E enjte, 25.04.2024, 02:35 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Lulzim Logu: Ora e bjeshkëve, Selim Bubrreci!

E enjte, 04.08.2016, 07:33 PM


ORA E BJESHKEVE, SELIM BUBRRECI!

NGA LULZIM LOGU

Një mëngjes të nxehtë fundqershori 2016, kur po bëhesha gati të nisesha për një udhëtim të gjatë, një zile e zgjatur telefoni, mjaft e hershme, mu duk aq e papritur, sa vonova shumë ta hap.Sikur ta dija, se ajo bisedë do të përmbante një lajm jo aq të mirë.Në fakt i tillë ishte, doktor Skënder Hasandoçi më njoftonte shkurt, me një ton dukshëm familjar:

Selimi na la…

S’kam qënë asnjëherë i aftë për fjalë rituale në të tilla raste, diçka i thashë mikut tim Skënder dhe vetes si ngushëllim për babain e tij, dhe mbylla telefonin.I ulur për një çast në kolltukun e afërt, rijetova në pak minuta kronologjinë e çuditshme  të njohjes, lidhjes dhe afinitetit tim me Selim Bubrrecin në kohë, burrin e urtë të Bujanit, shokun e klasës së babait tim, të apasionuarin e përjetshëm të bjeshkëve, njeriun që e thërrisnin vazhdimisht si “Ora e bjeshkëve”.Pikërisht se një pjesë të madhe të vitit e kalonte atje në bjeshkën e vet, në Lkenin e Ponarëve, ndërkohë që pjesën tjetër evokonte bukuritë dhe dobitë e bjeshkës dhe përgatitej për daljen e rradhës në pranverë.Anipse po shkonte kah te 80-tat.

Mbaj mend,para 4-5 vitesh, kur me grupin tim besnik të ngjitjeve malore, bashkë me disa gazetarë,u ngjitëm në Majën e Hekurave dhe të lodhur e të djersitur ishim ulur të shijonim magjinë e pejsazhit alpin të Bjeshkëve të Nëmuna, nga pas maje, nga pjesa më e thiktë e saj, po ngjitej të bashkohej me ne Selimi.Me një këmishë të bardhë si bora, pa pikë djerse, me trup fin dhe pa bark, me një buzëqeshje fisnike në buzë , me nje trastë me bukë dhe bulmet.

Vite më pas, çdo pranverë, ishim vazhdimisht bashkë në Lkenin e Ponarëve, në Cukal, në Morajë, në Rudina dhe Lug të Thive.Me ngrohtësinë dhe kurajon e tij rinore, me fjalën e urtë dhe të mençur, me kujtimet e moçme të lidhjeve tona malësore në bjeshkë e vrri,me historinë dhe këngët e vjetra si dhe me endrrën e tij të madhe për ripopullimin e bjeshkëve dhe kthimin e tyre në një atraksion të ardhshëm turistik…

Stani i tij në Lke, në fakt ishte një shtëpi e ëmbël, ndërtuar ngadalë në kohë, me idetë, djersën dhe kursimet e tij, një fortesë mikpritëse për të gjithë, për udhëtarët e dimrit, për gjuetarët dhe të magjepsurit nga malet.Me vendin e zjarrit dhe gatimit, me tunelin nëntokësor që shërbente si frigorifer,me kopshtin e pasur me patate, lakra dhe me hojet e bleteve, sikurse me tufën e lopëve, viçave dhe pulave.Ku afronte gjithmonë mikpritje dhe ushqime tradicionale nga Tima, e shoqja, një grua që aq shumë i përshtatej dinjitetit dhe karakterit të tij.

Dita e tij ishte plotësisht e ngarkuar, kujdesi për kopshtin, bletët, bagëtitë, hapja dhe rregullimi i rrugëve dytësore, mbledhja e bimëve medicionale, punimi i drurit…

Një njeri që punën e konsideronte si zgjatje e jetës, si një mundësi për të mos u plakur, si model për të rinjtë, të cilët i dukeshin gjithnjë e më shumë pasivë dhe larg kuptimit të vertetë të jetës.Një njeri civil dhe i kulturuar, që respektonte çdo mjedis dhe çdo natyrë bisede, një burrë që aq shumë e donte jetën dhe shpresonte në jetëgjatësinë e saj si mundësi për realizimin e projekteve të veta njerëzore.

Një nacionalist dhe patriot normal, pa zhurmë boshe, me fjalë modeste, por mjaft domethënëse, sipas një logjike të mbështetur në një përvojë jetësore serioze, ku mbeten të pashlyera kujtimet krenare të së kaluarës me lavdinë e emrave të patriotëve dhe atdhetarëve të Malsisë së Gjakovës.Të cilët i përmendte sipas kujtimeve të të parëve të familjes së tij, por edhe sipas lidhjeve të ndryshme fisnore.

E çuditshme sesi sillej, si një mik i vertetë edhe me më të rinjtë, respektonte mendimin e tyre dhe aq urtësisht përballej ndonjëherë me sjelljet ndryshe.Edhe me bijtë e tij.Edhe me vajzat.Edhe me komshinjtë.Dinte të pranonte dhe bënte dhurata, vishej bukur në qytet,por edhe gjatë punës në arë apo kur shkonte me bagëtitë.Duke u ndjerë mirë me veten dhe ato çfarë bënte çdo ditë, pa njohur pendimin, me një respekt për modelin e tij jetësor.Një praktikë pozitive që me kurajonte dhe me motivonte me shembullin e vet për aq sa e njoha.Ndau me mua shpeshherë hallet e tij dhe shqetsimet për kohën dhe botën, duke më konsideruar si të barabartë, duke më dashur sinqerisht dhe natyrisht se ky shkrim është një kthim modest borxhi i kësaj dashurie të paharruar.

“S’ka nevojë të jesh njeri i madh, hero apo vip, rëndësi ka te jesh njeri i mirë sot!Sa më shumë të tillë, aq më mirë neser, për të gjithë ne!” Kjo ishte motoja e tij, ma tha njëherë dhe se harrova kurrë, adhurova thjeshtësinë e tij të të jetuarit, forcën e karakterit dhe të ndershmërisë, dëshirën që gjithmonë të shohë pozitiven tek tjetri.E pashë për herë të fundit, disa ditë para se të vdiste.E ndjente, trishtimi i tij tek sytë përkthente gjithçka, mbi të gjitha dëshiren për jetën, por edhe bindjen se vertet duhet pranuar se ka një fund…

Më përcolli tek shkallët, pa nga malet dhe shtoi me zërin në të shuar: Ndoshta po prishet moti…Mu kujtua im atë, para se të vdiste, më dërgoi diku për një porosi, më foli diçka për ndryshimin e motit dhe në sy mendimi dukej i largët…

Kam fotografuar një verë një lule, nga ato mijrat që shpërthenin me forcën e tyre jetësore edhe shkëmbin më të fortë, drejt hapësirës dhe dritës, mu duk simboli më i pranueshëm, kur shkruan për njerëz të tillë dhe kujtimin e tyre të paharruar!

Ndërsa aeroplani im ngjitej maleve plot borë të Zvicrës, i kujtova të dy dhe u përlota nga malli.Stuardesa gjermane që shërbente, më pa çuditshëm dhe padyshim do të ketë menduar se e kisha nga frika e lartësisë së madhe dhe turbulencat ajrore…



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora