E shtune, 20.04.2024, 03:13 PM (GMT+1)

Kulturë

Tahir Bezhani: Vepër me vlera të larta njerëzore

E hene, 25.07.2016, 07:51 PM


“KONFLIKTI ME VETVETEN”- VEPËR BASHKËKOHORE ME VLERA TË LARTA NJERËZORE

(Sejdi BERISHA: ”Konflikti me vetveten”-ese & shkrime të tjera), botoi Club Kultura - 2016, Pejë)

Nga Tahir Bezhani

Sejdi BERISHA, autor me një bagazh të pasur krijimtarie, në të gjitha zhanret e letrare, ndër krijuesit më cilësor të vendit, në pjesën e parë të këtij viti, saktësisht, para dy muajsh, lexuesve ua dhuroi edhe dy vepra letrare, të cilat, padyshim janë një pasuri e veçantë për opinionin e gjerë dhe për letërsinë tonë. Vepra ”Gërshetimi krijues dhe urat letrare”, ku spikatë bukur me analizë të thukët letrare disa autorë nga Malësia e Gjakovës e jo vetëm; ndërsa, me veprën tjetër, ”Konflikti me vetveten”, libër me ese e shkrime të tjera, në të cilën, autori derdhë gjithë shkathtësinë intelektuale për të prezantuar ngjarje jete në një kohë përjetimesh të rënda e plot vuajtje, sakrifica, hidhërime, përplasje, që lanë gjurmë në historinë tonë.

“Konflikti me vetveten”, një libër i rrallë në letërsinë tonë, posaçërisht në eseistikë, fillim e mbarim trajton tema të një jete me peshën rëndë të kohës, një jetë reale përjetuar në mënyra e forma të ndryshme nga secili njeri i kësaj toke dhe më gjerë.

Në parathënien e këtij libri, autori, me një qasje kritike ndaj shoqërisë dhe kohës, nxjerr në shesh shkaqet e një “obstruksioni“ intelektual, në kuptimin e prodhimit të vlerave krijuese intelektuale në një shoqëri të re e me perspektivë, duke shtruar si pyetje ”si do të jetë dhe si do të pasojë vegjetimi i vlerave të mendjes, apo, ato edhe më tej do të marrin teposhtën...”! Një krahasim logjik i kohës kur ajo shtron kërkesa të reja në vazhdim.

Duke u thelluar mes rreshtave të librit eseistik ”Konflikti me vetveten”, të autorit me zë, Sejdi  Berisha, të bëhet se ke kaluar në një botë tjetër të përjetimeve interesante, në një botë që dhuron imagjinata përmes mendimit të thellë të këtij krijuesi mendjendritur.

Andaj, në secilin shkrim të autorit, është e pamundur që lexuesi të mos gjejë veten e tij...

Treni i Pejës, një ndër rrëfimet më të prekshme të kësaj vepre

Nuk mund pa e theksuar se shkrimi, “Treni i Pejës” është ndër rrëfimet më të bukura të këtij libri, ku autori ka shkrirë gjithë shpirtin e vet në përshkrimin e ngjarjeve të hidhura për trenin e Pejës, i cili ia rikthen kujtesën larg, që nga koha kur ishte student, pastaj udhëtimin si mësues i ri nëpër fshatra të Drenicës e kudo Kosovës, përjetimet deri në intimitet të një kohe ku la “vetëm kujtim mendjeje dhe peshë  shpirti”, e që përfundon me përcjelljen e vajzës si nuse në kohën e llahtarisë së luftës në Kosovë, kur nuk i dihej orës as minutës. Prandaj, udhëtimi me “Trenin e Pejës”, gjithsesi, jo vetëm te autori, por edhe tek lexuesit, prekë thellësinë e ndjenjave shpirtërore të një kohe me përjetime të veçanta, e  cila la vragë të pashlyera...

Në kujtesën e autorit, sillen vërdallë shumë gjëra, në mes të cilave momenti kur udhëton me babin(dikur) për të gjetur varrin e gjyshes në një  fshat të Pejës, dhe martesa e vajzës, mu në flakën luftës, kur bijve e bijave tona u vështirësohej edhe martesa me të dashurit e tyre, e lëre më për të menduar në ceremoni dasmash, që ishin me shumë se sakrifica por edhe refleksion i qëndresës dhe i mosdorëzimit. Duke ndier në thellësi shpirti dhimbjen për vajzën e vet, autori në esenë, ”Treni i Pejës”, cek: ”Treni i Pejës më ngacmon gëzimin, dhembjen, mallin që më shoqëron. Po më kujtohet udhëtimi i vajzës sime, që në këtë mënyrë duhej të bëhej nuse, pa dasmë....”! Ky rrëfim shumë shpirtërorë dhe përjetues, i ngjanë një romani, të cilin sapo e ke mbaruar, duhet hapur se dyti, së treti, çdo ditë duhet lexuar... Kjo ngjarje ishte pjesë e çdo familje kosovare në ato rrethana lufte. Asgjë nuk dihej se çfarë mund të ndodhë mes një ore. Çdo minutë të ndrydhte, çdo sekondë kërkonte zgjidhje...

Bashkëpunimi letrar, vlerat dhe bashkimi i tyre...

Se ky libër është një pasuri dhe shëndet i mendjes intelektuale, dëshmojnë shkrimet në brendësinë e tij, ku jeta e re pas luftës,begatohet, zgjerohet në shumë fusha, por në lëmin e bashkëpunimit, gjithsesi e më së shumti. Këtë aspekt, autori e dëshmon përmes shkrimeve të tija për krijuesit e Tropojës, me të cilët, e gjithë Malësia e Gjakovës, pas lufte, vunë kontakte bashkëpunimi, plotësuan boshllëkun gjysmëshekullor mes tyre, begatuan vlerat letrare e bashkëpunimin kulturo-letrar në përgjithësi, deri në shkallë vendi. Autori i librit, ”Konflikt me vetveten”, z. Sejdi Berisha, asnjë detal të jetës letrare me Tropojën nuk e lë anash kujtesës, duke vlerësuar lartë secilin, për çdo gjë të bukur e me peshë artistike, ku vlerat ngritin kulturën tonë të përbashkët. Nga ky aspekt, në 30- vjetorin e krijimtarisë letrare, spikat autorin e mikun krijues nga Bajram Curri, zotëri Lulzim Logun, ideatorin e shumë sukseseve të përbashkëta të krijimtarisë letrare. Për këtë, autori pos tjerash shkruan: ”Lulzim Logu i rri karshi jetës aq dinjitetshëm, sa që vargu i tij shndërrohet në ligjëratë historie, bëhet orë mësimi dhe edukatë, që s’të lëshon dot nga detyrimi njerëzor....”! Po në këtë vazhdë miradije, cek edhe autorë të tjerë tropojanë, si Gjon Neçajn, Asllan Osmanin, Haki Zllamin etj. Duke cekur e vlerësuar, duke çmuar këto vlera të përbashkëta, krijuesit formojnë rrugëtimin e tyre intelektual, i cili rrugëtim i ngjanë rrugës së kombit që ka bashkuar ose ka shkurtuar rrugën e bashkimit kombëtar....

Ramë e Qazim Bllaca, pjesë e historisë që nuk harrohen kurrë

I vëmendshëm dhe shumë i ndërgjegjshëm, si njeri e intelektual, si personalitet i dëshmuar i letrave shqipe, z. Sejdi Berisha, nuk tejkalon aspektet historike, meritat e atyre që na sollën këtë liri me shumë sakrifica, edhe jetësore. Historia jonë dhe përpjekjet për liri e mëvetësi, nuk janë të sotme, ato datojnë me shekuj.

Në këtë aspekt, pos meritave të djemve të sakrificës (UÇK-së), pa tjetër se Sejdi Berisha, edhe pse me do vite mbi supe, merr udhë deri te figurat e mëdha kombëtare, për t’ua ledhatuar fytyrat në bronz, për t’ua kujtuar dhe respektuar veprën dhe sakrificën, për t’ua bërë shkrimin mirënjohës e domethënës, që së paku, poetët, letrarët, as populli nuk i harron kurrë.

Një vizitë, vitin e kaluar te varri i  Ramë e Qazim Bllacës, në Bllacë të Therandës, ishte mjaft indikative, reflektuese, ku atëbotë shkrimin e pat publikuar në shumë media elektronike dhe të shtypit kudo, shkrim i cili ndez ndërgjegjen njerëzore se figurat e historisë nuk duhet harruar, ngase rëndësia e tyre historike, ishte sa krenare, po aq e paharrueshme për lirinë tonë qindravjeçare. Autori shkrimtari dhe publicisti, Sejdi  Berisha, pos tjerash, gjen të shkruar në pllakën përkujtimore të Ramë Bllacës këto fjalë: ”...Për nga përmasat dhe rrezatimi në histori, për gjysmën e parë të shekullit që lamë  pas, kryet e vendit e zë, sot e mot, Ramë Bllaca. Është kryefjala e historisë së Bllacës. Është krye këngë në këngët që jetojnë....”!

Këto të dhëna dhe fjalët e mëtejme në librin,”Konflikti  me vetveten”, figurat e tilla të historisë sonë i ngjesh me të dhënat e pamohueshme të trimërisë, burrërisë, atdhedashurisë, njerëzores e shumë virtyteve të tjera, që përherë e kanë skalitur figurën e denjë të shqiptarit me tradita të veçanta. Për personalitete të tilla të historisë sonë, autori Berisha, duke ndier mos kënaqësinë për harresën nga autoritet e kohës, shprehet: ”...ngjarjet që kanë ndrydhur mendjen dhe shpirtin, deri tek ato që kanë palosur ngjarje edhe të pathëna, apo edhe të mbyllura nëpër të çarat e mureve....”!

Harresa e personaliteteve të historisë sonë, përherë të rri varë, dhe rëndon shumë ndërgjegjen njerëzore, ku historia gjen shkas dhe të hakmerret rëndë...

Sejdi Berisha, njeri ndër krijuesit më të spikatur në gjithë hapësirat shqiptare, me prozën dhe poezinë, e zhanre të tjera të krijimtarisë letrare, ka depërtuar thellë në kujtesën e lexuesve si një personalitet që lexohet me ëndje e me shumë respekt. Këtë figurë madhore, pos krijimtarisë së tij letrare, e veçojnë edhe shumë gjëra të tjera, të cilat e bëjnë madhorë, jo vetëm në rrethin ku jeton, por në gjitha trojet shqiptare. Kudo që gjendet, në Tiranë, Lezhë, Shëngjin, Kukës, Tropojë, Gjirokastër etj., me vete bartë bagazh librash për dhurata, pos miqve, edhe bibliotekave të qyteteve që viziton. Më së miri flasin mirënjohjet e dhëna në shumë vende e mjedise.

Libri eseistik ”Konflikti me vetveten”, është një libër që të obligon ta lexosh, sepse, përbrenda kësaj vepre, lexohet një copë jetë e ngjeshur me ngjarje të dhimbshme, prekëse, përjetime, sakrifica, për një jetë ndryshe, me dinjitet e liri demokratike të mirëfilltë. Sejdi Berisha dhe shpirti i tij njerëzorë e krijues, është pjesë përbërëse e secilit njeri, në gëzime e hidhërime që sjellë jeta. Të gjitha këto i gjeni në këtë libër të shkruar me shumë përkushtim.



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora