Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Bedri Tahiri: Me mall e dashuri në përjetësi

| E diele, 24.07.2016, 12:36 PM |


Me mall e dashuri në përjetësi

(Ferat Selimi, Mall, Poezi, ArtClub “Rifat Kukaj”, Drenas, 2016)

Nga Bedri TAHIRI

Kohëve të fundit, mbase më shumë së kurrë, po dëshmohet se muza poetike e mërgatës sonë po bulbëron suksesshëm, saqë, veprat e saj paraqesin një spektër të rëndësishme, në mos më kryesoren, të gjithë letërsisë shqiptare. Kjo po shihet qartë, qoftë me organizime e aktivitete kulturore, qoftë me botime e publikime. Në këtë Panteon hyn edhe autori që sot na ka tubuar në këtë ngjarje të rëndësishme kulturore, poeti Ferat Selimi me përmbledhjen poetike “Mall”, botuar nga ArtClub “Rifat Kukaj”.

Libri, që në vetvete ngërthen  nëntëdhjetë e pesë margaritarë, është shkruar me një mall të pashuar prej atdhetari mërgimtar, i cili, kudo që vete, penën e tij e ngjyen në lëngun e jetës që gëlon në vendlindje, aty ku i sheh edhe ëndrrat, aty ku nuk ngopet me ajrin e pastër e virgjërinë e natyrës mëmë, e cila i jep fuqi si Anteut mitik, që kur prekte tokën bëhej i pavdekshëm. Për të luksi perëndimor është fare i pavlerë në krahasim me bregorët bleroshe të Kuçicës së tij, ku çdo gjë frymon ëmbël në gjuhën e nënës, në këtë gjuhë perëndie që edhe zogjtë e malit e cicërojnë mahnitshëm.

Krijimet poetike që dalin nga gjirmë i ngrohtë i zemrës së zhuritur për çdo gjë të etnisë sonë të stërlashtë, paraqesin një mozaik të shkëlqyer me ngjyrat e befta të ylberit dhe të qëndisura me një thjeshtësi madhështore, lënë mbresa të thella emocionale në shpirtin e lexuesit të vëmendshëm. Poeti, të gjitha këto latime mjeshtërore, i ka konceptuar në katër cikle tematike e motivore, që për nga struktura nuk paraqesin model simetrik, por një larushi sasiore e përmbajtjesore. Cikli i parë, Dashuria, përmban pjesën dërmuese të poezive, 50 sosh, ndërkaq tri ciklet e tjera: Mall për vendlindjen (17 copë), Kushtime për njerëzit e dashur (15) dhe Heroizmi që s’vdes kurrë (13).

Që nga librat e shenjtë mësojmë se, ndjenja që e ka përcjellë njeriun këmba-këmbës, padyshim mbetet Dashuria, ndjenë që e mban gjallë edhe gjithë globin. Lasgushi ynë i madh e i papërsëritshëm thoshte se po të mos dashuroheshin yjtë në njëri-tjetrin do të binin në tokë. Të gjitha këto teori e koncepte metaforike i ka kuptuar edhe autori ynë, Ferat Selimi, i cili gjysmën e librit ia kushton pikërisht dashurisë. Për të dashuria është vetë jeta dhe tek vjersha “Aromë dashurie” ai shprehet:

Mbështetma kokën tek supi,

Të ndjejë aromë dashurie...

Ndryshe hap portat e Ferrit,

Të hidhem,

Të mbytem,

Të bie...

Madje, poetit të pasionuar nga magjia misterioze e dashurisë, një jetë nuk i mjafton  e dy i duken pak, dhe përfundon:

Jeta s’ka vite, ka veç dashuri,

Marr frymë e jetoj, s’jetoj dot pa ty...

I rritur në odat drenicase, nën tingujt e bukur të çiftelisë, poeti, herë-herë zbret dhe pi ujë në gurrën e pashtershme popullore, duke na dhuruar vargje të mrekullueshme, me rimë e ritëm të kapshëm të melosit folklorik. Nga ky profil po veçojmë “Drenicas mua m’ke gjete”, ku del në pah çiltërsia e vashës që ka ndarë mendje ta lidh fatin me një djalosh nga Drenica,  e ku autori merr guximin dhe e zbulon edhe identitetin e saj:

-Më vjen keq djalë, je vonu’,

Drenicasit i kam premtu’...

I kam rrënjët nga Kuçica,

Dua djalin nga Drenica.

Kurbeti, si plagë e rëndë shoqërore, çuditërisht, edhe etninë tonë e ka përcjellë si hije makthi që nga lashtësia. Dhe, ky ogur ndjellakeq u bë frymëzim i pashtershëm i penave tona. Madje, në kohën e Rilindjes sonë Kombëtare, kulmoi me kryevepra. Derisa romantikët evropianë, me dëshirë lëshonin vendet e tyre, duke mos i marrë malli kurrë për to, romantikët shqiptarë detyroheshin t’i lëshonin vatrat e tyre dhe kudo që shkonin mendjen e zemrën i kishin atje ku u kishte rënë koka e ku balta është më e ëmbël se mjalta.

Në këtë vazhdë  ecën edhe mërgata jonë, pa të cilën, më me vështirësi do të vinte dita e bardhë, Liria. Kështu, edhe 17 lirikat e ciklit të dytë Mall për vendlindje, të librit te Ferat Selimit, janë ngjizur e brumosur me mallin e pashuar për vendlindjen. Në to dominojnë malli e nostalgjia për nënën, për fëmijërinë, për trimërinë e burrave të vendit, për mizoritë e katilëve mbi popullatën e pafajshme, për gjakimin drejt bashkimit kombëtar, për Kuçicën e tij të dashur, për bukuritë e vendit më të bukur në botë, për Dardaninë e lashtë që është e mbarsur veç me dashuri...Dhe, gjithherë, pa e harruar angështinë e hidhur pelin  të të qenit mërgimtarë, sepse:

Mërgimi pa shpirt, na ndau për së gjalli...

Një ditë do vdesim, s’do na gjendet as varri...

Mjaft të fuqishme dhe të frymëzuara dalin edhe Përkushtimet tek cikli i tretë. Në to, defilojnë profile e portretizime që na shpijnë nëpër labirintet e jetës hileqare, përplot rënie e ngritje. Këtu, më mirë se gjetkë, zbulohen ëndrrat e poetit, që shpesh bien ndesh me realitetin. Përkushtimet, që të shumtën përafrohen me hartimet elegjiake, thuren për më të dashurit, për fëmijët, për prindërit, për motrën që iku në amshim, për vëllanë  që më nuk është në jetë, për Bledarin e Diarin, për mësuesin e dashur që ia mësoi abecenë, për minatorin, heroin e nëntokës sonë, për burrat trima që i dhanë jetë lirisë...për ta përmbyllur me vendlindjen e tij, Kuçicën, që tashmë është e lirë dhe autori mund të vdes i qetë:

Bijë e bir dhe ti vëlla,

Po iu le një amanet:

Tashti që kemi lirinë,

Mos lotoni, vdes i qetë...

Cikli i fundit përmban 13 poezi me motive atdhetare, në të cilat, fare natyrshëm shkrihet uni poetik me heronjtë lirikë, duke na dhënë lapidarë përjetësie për historinë tonë nëpër epoka e brezni luftëtarësh. Këtu, falë edhe rimës e ritmit melodik, sajohet një polifoni magjepsëse dhe thuren himne për Kosovën e për Dardaninë e lashtë, për Besëlidhjen arbërore e për 28 Nëntorin e historisë, për martirët e Kuçicës e për ata të Kumanovës, për Isa kreshnikun e për heroinën e ditëve tona, Antigonë Fazliun.

Në krijimin përmbyllës, “Për disa...”, përmes dyvargëshve të përzgjedhur e mjaft kuptimplotë, autori krijon ca sentenca, pse jo edhe në frymën popullore, që, siç thotë edhe vetë, vlejnë për disa, që, në momente e raste të caktuara, u mori koka erë e u harlisen si sojzinj, duke çuar ujë në mullirin e pushtuesit. Ai, sikur tërheq një paralele simbolike dhe përmes antitezës, me një lakonizëm perfekt, jep shumë vlerësime, si: Më mirë vdekur dhe me nder / Respektuar nga të tjerë..., Më mirë dash me këmborë / Se mbi kalë e tradhtor..., Shumë ranë për liri / Ca u shiten për flori...

Por, tekefundit, edhe për ta ka një mendim të qëlluar:

Lumi e deti, ju t’u marrë,

U dhatë për një grusht dollarë...

Dhe, fare në fund, mund të konkludojmë se, vargjet e librit “Mall”, vërtet janë shkruar me mall të pashuar dhe më një dashuri të veçantë, që vetes ia bëjnë një vend nderi në Panteonin e quajtur Letërsi, andaj, besoj se do të këtë rrethin e merituar të lexuesve. Gjuha e thjeshtë, e kapshme, e rrjedhshme, e pasuruar edhe me figura stilistike e me një rrjedhë logjike të mendimeve, me një vlerë mbi mesataren, autorit ia japin çelësin magjik për të hapur portat e mëdha të piramidës së muzës Kaliopë që ta shpie gjithandej mbi suferinat përmbushur me dashuri hyjnore.

Autorit i dëshirojmë suksese të reja në jetë e në krijimtari, ndërkaq librit jetëgjatësi në shtëpitë e në bibliotekat tona.

Faleminderit për vëmendje!

Skënderaj, 23 korrik 2016