E merkure, 08.07.2020, 03:03 AM (GMT+1)

Sporti » Sporti

Histori paralele: Mark Spitz dhe Michael Phelps: “rekordi” që zgjati 36 vjet…

E hene, 18.08.2008, 10:56 PM


Nga Besnik Dizdari

- Fotografia e dy botëve të një bote: 7 medalje ari që u bënë 8

Themi dy botë, sepse i përkasin dy shekujve të ndryshëm: Shekullit XX dhe atij XXI. Ndonëse noti është i lashtë, qysh shumë kohë para njëzetenjë shekujve “tonë”. Të dhënat që kanë të bëjnë me dëshirën e njeriut për të përballuar lumejtë, liqenet dhe detet përmes notimit, do t’i gjesh edhe në Bibël, edhe te “Iliada dhe Odisea”. Ka një tekst që i përket vitit 1538, i cili konsiderohet teksti i parë që i kushtohet notit dhe i përket autorit gjerman Nicolaj Wynman, i cili për kah profesioni ishte mësues i gjuhëve. Studjuesit thonë se për t’u bërë sport, notit iu deshtën disa shekuj. Më saktë, është Shekulli XIX, ai që konsiderohet se themeloi notin si sport. Forma e parë e stilit të lirë, që sundon sot notin, i përket vitit 1873 dhe u tregua prej anglezit John Arthur Trudgen, por që ai ia kishte “vjedhur” indianëve të Amerikës. E megjithate Federata Ndërkombëtare e Notit Amator (FINA) është themeluar mu prej anglezëve plot 100 vjet më parë, 19 korrik 1908 në hotelin “Manchester” të Londrës prej tetë shteteve: Gjermania, Belgjika, Danimarka, Finlanda, Britania e Madhe, Hungaria dhe Suedia edhe pse kjo ishte thuajse në Polin e akullnajave! Mungonte midis këtyre themeluesve SHBA, e cila në katër Olimpiadat e para kishte fituar vetëm 4 medalje ari. Nuk dukej një superfuqi noti. Edhe ky sport, si shumica, dukej si një pronë e evropianëve. Por bilancet që do të vinin shpejt, do të ishin të pamshirshme. Deri në prag të kësaj Olimpiade, Pekin 2008, SHBA është po aq i pamshirshëm: ka fituar 203 medalje ari në not kur kundërshtari më i afërt i tyre është Australia me vetëm 51 medalje ari!

Kësisoji, duke lënë mënjanë themelimet, SHBA është sinjifikativi i notit olimpik tash e pakta 100 vjet. Dhe po amerikanëve iu mbesin të gjithë llojet e rekordeve në not: ata të mirëfilltë të rezultateve të shpejtësisë së garave, por edhe ata të një lloji tjetër historik. Në krye të tyre qëndronte një mbajtës me emrin Mark Spitz, notari i cili deri në fillimin e Olimpiadës së Pekinit 2008, ishte i vetmi notar me 9 medalje të arta në dy Olimpiada 1968 dhe 1972. Dhe me 9 medalje të arta të fituara në Lojërat Olimpike deri në Pekin 2008, ishin vetëm katër: Paavo Nurmi i Finlandës në atletikë, Larisa Latinina e BRSS/Ukrainë në gjimnastikë, Carl Lewis i SHBA në atletikë dhe personazhi ynë Mark Spitz në not. Madje deri më sot, ai ishte i vetmi njeri i cili kishte fituar 7 medalje ari në një Olimpiadë të vetme: Mynih 1972, 36 vjet më parë. Kaq zgjati dhe rekordi i këtij notari fenomenal. Tash është dikush tjetër…

Mark Spitz – Mynih 1972!

Vështroni njerën prej dy fotove që shoqëron tregimin tonë, atë të ”vjetrën”, të 36 vjetëve më parë. Duket sikur i largohet çuditërisht figurës së një njeriu. Eshtë diçka ciklopike thuajse, teksa të duket sikur nga uji po shfaqet një përbindsh. Tri ngjyra sundojnë në te: e zeza e flokëve, syve, vetullave, mustaqeve; ajo deri diku e kaltërt e ujit të trazuar tejet dhe ngjyra e fizikut - e vetmja mbase vërtet njerëzore. "Përbindëshi" quhet Mark Spitz - 7 medalje ari në një Olimpiadë të vetme, ate të Mynihut më 1972. Fotot e tij janë të pambarim, të shumëllojëshme dhe kanë 36 vjet që vazhdojnë të botohen papushim. Megjithate, për të hyrë në 10 Fotot e Shekullit, është përzgjedhur kjo.

