E premte, 29.03.2024, 11:52 AM (GMT)

Mendime

Dukagjin Hata: Mafia dhe inkriminimi shtetëror

E enjte, 18.08.2016, 06:57 PM


Përballë mafies dhe inkriminimit shtetëror

Nga Dukagjin HATA

Një nga fiset më qëndrestare të Tropojës dhe të krejt veriut shqiptar në luftën për liri dhe dinjitet shoqëror, fisi Haklaj në Tropojë, është një nga fiset më të sulmuara nga segmente të shtetit, krimi i organizuar dhe mafia në të gjitha kohërat.

Një udhëtim drejt Kërrnajës, ku fisi Haklaj mbajti gjallë luftën e ndezur për liri e atdhetari, i ngjet një udhëtimi drejt legjendave të vjetra e të reja.

Nuk është një legjendë rurale, por një realitet rrënues e klithës, që apelon për një mënyrë tjetër të trajtimit të dyerve me kontribute atdhetare nga shteti dhe shoqëria shqiptare.

Kulla e fortë që ushqeu me besë e burrëri bisedat në odat e burrave të fortë, brez pas brezi, tani është një rrënojë. Rrënojë janë të gjitha shtëpitë dhe kullat e Haklajve në Kërrnajë, ku nuk dëgjohet më as zë fëmije, as fjalë burri. Rrënojë nga brenda e nga jashtë është dhe kulla e Azgan Haklajt, artistit dhe politikanit kurajoz, që ushqen me dashuri e pasion rrënjët e kulturës së kombit të tij. Dritat enë këto kulle epike janë shuar përgjithmonë dhe kjo e bën akoma më të trishtë atë që ka ndodhur gjatë këtyre viteve të demokracisë me burrat e derës historike. Në këtë vis të Eposit të Kreshnikëve, duket sikur në ajër dëgjohet vaji tragjik i Ajkunës, për djemtë e vrarë të Haklajve, për ikjen e trishtë të burrave, grave e fëmijëve nga vendbanimi tyre stërgjyshor.

E natyrshëm Kërrnajën mund ta krahasojmë me Sardën ilire, sot i mbiquajtur Shurdhah, i cili e mori këtë emër të kobshëm për shkak të mizorive turke, që brenda një nate vranë gjithë burrat e këtij fshati.

Janë me dhjetëra e qindra ikje, fate të ikura e të kryqëzuara në Golgotën e një kohe të pakuptimtë, ku nuk ka asnjë alibi.

Kërrnaja e braktisur, ku dera e Haklajve mbante kryet e vendit, ka një pamje të trishtë, gati rrënqethëse. Sot anëtarët e mbetur gjallë të derës së Haklajve janë shpërndarë në të gjithë botën, nga Greqia, Italia, Franca, Gjermania, Suedia, Anglia e deri në Australinë e largët. Është një eksod gati biblik, i paparë e i padëgjuar në këtë cep të Ballkanit, ku krimi dhe gjakmarrja bëjnë kërdinë, ndërkohë që politika, në vend që të shuajë urat e zjarrit të mërive e hakmarrjeve, iu fryn atyre. Pas rënies së Murit të Berlinit, gjenocidi ndaj derës së Haklajve është genocidi më i egër dhe më mizor i ndërmarrë ndonjëherë nga segmente të politikës së inkriminuar dhe mafies ndaj një familje me contribute historike.

Mbi 150 vrasje, me qindra grabitje apo atentate që kanë shkaktuar plagosje dhe gjymtime në rrethin e Tropojës, janë pa asnjë autor dhe mbajnë peng një histori të keqkuptuar. Mbi 30 sulme, të cilat kanë shkaktuar 14 të vrarë dhe të plagosur janë mbi shpinën e një familjeje, saga e të cilës përmban një “Kuti Pandore” të pazbuluar.

Saga e fisit Haklaj në Tropojë është ende mister, pasi asnjë vrasje nuk është zbuluar, asnjë autor i arrestuar apo i hetuar. Familja e Haklajve njihet në të gjithë veriun e vendit si një nga familjet më të mëdha, e cila brez pas brezi ka ndezur pishtarë qëndrese për komb e flamur dhe ka vënë gurë kilometrikë në kujtesën kombëtare. Dera e Haklajve ka dhënë katër dëshmorë për atdheun: Shpend Zeqir Haklaj, dekoruar me Medaljen e Trimërisë, Ismail Plak Haklaj, dekoruar me Medaljen e Trimërisë, Man Arif Haklaj, dëshmor i Atdheut dhe Rustem Sadri Haklaj, dëshmor i Atdheut. Të parët e Haklajve kanë luftuar me armë në dorë kundër turqve e serbëve, ndërsa gjatë luftës në Kosovë, dera e tyre ka qenë një bazë e fuqishme e luftës dhe strehuese e qindra kosovarëve, të ikur nga flakët e spastrimit më të egër etnik të kryer ndonjëherë në Gadishullin e vjetër. Por në vend të kurorës së merituar, shteti dhe shoqëria jonë e traumatizuar gjatë këtij tranzicioni të vrazhdë, iu ka ofruar dhunë, djegie, kërcënime, vrasje, të cilat, siç e thamë, ende nuk kanë qoftë dhe një autor të vetëm.

Azgan Haklaj, njëri nga pinjollët më të njohur të derës së Haklajve, ka qëndruar me stoicizëm dhe shpirt qëndrestari në Shqipëri, duke luftuar me art, me libra dhe kulturë për ta bërë më të ndjeshme e më të drejtë këtë shoqërinë tonë në kthetrat e këtij tranzicioni primitive.

Azgani ka qenë politikan aktiv i Partisë Demokratike, që fitoi zgjedhjet në garën për deputet të Kuvendit të Shqipërisë në zgedhjet e vitit 2001, duke qenë i burgosur politik nga qeveria ekstremiste majtiste.  Mbi të dhe familjen e tij janë bërë gjashtë atentate politike, disa herë i kanë vendosur eksplozivë në banesë, por ai ka vazhduar kauzën pa u trembur. Mbi politikanin Azgan Haklaj janë përdorur të gjitha llojet e atentateve, që nga snajperi, C4, granatimi me armë të rënda, aksidenti me makinë e deri tek tentativa për të helmuar.

Për veprimtarinë e tij politike dhe përballjen me mafien politike shtetërore, Azgan Haklaj është bërë pjesë e spektreve diplomatike të Moskës e Uashingtonit dhe për të kanë shkruar figura të njohura letrare, artistike e politike në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe në gjithë hapësirën etnike shqiptare.

Për shkak të kauzës së tij nacionaliste, Azgani aktualisht nuk është i përkrahur nga asnjë forcë politike, ndërkohë që presionet, shantazhet dhe kërcënimet ndaj tij dhe familjes së tij vazhdojnë në forma nga më të rafinuarat e më mafiozet.

Pas maratonës së gjatë të vrasjeve mafioze, indiferenca e shtetit shqiptar dhe mungesa e drejtësisë bëri që gjakrat të nxeheshin më shumë dhe gjithçka ta merrte në dorë vetëgjyqësia. Në vend të veprimit të institucioneve, ka ndodhur braktisja e madhe, ikja masive e Haklajve, nën kërcënimin e gjaksve të mbështjellë me hije frike e mister.

E vështron këtë peizazh të shkretë, shtëpi e kulla të rrënuara, dritat të fikura, barin dhe ferrat që kanë pushtuar mjedisin dikur aq të bukur e sharmant, dhe të kaplon dhimbja. Kërrnaja të kujton përmbytjen e madhe biblike të Noes, veçse kjo këtu nuk ka ndodhur nga mëria e Zotave, por nga primitivizmi politik, që ushqen rrënjët e së keqes, ushqen frymën e vëllavrasjes, krimit dhe vdekjes.

Kohët e turbullta dhe politika pisqollë janë të përkohshme, edhe pse kushtojnë shumë në kandarin e dhimbjes. E përjetshme është historia e Kërrnajës, historia e Haklajve, historia e dyerve dhe fiseve të shqiptarisë, që do të rilindin si feniksi, në kohë më të mira për kombin dhe historinë tonë.

Seriali i vrasjeve, nisja nga 16 qershori i vitit 1997

Vrasja e parë e regjistruar nga policia është ajo e ndodhur më 16 qershor të vitit 1997 në dalje të urës së Milotit, ku viktima është Sokol Haklaj, ndihmësgjyqtar në rrethin e Skraparit. Pas saj, renditen edhe dhjetëra vrasje të tjera që kanë lidhje me fisin e Haklajve të Tropojës, por drejtësia ka heshtur; politika gjithashtu; duket se hija e kobshme e politikës ka endur rrjetën e një merimange të helmatisur krimi, që iu ka kushtuar aq shumë jetë njerëzore Haklajve.

Ndërsa gjithçka nisi me vrasjen e Sokol Haklajt, natyrisht që nuk mund të mbetej me kaq. Hijet e keqbërjes, të nxitur nga tritolpolitika do t’i jepnin start maratonës së vrasjeve, duke u shndërruar kështu në fisin e vetëm në Shqipëri me numrin më të madh të hasmërive. Në 5 janar 1998, vritet në Qafën e Luzhës, në një atentat me armë zjarri automatike Shkëlqim Haklaj, njëri prej djemve të familjes. Pas kësaj iu vjen radha një nga një pothuajse të gjithë djemve të familjes    së Muharrem Haklajt. Në 4 gusht 1999 vriten në afërsi të fshatit Cernicë, me mina të telekomanduara, Halil Haklaj e Feriz Kërnaja, ndërsa plagoset rëndë Fatmir Haklaj.

Në 4 nëntor të vitit 1999, në një pritë në fshatin Bujan, vetëm gjashtë muaj më pas do të ekzekutohej edhe Fatmir Haklaj, djali tjetër i familjes, vetëm 50 metra larg shtëpisë së mikut të tij Jaho Salihi. Vrasja e Cen Haklajt, trainerit të apasionuar të ekipit të basketbollit “Valbona”, njeri i urtë e korrekt, me një pasion të madh për sportin, tek po shkonte me një top në dorë në stërvitjen e radhës së ekipit të tij të dashur, ishte një vrasje makabre, pa asnjë “alibi”.

Në 3 dhjetor 2000 është kryer ekzekutimi i Ylli Haklajt, me anë të një snajperi, Vrasja e fundit e njerëzve të familjes Haklaj daton më 8 maj të vitit 2002 pranë spitalit të Bajram Currit ku mbetën të vrarë Elez Haklaj dhe i djali i tij, Çela.

4 prill 1998 plagoset në qendër të qytetit Bajram Curri Azgan Haklaj, i cili në atë kohë mbante detyrën e sekretarit të PD-së Tropojë. Seriali I atentatëve ndaj do të vazhdonte pambarim, si dhe arrestimi makabër më 21 janar 2001, duke iu nënshtruar torturave çnjerëzore si shkulje thonjsh, djegie me cigare etj. Për këtë arrestim politik të Azgan Haklajt do të reagonin të gjitha institucionet ndërkombëtare dhe të të drejtave të njeriut. Kundërshtarët politikë të A. Haklajt përballjen e ideve e kanë kthyer në hakmarrje personale, me synim eleminimin politik, në bashkëpunim me krimin dhe mafien.

Me 28 qershor 2016, në Qafë Muzinë, kur po kthehej me mjetin e saj për në Tiranë, goditet qëllimisht nga një makinë bashkëshortja e Azganit, Afrime Haklaj me tre fëmijët e saj dhe ashtu të plagosur të katërt dërgohen per të marrë ndihmën e parë në spitalin e Gjirokastrës. Policia lidhur me këtë ngarje nuk mori asnjë masë.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora