Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Edison Ypi: Ganimete

| E hene, 18.08.2008, 07:33 PM |


Edison YpiGANIMETE

Nga Edison Ypi

Të parin pyeta të vrënjturin Maksin. Maksi tha se edhe ai ishte fort i interesuar ta dinte ku është apo ku ka qënë ajo barraka e pisët ku Ti dhe nëna jote varët vetet disa ditë pas internimit në një katund të Myzeqesë aty kah fillimi i viteve ’60, por ende nuk e kishte mësuar ku ndodhi ajo lebeti’. Xiko dinte diçka. Një shok ushtrie i kishte thënë se gjithçka kishte ndodhur në Libofshë. Xiko shtoi se emri Yt, Ganimete Cuka, i kujtonte edhe diçka tjetër; Në ato vite  ...daja i tij, Adnani Ypi, kolonel i NATO-s në Gjermani që stërviste diversantë për t’i hedhur në Shqipëri, u dërgonte hera-herë ndonjë rrobë apo rreckë. Ndonjë nga këto rroba apo rrecka, pa të njohur, mik pas miku, frik’ pas frike, bela’ pas belaje, Xikua ta shiste lirë Ty.
Një ushtri e tërë të përsekutuarish, kryesisht të pa punë nga ata që pinë kafe të lira dhe bëjnë muhabete të shtrënguara tek kolonat e Pallatit të Kulturës, më adresuan të gjithë në Myzeqe secili në fshatra të ndryshëm; Grabian, Çermë, Gjazë, Karbunarë, Libofshë, Zhamë, Seman, etj.
Burhani, i cili kishte dëgjuar por nuk dinte asgjë të saktë për Ty, më drejtoi tek Tori. Po hajde gjeje Torin se ! Legjenda e burgjeve, Tori, s’ka, jo celular ku ta kap unë, por as lecka ku ta kapi qëni.
Musai ! Njohësi skrupuloz, ideologu i pa lodhur i përndjekjes shqiptare. Gjithë jetën nëpër burgje dhe internime. Ti tironce, Musai tironc. Tironc për tironce, e pamundur të mos e dijë Musai ku u vetvare Ti. Por as Musai s’dinte gjë të saktë.
Agimi ka shkruar në një libër për Ty. Gazetat botojnë fragmentin e librit ku Agimi thotë për Ty se ke qënë e dashuruar me një kolonel anglez, se disa oficerë të Sigurimit deshën por s’mundën të të përdhunonin, se si një ditë në atë barrakë të qelbët dhe atë fshat të mjerë vajte bleve një litar, e ndave litarin më dysh me sëpatë, skajin e njërës gjysëm ia lidhe në qafë nënës, skajin e gjysmës tjetër vetes, si ia rrëzove stolin nën këmbë nënës etj. Nejse, Agimi fshat të gjëmës tregon Grabianin. Por Agimin e kundërshton Besimi. Besimi më adreson, o në njërin nga kulmet e trekëndëshit Ndërnënas - Gjazë - Karbunarë, o diku në brendësi të tij. Tejet aproksimativ Besimi. Besimi thotë gjithashtu se këtë mesele e di më mirë Leka ose Tomorri. Mirpo Leka ka vdekur dhe Tomorri s’dihet ku është.
Tjetër legjendë burgjesh, Qaniu. Celulari i Qaniut nuk bëhet i gjallë. I kanë rënë bateritë celularit apo Qaniut, nuk e kam të qartë.
Kastrioti më thotë se gjurmët e Tua duhet t’i kërkoj në Ministrinë e Brëndëshme. S’e ka keq Kastrioti. Por Ty dhe burokratët unë nuk dua dhe nuk do t’i mpleks në asnjë mënyrë deri sa të vdes.
Ëngjëlli shpëtimtar, motra për shpirt, Donika ! Ajo që nomenkaturën dhe përndjekjen, favoret dhe vuajtjet, i ka më të ngatrruara se ngatërrimi ?! Po, ajo, Donika pra, edhe të ka njohur. Ka qënë një herë në shtëpinë Tënde për të qepur diçka për çupën e vogël. Mirpo gjithçka që mban mënt nga ajo vizitë e shkurtër, është Klasi Yt, sjellja jote prej aristokrateje të vërtetë, si dhe se si Ti i the për sandalet që kishte mbathur; Sa “carine” i paske !
Meti për Ty duhet të dijë patjetër ! Thonë se të ka pasur të dashur. Po, Meti i përndjekur dhe i burgosur, që të ka dashur dhe e ke dashur, të kujton me respektin më të thellë dhe më të lartë. Meti, me lot në sy, kujton sjelljen tënde fine, dijet e Tua, gjuhët që flisje, hiret e Tua, sidomos elegancën Tënde. Por mjerisht edhe Meti as nuk e di as kurrë nuk e ka ditur fshatin, le më barrakën.
Enciklopedia e gjallë e skutave, Doriani, më mbyt me informata të turbullta.
Serioz, nervoz, pretencioz, ultimativ, Urani, poeti i stërvuajtur dhe stërpërndjekur, e quan interesimin tim të kotë dhe Ty thjesht të përdalë.
Do iki vet’ fsht më fshat.
Nga t’ia nis ?!
Do t’ia nis nga ku “Zoti sheh gjithçka !” Nga Manastiri i Ardenicës.
Nga Manastiri me varre nën të, kumbanare përmbi, po zbres drejt Manastirit tënd të përmbysur, me varre përmbi, kumbanare nën të.
Në Libofshë s’ka asnjeri që të dijë diçka për Ty. Më drejtojnë në një fshat tjetër që quhet Ndërmënas. Atje jetojnë dy pleq të moçëm që dinë gjithçka. Pleqtë qënkëshin, njëri i “majtë” tjetri “i djathtë”.
I majti, një far’ syshkabe ky, që në të ri të tij me vite të tëra ka bërë apelin e të internuarve, po fle gjumë. E kotë ta pres t’i dali gjumi i ri që po bën tani për të plotësuar gjumin e vjetër që s’e bëri dot në kohën e pagjumësisë së syçeljes. Dy djem të tij që çfaqen papritur janë shumë dekurajues. Të egër djemtë. Aspak premtues për të më prezantuar ndonjë baba prej të cilit mund të dalë ndonjë gjë.
I djathti, mbi 80 vjeç, nuk po fle gjumë, as të ri as të vjetër, por ndodhet larg. Me dhën në derdhje të Semanit. Patjetër duhet vajtur ku janë hedhur pa numurim kufomat e tmerrit në ’97-ën e llahtarit. Dhe vete. Si lis plaku blu. Krruan e krruan kokën, por në hatër s’i vjen asgjë.
Duhet të kthehem. Nga Ndërmënas në veri të derdhjes së Semanit, në Ndërnënas në jug të po asaj derdhjeje.
Dikush diku, pse po të kërkoj Ty, më tha “je i rrjedhur”. Një tjetër pak më tutje “i pjerdhur”. Edhe më tutje një tjetër më tha “je i lojtur”. Mu në mes të Myzeqesë një tjetër, as më shau as më ngau, më shiti një sharqi të kalbur.
Në fshatrat e internimeve në dalje të Fierit në drejtim të detit, askush nuk di për Ty. Në Ndërnënas një kosovar mitrovicali ! Ka qënë i internuar edhe ky. Thotë se ia kanë vrarë babain kur babai ishte 23 vjeç dhe vet’ ai ka ardhur i internuar këtu kur ka qënë 3 vjeç. Kosovari për Ty s’di asgjë. Por pasi mendohet thotë se disa kilometra më tutje në derdhje të Semanit ka qënë një fshat të internuarish...imoralë !
Aty, aty te “morali” m’rri, o shipe mali Sharri që zvarritesh n’fusha Fieri !
Në fshatin e “imoralëve” të internuar një tufë pleqsh më ftojnë të gjithë për kafe’. Rretheqark toka të pafundme të pa punuara sepse të kripura. Flasin për projekte madhështore miliardere ndërkombëtare me fusha plot me mullinj ere që do prodhojnë energji elektrike dhe do begatojnë zonën, Shqipërinë, Ballkanin, Greqinë, Gjeorgjinë. Derisa të begatohet zona, fshati është plot me plehra dhe vjetërsira nga koha e lavdisë së traktorëve me buçima që çanin arat e kripura. Për ato kripëra e ato helme, ato kasolle e ato derte, ata njerëz e ato halle, ato buçima e të shtëna, trim-poeti Pano Taçi që s’ka plumb që e merr as litar që e var, do nxjerri së shpejti në qarkullim poemën madhështore “Balada e Pordhës”. Në barrakat e imoralëve të dikurshëm sot gjallojnë evgjitë qeflinj. Plot pleq të moralshëm të fshatit të “imoralëve” betohen me kryet nga Manastiri se për Ty nuk dinë asgjë.
Kthehem për në Grabian.
Ndal dhe pyes në disa fshatra. Asgjë !
Barinj të vegjël të shkathët nuk mbajnë më në brez pagure por shishe plastike. Djem të rinj mbi motorra gjarpërojnë fushave duke lënë pas shtëllunga me pluhura që ngrihen lart si nëpërka të harbuara. Emigrantë me të fejuara. Studentë që kanë nisur të jenë krenarë ta thonë se nga cili fshat janë. Mesoburra që u përgjigjen pyetjeve me pyetje. Vajza me sy kuriozë që bëjnë shëtitje mendimtare mbrëmësore. Zonjë e moshuar që me lot në sy kujton tmerret e së kaluarës si dhe ankohet për të tashmen. Thotë se më besnikët dhe më të zellëshmit e diktaturës janë ata që sot kanë ngritur biznese me dallavere politike dhe kanë ndërtuar shtëpitë më të mëdha. Fermerë të zellshëm mëngëpërveshur ankohen për shtetin që nuk vendos rregulla dhe tregëtarët që vinë ua marrin prodhimet badihava. Në një fshat fushor afër Rrogozhinës në dy lokale rresht provuan të ma shisnin kanoçen e Coca Cola-a me çmim Londre. Skeni turp, u thashë, dhe Coca Cola-n nuk ua mora.
Në Grabian duket sikur gjithë fshati po pi kafe. Pleq pensionistë fukarenj që lozin domino mbi trotuare frikësohen mos i fotografoj. Si në të gjithë fshatrat edhe këtu pothuaj asnjë femër. Dikush lavazhin e ka pagëzuar “Hashish” ! Një plak i kërrusur mbi të 80-at ngutet të sigurohet se do shkojë i pastër në botën tjetër duke larë mëkatet që ka bërë kur ka qënë qiri’. Qiriu i djeshëm drapëri i sotëm thotë se ka qënë sekretar partie për dhjetra vite, kryetar pushteti gjithashtu, se nuk ka asnjë interes të gënjejë në këtë moshë, se të internuarit i ka dashur shumë, se me ta ka pirë kafe ka qarë hallet etj. etj. dhe be’ e rrufe’ për Qiell e Dhe’ se për Ty dhe nënën tënde nuk di kurgjë. Të tjerë pleq thonë të njëjtën gjë.
Kështu, nga Rrogozhina në Roskovec, nga Semani në Karbunarë, kryq e tërthor e rrethepërqark, për Ty s’dinë asgjë. Me qindra, i pyeta një për një.
E fundit që bëra ishte kjo;
Vajta përsëri në Manastir, tek Zoti që sheh dhe di gjithçka.
O Zot i thashë, Ti që varret i ke nën, a di gjë për Atë që varret i ka mbi ?
Nuk u përgjigj. Pra nuk dinte gjë.
Vendi ku je vetvarur Ti, një Dritë që as fiket as ndizet as ndryshon, e ka prej atëhere dhe do ta ketë deri në Përjetësi. Që ajo Dritë të më binte në sy ku ishte, ja ç’bëra; Nga maja e Manastirit ndryshova dritën e botës. Në fillim e bëra botën krejt të kuqe. Dhe s’pashë asgjë. Pastaj të bardhë, të verdhë, gri, të zezë. Por asgjë, asgjë, asgjë, asgjë !.
Atëherë nga maja e Manastirit e bëra rretheqark rrebesh me shi’ dhe rrufe’. Asnjë vetëtimë nga Ty.
Dhe e mbyta Myzeqenë e bëra det.
Asgjëkund direku i varrit tënd të lartë.
Kurrkund nuk pashë as barrakë, as litar, as varr, as të zbehtën Ty.
Ganimete, jo për Ty, se Ti e di;
Nuk ke varur veten. As me litar as me çarçaf, as me shami. Madje nuk të kanë degdisur fare në internim. Thjesht të kanë vrarë dhe diku të kanë flakur.
Mjerë Ti që bastardët të vranë të re’. Lum’ unë. Që të kërkoj ku s’je. Që më iku jeta duke u rrënqethur. Që të dua kur ke vdekur.