Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Përparim Hysi: Poeti që "vodhi" diellin

| E merkure, 03.08.2016, 06:45 PM |


Poeti që "vodhi" diellin

(përshtypje nga një promovim)

Nga Përparim Hysi

Në këtë vapëkorriku erdhi "flesh" që nga Amerika lajmi që qe më shumë se sihariq: Në një nga sallat e Muzeut Historik Kombëtar, bëhet promovimi i librit "Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro- Amerikanë" nga Adnan Mehmeti. Lajmin "flesh" e jepte e kudogjendura, Raimonda Moisiu, që është dhe kryetare e kësaj shoqate.

E kisha si  obligim dhe detyrim, njëherësh, që jo vetëm të isha  pjesëmarrës, por dhe të thosha fjalën time në takim. Ngaqë në një auditor të tillë nuk mund t'i thuash të gjitha ato që ke ndërmend, ia vlen që fjalës sime atje, t'i shtoj edhe disa rreshta.

*     *    *

Së pari, nuk mund të rri pa lakuar emrin e moderatores së këtij  takimi, zonjës Kozeta Zavalani, që bëri që ky promovim të ishte i nxehtë dhe me vlera. Në "panelin" drejtues, rrezatonin me personalitetin e  tyre njerëz të artit e të letërsisë, si: AKTORI I SHQUAR, NDERI I KOMBIT, Reshat Arbana; poetja aq e njohur dhe aq e dashur për publikun shqiptar, sharmantja ILIRIANA  SULKUQI; kryetari i  Shoqatës Tirana, zoti Arben Tafaj.

Moderatorja, zonja Zavalani, foli për vlerat  si krijues të Adnan Mehmetit. Zonja ILIRIANA, ardhur enkas nga Amerika, e vuri theksin sidomos në vlerat e Adnan Mehmetit si President i kësaj shoqate që veprimtaritë e saj nuk i zhvillon  jo vetëm në New Jork, po dhe në disa shtete të Amerikës. Natyrisht, gjithë auditori u informua se sa e vështirë është që të organizosh takime të tilla "ndërshtetërore", brenda për brenda Amerikës, kur shoqata nuk ka buxhet, por duhet të gjejë donatorë. Po të marrësh parasysh edhe faktin tjetër, se Presidenti nuk është se paguhet si i tillë, por krahas punës për të mbajtur familjen, megjithatë ai gjithmonë ka gjetur rrugë e shtigje për ta mbajtur gjallë shoqatën.

Me diskutimet e tyre, promovimin e zbukuruan dhe folësit e tjerë, si: poeti Namik Selmani, poetja Zyba Hysa, I Madhi Reshat Arbana, e ardhura "rastësisht" nga Kanadaja, Rukie Kondi; folsi i Radios, Viron Noti që, përmjet tjerash, theksoi shumë vlerësime të ardhura për Adnan Mehmetin.

*   *  *

Në fjalën time, lakonikisht, evokova apo lakova, së pari, emrin e themeluesit të shoqatës: Lakova emrin e Poetit të bukur GJEKË  MARINAJ. Për mua ai është kalorsi i poezisë mbarëshqiptare dhe, si gjykoj unë, qe Kolombi  që theu vezën i pari. Merita  e Gjekë  Marinajt, veç tjerash, është dhe fakti shumë  domethënës: propozoi dhe e bëri fakt të kryer që kryetari të mos jetë i përhershëm, por me rotacion. Pse u bë normë një rotacion i tillë, pa si kryetar janë nominuar që nga Naum Prifti, Ramiz Lika, Dalan Luzaj dhe tanimë Raimonda Moisiu. Hapi i dytë dhe shumë i mënçur i Gjekë Marinajt është se Presidencën ia besoi një Poeti elit siç është zoti Adnan Mehmeti.

Adnan Mehmeti që është nga një fshat i Bujanovcit( me sa di unë nga Litovica), ka mbi 20-vjet që shkruan dhe, sa e njoh unë poezinë, e rreshtoj pa frikë në sërën e POETËVE TË ZGJEDHUR.

Nuk është vetëm poet, por dhe mendimtar i urtë. Aforizmat dhe mendimet e tij kanë vlerë sentencash. Në poezi, është mjeshtër figurash. Metaforat deri në hiperbolizim i japin poezisë së tij, dimesione të mëdha dhe të befasojnë. Herë"diellin e fut në xhep", herë "detin e ndanë në mes apo dhe në pjesë dhe, në futesh në tërë poezinë e tij, ndjen se adrenalina në gjak zë e të gurgullon.

Për të krijuar vetëm një ide të vogël, për këtë POET të Madh, po ju sjell një fragment nga peozia e tij: "Udhë e mbarë,KOSTANDIN!". Poezia është jubilare dhe është shkruar në momentin kur nisen eshtrat e të madhit FAIK KONCA.  Nuk po e sjell poezinë të tërë, por, përfytyroni veç kaq: "Kostandini(Faik Konica) që po vjen në Atdhe, ka veshur "... fustanellën e Avdyl Frashërit/... xhamadanin e Mis Sokolit/ .., plisin e bardhë të Isë Boletinit dhe mund të vazhdoja. Vetëm një poet elit, mund të bëjë një "kompozicion" aq të mrekullueshëm.Kompozicion që një piktor mund ta bëjë me penelin e tij dhe vëreni, mandej, a ka se si  bëhet më i bukur Faik Konica.

Natyrisht, unë nuk kam si qëllim që sot të merrem  me krijimtarinë aq cilësore të Adnan Mehmetit, por nuk kam se si mos theksoj atë vlerësim që i bëri SHOQATA TIRANA këtij Poeti. Duke e vlerësuar me "Shkallën e Mirnjohjes së SHoqatës, kryetari, Arben Tafaj ia dorëzoi në mënyrë ceremoniale, dhe herë e parë shoh atë skuqje emocionale të poetit dhe, tek  falnderoj për nderin që i bën, njëherësh falnderoi dhe auditorin.

Duke e parë me një sy pak "skiç", mund të them ato fjalë që kanë zënë vend tanimë në histori: "Bacë, u krye!". Por...

Kjo "por" që e lë si retinçencë e ka  bishtin nga prapa.

*      *     *

Një President i një shoqate me aq vlera, siç është "SHOQATA E SHKRIMTARËVE  SHQIPTARO-AMERIKANË" vjen enkas nga Amerika për një promovim po me aq vlera. Shtroj pyetjen që do një përgjigje:- Ku  është Mnistria e Kulturës, në mos ministrja, "çirakët" dhe "qatipët" e kulturës ku janë? Sa mirë që dinë, kur u lipset. Lanë çdo punë kur promovuan një "antivlerë" kulture si "Vrima" dhe nuk gjetën kohë për të bërë krejt audiecën e një promovimi të tillë.

Në bindjen time (  ma merr mendja në krejt auditorin dhe më tej),  Adnan Mehmeti duhej pritur enkas nga një titullar i kësaj ministrie dhe për të, të ishte shtruar qilimi i kuq mbi të cilët duhe të shkelte. Kjo do ishte më e pakta. Por "qatipët" e kulturës e kanë "agjendën të xanun", se ka kohë që kultura dhe letërsia në Shqipëri ka vdekur, qëkur sh-"kryeqatipi" i kulturës i vuri drynin e zi, Lidhjes së Shkrimtarëve  dhe Artistëve. Po a nuk duhet të bërtasësh me  zërin mitik të Migjenit: "... deri kur kështu, ma?".

Tiranë, 30 korrik 2016