E shtune, 20.04.2024, 02:50 AM (GMT+1)

Sport » Futbolli Shqiptar

Dinamo fiton trofeun e parë sezonal

E hene, 18.08.2008, 10:17 PM


Blutë kryeqytetas mposhtin 2-0 Vllazninë në finalen e Superkupës së Shqipërisë

Dinamo fiton trofeun e parë të sezonit 2008/‘09, Superkupën e Shqipërisë. Kampionët e Shqipërisë mposhtën 2-0 Vllazninë, që vinte në këtë finale si fituese e Kupës. Golat e realizuar nga Petriçeviç (17‘) dhe Jusufi (78‘) i kanë rritur kuotat e trajnerit kroat Zllatko Daliç në krye të stolit, ndërsa skuadra harron eliminimin e turpshëm në Ligën e Kampioneve nga boshnjakët e Modriças. Blutë rikthehen te kjo kupë pas plotë 19 viteve (hera e vetme që kishin triumfuar ishte në finalen e vitit 1989 të fituar 2-0 me Tiranën). Nga ana tjetër, Vllaznia nuk ka dhënë shenja jete. Duket se në Shkodër mbizotëron ende euforia për ndeshjen e Kupës UEFA me Napolin, pasi skuadra e drejtuar nga Agim Canaj tregoi shumë pak në fushën e "Qemal Stafës". Tjetër arsye për të mos qenë të përqendruar në maksimum janë edhe largimet e tre lojtarëve mjaft të rëndësishëm për kuqeblutë. Në fakt, finalja e Superkupës ishte ndeshja e fundit për Telin, Likën dhe Sukajn, të cilët do të vazhdojnë karrierën me turqit e Haxhetepes. Lika është përdorur vetëm në 45-minutëshin e dytë të lojës, edhe sepse më 20 gusht do të jetë i angazhuar me kombëtaren Shpresa, ndërsa Sukaj, me kartonin e dytë të verdhë që mori 15 minuta përpara fundit të takimit, i veniti shpresat e të tijve për fitore.

Lodhja nga përgatitjet e verës dhe impenjimet ndërkombëtare ka mbizotëruar në minutat e para të takimit. Të dyja skuadrat vinin në këtë sfidë me këmbët e rënda dhe kanë bërë shumë pak për të dhuruar emocione. Për të thyer akullin menduan dinamovitët, që në të 17-ën gjetën golin e avantazhit. Ferraj lëshon një të majtë të fortë nga pozicion i prirët me portën, Bishani grushton, por topi mbetet përpara portës dhe aty Frane Petriçeviç nuk e ka të vështirë të përshëndesë rrjetën. Shkodranët reagojnë me Xhevahir Sukajn, por gjuajtja e tij përfundon pak centimetra jashtë portës. Pas tij tentojnë edhe ganezi Xhejms Baund dhe Nallbani, por gjuajtjet e tyre nuk janë të kalibruara si duhet. Deri në fund të fraksionit të parë të lojës regjistrohet edhe një rast ideal për gol nga Poçi, por mesfushori nuk arrin të shfrytëzojë si duhet pasigurinë e mbrojtësit Basiç. Pas 45 minutave të vakëta, Canaj vendos të luajë kartën Gilman Lika, që nuk ishte përfshirë në formacionin titullar. Ndërsa Dinamo kundërpërgjigjet me Sabino Plakun, blerjen më të bujshme për edicionin e ri. Megjithatë, protagonist (për keq) në fushë është bërë Sukaj: në të 77-ën, pasi ka prekur topin me dorë, sulmuesi shkodran ka kontestuar faullin e akorduar nga gjyqtari dhe largohet nga loja me kartonin e dytë të verdhë. Vetëm pak çaste pas superioritetit numerik, dinamovitët dyfishojnë shifrat me Jusufin: mesfushori përfiton nga një shkëputje e bukur e Allmuçës dhe me kokë e shtyn topin drejt portës së boshatisur.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora