E enjte, 18.04.2024, 08:20 PM (GMT+1)

Kulturë

Hyqmet Hasko: Dasëm në Gjakovë

E merkure, 27.07.2016, 07:14 PM


Në Gjakovë, në një dasëm, ku këngët, vallet dhe ritet flisnin shqiptarisht…

Nga Hyqmet HASKO

Udhëtimet drejt rrugëve të gjakut e gjuhës së përbashkët gjithmonë më janë dukur udhëtime drejt shpirtit të vetë historisë, që duket se më në fund po tregohet disi e drejtë me ne shqiptarët.

Sa herë udhëtoj drejt Gjakovës, këtij qyteti unik, me një arkitekturë krejt të veçantë, më duket sikur sjell me vete një ndjesi të bukur, ndjesinë e një çlirimi shpirtëror, që vjen nga shkrirja e natyrshme e kufijve imagjinarë, që një kohë e pa kohë i ngriti midis shqiptarëve këndej e matanë kufirit administrativ.

Kjo më ndodh kur shkoj drejt çdo trevë të Kosovës, por kur udhëtoj drejt Gjakovës, ajo merr trajtat e një Pegasi dashurues që më fton në valët e poezisë dhe artit pa kufij. Pasi më mirë se me gjithçka, Gjakova mund të identifikohet me artin dhe poezinë, me këngën, vallen dhe gjithçka tjetër që flet me gjuhën e të bukurës.

Po, tashmë që thirrja e gjakut të përbashkët të shqiptarisë na kumbon si sirenë, joshëse dhe e papërballueshme, me njerëzit tanë të gjakut e të rrënjëve na lidhin miqësitë, fejesat, dasmat, na lidh manifesti i shpirtërave që kërkojnë vetveten.

Drejt një dasme të tillë po udhëtoj drejt Gjakovës, i ftuar nga miku im Hysen Terpuni në dasmën e djalit të tij Valmir Terpuni.me Donjeten. Së bashku me mua janë bashkëshortja ime dhe vajza jonë, të cilët presin me shumë gëzim e ndjesi emocionale se si do të bëhet një dasmë në Gjakovë, në dheun e këngës, valles, poezisë dhe gëzimit.

Gjakova është një qytet unik, qoftë në artin urban, qoftë në mënyrën e jetesës së banorëve, që shquhen për civilzimin dhe etikën e tyre në komunikim e në gjithçka.

Gjakova, gjatë Luftës ndezi zjarre të mëdha, flakët e të cilëve ngrohën zemrat e shqiptarëve të Kosovës, për një jetë të re e të rilindur nga hiri i gjeocidit.

Ky qytet duket se mban në shpirtin e tij të gjithë kombin, peshën e ëndrrës së shqiptarëve kudo që janë për të qenë bashkë, për të gëzuar shqiptarisht.

Barbarët si kudo në Kosovë edhe këtu, në këtë vis mrekullor të shqiptarisë, kanë bërë krime makabre, që gjakovarët nuk i harrojnë kollaj, ndaj siç më thotë një miku im i porsanjohur, shkrimtar gjakovar, sado që të përpiqet bota të na pajtojë me Serbinë, gjaku i derdhur nuk harrohet kurrë. Pajtimi nuk ndërtohet mbi harrimin, por mbi kujtesën, kur xhelati flakë tutje thikën e përgjakur të krimit dhe i bie në gjunjë për ta falur viktimës. Kjo nuk ka ndodhur me shkjaun, përkundrazi, ai ndërton alibi për sot e për nesër…

Sidoqoftë e kaluara ka mbetur larg…dhe Gjakova ka rilindur si Feniski nga hiri i kujtimeve të trishta, dhimbjeve, brengave, zhgënjimeve e traumave të një populli të ndaluar, që është përballur me vdekjen e barbarinë dhe i ka mposhtur ato. Tani, pas rindërtimit dhe pastrimit të rrënojave të një lufte absurde, qyteti duket i veshur me petkun e një blerimi të përhershëm, joshës dhe sensacional.

Sapo shkel në këtë qytet, të ndizet pasioni për gjuhën dhe fjalën shqipe, për këngën dhe vallen, për kutinë e duhanit dredhur shqiptarisht, për mitet dhe legjendat dardane, të hershme sa vetë Dardania, sa vetë përjetësia e këtyre trojeve.

Është hera e parë që marr pjesë në një dasëm gjakovare dhe vërtet ndihem i emocionuar. Por akoma më të emocionuara janë ime shoqe dhe vajza jonë, të cilat presin me padurim përcjelljen e riteve që do të shoqërojnë këtë ceremoni madhore në jetën e njeriut.

Pas takimit me mikun tim, familjen dhe farefisin në shtëpinë e tij, pas kafeve e pijeve të rastit dhe urimeve të çiltëra për çiftin e ri, u nisëm për tek restorant “Presidenti”, një restorant luksoz diku në periferi të Gjakovës, ku pastërtia dhe komoditeti mbanin vulën e tyre.

Ishte një ambient i shkëlqyer, sa modern e bashkëkohor, aq dhe antik, ku çdo gjë ishte në vendin e vet dhe gjithçka dukej perfekte.

Të zotët e shtëpisë na uruan dhe një herë të gjithëve mirëseardhjen dhe na falenderuan përzemrësisht që ndodheshim në gëzimin më të madhe të jetës së tyre, në martesën e djalit Valmir Terpuni.

Nisi kënga, vallja dhe hareja.

Pijet venin e vinin, ushqimet e shumëllojëta dhe të sevirura me shumë elegancë e qytetari, e bënin akoma më interesnate këtë dasmë.

Këtu na servirën vetëm gatimet tradicionale, që ishin të përkryera në shije dhe që tregojnë se ne shqiptarët jemi të hershëm në këtë cep të Ballkanit dhe ua kemi kaluar bashkëballkanasve tanë përveç të tjerave, edhe me kulturën e gatimit dhe begatinë e sofrave të shtruara në shekuj, për mikun, por dhe për armikun. Sa për dasmat, në dasmë vërtet shpirti gjakovar është kreativ dhe jep maksimumin, jo vetëm në pije e ushqime, porn ë gjithçka…

Dasma gjakovare është një përcjellje e përpiktë e traditës së gëzimeve familjare të këtij qyteti, që mbledh si pikat e ujit të pakët në një mot të thatë dashuritë e vëllezërve të gjakut të njëjtë për Nënën e Madhe, Shqipërinë Etnike.

Pra, dasma në Gjakovë nuk është thjeshtë një ceremonial familjar për të gëzuar dhëndrrin, nusen, familjarët dhe të afrëmit, por për të shprehur ndjenjat më të thella e më të veçanta të atdhetarisë, me anë të këngës, valles dhe gjithë riteve të tjera që shoqërojnë ceremonialin e dasmës.

Të gjitha vështrimet e dasmorëve shkojnë drejt çiftit të ri, të sapomartuar, djalit dhe vajzës, që si dy yje, ndrisin me sharmin, rininë dhe gjallërinë e tyre gjithçka dhe e bëjnë më kuptimplotë pijen, këngën e vallen, gazin e harenë.

Urimet rrjedhin lumë, si vera e rakia, si kënga e vallja, si shpirti i bukur i gjakovarëve që dinë të gëzojnë e të festojnë, dinë t’i bëjnë pjesë të gëzimit të tyre gjithë të ftuarit e veçarëisht neve nga Tirana, mua, vajzës dhe bashkëshortes sime, që na kishin në qendër të vëmendjes e na respektuan në maksimum.

Gjithçka ishte në vendin e vet dhe e servirur me qytetari e finesë, por ajo që na bëri më shumë përshtypje ishte ora e fundit e dasmës, kur të ulur këmbëkryq rreth oxhakut, me sharki, çifteli e lahuta në duar, këngëtarët më të mirë gjakovarë ua nisën këngëve të tyre të vjetra, jonet e të cilëve sikur vinin nga një botë magjike folku, të kohërave që nuk mbahen mend.

Ishte një ndjesi e pa provuar, që na emocionoi e përloti, duke na kthyer në kujtesën e rrënjëve dhe degëve të shqiptarisë sonë, që në Gjakovë, në këtë djep kulture e qytetërimi të hershëm, mijëravjeçarë, ka një kuptim vërtet solid.

Kjo dasmë impresionuese na befasoi jo vetëm me larminë e riteve të përpikëta e që vijnë nga thellësitë e shekujve, jo vetëm me bujarinë dhe fisnikërinë e mikpritësve, jo vetëm me bukurinë e pastër dhe fine të çiftit të porsamartuar, por mbi të gjitha me shijen komplekse të harmonisë e të perfeksionit të gjithçkaje, me atë përcjellje dinjitoze të artit të vjetër muzikor, që duket sikur vinte nga prehistoria e na goditi mu në thelb të shpirtit e të zemrës, duke na treguar se sa shumë nevojë kemi ne shqiptarët për rrënjët tona të hershme, mbi të cilat mund të çelin degë të reja dhe të lidhen frutat e rinj të kohe të re…



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora