Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


At Pjetër Mëshkalla: Jetë e re

| E merkure, 03.08.2016, 07:47 PM |


Nga At Pjeter MËSHKALLA S.J.:

 

JETË  E 

 

Në kthesën e një djali të ri:

“Kaq i vogël fëmi e kaq i madh mëkatar!”

Sh’Augustini

 

Në zemrën teme lindi jeta,

shpirti asht mbushun me dëshirë,

me ndriti mendjën e vërteta,

vuejtjet më duken gurrë me hirë.

Lindi Krishti në zemrën téme,

më pruni paqë e dashuni,

më rreshi forcë e ngushëllime,

zhduku errësinën e burgut të zi.

Unë dikur me mburrje shkojshe

për pusina, kurtha e léqe;

krime n’têrr unë farkëtojshe:

holla vrapin për rrugë të kéqe...

Epshi e faji janë veriga

që, tue lëmue, të skllavënojnë;

shpirti s’ka qetësi në punë të liga,

që, veç rrathët ma fort shterngojnë.

Mallkue kjoftë për jetë mbrapshtia,

rruga e turpit sot kjoftë pré!

U thyen prangat, ktheu liria,

shtegu u hap për  J E T Ë    R É  !

BB 1954.

 

Shenim nga Fritz Radovani: At MËSHKALLA  poezinë e ka shkrue në Burgun Burrel, (BB) në 1954. Piksynimi i Autorit nder të gjitha shkrimet e Tij ishte: “Mbajtja naltë e optimizmit tek Rinia Shqiptare, e cila, nder pranga vetëm dëshprohej..!”

Melbourne, Korrik 2016.