Autori i kësaj fotoje është Co Rentmeester, një hollandez i lindur më 1936 në Amsterdam, por i emigruar në SHBA për të studjuar pikërisht fotografinë. Për përkim, Rentmeester ka qenë sportist, madje jo i paktë. Në Olimpiadën e Romës më 1960, ai mbrrin deri pjesëtar i Holandës në kanotazh. Kur largohet nga sporti i kushtohet fotografisë në tanësi: në Luftën e Vietnamit, në udhëtimet në Pol. Dhe bëhet më i famshëm sidomos, në udhëtimet në provincën Balì të Indonezisë, provincës vullkanike të një jete kaste të botës indiane, mistereve të saj të pafund. E prap se prap, ndalesën e tij profesionale, Rentmeester e ka në Lojërat Olimpike, dashuria e vjetër... Punon, natyrisht për të çmueshmen "Life", dhe prej fotove të tij, veçohet kjo e dhjetëshes e Mark Spitz-it - një krijim të thuash, midis reales dhe ireales. Merita e madhe e autorit është se me këte portret të ngushtuar vetëm në vështrimin dhe mendimin e Mark Spitz-it në garë, ka arritur ate që deri më sot askush nuk e ka fiksuar në një foto që i përket notit, ku shumica ose japin protagonistin me shpërthimin e gëzimit mbas fitores, ose nga larg në stilin e notimit, ose në fund të fundit, në platformë në çastin e para hudhjes në ujë. Ndërsa kjo foto zbërthen mbase për herë të parë, botën e mbrendëshme të një notari olimpik gjatë garës.

Lojërat Olimpike të Mynihut janë ato që përmbajnë rastin historik shqiptar me rekordin olimpik të peshëngritësit tonë të pashlyeshëm, Ymer Pampuri, prej të cilit ruajmë edhe ne, foton tonë historike të agjensisë Reuters. Ndërkaq, ato janë dhe Lojërat të cilat kanë atentatin e palestinezëve kundër sportistëve izraelitë dhe aksionin ndaj tyre, e njohur si tragjedia e Mynihut, e cila përfundon me 15 të vrarë! Ajo është e vetmja Olimpiadë me të vrarë në Fshatin Olimpik, që njeh historia e njerëzimit. Dhe shì ajo ka dhe historinë fantastike të Mark Spitz-it - 7 medalje ari mbrenda një Olimpiade!

I lindur më 1950 në Modesto të Kalifornisë, ai ishte notar qysh 8 vjeç kur shfaqet i tillë në bregun e Hawai-t. Frymëzuesin e parë ka të jatin Arnold, i cili qe i pari që parashikoi se biri i tij do të bëhej një rekordmen i madh i botës. Dy emra të tjerë, Sherman Chavor dhe James Counsulman, janë dy trajnerët e parë, të cilët projektojnë historinë e tij. Por shpejt, qysh më 1964, trajneri i tij deri te Mynihu, është i famshmi George Harris i Santa Clara Swimming Club, i cili ia arrin të çojë në panteonin e sportit botëror këte djalosh tejet të vështirë në gjithë qëndrimin dhe sjelljet e tij. Ai e çon kësisoj, Mark Spitz-in 18-vjeçar, në Olimpiadën e Meksikos më 1968 dhe bie viktimë e ambicjes së tij, ku i përgjigjet kërkesës së tij të pamatë për t'u përfshirë në pesë gara. Spitz-i premton se në të pesta do të marrë medalje ari. I quhet dështim edhe pse fiton dy medalje ari në stafetë me shokët, argjënd në 100 metra stil i lirë dhe bronz në 200 metra flutur!

Dhe... nuk e ul kryet, madje e ngre shikimin tek Mynih 1972. Historianët thonë se "ai për katër vjet me rradhë zhvilloi një stërvitje maniakale". E kishte fituar medaljen e parë ndërkombëtare kur ishte 15 vjeç, në Lojërat e Makabit dhe 17 vjeçar kishte rrëmbyer pesë medalje ari në Lojërat Panamerikane. Mbrrin ndërkaq deri në 32 tituj të fituar në SHBA, por Mynihu ishte beteja e tij napoleoniane. 1.83 metra shtatlartë, 75 kilogram peshë trupore, harmonizonin tek Mark Spitz një fizik rinor të një elegance të rrallë. Spontan, i rrëmbyer, arrogant, mëndjemadh, siç e përshkruajnë ata të cilët i kanë qëndruar afër, ai kishte ashtu si Muhammad Aliu, idenë e njeriut që nuk i njeh humbjet. Kur vjen në Mynih, sidoqoftë, është më i pjekur, mbasi ka mësuar deri në përkryerje të barazpeshojë dozat e sforcimit dhe të përdorë një taktikë, të cilën vëzhguesit e kanë përcaktuar të pakonkurente për garat e shkurtëra. Ishte diçka vërtet e rrallë se si brenda aq pak metrave garë, ai organizonte sulmin e tij të një ritmi të papërmbajtshëm. Bota nuk kishte parë asnjëherë një notar kaq universal sa ky Mark Spitz, i cili teksa përshkohej në bordurat e pishinave, dukej sikur i tallte të gjithë me indiferencën gati përçmuese të shikimit të tij. Për një gjë ishte i sigurtë: kishte lindur për garat e shkurtëra, stili nuk kishte fort rëndësi, i lirë, delfin apo diçka tjetër, çka ai i interpretonte njëlloj falë artit të teknikës së tij të përkryer.

Ai shpërthen si një vullkan mbasi kishte kërkuar me po atë arrogancë si në Meksiko, shumë gara, kësaj here madje, plot 7. Tha vetëm këto pak fjalë: "Jam krejtësisht i përgatitur për t'i fituar të gjitha. Do të shihni që kam pasur të drejtë!"

Kësaj herë, ai është i pagabueshëm. Beteja e tij është e pandalshme, pështjelluese për çdo kundërshtar. Në të vërtetë, ai nuk merrej me to, por me veten. Ritmi i fitoreve të tij ishte tronditës për të gjithë historinë e Olimpiadave.

Thamë, ishte viti 1972, transmetimi i parë televiziv i një Olimpiade në Shqipëri: deri në 10 orë në ditë! Ndonëse rrjetet televizive italiane tashmâ shiheshin krejt qartë, ngaqë shteti komunist shqiptar papritmas kishte dhënë një shenjë liberalizmi, duke ngritur në Dajt përforcuesin për RAI-n, ndërsa antena tjetër e jona kishte qëndrimin nga Jugosllavia, ku po aq transmetohej Olimpiada. Kështu, e kemi shijuar Mark Spitz-in. Edhe ky që shkruan këtu kishte në "Bashkimi" rubrikën e tij të përditëshme olimpike, më të lirë se kurr më parë. Donte edhe pak muaj të mbrrinte Plenumi i 4-t i KQ të PPSH...

Dhe ja, Mark Spitz, "përbindëshi". Kaskada e medaljeve të arta të tij që është marramendëse:

28 gusht 1972:

* 200 metra bretkocë, medalje ari MARK SPITZ - 2.00.75 - Rekord Botëror!

* 4x100 metra stil i lirë, medalje ari MARK SPITZ me shokë - 3.26.42 - Rekord Botëror!

29 gusht 1972:

* 200 metra stil i lirë, medalje ari MARK SPITZ - 1.52.78 - Rekord Botëror!

31 gusht 1972:

* 100 metra flutur, medalje ari MARK SPITZ - 54.27 - Rekord Botëror!

* 4x200 metra stil i lirë, medalje ari MARK SPITZ me shokë -7.35.78 - Rekord Botëror!

3 shtator 1972:

* 100 metra stil i lirë, medalje ari MARK SPITZ - 51.22 - Rekord Botëror

4 shtator 1972:

* 4x100 metra e përzier, medalje ari MARK SPITZ me shokë - 3.48.16 - Rekord Botëror!

Shtatë medalje ari, shtatë rekorde botërore, shtatë herë në podiumin e nderit, shtatë herë himni i SHBA-së për nder të tij! Olimpiadat këte nuk e mbanin mënd të kishte ndodhur ndonjëherë. Para tij vetëm dy sportistë kishin arritur deri në 5 medalje ari në një Olimpiadë: gjimnasti italian Nedo Nadi (1920) dhe atleti finlandez Paavo Nurmi (1924). Në konferencën e shtypit të Mynihut, Spitz iu la gazetarëve vetëm këte frazë dëfryese: "Jam i knaqur për ju, që i pëlqeni fort statistikat!" Dhe iku duke lënë mbrapa një nga jehonat më zhurmëmëdha që ka njohur deri më sot sporti botëror.

Qysh nga ky çast nis ana tjetër e jetës së tij: sponsorët dhe reklamat televizive. Shéjat ai i kishte dhënë qysh në çastin e ngjitjes në podium për ceremoninë e 200 metrave stil i lirë, kur befas u pa duke valëvitur këpucë gjimnastike Adidas, çka rrezikoi përjashtimin për këte gjest publiciteti, gjë që në një Olimpiadë nuk lejohej. Ai shndrohet në miliarder kur për prodhime të pambarim shet imazhin e tij të të shtatë medaljeve. Olimpiadat vinin radhazi, por një Mark Spitz nuk lindte më. Ai e ndjente këte dhe shfrytëzonte gjithçka me cinizëm e etje që nuk iu shua kurr.

Më 1992, kur ishte 42 vjeç, krejt papritmas tronditi botën sportive edhe një herë kur u pa përsëri në pishinë dhe tha se mbas 20 vjetëve do të shkonte përsëri për të fituar në Olimpiadë, ate të Barcelonës. Kishte "harruar" se rivalët e tij ishin 20 vjet më të rinj, më të fortë se ai. Dhe dorëzohet më në fund një herë të vetme në jetë. Eshtë i ngopur tashma nga të gjitha dhe pranon edhe divorcin e gruas së tij të bukur, Susan Weiner, thënia e së cilës në çastin e ndarjes, përkufizon gjithë botën e Mark Spitz-it:

"Eshtë e pamundur të jetohet me një njeri, i cili përjashtimisht është i zënë me admirimin e vetvetes, njeriu të cilit për të qenë i lumtur, i mjafton një pasqyrë dhe 7 medaljet e arta".

Ky ishte Mark Spitz-i i kësaj Foto të Shekullit, legjendari i Olimpiadave, i cili në kohën e famës së tij, shoqërohej nga një eskortë e FBI-së dhe udhëtonte i vetëm me një avion special të shtetit amerikan.

Michael Phelps - Pekin 2008!

U deshën plot 36 vjet që foto e Shekullit e Mark Spitz-it të zhvleftësohet. Më saktë, u desh dita e 17 gushtit 2008, e Pekinit 2008, që ajo “të hiqet” nga historia e sundimit të saj 36 vjeçar. Tash ka një foto tjetër që rrufeshëm do të bëhet Foto e Shekullit. Ose disa Foto të Shekullit, më saktë 8 foto të një njeriu të vetëm, foto të avanguardës së shoqërisë njerëzore, shoqërisë të Shekullit XXI.

Emri është Michael Phelps: 8 medalje ari në një Olimpiadë të vetme, këte Pekin 2008. Një më shumë se Mark Spitz 36 vjet më parë. Ky është “rekordi” i pamshirshëm i shekullit të ri, këtij XXI. Një “rekord” ndër më të vonuarit që njeh historia e sportit botëror të Olimpiadave. Për t’u vendosur më në fund, atij i janë dashtë vetëm 8 ditë “punë”: nga një ditë e dielë në një të dielë tjetër. Ai ka filluar në orën 10.03 minuta të së dielës së 10 gushtit 2008 dhe ka përfunduar në orën në orën 11 e 6 minuta e 30 sekonda, të së dielës së 17 gushtit 2008 në një sallë të vetme, së cilës kinezët i thonë ”The National Aquatics of China”, po i emërtuar si “The Water Cube” (“Kubi i ujit”).

Historia e freskët e “Kubit të Ujit” na thotë se ky Pallat, i vetëm në botë në llojin e vet për sportet e ujit, është ndërtuar falë kontributeve të bashkëtadhetarëve kinezë të Hong Kongut, Makao dhe të Tajvanit, po dhe të emigrantëve të tjerë kinezë. Nga jashtë ai ka pamjen e ngjyrës së ujit përmes zmadhimit të sistemit të mikroelementeve të formës së shkumës së ujit. “Kjo ka qenë dëshira jonë”, thotë projektuesi kinez Wang Min. Një pamje hutuese për fantashkencë. Pata fatin që t’i qëndroja vetëm disa metra larg në majin që shkoi “Kubit të Ujit”, kur isha në Pekin për Kongresin e gazetarëve, sepse ai ende nuk i kishte hapur dyert. Ndryshe nga “The National Stadium”, i ashtuthirruri “Çerdhja e Zogjve”, prej të cilit po dilnim mbasi kishim përjetuar përurimin e tij përmes Kampionatit Ndërkombëtar të Atletikës 2008 të Kinës Popullore.

Dhe mu mbrenda “Kubit të Ujit”, Michael Phelps monumentalizoi rekordin e tij mbinjerëzor të 8 medaljeve të arta të një Olimpiade të vetme, në ritmikën e kësaj frekuence të një elektriciteti zjarr:

10 gusht 2008:

* 400 metra vetjake e përzier, medalje ari MICHAEL PHELPS – 4.03.84 – Rekord Botëror!

11 gusht 2008:

* 4x100 stil i lirë, medalje ari, MICHAEL PHELPS me shokë – 3.08.24 – Rekord Botëror!

12 gusht 2008:

* 200 metra stil i lirë, medalje ari, MICHAEL PHELPS – 1.42.96 – Rekord Botëror!

13 gusht 2008:

* 200 metra flutur, medalje ari, MICHAEL PHELPS – 1.52.03 – Rekord Botëror!

13 gusht 2008:

* 4x200 metra stil i lirë, medalje ari, MICHAEL PHELPS me shokë – 6.58.56 – Rekord Botëror!

15 gusht 2008:

* 200 metra vetjake e përzier, medalje ari, MICHAEL PHELPS – 1.54.23 – Rekord Botëror!

16 gusht 2008:

* 100 metra flutur, medalje ari, MICHAEL PHELPS – 50.58 – Rekord Olimpik!

17 gusht 2008:

* 4x100 metra e përzier, medalje ari, MICHAEL OHELPS me shokë – 3.29.34 – Rekord Botëror!

Dy skedat e 7 dhe 8 medaljeve të arta të të dy fenomenëve Mark Spitz dhe Michale Phelps, flasin vetë. Shkencëtarët e notit do t’i përimtojnë, krahasojnë deri në leksionet e shkollave të edukimit fizik dhe të arsimimit dhe edukimit sportiv në tanësi. Këto 15 medajje që i përkasin vetëm dy njerëzve, kanë të përafërtat dhe ndryshimet e tyre. Kanë të përbashkët një: fuqinë dhe mundësitë e pashtershme të fizikut të njeriut, por dhe të mendjes e shpirtit njerëzor në garën e tij që nuk ndalon kurrnjiherë për sfidë ndaj natyrës, objektit, ujit, tokës, kufijve të rreptë sportivë, jetës, në fund të fundit, vetë mundësive të pashtershme të vetvetes.

Ndërkaq, dy fotot ju i krahasoni vetë. Dhe është vërtet e çuditshme se si autori i fotos së Pekinit, fotoreporteri i famshëm suedez Lars Baron, i ka dhënë fotos së Michael Phelps që ne përzgjodhëm, thuajse pamje të njëjtë me Foton e Shekullit të Mark Spitz më 1972. Rastësisht apo për një përngjasim? Foto e Shekullit e Spitzi-t natyrisht që njihet mirë prej Lars Baronit. E ndoshta ky i fundit ka dashtë të sfidojë edhe ai kolegun e tij të famshëm Rentmeester të legjendares “Life”. Në të dy rastet kemi kryet e notarit gjysëm të zhytur në ujë. Po ndërsa Spitz duket si një prehistori cikllopike me syrin mbrapa xhamave të tejdukshem të syzeve të tij sportive, Phelps shfaqet si një personifikim i teknologjisë së Shekullit XXI: flokët e padukshëm për shkak të kapelës së notit me flamurin amerikan të stampuar, syzet me xhama të errët. Dhe nëse Spitz-it, autori i 36 vjetëve më parë i ka spikatë hapjen e gojës në ofshamën e rëndë të notarit dhe vështrimin “përbindësh” të syrit të hapur; përkundrazi, autori i sotëm, e ka paraqitur Phelps-in si një motorrinë kompjuterike, nëse vërtet do të kishte një të tillë. Spitz është disi në krah, teksa në foto i duket vetëm supi ose pjesa e parë e krahut. Ndërkaq, Phelpsi-it i duket thuajse shpina e tanë. Në vështrim të këtyre fotove legjendë, Spitz të duket si një rekordmen natyror, ndëra Phelps si një rekordmen ndërplanetar. I pari disi më spontan, i dyti si diçka e planifikuar. Në një farë mënyre, Spitz të duket si një nëndetëse heroike e Luftës së Dytë Botërore që është duke u kthyer nga misioni i vështirë, triumfues. Ndërsa Phelps si një nëndetëse atomike e ditëve tona, që kurrnjiherë nuk merr pjesë në një luftë mirëfilli, por vetëm ruan paqen përmes udhëtimit të saj imperial.

Ngjashmëria tabllore e këtyre dy fotove të jashtëzakonshme që kanë dalë prej heroizmit të 7 dhe 8 medaljeve të Spitz dhe Pehlps, është vërtet e rrallë. Doemos, edhe në ngjyrat e përbashkëta. Dhe vërtet, në të dy rastet, duket sikur gjithçka i largohet çuditërisht figurës së një njeriu, teksa ndjehet vërtet prania cikllopike thuajse, e të duket sikur nga uji po shfaqet një përbindsh. Edhe në foton e Phelps sundojnë po tri ngjyra: e zeza e kapeles, e syzeve, paksa e vetullave, e kaltërta e ujit të trazuar tejet dhe ngjyra e fizikut - e vetmja mbase vërtet njerëzore - e rrethuar prej shkumbëzimit dallgëzues që krijon shpejtësia dhe lëvizja torpediniere e krahëve.

Kur Mark Spitz fitonte medaljet e arta në Mynih 1972, Michale Phelps donte edhe 13 vjet për të lindur. Kësisoji, Mark Spitz, nuk kishte pse t’i frikësohej një rrëmbyesi të ardhshëm të mundshëm të rekordit të tij mbinjerëzor. Ai nuk kishte përse t’i frikësohej, përsa kohë rekordmeni i mundshëm ende nuk kishte lindur…

Micahel Phelps ka lindur më 30 qershor 1985. Eshtë kështu 23 vjeç, 1 vit më i vjetër se Mark Spitz në Mynih 1972. Nuk mbarojnë këtu përngjasimet midis dy rekordmenëve legjendarë. Ndonëse Phelps nuk është 183 centimera shtatlartë, po bukur 196 centimetra dhe nuk peshon 75 kilogram, por bukur 91 kilogram! Me sa duket këtu qëndron epërsia e notarit të Shekullit XXI nga ai i Shekullit XX. Edhe noti ka vite që nuk i ka shpëtuar gjigandizmit, teksa njeriu i ri i botës së sotme, i gllabëruar prej makinës së pandalshme të zhvillimit të papamë eonomik, teknologjik, shkencor, biologjik, dietetetik – e kjo të çon te mbistërvitja sportive – ky njeri pra i datuar 2008, dhe i cili ka lindur 13 vjet mbas rekordit famëmadh të Mark Spitz-it, është krejt tjetër. Ndonëse bie fjala, për 36 vjet, rekordi i 200 metrave stil i lirë i Spitz-it 1972, është ulur me “vetëm” 10 sekonda nga Phelps. Duket pak? Në të vërtetë është jashtëzakonisht shumë. Në notin e sotëm sekondat janë kilometra të tana, të dhjetat e sekondave janë qindra metra!

“Mos më quani “Spitz 2”, unë jam “Phelps 1”, tha Michael.

Një gazetar i pranishëm në garat e tij në Pekin e përcaktoi kështu:

“Motori i tij është i jashtëzakonshëm. Delfini i tij të bën të duket sikur ai fluturon në ujë si një albatros që hap flatrat e tij 196 cm., i fuqishëm dhe ajror. Stili i tij i lirë është tejet elegant. Edhe në shpinë ai është i shkëlyeshëm. Muajt e fundit është fuqizuar fort edhe në bretkocë. Mbi të gjitha, Phelps është një sportist i një shpirti gare të papërmbajtshme. Janë krejt të rrallë ata që i afrohen në këte”.

Ky është “fëmija” i cili në Olimpiadën e Sidneit 2000, kur qe vetëm 15 vjeç, zuri vendin e pestë në 200 metra flutur dhe i cili pak muaj më vonë, pra kur ishte 15 vjeç e 9 muaj, theu rekordin botëror të të rriturve në këte garë duke u bërë rekordmeni më i ri që njeh historia e njerëzimit. Tre vjet më vonë më 2003, Phelps u bë njeriu i parë në histori që mbante rekorde botërore në dy gara të displinave krejt të ndryshme: 100 metra flutur dhe 200 metra vetjake e përzier! Në Athinë 2004, kur qe veëm 19 vjeç djalë, ai fitoi pesë medalje ari dhe dy bronzi. “Ai do të krijojë termin e ri për fjalorin sportiv”, thotë komentatori i shquar i notit, Craigh Lord, termin “Phelpsian”.

Dhe gjithçka është krahasuar me një simfoni. Kompozuesi i kësaj simfonie dhe i cili e ka nisur ta kompozojë ate qysh kur Phelps ishte 10 vjeç, është trajneri i tij Bob Bowman i North Baltimore Swim Club. Ky është njeriu i cili e ka detyruar Phelps-in të notojë çdo ditë 16 deri në 18 km! Madje shtatë ditë në javë, qoftë ajo edhe dita e Krishtlindjeve. Kështu vepron Phelps e pakta qysh nga mosha 14 vjeç! Trajneri Bowman thotë se “programin intensiv të stërvitjes së Phelps-it, nuk e realizon asnjë notar në botë”.

Michel Phelps është i vetmi notar i cili mban rekorde botërore në stilin e lirë, në flutur, në të përzier; është i pari notar i cili ka arritur të thyejë dy rekorde botërore në dy gara të ndryshme mbrenda një dite; është i pari notar i cili ka fituar shtatë medalje ari mbrenda një kampionati të vetëm botëror. Vetëm në një tregues ai nuk e ka arritur Spitz-in: në rekordet botërore: Marku ka thyer 32 rekorde botërore, Michael “vetëm” 31. Por në fund të fundit, Michael Phelps është i vetmi notar i cili fitoi 8 medalje ari në një Olimpiadë të vetme me 7 rekorde botërore: Pekin 2008. “Kjo është arritja më e madhe e të gjitha kohërave për notin”, thotë kryetrajneri i notit i SHBA, Mark Schubert.

Këtu duket se mbyllet tash për tash simfonia e kompozuar prej trajnerit Bob Bowman dhe e interpretuar prej notarit legjendar Michael Phelps. “Para se të vdes, do të dëshiroja të përjetoja nëse do të dilte një njeri që mund të thyente rekordin tim të Mynihut”, paska thënë Mark Spitz. Mbasi e ka dëgjuar këte mëdyshje, Michael Phelps. paska thënë se “do ta’ia plotësoj dëshirën Markut”.

E realizoi pardje, të dielën e 17 gusht 2008. Pekin 2008, në orën 11 e 6 minuta e 30 sekonda.

Njerëzimi paralajmëron mrekullitë e paimagjinueshme të Shekullit XXI të tij …



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora