E marte, 23.04.2024, 07:51 PM (GMT+1)

Mendime

Vangjush Saro: Qeveri teknike?! Kthim prapa…

E marte, 19.07.2016, 07:54 PM


Qeveri teknike?! Kthim prapa…

ose

Asgjë nuk zgjidhet me patetizëm

Nga Vangjush Saro

Askujt nuk ia merrte mendja se ngjarjet do të merrnin një udhë të tillë, pa krye. Ajo që po ndodh aktualisht në Shqipëri, është thjesht një zvarritje pa kuptim. Prapa. Në kohëra të errëta. Grishjet më të fundit për një qeveri teknike, janë pikërisht thirrje për t’u kthyer prapa, në përvoja, modele dhe ekipe të pasigurta dhe ku të gjitha palët ngjyejnë kafshatat si të mundin. Pamje groteske. Në këtë temë, edhe ndërkombëtarët duhet të pozojnë qartazi. Po. Është e panatyrshme dhe nuk sjell asgjë të re një manovër e tillë qesharake. Të kërkosh sot qeveri teknike, do të thotë vërtet të kthehesh prapa. Nuk ka arsye për një zgjidhje kaq ekstreme. Është një qeveri dhe një qeverisje si shumë të tjera më parë; ndoshta edhe më e mirë.

Vërtet, a ka shkaqe për një zgjidhje të tillë ekstreme? Mendojmë se jo. Sebepe, po. Ka shumë. Oligarkët e sotëm shqiptarë do të përfitonin nga çdo mjegullim i situatës politike, nga çdo drojë e qëndrim në vend sa i takon bërjes së reformave dhe qeverisjes. Është e vërtetë se gjatë kësaj kohe, nuk i pamë të realizuara mjaft nga premtimet e bëra. Është e vërtetë se ndonjëherë (pse jo shpesh herë) qeveria e ka tepruar (deri edhe me gjoba e burg) duke u ndeshur me të dobëtit e me të vegjëlit; dhe nuk ka luftuar sa duhet me “peshat e rënda”, me ata që tek e fundit mbajnë në dorë edhe arën edhe gurin; dhe janë gati t’i vënë zjarrin vendit, mjaft që të shpëtojnë pasuritë dhe mëkatet.

Gjithsesi, qeveria në provë ka edhe disa arritje, në ekonomi dhe në politikën e jashtme. Disa shifra të komentuara nga analistë të besueshëm, tregojnë se vendi ka qendrueshmëri dhe ndryshimet e vështira i kanë bërë mirë. Më në fund, kjo qeveri nuk ka shtypur e nuk vrarë askënd, edhe pse do t’i thoshim të zgjidhte më mirë mjetet me të cilat kërkon të vendosë rregull e shtet. Në fakt, edhe vetë përpëlitja e zgjatur për Reformën në Drejtësi, është mosarritje dhe mbetet një nga anët më të errëta të qeverisjes së sotme; sidomos tani që po i luan ndryshe gurët edhe aleati i saj kryesor, LSI-ja. Sa e kishte me vete këtë parti, Qeveria duhej të kishte shpejtuar ta miratonte reformën në fjalë. Opozita, që nuk merret vesh kush e bën e kush e kryeson dhe çfarë kërkon, po sillet me shumë përkëdheli. Të rrimë shtrembër dhe të flasim drejt. Ata që kanë humbur timonin e tenderave dhe të vjedhjeve, ata që zinin me dru edhe pastrueset e shkollave, ata që vranë popullin në atë 21 janar të përgjakur, për të cilin edhe qeverisësit e sotëm kanë përgjegjësi - sepse shpërfillën ndërkohë që nxisnin - nuk mund të ishin më mirë sesa me një qeveri teknike. Dihet se si sajohen, “punojnë” e katandisen këto lloj qeverish.

Po përpiqemi të gjejmë ndonjë argument për këtë paqendrueshmëri të politikës, për këto ravgime ndër përvoja të jetuara njëherë (në mos disa herë) me turp e me humbje. Në shkrime të tjera, kemi trajtuar me shqetësim problemin madhor të politikës dhe të jetës shqiptare në tërësi: patetizmin. Kjo do të thotë të vdesësh për bujë, të bërtasësh kot, të mburresh vend e pa vend, të mos shikosh asnjëherë prapa, çfarë ke kaluar, nëpër ç’vështirësi ke ardhur deri këtu, pse nuk duhet të të tërheqë mbrapsht e kaluara. Kjo do të thotë t’ua bësh dhallë mendjen ndjekësve të tu, (madje jo vetëm atyre,) duke i zmadhuar të metat e qeverisë, duke e bërë qimen tra, por duke harruar ndërkaq “traun” në qeverisjen tënde më se të keqe; për çka edhe u ndëshkove dukshëm. Me shifra, jo më me llafe.

Patetizmi është thjesht demagogji. Zhurmë e rëndë, terma të zgjedhura, pretendime absurde, fjalë të mëdha, rrahje gjoksi… mandej asgjë. Në vendnumëro. Ose kthim mbrapsht. Si në këto propozime të fundit; kurse vendi e populli presin një verdikt “perëndimor”. Këtu ishte fjala jo thjesht për aleatët (që gjithashtu këtë drejtim shenjojnë), por për një zgjidhje në përshtatje me rregullat e një shoqërie të përparuar e demokratike. Kjo do të thotë se kush ka marrë më shumë nga ç’i ka takuar, duhet ta kthejë. Me hir ose me pahir. Me gjyq a me burg. Zgjidhje tjetër nuk ka. Cili është apo cilët janë te përemri “Kush” dhe te folja “ka marrë”, Berishët, Meta, Rama, ndjekësit e tyre më të afërt, le të zbrazin xhepat. Kur nuk ka kush t’ua zbrazë, fiton patetizmi. Kjo ka ndodhur përherë me ne. Llafet dhe demagogjia kanë mbytur faktet dhe dëshirat e vërteta të një populli, që kohë pas kohe ngre supet dhe pyet: “Çfarë po ndodh?” Vërtet, çfarë po ndodh? Ç’ngatërroheni me qeverira teknike dhe zgjedhje të parakohshme, kur nuk ka arsye, as ndonjë presion nga populli. Ngrihu ti të ulem unë(!) Ulur ishe dhe e bëre baltë. Tani prit kohën, lufto për mandatin tjetër… Fjalët e tepërta janë fukarrallëk.



(Vota: 3 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora