E premte, 29.03.2024, 06:33 AM (GMT)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Kur përvjetori kthehet në funeral

E hene, 15.08.2016, 07:00 PM


Kur përvjetori kthehet në funeral

Nga Elvi Sidheri

Pak ditë më parë (13 gusht), shënohej, jo edhe aq solemnisht, mbushja e plot pesëmbëdhjetë viteve nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit.

Një datë tepër kuptimplotë për shqiptarët e Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë, një përvjetor që shënohet mes një krize natyrore dhe politike në këtë vend fqinj tonin me të dy shtetet shqiptare, ku, siç u tregua edhe në fatkeqësinë e tmerrshme të natyrës që goditi zonat rurale dhe periferike të Shkupit, ata që e pësojnë rregullisht në shkallën më të rëndë në këtë vend, janë përherë pikërisht shqiptarët.

Ndërsa dy fshatrat më të goditur nga përmbytjet e disa ditëve më parë, ishin njëri shqiptar dhe tjetri maqedonas, dhe gjithaq edhe viktimat të ndara thuajse në mënyrë të barabartë shqiptarë dhe maqedonas sllavë, pas fatkeqësisë, shpërndarja e ndihmave dhe përkujdesja shtetërore, si zakonisht u fokusua thuajse eksluzivisht në fshatin maqedonas (Stajkovci), duke lënë mes baltës dhe dhimbjes për të vdekurit në harresë të plotë Hasanbegun shqiptar.

Një shenjë e mjaftueshme për të kuptuar se sa pak paskëshin ndryshuar gjërat në këto pesëmbëdhjetë vite fundja.

Në IRJ Maqedoni, pavarësisht ndryshimeve kushtetuese (gjer në vetë preambulën e saj) të derivuara nga Marrëveshja e Ohrit, pavarësisht konfliktit të fituar nga shqiptarët në çdo rrafsh në vitin 2001, pavarësisht viktimave civile dhe heronjve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare të rënë për kauzën e bashkëqytetarëve të tyre shqiptarë, pavarësisht Betejës legjendare të Haraçinës, pavarësisht përpjekjeve mbinjerëzore të shqiptarëve ndër vite për barazi me maqedonasit, për arsim amtar në gjuhën shqipe dhe një përfaqësim të denjë politik krah maqedonasve, gjërat në këndvështrimin themelor, nuk kanë ndryshuar aspak.

Jo aty ku ka më tepër rëndësi së paku.

Sigurisht që shumë fakte dhe mëdyshje të tilla e shtyjnë shumëkënd që të ndihet “pakëz” (eufemizëm ky) i ftohtë kundrejt përvjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, në një kohë kur kaq vite pas nënshkrimit të saj, pikërisht shqiptarët, pavarësisht mospërmbushjes së saj të plotë dhe zgjidhjeve gjysmake që i janë dhënë proceseve që burojnë prej saj në të mirë të pozitës së shqiptarëve në këtë shtet, gjithësesi do të duhej ta kremtonin atë, si një arritje madhore, më madhoren e ekzistencës së tyre në territorin e IRJ Maqedonisë si republikë federative jugosllave apo shtet më vete prej 1992-it.

Për arsyen e thjeshtë se, duke qenë ky komunitet shqiptar që arrin shifra gjer 700 mijë banorë, i ndodhur nën “zgjedhën” e autoriteteve të Shkupit prej 1945-ës dhe krijimit në tavolinë nga Josip Broz Tito të kombësisë, gjuhës dhe kishës maqedonase, dhe njëkohësisht pa një qendër të vetën kulturore dhe arsimore (ndryshe nga Prishtina për Kosovën, që këtë rol si kryeqytet ekonomik, politik, kulturor dhe arsimor, përmes Universitetit të Prishtinës, e ka kryer prej disa dhjetëvjeçarësh), në mungesë edhe të gëzimit nga ana e shqiptarëve të IRJ Maqedonisë të ndonjë forme autonomie territoriale (si Kosova krahinë autonome në gjirin e Jugosllavisë federative), atëherë shkalafitja kulturore, identitare dhe gjuhësore e shqiptarëve të këtij vendi, do të kishte qenë fort më e theksuar, në mungesë të Marrëveshjes së Ohrit dhe luftës së UÇK-së në vitin 2001.

Marrëveshja e Ohrit, që për herë të parë i njihte shqiptarët si faktor vendimtar, si banorë të barabartë, si fuqi politike qeverësëse dhe gjuhën e tyre si gjuhë në të njëjtin nivel me maqedonishten gjer në vetë kryeqytetin Shkup, si gjuhë lokale të çdo qyteti shqiptar, si gjuhë dokumentesh identifikimi, shkollimi universitar etj, pra, duke i nxjerrë shqiptarët dhe shqipen nga përçmimi i thellë dhe nëpërkëmbja shekullore, do të duhej kremtuar masivisht nga shqiptarët pikësëpari.

Është e qartë se sllavët e IRJ Maqedonisë, qoftë edhe më liberali dhe mendjehapuri për shqiptarët mes tyre, e aq më pak VMRO-ja dhe lidershipi i saj shovinist me në krye kryeministrin e dorëhequr Gruevski, nuk kanë përse të ndihen të mikluar nga përkujtimi i denjë i kësaj date.

Sllavët e Maqedonisë, nga viti 1945, nisën të shijojnë një shtet të krijuar apostafat për ta nga Tito, pasi për disa dhjetëvjearë, nga 1912-a gjer në vitet 1940, serbët u patën rrekur më kot që bullgarët vendas perëndimorë dhe dialektin e tyre të tretë të gjuhës bullgare, ta shndërronin në një zgjatim të kombit dhe gjuhës serbe.

Por, si pati dështuar projekti i krijimit “deus ex machina” të Juzhna Srbijas (Serbisë Jugore), atëherë skilja e vjetër Tito, kish gjetur çelësin e miklimit të sllavëve vendas të Maqedonisë, duke u ofruar atyre iluzionin e të qenit një kombësi më vete, as serbe dhe as bullgare, më një bashkim fiktiv copëzash historie nga të gjithë fqinjët e afërt dhe krenari krejt false kombëtare, sipas kushtit të vetëm, që këta të fundit (maqedonasit), pavarësisht një bashkëpunimi të faktuar me shqiptarët kundër turkut, andartëve grekë dhe vetë serbëve me armë në dorë qysh në kohë të çetave komite shqiptare e maqedonase, e deri në kohë të VMRO-së antiserbe dhe lëvizjeve antiserbe kosovare të Hasan Prishtinës në vitet 1920, t’i shtypnin shqiptarët vendas të Maqedonisë pa mëshirë tanimë që Republika e tyre u ishte servirur në një tabaka argjendi nga Beogradi jugosllav.

Sot, kur dy nënshkruesit shqiptarë të kësaj marrëveshjeje nuk jetojnë më (Imer Imeri nga Partia për Prosperitet Demokratik dhe Arbën Xhaferri nga Partia Demokratike Shqiptare), dhe dy liderët maqedonas të dy partive ende kryesore të këtij komuniteti (Crvenkovski për LSDM-në e majtë dhe Georgievski për VMRO-në) nuk i drejtojnë më partitë e tyre prej kohësh (Georgievski ndër të tjera, ka rigjetur rrënjët e tij bullgare, duke e pranuar njësimin mes dy kombësive maqedonase dhe bullgare), atëherë do t’u kishte takuar lidershipeve të reja politike shqiptare dhe sllave që ta jetësonin këtë marrëveshje përfundimisht.

Por, nëse ana maqedonase është e zënë krejtësisht me luftën e pakompromis brenda llojit, në krizën e thellë politike që ka bllokuar jetën ekonomike, shoqërore dhe institucionale të IRJ Maqedonisë prej një viti e gjysëm, krahu shqiptar ndërkaq, ka mbetur si peshku pa ujë, dhe jo vetëm që sillet si dordolec dhe mëkëmbës i VMRO-së prej kohësh, por njëkohësisht, as raste të tilla si kremtimi i Marrëveshjes së Ohrit në pesëmbëdhjetë vjetorin e nënshkrimit të saj, nuk di t’i shfrytëzojë për të bërë diçka patriotike prej vërteti, larg retorikës qesharake folklorike pseudo-nacionaliste nëpër mitingjet tallava për interesa thelbësisht thjesht politike.

Gjuha nacionaliste nëpër mitingje partiake, nuk të shpie larg, sidomos kur në realitet, në qeveri, në parlament dhe në dhomat e pushtetit të mirëfilltë, më pas sillesh si qingj i butë dhe kthehesh në gjymtyrë plus për trupin e VMRO-së antishqiptare dhe Gruevskit rregullisht.

Marrëveshja e Ohrit për shqiptarët e IRJ Maqedonisë do të duhej të kremtohej njëlloj si dita e çlirimit nga pushtuesi serb në Kosovë, krahas 28 nëntorit, si dita e arritjes më historike për popullin shqiptar të atyre trojeve.

Moszbatimi i saj kryesisht për shkak të paaftësisë së pakufishme të vetë përfaqësuesve politikë që prej 15 vitesh keqpërdorin vullnetin votues të popullit të tyre në qeveri dhe parlament, nuk është kurrësesi faj i vetë Marrëveshjes.

Marrëveshjet kurrë nuk janë perfekte, ato përbëjnë balanca që gjithësesi vendosen shpesh me armë (si në 2001-in) dhe më pas zbatohen me përpikmëri pikërisht falë vëmendjes dhe ngulmimit të palës që është më e interesuar për implementimin e tyre në nivelin më lartë.

Këtë gjë pra, nuk kanë bërë ndërkaq aspak dy partitë e mëdhaja shqiptare në IRJ Maqedoni këto vite.

Por, fatkeqësisht, dritëshkurtësia epike e politikës së shqiptarëve të IRJ Maqedonisë, e dënoi sërish me harresë këtë datë.



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora