Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sejdi Berisha kthehet në shtëpinë që nuk ekziston

| E merkure, 03.08.2016, 07:22 PM |


Doli nga shtypi libri më i ri me poezi, “Kthim në shtëpinë që nuk ekziston”, i shkrimtarit dhe publicistit, Sejdi BERISHA, i përkthyer në gjuhën greke.

Në këtë vepër, të cilën e përktheu krijuesi, shkrimtari dhe përkthyesi i mirënjohur, z. Iliaz Bobaj, i cili jeton dhe vepron në Greqi, ai ka shprushur vlerat më pikante poetike, shpirtërore, filozofike dhe njerëzore të autorit, Sejdi Berisha, i cili deri me tash ka botuar tridhjetë e gjashtë vepra nga fusha të ndryshme: poezi, prozë, eseistikë, monografi, dramë, kritikë letrare etj.

Dhe, tash, vetë titulli i librit më të ri me poezi, “Kthim në shtëpinë që nuk ekziston”, ka sjellë peshën dhe ndijimin më sublim të peshës shpirtërore dhe poetike, ku prezanton aktualitetin, historinë, dhembjen, lumturinë dhe madhështinë e njeriut, por edhe zërin e tokës, atdheut, të kombit mbase edhe të njerëzimit nëpër kohëra e periudha.

Për krijimtarinë poetike të shkrimtarit dhe publicistit, Sejdi BERISHA, ja se çfarë thotë në mes tjerash, shkrimtari, kritiku dhe studiuesi, Prend Buzhala: “...Duke qenë poet, dramaturg, prozator, eseist, autor monografish të shumta, megjithatë Sejdi BERISHA, mbetet poet që iu ka përkushtuar vargut poetik për një kohë të gjatë. Këndim-shkrimet paralele (poezi-eseistikë) shpesh e shpesh janë rikëndime eseistike ose poezi e eseistizuar. Në secilën kohë mëkati dhe idealizmi me të bukurën e ëndërrimit sikur shtegtojnë së bashku. Poeti ia vë vetes për obligim të flasë për mëkatet që i bën kjo kohë, që i shkakton vetë kjo hapësirë. Nuk është e habitshme pse në këso rastesh fjala e poetit vishet me revoltë a me klithmë të brendshme, me meditim të pezmatuar a me thënien lirike të acaruar, por të kontrolluar rreptësisht nga shkurtësia e vargut a nga prerjet e saj të shkoqura...”!