtare: duartrokitja e pakontrolluar për liderin,  (apo liderët) dhe kryqëzimi i liderit ose i liderëve. Në këtë kategori hynë edhe vlerësimet për të kaluarën, për figurat që përbëjnë rëndësi në historinë shqiptare. Në fakt, pikëpamja e Nolit për këso reagimesh shoqërore, shoqërohet, përveç me shqetësim, edhe me një intencë kërkimore: kjo mendësi duhet të shporret nga botëkuptimi, sepse pengon zhvillimin normal dhe të shëndoshë të shoqërisë e kombit. Në të vërtetë, kushdo që përcjell me vëmendje zhvillimet tona kombëtare, në Tiranë a Prishtinë, Shkup a Malësi, Preshevë a gjetiu diku, vëren  këtë fenomen pengues të shoqërisë shqiptare. Pse themi pengues? Duke u pozicionuar në dy ekstreme të glorifikimit dhe mohimit, gjykimi racional, ai që quhet mesi i artë, mungon. Në mos shtypet nga këto dy pole ekstreme. Ndaj, vetëm kultivohen ndarjet, përçarjet, glorifikimet pa mënd, mohimet pa mënd. Kësisoj, proceset pengohen, zhvillimet e mirëfillta drejtë ngritjes dhe përparimit të kombit bien preh i “udhëheqësve” të cilët ose din të duartrokitën ose të kryqëzohen. Këtë soj të botëkuptimit politik sot e ndeshim në qeverisje, në opozitë, në kulturën e shkrimit, në media e kudo jo tjetër. Nga këndej, logjika e gjykimeve të përmbajtura, që prodhojnë opinione normale, të shëndosha dhe civilizuese, disi përhumbët nga farsat e maskimeve qëllimkëqija. Kush përfiton në këtë aks përpos matrapazët e diletantët, të cilët dinë të manipulojnë katërcipërisht me masat. Dhe të cilët, në jetën tonë kombëtare janë të shumtë. Ata i gjejmë kudo të çirren kinse për “dashurinë” e madhe për kombin, por në anën tjetër vazhdojnë ta rrjepin e përdhosin kombin. Këta janë në majat e jetës kombëtare.

 3.

Në historinë e shkrimit biblik, është i njohur e me interes, tregimi për ditët e fundit të Jezu Krishtit mbi tokë. Më vetëdijen se misioni kishte përfunduar, ai bënte rrugëtimet e fundit për në Jerusalem. Vetëm pesë ditë para gjykimit që do t’i bënë populli i Izraelit, po ky popull, hyrjen e tij në qytet e  kremton me lule e brohoritma, trumbeta e këngë, duke e thirrur, Shpëtimtar e Mesi. Ndryshimi i këtij populli, të Premten e Madhe, para Pilatit, duke thirrur: Kryqëzojeni dhe lirojeni barabën, u bë për Nolin model real, për të pasqyruar fenomenin në kontekstin shqiptar.

Në të vërtetë, prejardhja e këtyre fjalëve biblike, në titull, na ndërlidh me një relacion më të gjerë semantike, që pikëtakon dhe ndërlidh koincidencën, mes ngjarjeve biblike dhe jetës së autorit; një ndërlidhje mes historisë së popullit të Izraelit dhe popullit të tij. Një ndërlidhje mes misionit të Mesisë (shpëtimtarit) të Izraelit biblik dhe Shqipërisë, tek i cili Noli personifikonte vetën.

Në klithmat e tij krijuese, Noli shkruan poezitë:

Marshi i Krishtit

“Hosanna o çliro'njës, Mesi, hosanna! / Shtroni udhën me lule, dafin' e hurma, / Brohoritni trumbeta, timpane, zurna, Thirr e zbras, o gurmas: Hosanna, hosanna!”

Janë këto vargje tronditëse, që krijojnë një ndërlidhmëni semantike me vargjet e vjershës që pason.

Marshi i kryqëzimit

“Do të vrasim, Jesu, se të kemi Baba, /Do të varrim, Mesi, se të kemi Usta, / Se s'ke dashur as jet' as martes' as para: /Kryqësoje, Pilat, në Kalvar, Golgotha”.

Këto dy strofa, me nga katër vargje, në vetë ngërthejnë një univers të gjerë dhe mjaft kompleks të përvojës njerëzore, që ka prejardhje nga jeta dhe veprimtaria e Jezu Krishtit, përkatësisht nga momentet e fundit të jetës së tij, të cilat të kontekstualizuar në gjendën tonë kombëtare mund të “shërbejnë” për të par e analizuar fenomenin.

Këto vargje, sa herë i rilexojmë, disi brenda kontekstit shqiptar tingëllojnë mjaft shqetësuese, marrin nuanca rrënqethëse.

Për të mirë apo për të keq, nga këto reagime, nuk jemi shkëputur, madje as sot si komb.

Është fakt i pranueshëm se Noli veprimtarinë e tij e sheh si veprimtari misionari. Ai në rrugët e tij jetësore, para vetës vë dhe personifikohet me tre personalitet, të cilat në variante të ndryshme i imiton: Jezu Krishtin, Gjergj Kastriotin dhe Napolonin. Përveç këtij dimensioni, kjo klithmë Nolit ka konotacione më të gjëra, për të cilat, mendoj ja vlen të meditojmë. Mbase, jo, vetëm të mendojmë, por të veprojmë për të ndaluar këtë lloj mentaliteti.

4.

Në jetën publike shqiptare, filozofia e mbrapsht e brohoritjeve dhe duartrokitjeve, disi nuk mund të ndahet nga pandemi i kontekstit nolian. Fenomeni mbetet kompleks dhe si i këtillë me pasoj, të cilat drejtpërdrejtë prekin demokracinë dhe vlerat sublime të demokracisë, prosperimin e kombit dhe ngritjen e mendjes për një të ardhme më të ndritshme. Në të vërtetë, kjo filozofi e mbrapsht që merr trajtat e një mendësie, e ngritur edhe në hierarkitë më të larta, jo vetëm që pengon emancipimin e kombit, por edhe promovon anën e kundërt të emancipimit: zhytjen në errësirë dhe paragjykime, në përçarje e urrejtje.

Çuditërisht, brenda kombit shqiptar dalin përplot momente dramatike, në të cilat reagojmë sipas klithmave të Nolit dhe klithmave të njohura biblike. Kultura dhe historia shqiptare është ndërtuar me kundërthënie, jo për të promovuar sistem idesh a vlerash, por për të përbuzur tjetrin. Diçka si antipod ekstrem. Ndaj, jo vetëm në të kaluarën, por edhe në të tashmen tonë, ndeshim momente tragjike të përbuzjes ose glorifikimit të prijësve. Një shembull e kemi te figurat emblematike: tri figura kulmore që ndikuan në përmasa të jashtëzakonshme në formësimin e identitetit shqiptar (Skënderbeu, Bogdani, Fishta), u përdhunuan pas vdekjes dhe janë pa varre. Thënë ndryshe u përdhosën nga fenomeni i duartrokitjeve dhe kryqëzimeve. Po kështu, shumë personalitet të mëdha, të pazëvendësueshëm për kontributin e tyre për zhvillimin dhe ngritjen e  kombit, i kemi të shkapërderdhur, me varre nëpër vende të ndryshme. Precedent me këtë është edhe vet Fan Noli. Një fat të këtillë të keq pat edhe Presidenti dhe misionari historik i Kosovës Ibrahim Rugova. Këto veprime bëhen nga turma të dehur nga interesa të çfarëdoshme, të manipuluara e të abuzuara nga qarqe të ndryshme politike, ekonomike a mediatike. Në këtë amulli, gjasat për interesa strategjike nacionale janë të zbehta, në mos s’ezksitojnë fare. Ngarendja e pakontrolluar pas liderëve, ose përbuzja e tyre i krijon hapësirë të mjaftueshme politikës, matrapazëve e diletantëve për të mbajtur të mbërthyer interesin qytetarë. Kështu, Shqipëria vazhdon të jetoj në mjerim, ndërsa politika qeverisëse vazhdon të vetëkënaqët me retorike demagogjike. Fati i tillë po e kërcënon edhe Kosovën, e cila po ndahet në pole ekstreme, të glorifikimeve dhe mohimeve absurde. Të mos flasim për shqiptarët e Maqedonisë që janë pikë e pesë. Aspak më mirë nuk është gjendje me hapësirat tjera ku banojnë shqiptarë.

Trajtimi i këtij fenomeni nga Fan Noli me mjeshtri artistike dhe duke shfrytëzuar ligjërimin biblik, sikundër në topikë edhe në figuracion, është momenti të shihet në dritën e një gjykimi më kritik, aktual. Rikontekstualizimi apo aktualizimi i këtij fenomeni, do t’i shërbej të ardhmes për të eliminuar këtë lloj mendësie nga jeta kombëtare. Për një gjë të këtillë, kujtoj se kemi më shumë se shumë nevojë. Eliminimi i  reagimeve ekstreme, që prodhon vetëm fluska opinionesh dhe zëvendësohet nga gjykime racional, kritik, pa emocione e eufori, krijon paradispozitat për emancipimin, jo vetëm të politikës, tashmë si domosdoshmëri, por edhe të kulturës, ekonomisë, arteve dhe sferave tjera kombëtare.