Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Shahu: Havzi Nela vazhdon të lëkundet në litar

| E merkure, 10.08.2016, 09:15 PM |


HAVZI NELA VAZHDON TË LËKUNDET NË LITAR

NGA REXHEP SHAHU

Me 10 gusht 1988 në dalje, nga ana veriore e Kukësit, në një rrugë që më vonë u bë shesh, u var Havzi Nela, disidenti, poeti. Në atë shesh nuk shkojnë shkollat asnjëherë të bëjnë nderime. As shkollat e Kukësit e jo më shkollat e tjera të vendit apo shkollat shqipe të jashtë vendit. Shkollat e Kosovës ende nuk janë kujtue se ato dinë ta bëjnë nderimin dhe dinë ta bëjnë institucion mirënjohjen.

Ai shesh vetëm varjen e Havzi Nelës nuk e tregon. Kemi derdhë tonelata bronzi për lloj lloj muti e kopuku, kemi gdhendë në gurë lloj lloj fytyre hajni e mashtruesi, por një pllakë guri nuk kemi ngritë në këmbë me emrin Havzi Nela. Se edhe kemi dashtë ta bëjmë vezë pate me bythë pule.

Unë kam shkrue për Havzi Nelën që në vitin 1996, kam thënë se ai po vazhdon të lëkundet sa majtas – djathtas si lavjerrës dhe veç e shtyjmë nuk e tërheqim nga vetja. Kam pranuar të jem kryetar i Shoqatës Miqtë e Havzi Nelës, inicuar, organizuar, ngritur e propozuar nga deputeti Jemin Gjana, kryetari i rrethit, Kukës Shefqet Bruka e autoritete të tjera të Partsë Demokratike, pranuar në atë kohë me shumë mirësi edhe nga kryetari i Partisë Socialiste të Kukësit, Fatmir Gjuta, shoqatë që nuk mori jetë se nuk u pranua dhe u refuzua me mosdashje nga një opinion i indoktrinuar, dhe unë nuk u tregova aq këmbëngulës, pasi ishin kohë që shumë ishin sulë për me e dashtë të sfumuar në fakt Havzi Nelen, pak e dashtën në realitet dhe në atë rivalitet dashnie të shtirme unë u dorëzova, nuk qëndrova,  hoqa dorë me heshtje e shoqata nuk mori jetë.

Pothuaj të gjithë kemi shkruar për Havzi Nelën, ca me pare e ca pa pare, ca me gishta e ca me këmbë, ca me shenja gishtash dhe kemi bërë sikur po bëjmë një detyrë pa dashuri.

Po të kishte qenë i huaj do ta kishim dashtë shumë Havziun por qëlloi të ishte i yni dhe tonit ia vemë shkelmin në supe pa dhimbje e pa mëshirë, me inat e mëri.

Ai, si statistikë, është i varuri i fundit nga diktaturat në gjithë vendet e Lindjes komuniste. Kjo nuk na krenon.

Lakohen mjaft emra si vendimmarrës dhe ekzekutorë për dënimin e Havzi Neles, si spiunë të tij, si përgjues, denoncues etj etj.

Por asnjëherë nuk iu përmend emri shokut Simon Stefani sekretar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, i cili ka dërguar një letër me firmën e tij, letër e verdhë ngjyrë limoni në të cilën shkruhej dënimi që duhej të merrte Havzi Nela dhe për Sekretariatin e KQ të PPSH firmoste sekretar Simon Stefani. Kjo letër tregon se Havzi Nela ishte bërë aq i madh sa dënimin e tij ta caktonte Sekretariati i Komitetit Qëndror të PPSH, pikërisht shoku Simon Stefani, i cili nuk e ka nënshkruar dhe dërguar atë letër pa miratimin e “gorbaçovit” shqiptar shokut Ramiz Alia. Pra Havzi Nelën nuk e ka denuar gjykata, as partia e lagjes, as fronti i lagjes, as partia e Kukësit, as pllenumi i Kukësit, as organizatat e partisë të katundeve, por e ka dënuar nominalisht kupola politike, Sekretariati i KQ, shoku i ndritshëm dhe i lavdishëm Simon Stefani që të zërë mend popullata në atë rajon dhe gjithë shqiptarët ngado.

Atëhere, në atë kohë, a mund te mos vepronte ndokush siç urdhëronte me shkrim shoku Simon Stefani, se sot natyrisht ka nga ata që e refuzojnë Simon Stefanin, Ramiz Alinë dhe nuk ua zbatojnë urdhërat.

Duhet nderuar Petrit Palushi që si trim i vetëm në luftë ia ka tregue diellit e hënës krijimet e poetit Havzi Nela, por shteti postkomunist nuk i bëri një botim luksoz dhe as një promovim shtetëror dinjitoz. Duhet nderuar e kujtuar Nazif Dokle që bëri sa mundi ta promovonte Havzi Nelën, duhet nderuar prof Shefqet Hoxha që si institucion përsonal ka bërë përpjekje për ngritjen e promovimin e Havzi Nelës, duhet nderuar e kujtuar gjithmonë për mirësinë e tij Pjetër Arbnori që si kryetar parlamenti i shkoi në fshat në Kollovoz Havzi Nelës.

Havzi Nela nuk është poeti ynë kombëtar, mos e fyeni duke e fryrë sa s’mban, por është ndërgjegja jonë kombëtare. Ai ka shkruar poezinë më ndikuese për ne, ai ka derdhë në ajër frymën e fundit nga fundi i lakut të litarit që ia mori frymën, ai u lëkund në ajer duke shkruar kujtesën tonë.

Ai ka shkruar poezinë dramatike më të rëndën, ata nga litari e morën dhe e mbollën e ngulën në një gropë shtylle elektrike, nuk e shtrinë në varr si gjithë të vdekshmit, nuk i çelën varr, e ngulën në gropën e një shtylle elektrike pa ditur se ai do të bëhej kolonë e të ardhmes tonë, shtyllë e lirisë dhe demokracisë, kolonë që mban të ardhmen, shtyllë e cila mban mbi vete dritën që na bën të shohim udhën.

Populli i Kukësit nuk duartrokiti dhe as brohoriti kur u var Havzi Nela dhe kjo më bën krenar pasi kemi plot raste duatrokitjesh frenetike nga populli ynë i dashur trim e patriot që mbeti gjithmonë i pafajshëm.

Havzi Nelen ca e duan ca nuk e duan. Cave ju duket mësues i zakonshëm që “i shtini brinat me diktaturën qe te merrte shpirtin”. Ai “nuk vrau arushën” me ato që tha në mbledhjen e fshatit, por tha se ndërrimi i veshjeve të grave, ndalimi i fesë, hyrja në kooperativë, janë injeksione të rënda të tria njëherësh dhe dyshonte se populli i duronte e pranonte. I dukeshin të parakohëshme dhe të padrejta këto tri gjera. Kjo ishte disidenca e tij e fillimit e cila e futi në kalvarin e tmerrshëm të vuajtjeve e burgjeve dhe e bëri pastaj disident politik me bindje dhe ndërgjegje. Populli i sotëm nuk i kupton këto histori të viteve ’60 të shekullit të kaluar.

Havzi Nelën në burg edhe e shihnin me dyshime sepse u dukej ndonjëherë si i futur i sigurimit të shtetit për arsyen se ai kishte një të afërm të tijin mik të organeve të diktaturës, jashtë burgut në internim e shihnin si të burgosur dhe ai ishte në gjendjen hall me deke e gjygj me rrnue.

Havzi Nelës nuk iu bë një bust, një shtatore njerzore nga mungesa e dashurisë për të, nga mungesa e pranimit të tij. Kjo na bën me turp të gjithve që iu skuqet faqja.

Ai është ende i dënuar se ka qëlluar me pistoletë policin që ka shkuar ta arrestojë në shtëpinë e dajës së tij teksa ai udhëtonte pa leje nga Arrni ku vuante internimin për tek nëna e tij në fshatin Kollovoz. Polici u plagos, por mbeti gjallë, Havziu u dënua për terror, u var në litar, u varros në gropë shtylle në këmbë,  dhe nuk u amnistua kurrë.

Havzi Nelën e lakmojnë shumë se ai jep nga fama e lavdia e tij, është i vdekur dhe duron lëpirjet, sharjet, përbuzjet, keqpërdorimet që ia bëjnë shpesh dhe pa pikë mëshire.

Ne nuk jemi pajtuar të gjithë që ta nderojmë Havzi Nelën. Nga inate të vogla e mëri të mëdha, të thella ndoshta.

Ndoshta kështu ka qenë gjithmonë fati i herojve të vërtetë. Herojtë fallco ngrihen në qiell, ju nderohet edhe muti, ju bëjnë shtatore, përmendore muti, ju bëjnë emisione, filma me partizanë.

Dosjet hetimore të Havzi Nelës nuk dihen, nuk njihen, ndoshta për arsyen e thjeshtë se në ato dosje voluminoze ka firma, nënshkrime me penë edhe me gisht, rrëfime e spiunime turpi dhe ndoshta ndokush ia fut pistoletë vetës së tij po të publikohen ato dosje monstruoze, ndaj nuk bëhen publike. Unë kam lexuar në to në ato kohë kur nuk dija çfarë është disidenca, antikomunizmi, kur nuk ia njihja madhështinë Havzi Nelës. Dhe sot më vjen turp për disa njerëz e sidomos kur i shoh si shtiren sikur e duan Havzi Nelen.

Havzi Nela është i madh sa vetja e tij, ai nuk konkuron askënd se nuk i ka pas hyrë asaj udhe për me u bë dritë për ne.

Por është turp për çdo të ri sot, për çdo plak shtiran spiun të fshehtë, për çdo komunist që vazhdon ta dënojë Havzi Nelën si anti parti, për çdo demokrat që lëpihet në të dhe ia lepin eshtrat e fshehtas ia pështyn, për çdo të përndjekur politik që trembet se mos ai po ia zë emrin në listat konkuruese për poste, tituj e grada që nuk kanë më asnjë vlerë.

Është turp për shkollarët e sotëm të vendit të mos e dinë fjalën e fundit të Havzi Neles “I keq jam kanë, i keq po shkoj. Të këqijat e mia po i marr me veti. Kam nëntëqind e dhjetë lekë në xhep dhe kërkoj që këto lekë t’i jepen nanës. Për te nana isha nisë me shkue e nuk munda me mbërri te ajo”.

Sa e vështirë me dashtë, me e pranue tjetrin, heroizëm, sakrificë sublime…