E enjte, 28.03.2024, 11:23 AM (GMT)

Sport » Legjenda

Astrit Hafizi “Këtu gjërat janë mbrapsht”

E hene, 18.08.2008, 07:01 PM


Astrit Hafizi
Shkruan: Ben Andoni

Astrit Hafizi duhet t’i zhgënjejë paq ata që e shikojnë për herën e parë. Emri i tij në sport të bën të besosh se do të takosh një të kamotshëm. Në fakt, nuk është aspak kështu. Futbollisti, trajneri dhe specialisti i njohur i futbollit është ende i ri. Në shpirt. Në forcë. Në dëshirë. Dhe...pse jo dhe në moshë. Është pak luks për Shqipërinë, që trajnerë të tillë lihen jashtë fushe...ose më keq akoma keqtrajtohen nga ata që drejtojnë klubet shqiptare. Me shumë etikë, në një intervistë për MAPO-n, ai sqaron këndvështrimin e tij për futbollin shqiptar dhe plagët e tij.
Hafizi i përket atij grupi tejet të talentuar të sportistëve shqiptarë, që fati dhe koniunktura e kohës i privoi nga përballja në ndeshjet ndërkombëtare. Ai vetë luajti kundër “Austrisë së Vjenës”, dy ndeshje me “17 Nëntorin” e Tiranës i huazuar dhe me mbiemrin e ndryshuar- dhe kaq. Por, edhe me këto pak, Hafizi dhe kolegët e tij vendosën një gur miliar, që pak nga futbollistët shqiptarë e arrijnë dot, për sa i përket prestigjit.. Qoftë për profesionalizëm, por edhe për respektin ndaj fanellës dhe...mbi të gjitha kulturës së gjerë të shumanshme.
Për sportin duhet të quhet fat, që Familja e tij e hoqi nga muzika. Hafizi, me elegancën, sjelljen dhe dinjitetin, ka treguar se do ishte më shumë bir i sportit. Filloi shpejt karrierën e trajnerit duke e ngritur Vllazninë e tij në piedestalin kombëtar, ndërsa nuk do të harrohet për atë kontribut që i dha përfaqësueses shqiptare si trajner i saj. E drejtoi përfaqësuesen në periudhën kur shteti ishte tretur, falë pasionit dhe punës së tij sistematike. Fitorja e tij me Turqinë, Irlandën dhe ndeshja e paharrueshme me Gjermaninë do të mbeten gjatë tek tifozeria shqiptare. Pasardhësit e tij, paçka emrave të bujshëm, nuk është se e kanë shtyrë dot më tej -stekën e vendosur nga ai. Gjithsesi, këto cilësi, nuk i mjaftuan që të mbijetonte në bankinat e Vllaznisë dhe Tiranës. Pak muaj më parë, paradoksi ishte se nga Tirana e larguan, kur ekipin e nxori nga letargjia e frikshme. Kaq ishte. Hafizi e larguan dhe ai nuk u qa në medie apo gjithkund. Sepse tek ai vijon të mbetet shpresa e respektit të profesionit..dhe mbi të gjitha e ngritjes së sportit shqiptar..që i është dedikuar.

Ku i shikoni problemet e sotme të futbollit shqiptar?

“Të them të drejtën, problematikën e futbollit shqiptar e shikoj shumë planëshe. Ka disa probleme, që kërkojnë zgjidhje, por që nuk është e mjaftë që t’i përcaktosh thjesht ato me pak fjalë dhe disa pika: që ky është problemi dhe pastaj të zgjidhet. Më thjesht, pas ndryshimeve demokratike, e gjitha në futbollin tonë i është lënë në dorë fatit”.

Atëherë fillojmë nga pronësia. Ka problem që shumica e klubeve nuk kanë pronësi të përcaktuar?

“Kjo është kryesore. Që nga viti 1990 e më pas, me ardhjen e presidentëve-them se gjërat nuk kanë avancuar. President, do e them në thonjëza, sepse asnjëherë ata nuk kanë qenë presidentë të mirëfilltë. Një i tillë është ai që ka fuqi mbi klubin mbi shumë drejtime. E ka pronë, e ka blerë atë, e ka marrë me qira mbase dhe paguan rregullisht taksa. Asnjë nuk ka qenë i tillë. Problemet kanë qenë nga më të ndryshmet dhe asnjëherë të përcaktuara. Nuk mohoj se ka pasur disa përfitime nga ardhja e tyre. Por më së shumti ato kanë qenë thjesht për interesat e tyre. Me marrjen e plotë të një klubi, - ai do quhej realisht sponsori i klubit apo të tjera dhe do të priteshin lehtësime që mund t’i bënte bashkia, komuna, apo institucionet shtetërore. Por gjërat nuk kanë rrjedhur kështu”.

Si duhet të ndryshojnë në këto kushte?

“Unë mendoj se këtu gjërat janë marrë pak mbrapsht. Ato duhet të fillojnë nga e para dhe njëherë. E para është shkëputja e klubeve nga shteti. Ky është mendimi im personal, që e kam shprehur dhe në një vend tjetër. Duhet që të fillojë nga A-ja. Klubet duhet të dalin në ankand. Shteti nuk duhet të investojë më në to, sepse akoma paguan një inspektor apo një këshilltar në klub. Unë mendoj se ka ikur kjo kohë. Po ashtu, stadiumet që ekzistojnë në pronësi të bashkisë duhet të jepen me qira dhe koncesion...”.

Ku është interesi, me këtë nivel të dobët të sportit?

“Nuk e di se çfarë interesi ka për t’i mbajtur në këtë gjendje. Me sa duket, akoma nuk e kuptojnë këtë problem. Nuk e kanë shtjelluar si duhet. Mund të bëhet avancimi i klubit nëse do ketë ai pronësi. Nëse dikush do e marrë dhe do ta bëjë si duhet apo do paguajë për 20-30 vjet ose më shumë dhe nëse do e ketë pronësi...atëherë gjërat patjetër do ndryshojnë. Për të marrë një klub dhe për ta ngritur duhet që ai që vjen mund ta bëj një stadium dhe pastaj e bën atë pronë të vetën. Problemi shkon në një fazë tjetër...”.

Si e shikon shtetin dhe privatin në subvencionin e sportit?

“Nuk e kuptoj këtë që shteti ende paguan për sportin. E kam të pakuptueshme. E kuptoj që nuk është shumë, por edhe aq sa është s’e kuptoj. Jep investime apo investon për ushqim. Ka sportistë që ende ushqehen në klub. Se kuptoj! Ai që duhet të fillojë, duhet ta marrë klubin nga zeroja. Ai që duhet të vijë- duhet që ta vërë kandidaturën dhe ta fillojë nga zero. Të bëhet një asamble dhe të fillojë normalisht. Duke ardhur disa donatorë ose disa aksionerë si gjithë bota. Dhe ai që i ka më të mëdhatë është president...”.

E ka bërë Tirana disi...

“Edhe kjo e Tiranës nuk është e mirë. E zhvilluar në formën, që është e zgjedhur, ajo ka treguar se nuk është krejt e pavarur. Nga donatorët e saj gjërat janë të pazgjidhura. Dhe një nga ato është edhe stadiumi. Ajo varet nga Bashkia. Ata nuk kanë më leverdi të investojnë për Tiranën. Sepse këtu duhet të flitet për infrastrukturën dhe jo vetëm për Tiranën dhe për çdo klub. Të gjithë mendojnë se nesër largohen dhe del si harxhim i tepërt..., që nuk ia vlen”.

Të kthehemi tek tregu i lojtarëve. Ka që marrin shumë lekë, që është një paradoks me nivelin e futbollit tonë. Pse ndodh kjo?

“Është e vërtetë që është paradoks. Situata financiare është në majën e Olimpit, kurse niveli dhe infrastruktura janë zero. S’i mund t’u bëhet një pagesa e tillë këtyre lojtarëve, kur këta nuk kalojnë dot edhe një tur në Kupat e Evropës dhe ripozicionohen gjithmonë në fund. Ka një paradoks në konceptimin e klubit me këta drejtues që vijnë. Ata lidhjet e para i bëjnë me lojtarët. Pa e ditur sesa vlen edhe vetë ky lojtar në të vërtetë”.

Si funksionon lidhja president- trajner në ditët tona?

“As që nuk bëhet fjalë për një lidhje. Ka vetëm një lidhje, me çfarë kam kuptuar në këto vite, kur kam pas mundësi të futem në disa klube. Këtu ekziston vetëm lidhja, që është shumë e gabuar president-lojtar. Trajneri është zhdukur fare. Kjo lidhje herë prishet dhe herë rregullohet. Nuk ka mundësi që kjo lidhje të funksionojë në këtë formë. Për ndërtimin e një skuadre, kudo në fillim, zgjidhet trajneri dhe pastaj lojtarët. Tek ne, marrëdhëniet që ka presidenti- i ka vetëm me lojtarët. Shkon aty deri sa për çdo gjë gjykohet duke folur me një iks ose ipsilon lojtar: që ia vlen ky që do marrim apo jo? Shkoi mirë stërvitja sot apo jo? Është një paradoks i jashtëzakonshëm”.

Pse duket sikur pak e respektojnë fanellën lojtarët e sotëm...

“Të jemi të bindur se lojtari ka interesin e vet. Lojtari është si plastelinë që merr forma si ia jep. Ka lojtarë të rinj që marrin forma të ndryshme dhe nuk kanë fare interes që të mendojnë për klubin. Ata mendojnë thjesht për anën e tyre financiare. Ai është i lidhur thjesht me anën financiare dhe nuk ma merr mendja që klubi të ecë përpara”.

Dikur ka qenë një mrekulli që të shikoje Panon, Hafizin, Zhegën, Dibrën, Përnaskën, Zërin...Sot, nuk ka shumë emra...

“Unë mendoj se sot është prishur raporti i futbollit krahasuar më përpara. Më parë ishte një futboll i luajtur me aftësi, nga të dhënat e lojtarëve, prej talentit të tyre. Ndërsa sot është futur interesi i biznesit, ai financiar, që e bën sportin aspak cilësor. Dhe, ndaj sot kemi pasur pak lojtarë cilësorë. Duke ardhur interesi te biznesi, lojtarit i intereson më shumë të marrë pagesën e tij dhe nuk do t’ia dijë fare sesi do shkojë kjo skuadër. Janë prishur disa raporte. Duhet një ndërtim tjetër i klubit”.

Është keqardhje mënyra sesi trajtohen trajnerët në Shqipëri?

“Unë mendoj se është fatkeqësi. E kam peng se është një profesion që e kam zgjedhur vetë dhe kërkoj të bëhet puna si duhet. Duam respekt kur e bën punën. Në rastin tim, mund të kem gabimet e mia, por kërkoj të punoj dhe nuk më lënë të punoj”.

A është e justifikueshme prania e trajnerit të huaj në Shqipëri?

“Ky është një luks, por i varur nga shumë gjëra. Janë disa kritere që duhen për të drejtuar ekipin përfaqësues dhe në varësi dhe të atyre që bën Federata. Ma merr mëndja mua që është bërë një shmangie për këtë zhvillim që bën vendi ynë. Duhet ta pranojmë, duam apo nuk duam ne: që jeta këtu është e lidhur me shumë ndërhyrje dhe interesa. Marrja e një trajneri të huaj i shmang këto, sepse atij nuk i ndërhyn dot ashtu si i ndërhyhet një trajneri vendas. Këtë duhet të kenë pasur në kokë drejtuesit e FSHF-së. Një trajner i huaj punon më komod dhe i qetë në krahasim me një vendas, që i duhet të përballet me jetën e vështirë dhe me zgjidhjen e problemeve për punën pa ndërhyrje”.

Ekipe që s’kalojnë as turet inferiore. Pse ndodh kjo sipas jush?

“Infrastruktura është e para që lë për të dëshiruar. Pa infrastrukturë nuk ecet. Pa ekipe zinxhirë të moshave dhe mentalitet tjetër. Më vjen keq, kur mendoj se ka prindër, që mendojnë se duke financuar për fëmijët mund t’i bëjnë sportistë. Nëse ka një bazë financiare atëherë zgjidhet në këtë mënyrë. Harrojnë se futbolli nuk zgjidhet vetëm ashtu, por ka nevojë për talent. Nuk bëhesh lojtar i mirë vetëm me lek”.

Keni qenë në momentin më të vështirë në drejtimin e Shqipërisë. Pse nuk respektohet më bluza e ekipit si më parë?

“Futbollistët tanë nuk e kanë më atë interes apo ta ndjejnë si detyrë që po luan për një flamur ose një klub. E lidhin gjithçka me interesin dhe që të përfitohet sa më shumë nga këto gjullurditë. Po s’ndryshoi Ligji për Sportin që çdo gjë të fillojë nga A nuk ndryshon gjë. Ajo që më dhemb është se çdo qeveri, e cila vjen, pak merret me sportin dhe kur ndodh bëhet vetëm kur është ndonjë eveniment i rëndësishëm”.

Ka shumë troje dhe mjedise që po ikin nga sporti...

“Kjo tregon që s’merren me sportin. Personalisht jam që të kthehet trualli dhe çdo gjë pronarit që e ka. Jam i bindur dhe nuk dua në tokën time që të livadhisin të tjerët. Por duhet një zgjidhje me atë që ka. Ato kanë qenë pronë e dikujt tjetër. Normalisht po të gjendet një rrugëzgjidhje mes pronarit dhe klubeve mund të bëhen shumë gjëra. Shikoj se shteti nuk interesohet se ku mund të bëhet më shumë”.

Si kanë qenë ikjet e Hafizit nga ekipet?

“Shumë siklet kam pasur. Formimi i presidentëve lë për të dëshiruar. Jo për të gjithë, kuptohet. Ka nga ata, që mendojnë ndryshe por veprojnë ndryshe se nuk i lejon ambienti ku jetojnë. I shikoj këto dhe më vjen keq. Jam në këtë pikë, që mendoj se për çdo gjë vendos leku”.

I paangazhuar. Është pak shqetësuese?

“Edhe mua nuk më vjen mirë duke marrë parasysh atë që mund të jap. Por, në këtë formë, e shikoj se sërish do dal out. Është një problem. Mua nuk më tremb largimi nga skuadra. Ajo është pjesë e punës së trajnerit. Më dhemb puna si bëhet dhe shumë gjëra të tjera, që lidhen me të. Nuk më duket e arsyeshme edhe zgjidhja financiare. I shikojmë kolegët si largohen jashtë, por zgjidhjet financiare janë shumë të rregullta. Mendoj që e ardhmja e futbollit në këtë formë...është e trishtueshme”.

Pse nuk përfaqësoheni dhe ju me menaxherë?

“Sot menaxherët kryesorë janë për lojtarët. Nuk ka për trajnerët. Punën e tyre e bëjnë vetë drejtuesit e klubit. Për ta nuk ka shumë nevojë. Harrojnë se skuadrën e drejton trajneri. Por mentaliteti i drejtuesve do të thotë se janë ata që e drejtojnë skuadrën, kështu që ne automatikisht kemi dalë jashtë”.

Si kalohet turpi i eliminimit, pa pasoja në vend...

“Shiko! Këtu janë disa gjëra që i kemi diskutuar dhe e bëjmë gjithmonë. Pas 1997-98-99 ka hyrë një formë tjetër ose një frymë e re nga këta që përmendëm më parë. Thuhet se: ne nuk kemi mundësi më shumë; Ne nuk kemi forcë për më tej. Pastaj fillojnë tolerimet. Nuk akuzohet njeri kot. Është bërë zakonisht një ndeshje jo shumë serioze dhe ti e shikon vetë. Por edhe e di se gjërat dalin nga goja e lojtarit. Dhe ti e shikon vetë me sy. Harrojnë se fjalët dalin nga dikush dhe dalin nga ata që janë protagonistë. Kjo duket se po bëhet nga të gjithë tash. Ne nivelin e kemi të dobët shtuar me këto.... Dhe kështu kalon...”.

Me çfarë merret sot z.Hafizi?

“Kam gjetur një mundësi si komentues i kampionateve të huaja. Jo tonat. Nuk i shikoj serioze kampionatet tona. Këto kam...Dhe, në vjeshtë mendoj që të kaloj në anën pedagogjike...Nëse...”.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora