E marte, 16.04.2024, 08:06 PM (GMT+1)

Faleminderit

Albert Habazaj: Zaim Hoxha, si në Bronx e ballëlart

E enjte, 11.08.2016, 08:43 PM


ZAIM HOXHA, SI NË BRONX E BALLËLART -

Qytetar Nderi i Vlorës, Mirënjohje e Labërisë, i dritëroftë kujtimi!

(25 korrik 1931 - 07 gusht 2016)

Nga Albert HABAZAJ, shkrimtar, ish - nxënës i mësuesit të paharruar Zaim Hoxha

Edhe natyra e shpreh dhembjen e saj e pikëllimin tonë me këtë mot të vranët e këta lot shiu që po derdh, tok me ne. Është e rëndë, edhe për mua, kjo ora dhjetë e kësaj të diele të datës 7 gusht 2016. Mësuesja ime e klasës së parë, Stoli Xhaferaj Hoxha po përcjell për në banesën e fundit njeriun që kaloi një gjysmë shekulli me të, Zaim Hoxhën me emër; atë burrë që kaluan një jetë me nder nëpër dallgë deti, lule lëndine e suferina malesh; që lindën tre djem si yje, por Lulit, para 21 vitesh, në moshën 21 vjeçare iu këput në mes lulëzimi, ende pa çelur. Do të mbahet mend si një gonxhe e paharrueshme, që u mboll më 28 shtator 1972, por nuk e mbajti dot as prilli i shpërthimeve dhe u tha më 12 prill 1995.

Kushërinjtë e mi, Dritani e Sokoli, shembull mirësjelljeje në qytet dhe të zotët e punës së ndershme e me djersën e ballit, humbën babanë e tyre të shtrenjtë, shenjtin tonë Zaim Hoxha. Nipërit e mbesat humbën “Pàpunë” aq të dashur, që s’u vjen më, shenjtin tonë Zaim Hoxha.

Halla me halle të mëdha dhe dinjitet të lartë, e pamposhtura Jeta Hoxha, pasi përcolli Refitin, Qaniun e Sanon, tani me lëngata shpirti, sa ajo i di, si motër shumë e lënduar, po përcjell për në banesën e përjetshme vëllain e vogël, njeriun e madh, shenjtin tonë Zaim Hoxha. Njërin më të mirë se tjetri dhe ja ku po qëndron si amazonë Vlore, si trimëreshë Tërbaçi.

Edhe unë, i lënduar dy herë nga humbja e babait dhe e një vëllai, në këto çaste, përjetoj hidhërim të veçantë, sepse po përcjell, në këto 23 vite shkollim që kam kryer deri më sot, mësuesin tim më të mirë, kushëririn e babait tim, vëllain e babait tim, të paharruarain Sazan Nuro Ahmeti, shenjtin tonë Zaim Hoxha. Mësues si Zaim Hoxha nuk besoj se ka patur shumë kush fatin ta ketë në orë të gjuhës dhe leximit letrar. Nëse kam unë ndonjë fije talenti poetik, mësues Zaimi ka meritë të veçantë, sepse më ka dhënë gjuhë e letërsi në shkollën 8 vjeçare “Halim Xhelo”, Tërbaç. Dhe për këtë fakt, jam shumë krenar. Gjatë atyre viteve, që punoi në vendlindje, ai krijoi edhe një këngë shumë të bukur me vlera artistike, estetike dhe emocionale “Veshur Bronx e ballë lartë” kushtuar tërbaçiotit të madh Halim Xhelo, figurë demokratiko-revolucionare për pavarësi, liri e përparim, e rangut kombëtar. “Flet Halimi, ësht’ i gjallë,/ për atë s’ka vdekje./ Do sikur të thot’ ca fjalë/ bashk’ me ne në mbledhje./ Rri e do të puthë dheun,/ rri, po nuk i rrihet...” janë  disa vargje që thuri mësues Zaimi për grupin e shkollës, që ngriti drejtor Kujtimi dhe mësues Rexhepi me ne, që kur u bë kjo këngë, më 1973, ishim në klasë të shtatë. I kaloj sot këto vargje në mendje dhe gjykoj se i rrinë bukur edhe profilit dinjitoz të mësuesit tonë krijues Zaim Hoxha, që bashkë me dy kushërinjtë e tij i përkasin Paharrimit, se të tre ishin model si mësues dhe, si njerëz të arsimit e kulturës, shkonin si vëllezër, në kuptimin ideal të fjalës, si tre male në këmbë, si tre male në lëvizje. Halim Xhelo Tërbaçin nuk e kam njohur; Zaim Hoxha është për mua imazhi i Halim Xhelos, në një trajtë të re.

Zaim Hoxha ishte fëmija i vogël, ndër tre djem e dy vajza të Tushe Ametes (Habazaj) dhe Nuro Ahmet Hoxhës, njërit nga dhjetë pishtarët e parë të arsimit shqip në fillimshekullin e XX (v. 1913) në Tërbaç me Murat Miftar Habazaj, Halim Xhelo Skëndaj, Ibrahim Ali Skëndaj, Rakip Elmaz Rrokaj, Gani Iljaz Habazaj, Muço Delo Balili, Musa Hasan Muho, vëllezërit Myslym e Rustem Muho Sino. Sazan Nurua u lind më 25 korrik 1931. Ishte nga të paktët mësues tërbaçiotë me arsim të lartë, që për kohën kishte shumë peshë. Zaim Hoxha qe mësuesi i vërtetë, ndër dhjetë dritanët e parë të dijes pas Çlirimit në Tërbaç, duke ecur me dinjitet në fushën e dijes së të atit; një nga mësuesit e metodistët më të mirë që mbahet mend në Vlorë; i shquar për gjysmë shekulli në punë sistematike e me cilësi të lartë profesionale si vëlla i ditur ka përcjellë rrezatim atdhetar e kulturor te të gjithë brezat e nxënësve, mirëkuptim e ndjenja vëllazërimi mes komunitetit. Ka punuar edhe si topograf, në ish- ndërmarrjen “Perlat Rexhepi”, Vlorë e, pasi përfundoi Fakultetin Histori - Filologji në Universitetin e Tiranës, ka dhënë mësim në Kutë - Mallakastër, në gjimnazin “Ali Demi”, Vlorë, në Tërbaç dhe në Kaninë, duke u bërë një flakadan i arsimit dhe model i mësimdhënies dhe metodologjisë. Në vendlindje mbahet mend se, pasi mbaronte orari zyrtar i shkollës, nuk përtonte të shkonte në ato familje ku kishte nevojë për punë të diferencuar me fëmijët, të cilët vinin të vonuar dhe kishin mangësi në mbarëvajtjen e mësimeve. Po ashtu, ishte i gatshëm të  shkonte të ndihmonte mbas mësimit bashkëfshatarët që kishin nevojë për mendjen e tij të hollë e duart e tij të arta edhe për çështje të tilla si ndërtim apo meremetim shtëpish, problem me ndriçimin, me ujin e pijshëm, etj., sepse edhe si elektricist apo hidraulik ai qe një mjeshtër. Gati 10 vjet që dhanë mësim në Tërbaç, bashkë me Stolinë, ata banuan aty, në fshat, në një ndërtesë që u përshtat për banim, afër shkollës së vjetër në Gryka. Qenë çift model dhe ndikuan shumë në ndryshimin pozitiv, në përmirësimin e jetesës qytetare në fshat në ato vite të vështira. Zanon (kështu i flisnin shkurt e me respekt bashkëfshatarët mësuesit të nderuar Zaim Hoxha) e donin të gjithë në Tërbaç si vëlla e kaluar vëllait, se i kish’ bërë vend vetes. Edhe Stolinë e nderonin me të gjitha mundësitë që kishin për kohën, sepse pruri qytetërim, natyrshëm, pa u dukur, pa u ankuar…Zanua, pas viteve Nëntëdhjetë, u angazhua me detyra shoqërore - politike në Vlorë, duke u ravijëzuar si një qytetar i denjë, demokrat i vizionit europian. Telegrafisht, po përmend skedën familjare: Më 3 korrik 1966, u martua me Stoli Nysete e Myzafer Xhaferi, prej një familjeje atdhetare, fisnike e bujare nga Oshtima. Më 4 qershor 1967 u lindi Tani, më 9 mars 1970 u lindi Koli. U lind Luli më 28 shtator, pas dy vjetësh, por…s’lulëzoi dot. Tani u martua me Marselën nga Çekrezajt e me tradita atdhetare e arsimore në Gjirokastër. Kanë tre fëmijë 9 dy djem e një vajzë), Madrisin 22 vjeç, Monikën 21 dhe Samuelin 17 vjeç. Koli u martua me Evin nga familja e njohur qytetare e Sharrajve të Vlorës. Koli dhe Evis kanë dy çupa si dy gonxhe, Korinën dhe Paolën...Para dy javësh i festuan 85 vjetorin e lindjes gjyshit aq të mirë e të dashur “Papù”. Festë e bukur qytetare. Gëzim familjar. Bilanc i mirë i jetës. Për fat, erdhi dhe Tani nga Gjermania familjarisht. (Ia tha ëngjëlli?!). Me gjithë rrufetë që qëlluan mbi të, familja e Stoli e Zaim Hoxhës është një pemë e shëndetshme, me rrënjë të thella, me trung të fortë, me degë e gjethe të gjelbra jete, me tradita atdhetare dhe kulturë qytetare, model për t’u ndjekur nga të tjerët.  Iku i bardhë, trup drejt e ballëlart, me shikim përpara. Shtizë flamuri. Pse s’u ankua një herë ai njeri?! Bënte dritë ku hidhte këmbën Zanua. Kishte lezet të pije një kafe me të. Ishte nder të kuvendoje dhe të dëgjoje të fjalë të tij. Nuk i kishte qejf dekoratat. Nuk jetonte, as punonte për t’u dukur. Kurrë. Dhe me pikatore i ka dekoratat. Ndërkohë, ai ka qenë shembëlltyra e gjallë e dekoratës së vërtetë. Është vlerësuar me urdhërin “Naim Frashëri” të klasin III, me dekoratat “Mirënjohje e Labërisë” dhe “Qytetar Nderi i Vlorës”. Dhe kur iku, nuk i mundoi njerëzit. Nuk i lodhi. Në ditë pushimi. Në shtëpi të tij. Afër detit të Vlorës, në Ujë të Ftohtë. Si çdo mëngjes, kreu ritualin: Lidhi dhe dy qentë e shtëpisë, të cilët i lëshonte natën. - Janë roja e shtëpisë - thoshte - ndaj kujdesem shumë për ta. - Një gjë më bëri çudi, - na tha Tani të shtunën mbrëma. - Tërë natën që u gdhi sot, qentë nuk kanë lehur si zakonisht. Kauisnin si ujk, si me ulërimë të zgjatur, me zë të hollë, të përvajshëm. Dhe të vjetrit paskan thënë se qentë kanë parandjenjë. Shenjë e keqe për të zon’ e shtëpisë, thonë të parët… Zanua iku në ditë të mirë, se uratë mirësie qe. Iku në mëngjez. Dje, të shtunën. Data 6 gusht. Shtatë e gjysmë - tetë. Duke pirë kafe në verandë. Vetë e bëri. Si çdo mëngjes. Si zotni. Dhe si zotni iku. Lum kush ikën si Zaim Hoxha! Ai do të mbahet mend nga ne si etalon i mësuesit të vërtetë. Zaim Hoxhën po e përcjellim me krenari, me dhembje e dashuri, me mirënjohjen e familjes, të farefisit e të vendlindjes. Mësues Zaimi iku me mirënjohjen e Labërisë, Vlorës e më tutje, ku ka lënë gjurmë nderi e drite si Mirënjohje e Labërisë, si Qytetar Nderi i Vlorës, si një kreshtë e bardhë mali në lëvizje. Dritanit të arsimit dhe të kulturës qytetare Zaim Hoxha i dritëroftë kujtimi!

Fjala e mbajtur nga Albert Habazaj, në përcjelljen e të ndjerit Zaim Hoxha;

Babicë - Vlorë, e diel, 07. 08. 2016, ora 10.00

Albert Habazaj me mësuesin dhe xhaxhain e tij Zaim Hoxha



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora