Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Vangjush Saro: Bishtnuesit e gjuhës shqipe

| E hene, 25.07.2016, 08:47 PM |


Bishtnuesit e gjuhës shqipe

Nga Vangjush Saro

Ndër treguesit e nivelit qytetar e kulturor të një vendi, është sjellja ndaj gjuhës kombëtare, ndaj parimeve zyrtare të saj në veçanti. Entet dhe rrjetet publike, duke filluar nga TV, radio, gazeta, portalet pa fund, mandej zëdhënësit e shtypit të institucioneve, i gjithë aparati shtetëror, e kanë për detyrë të kumtojnë në mënyrë korrekte në publik. Në realitet, kemi një keqpërdorim të gjuhës në vazhdimësi. Kjo ndodh për shumë arsye; disa prej tyre do t’i kërkonim te niveli i arsimit dhe disa te mënyra e rekrutimit të punonjësve. Ndërkaq, për një pjesë të faqeve virtuale, edhe po të duash të flasësh, nuk di nga t’ia fillosh. (Mjaft të kujtosh ujin e tepërt të “opinioneve” e reticensave apo vargjet e prozat me nga njëzet pikëçuditëse a pikëpyetëse.)

Për të mos bërë teori, le t’iu hedhim një sy disa shkrimeve e kumteve të medias dhe zyrave të shtetit e të qeverisë. Ja ç’thuhet në një shpjegim lidhur me firmosjen e një marrëveshjeje për mjedisin. “Ekspertët e Ministrisë së Mjedisit llogarisin se, kostoja për të rritur standardet me teknologji miqësore me mjedisin në ndërtim, industri dhe trasport, është rreth 690 milionë euro.” Nuk po ndalem te fjala “trasport” (transport) se mund të jetë edhe lapsus. Por presja pas lidhëzës se është krejt pa vend dhe shumë e gabuar. Përdorimi i kësaj lidhëze, e jep mundësinë të ndalesh një hop; (atë që kërkon presja në të shkruar apo në të menduar). Pra, nuk ka pse të sajohet një ndalesë e dytë. Në një sërë tekste, vazhdon të përsëritet ky gabim që rezaton dobësi flagrante në sintaksë dhe në pikësim.

Nuk ka më keq sesa të kumtosh me gabime; sidomos kur bëhet fjalë për takime me të huaj. Ja si sillet në ligjëratë të zhdrejtë fjala apo replikat e Ministrit të Punëve të Jashtme: “Nuk ka pikë diskutimi për askënd nga ne në rajon se falë lidershipit gjerman, i çiftëzuar dhe i harmonizuar me një lloj dëshire për të ecur përpara, sot për sot rajoni ynë, pavarësisht se përballet me sfidat e shtet-ndërtimit demokratik, ka kaluar disa prej sfidave që kanë të bëjnë me stabilitetin rajonal.” Ndoshta dikush na shpjegon ç’do të thotë “Nuk ka pikë diskutimi” apo “i çiftëzuar dhe i harmonizuar me një lloj dëshire për të ecur përpara…” Lëre më tej pastaj, kur fjala sfidë bëhet copë-copë… Më tutje: “I shpreh mirënjohjen sërish në emër të popullit shqiptar për mbështetjen, për ekspertizën, për kontributin e taksapaguesve gjermanë në proceset e shtet-ndërtimit demokratik, për ekspertizën që kanë dhënë në reformën në drejtësi që shpresojmë të jetë në fazën e saj finale përpara se të bëhet realitet dhe për asistencën e vyer të agjencive gjermane që kanë dhënë gjatë kësaj kohe në Shqipëri”. Një okë gabime e pasaktësi. Por po ndalem vetëm në pjesën e fundit të kësaj fjalie të përbërë, bërë lesh e li: “…dhe për asistencën e vyer të agjencive gjermane që kanë dhënë gjatë kësaj kohe në Shqipëri.” Shqip, duhej thënë kështu: “…për asistencën e vyer që agjencitë gjermane kanë dhënë gjatë kësaj kohe në Shqipëri”. Një përdorim kaq i gabuar (si më lart) i detajeve të sintaksës, është krejt pa kuptim, për më tepër në materiale shkresore apo informacione të atij dikasteri.

Ja disa shembuj nga keqpërdorimi i gjuhës në faqen e Ministrisë së Kulturës (!) Po shkruaj më poshtë një slogan, siç gjendet në origjinal në faqen e këtij institucioni: Fushatë Sensibilizuese Krijimtaria është prona ime Ligji ma mbron. (Pika e fundit është imja. Por… ç’katrahurë!) Qasja më e gabuar, haptazi e gabuar, gjendet te fjala “sensibilizuese” - një përcaktor - që nuk duhet shkruar me shkronjë të parë të madhe. Sërish një lajthitje me shkronjë të parë të madhe: Dialogu Ndërkulturor nga Këndvështrimi i Rinisë… (Çuditem, si nuk është shkruar me shkronjë të parë të madhe edhe parafjala “nga”!)

Këto kohë, është folur ashumë për rinovimin e një stadiumi në kryeqytet. Meqënëse është shkruar shumë për të dhe nuk di a mund të shtoj ndonjë gjë të re (sadoqë edhe po të thuash çoç nuk të pyet njeri) po merrem me atë që di më mirë, me gjuhën. Lexojmë: “Ky version parashikonte ndërtimin e stadiumi me Koncesion 35 vjeçar.” Vetëm në dy radhë, tre gabime: e stadiumi(t) dhe fjala koncension me shkronjë të parë të madhe (!) madje edhe me një n mangut. Shpjegojmë se fjala shkruhet më të madhe vetëm në episodin zyrtar, si pjesë e një vendimi dhe kur i referohet termit, ligjit konkret; më tej, mund ta përdorësh njëqind herë fjalën koncension, por nuk është e nevojshme që ajo të sillet në tekst… me shkronjë të parë të madhe.

Që të mos ikim nga institucionet, le të kujtojmë një fragment nga shkrimi i gjuhëtarit Rami Memushaj për një dokument të… Akademisë. Memushi shkruan midis të tjerave: “Në këtë dokument me 253 fjalë, janë bërë një numër i madh gabimesh gjuhësore. Kështu, në të shkruhet asamblea për asambleja, stututit për statutit,  numurin për numrin, hidroenergjitikës për hidroenergjetikes; janë përdorur fjalë të huaja të panevojshme: ëeb për internet, të aprovuara për të miratuara, konform për në përputhje/në pajtim, aprovoi për miratoi, prezencë për prani, aprovim për miratim; janë edhe 10 gabime pikësimi e disa gabime grafike.”

Ja edhe një tjetër gabim që e bëjnë rëndom të ditur e të paditur; së fundi e hasa në deklaratën e një gazetari që përpiqet të bëjë bujë në Shqipëri. “Kush janë këta amerikanët, që…” Meqë të tjerat nuk më interesojnë, po ndalem vetëm te përemri pyetës kush, që duhet të përshtatet në numër me foljen dhe emrat që e pasojnë. Pra, duhet thënë: Cilët janë këta amerikanët… Etj. Pyetje: Cilët janë ose më mirë ç’ gazetarë e shkrues janë këta që nuk e dinë gjuhën shqipe? Ani. E vështirë për t’u marrë vesh me bishtnuesit e gjuhës shqipe. Nëse shkruesit, si dhe amatorët lloj-lloj që bëjnë gabime pa fund, mund t’i pyes si e kanë syrin, kur do ta mësojnë gjuhën shqipe, për institucionet nuk di çfarë të them; si në shumë aspekte, edhe këtu, ka një prapambetje që nuk ke nga ta zësh. (Thotë diku F. Dostojevski: “Pena ime është e dobët për t’ia dalë mbanë detyrës së rëndë.”)