E marte, 22.09.2020, 04:05 PM (GMT+1)

Kulturë » Muzikë

Michael Jackson

E shtune, 20.08.2005, 06:31 PM


Majkëll Xhekson, këngëtari me ngjyrë, më i suksesshëm në historinë e muzikës

Mbreti i pop-it mbush 47 vjeç

Michael Jackson
Deri para një muaji e gjithë skena mediatike rrotullohej rreth tij. Gjatë një periudhe më shumë se 20-vjeçare të gjitha rekordet i përkisnin atij. E mbiquajtën apo e quajti veten mbret i pop-it kjo nuk dihet, por është e sigurt që këtë fron e ka merituar. Majkëll Xhekson, pas një sezoni të zhurmshëm pranverë-verë, është zhytur në heshtje. Madje edhe dje, për datëlindjen e tij të 47-të gjithçka kaloi nën hije dhe pa u vënë re. Kjo, ndryshe nga 17 vjet më parë kur përvjetori i tij shënoi një eveniment gjigant në sheshin e Nju-Jorkut që u celebrua edhe me marrjen në pronësi të të drejtave të publikimit të katalogut të Bitëllsave. Kohë më parë të çmimit të madh të karrierës, edhe pse nuk kishte arritur ende një moshë të mesme. Ai e nisi karrierën e tij si lideri i grupit “The Jackson 5” në vitet 1960 dhe realizoi albumin e tij të parë solo në moshën 13-vjeçare. Por karriera e tij e vërtetë nisi më 1979-ën dhe që prej asaj kohe është bërë artisti më ngjyrë më i suksesshëm në historinë e muzikës.

Brenda familjes
Familja e tij ishte një grup i tërë muzikor, duke filluar nga prindërit, e ëma këngëtare dhe babai kitarist, ndërsa vëllezërit e tij më të mëdhenj e shoqëronin duke kënduar. Të pesë vëllezërit Xhekson të ndihmuar nga i ati formuan një grup muzikor. Falë muzikës ekstremisht ritmike dhe Majkëllit në krye, grupi kaloi nga shfaqjet vendase në një kontratë të rëndësishme me anë të së cilës arritën të nxirrnin në treg rreth 15 albume, katër prej të cilave kishin si protagonist Majkëll Xheksonin si solist. Ai vendosi që të hyjë në karrierën solistike në moshën 20-vjeçare.

Në librin Gines
Kontrata e tij zhvendoset me shtëpinë e madhe diskografike “Epic” në bashkëpunimin me të cilën realizon albumin “Off the wall”. Por megjithatë, bashkëpunimet me vëllezërit e tij janë të vazhdueshme. Albumi i tij i dytë, “Thriller”, i publikuar më 1982, nxori në dritë shtatë hite muzikore, theu rekordet e shitjeve dhe hyri në librin Gines si albumi më i shitur në historinë e muzikës. Video muzikore e “Billie Jean” që u realizua për të promovuar albumin u bë videoklipi i parë i një artisti me ngjyrë që transmetohej në MTV. Kjo video prej shtatë minutash u bë më e shitura dhe konsiderohet nga kritikët e industrisë si një nga videot muzikore më të mira të të gjitha kohërave. Kjo këngë hyri në histori edhe për performancën e veçantë dhe karakteristike të këngëtarit. Gjatë një shfaqjeje, Majkëll Xhekson interpretoi për herë të parë kërcimin e quajtur “moonwalk” që u bë një nga lëvizjet skenike më të famshme, si dhe karakteristikë që identifikohet me këngëtarin e pop-it. Falë këtij albumi, ai arriti të fitonte tetë çmime në MTV, tetë çmime “Grammy”, si dhe një çmim special që iu dhurua në Shtëpinë e Bardhë nga presidenti Ronald Regan. Në bashkëpunim me Lionel Richie, Majkëll Xhekson realizoi këngën “We are the world” që u publikua në ’85-ën, fitimet e së cilës, që ishin natyrisht kolosale, shkuan në ndihmë të fëmijëve afrikanë. Suksesi i tij arriti majat, duke çmendur me miliona fansa në mbarë botën, por akuzat për abuzim seksual ndaj të miturve dhe ndërhyrjet kirurgjikale e kthyen atë në gjahun e preferuar të mediave.

Polemikat
Ngjyra e lëkurës dhe operacionet plastike kanë qenë në qendër të vëmendjes po aq sa edhe hitet e tij. Lëkura e Majkëll Xheksonit u zbardh gradualisht që nga viti 1982. Ai ia atribuon këtë ndryshim të ngjyrës sëmundjes së lëkurës vitiligo, kur trupi zhvillon antitrupa kundër pigmentit të tij, duke e bërë kështu trupin plot njolla. Por me gjithë deklarimet e doktorëve dhe dermatologëve të Xheksonit, ende mendohet se mbreti i pop-it i është nënshtruar operacioneve plastike për të zbardhur ngjyrën e tij të lëkurës.
Ai ka përdorur edhe operacione të tjera plastike për të modifikuar pamjen e tij. Megjithatë, ai pretendon se ka bërë vetëm tri operacione, dy prej të cilave kanë qenë të domosdoshme për të riparuar hundën e thyer në një incident gjatë kërcimit. Pavarësisht akuzave apo polemikave, mbreti i pop-it arriti që të festonte datëlindjen e tij të 47-të në liri të plotë, me një karrierë ende rrjedhë.
Po ose jo fajtor

Akuzat për abuzim seksual ndaj të miturve e kanë shoqëruar Majkëll Xheksonin që në vitin 1993. Ato u paraqitën nga babai i një djaloshi, por këngëtari arriti të dilte nga gjyqi duke paguar 25 milionë dollarë, gjë që vuri në dyshim institucionet mediatike. Por paratë nuk bënin më punë, kur mbi Xheksonin u hodhën shumë akuza të tjera për abuzim ndaj fëmijëve. Gjatë pranverës së këtij viti gjyqi i Majkëll Xheksonit ishte një çështje e ditës në arenën muzikore. Lajmi i parë për hetimin e këngëtarit u bë publik në nëntor të vitit 2003, kur policia bëri kërkime në fermën e tij Neverland në Kaliforni. Ferma mendohej si vendstrehimi për fëmijët që akuzonin Xheksonin. Mbi të rëndonin disa akuza disa prej të cilave ishin për sjellje të turpshme ndaj një të mituri 14-vjeçar, duke rrezikuar me tetë vjet burg për secilën. Ai e deklaroi veten të pafajshëm ndaj akuzave për abuzim seksual dhe deklaroi se më mirë do të kishte vrarë veten sesa t'i kishte bërë keq një fëmije. Më 13 qershor ai u la i lirë dhe u shpall i pafajshëm ndaj 11 akuzave që rëndonin mbi të.

Jetëshkrimi
Emri: Michael Joseph Jackson
Datëlindja: 29 gusht 1958
Vendlindja: Gary, Indiana, SHBA
Profesioni: Këngëtar, autor këngësh, producent, balerin
Hite muzikore:
“Billie Jean”
“Bad”
“Black or white”
“Remember the time”
“Earth song”

Albume:
“Thriller”
“Bad”
“Dangerous”
“History”
“Dance on the dance floor”
“Invincible”

Personale
Më 1994-ën Majkëll Xhekson u martua me Lisa Marie Presley, vajzën e Elvis Preslit. Martesa e tyre u kritikua shumë nga media dhe zgjati më pak se dy vjet. Menjëherë pas divorcit, Majkëll Xhekson u martua me Jeane Rowe me të cilën ka dy fëmijë. Një divorc i dytë u zhvillua pas tre vjetësh dhe mbreti i pop-it u bë për të tretën herë baba nga një grua e panjohur.

“Thriller”
Albumi “Thriller” i vitit 1982 mban aktualisht titullin si albumi më i shitur në histori, me 60 milionë kopje të shitura në mbarë botën. Veç albumeve, Xhekson gjithashtu ka incizuar 13 hite që kapën vendet e para të paradave muzikore. Lëvizjet e veçanta skenike, videot muzikore dhe apelimi kanë frymëzuar dhe ndikuar shumë nga këngëtarët e sotshëm.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora