Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kadri Kadiu: Batua, Xhemili dhe Hajrua

| E enjte, 14.07.2016, 05:56 PM |


BATUA, XHEMILI DHE HAJRUA

Nga Kadri Kadiu

Bato Muso nga Mançurishti dhe Xhemil Bylykbashi e Hajro Spaho nga Piluri, që të tre, burra të mirë e shokë të mirë kanë qenë, shakaxhinj e hokatarë me nam ishin në Devoll, por edhe kusur nuk i linin njeri-tjetrit pa i punuar.

Aty nga fillimi i  viteve shtatëdhjetë Batua punonte si shitës në Dyqanin Ushqimor të Progrit, Hajrua ishte Magazinier i Depos së Grumbullimit tek Shurri i Progrit kurse Xhemili, që shpesh e quanin edhe Ezmeri i Pilurit pasi ishte pak i zeshkët, punonte në Kooperativë por hobi i tij ishte tregëtia kështu që muajt e verës Xhemili merrej me tregëtim fruta-perimesh. E fillonte në qershor me qershitë dhe vazhdonte me kumbllat, me mollët e beharit, me bostan, me rrush e me dardha deri në vjeshtën e vonë. Me që i vinte dorjesh kjo punë dhe i siguronte më shumë lekë sesa puna në Kooperativë, Xhemili nuk shiste vetëm prodhimet e bahçes së vet por ua mblidhte dhe fshatarëve të tjerë në Pilur e në Vranisht dhe i shiste nëpër fshatrat e tjera të Devollit, sidomos në fshatrat e Rrëzës së Malit të Thatë që kishin më pak pemë frutore në atë kohë, duke filluar nga Gollobërda, Mançurishti, Progri, Rakicka, Treni, Zagradeci e me radhë. Sidomos në qershor Xhemili bënte goxha para me shitjen e qershive me që qershitë e Pilurit e të Vranishtit ishin me nam. Në Mançurisht vinte më shpesh Xhemili pasi jo vetëm e kishte afër por e kishte edhe më të suksesshëm pazarin e qershive. E shumta për dy orë Xhemili i shiste të dy koshat me qershi që i kish ngarkuar në gomarin e vet dhe nisej për tu kthyer për në Pilur. Mirëpo për fat të keq të Batos e për fatin e mirë të Xhemilit, Shtëpia e Batos kish rastisur në rrugë, tamam aty ku Xhemili dilte nga Mançurishti. Nga ana tjetër, si për dreq, koha kur mbaronte shitjen e qershive Xhemili rastiste vakt dreke dhe pjesa më e nxehtë e ditës, e po ashtu rastiste edhe tamam ajo kohë kur Batua e kish mbyllur Dyqanin dhe ndodhej në shtëpi për pushimin e drekës. Edhe Xhemili pikërisht në atë vakt ndjehej edhe pak i lodhur, edhe i etur për ujë por edhe i uritur, kështu që vetvetiu i ndalonin këmbët para portës së Batos dhe trokiste lehtë.

Hajde, i thoshte Myrsetja, e shoqja e Batos, bujrëm Xhemil, se këtu e ke edhe Baton.

Hynte Xhemili brenda, e lidhte gomarin në fund të oborrit dhe fillimisht drejtohej për tek pustafi, hapte rubinetin e çezmës, lante faqet, freskohej, pinte ujë dhe kërkonte një peshqir për tu fshirë. Pastaj e takonte Baton, përshëndetej me të dhe të dy drejtoheshin për në kuzhinë drejt tavolinës së ngrënies.

I shtronte Myrsetja lakrorin apo çfar kishte përgatitur për drekë, por shtonte edhe ca gjëra të tjera, si ndonjë copë djathë, nja 4-5 kokra vezë që i zjente aty për aty, ca qepka të njoma e ç'ti ndodhej, kurse Batua nxirrte shishen e rakisë, kështu që vazhdonte dreka për shtatë palë qejfe. Apo nuk kishin muhabet Xhemili me Baton, ata që të dy ishin kampionë për llaf në atë zonë. E kështu kjo punë përsëritej në çdo 3-4 ditë, sa herë që Xhemilit i takonte grafiku i shitjes së qershive në Mançurisht.

Tanimë edhe sikur të harronte Xhemili, nuk harronte gomari i Xhemilit, ai u mësua dhe ndalonte vetë para Portës së Batos. Dhe Myrsetja gjithnjë, siç janë gratë e sinqerta e bujare devollesha, e hapte portën, hynte Xhemili megjith gomarin me dy koshat bosh, e lidhte gomarin në oborr dhe vazhdonte ritualin, si në shtëpinë e tij, që nga pustafi tek çezma e deri ne vendi që "i takonte" në tavolinën e ngrënies.

Aty nga fundi i sezonit të qershive, një ditë kur po vinte në shtëpi për drekë, Batua pa se Xhemili ishte duke shitur qershi ne Sheshi i Fshatit dhe thërriste: "Hajde qershi të mira, qershi të mira e të lira".

Hyri Batua në shtëpi, i vuri llozin portës dhe i tha të shoqes: Dëgjo këtu; pas pak ka për të ardhur Xhemili, por ti futu brenda e s'ke për të dalë në oborr, do të merrem vetë me atë unë; arapi i mutit, u bënë kaq dreka që ka ngrënë këtu dhe nuk u kujtua një herë të linte një kile qershi. Pastaj shkoi Batua në ashef, mori një shishe bosh, e mbushi me ujë tek çezma dhe e vendosi në bufe ku mbante shishet e rakisë.

Nuk vonoi dhe trokiti porta. Sapo Batua hapi portën, gomari i Xhemilit i futi këmbët e para në oborr.

A ç'më zure ngushtë bre Xhemil sot, i tha Batua, le që gruan nuk e kam në shtëpi por edhe mua më duhet të shkoj urgjent në Dyqan pasi më lajmëruan që ka ardhur furnizimi.

E po mirë o ska gjë, tha Xhemili, nuk u mbarruan ditët, unë prapë do të vij në Mançurisht.

Mirë o mirë por mua po më vjen shumë keq, tha Batua, po e di çke ti?  Mos ma prish qejfin, unë do të të jap një shishe me raki që ta pish me qejf e të më urosh mua, zere sikur e pimë bashkë. Shkoi Batua në kuzhinë e  doli prej andej me shishen që e kishte mbështjellë me kujdes në një letër amballazhi të bardhë dhe ia dha Xhemilit me buzëqeshje duke e uruar: "Ta pish gëzuar"! U përqafuan e u ndanë për atë ditë Batua me Xhemilin.

Prapë nuk doli bosh Xhemili, kështu që iku me qejf për në Pilur. Në mbrëmje, si zakonisht, Xhemili doli ne Sheshi i Fshatit Pilur ku takoheshin burrat, bënin muhabet e tregonin qyfyret e ditës. Rastisi që atë ditë edhe Hajro Spaho kishte dalë për të bërë llogje me bashkëfshatarët, kështu që u takuan të dy, u llafosën e u çmallën. Kur e shkrehën muhabetin dhe u nisën për në shtëpi, Xhemili i thotë Hajros: Hajro; sot kam rënë në një raki të mirë, a po vjen nga shtëpia të heqim nga nja dy dopjo, ska gjë, me ato meze që na ndodhen.

Po mirë o , i tha Hajrua, nuk po ta prish qejfin.

U futën të dy në Shtëpinë e Xhemilit dhe Xhemili i tha të shoqes: Na nxirr tani ndonjë gjë nga ajo që ke bërë për darkë e na sajo e ndonjë mezeçkë, se do të pijmë nga nja dy kupka ne me Hajron.

Për pak dekika gruaja e Xhemilit e shtroi tavolinën me ato gjëra që kërkonte rakia, kurse Xhemili e mori shishen e Batos nga bufeja dhe duke e çmbështjellë letrën e ambalazhit, i thoshte Hajros:  E po usta është ky Batua i Mançurishtit bre Hajro, jo vetëm që rakinë e ka të mirë qerratai, por shikoje sa me gusto e ka ambalazhuar shishen. Ndërkohë u ul në tavolinë dhe i mbushi dy gota të mira nga "rakia" e Batos.

E po gëzuar o Hajro, tha, të lumshin këmbët që më ardhe, shëndet të mirë paç ti por edhe miku ynë i përbashkët Batua!

I tokën gotat dhe i pinë me fund.

Pastaj, të habitur, po shikonin njeri-tjetrin për të kuptuar se kush nuk ishte në rregull me shqisat e të shijuarit.

Dëgjo o Xhemil, i tha Hajrua, me hak a pa hak unë nuk e di, por që ta paska futur ky Batua sot ty, kjo gjë nuk diskutohet. Të themi ishallah që shishen ta ketë mbushur me ujë çezme, se mos e ka mbushur tek Jazi i Mançurishtit e të na zerë barku tani.

Ne andej nga Devolli themi një llaf: "Po të duash që ta mbash sekret një ndodhi, fole atë në mulli ose në ndonjë depo grumbullimi". E po Hajrua magazinier në një depo ishte dhe ai nuk do ta mbante gojën kyçur kur i vinin njerëz; kështu që të nesërmen, brenda ditës, e mori vesh gjysma e Devollit këtë punën e rakisë së Batos. E Xhemili i shkretë, ngado që shkonte, edhe "mirëmëngjes" po t'iu thoshte njerëzve, ata e pyesnin: "Hë mo Xhemil si ishte ajo rakia e Batos"?

Por ka dhe një shprehje tjetër që thuhet kudo në Shqipëri: "Hak pa marrë e borxh pa larë nuk mbetet në këtë Dynja". Dhe Xhemili ishte goxha  inatçi kështu që iu betua Hajros e i tha se "atë që më bëri Batua me shishen me ujë dhe atë që më bëre ti që ma hape namin në tërë Devollin, unë nuk kam për t'i harruar dhe do ua shpërblej të dyve".

E po u bë një sebep dhe Xhemilit i erdhi shansi që të merrte hak: Fshatrat Vranisht dhe Pilur janë në të njëjtin territor, i ndan vetëm një vijë uji, kështu që Dyqanin Ushqimor në atë kohë e kishin të përbashkët. Në atë Dyqan shërbente Myzafer Hoxha i Vranishtit mirëpo ai kishte dy vjet që nuk kish bërë lejën e zakonshme dhe ia dhanë të dy pesëmbëdhjetë ditëshat njëherësh. Dy fshatrat, Vranisht e Pilur, nuk mund t'i linin pa dyqan ushqimor, kështu që në vend të Myzaferit dërguan Baton të shërbente.

Një mbrëmje vjen në Dyqan për të psonisur edhe Xhemili i Pilurit.

Xhemil, i tha Batua, po deshe më thuaj shpejt se çfar ke për të marrë pasi më duhet ta mbyll Dyqanin, po shkon ora  shtatë dhe fillon errësohet tani ndërsa unë kam për të bërë një copë rrugë deri në Mançurisht.

Dëgjo Bato, i tha Xhemili, sonte nuk do të shkosh në Mançurisht, do të vish tek Shtëpia ime për darkë; unë jam borxhli ndaj teje prandaj mos ma prish qejfin.

Në atë kohë zuri dhe një vesë shiu dhe Batos iu prish mendja, u kandis që të shkonte tek Xhemili për darkë.

U nisën, Xhemili para e Batua pas, dhe mbas 5-6 minutash u futën në shtëpi.

Të zonjat e shtëpisë, plakën dhe nusen, i gjetën në oborr.

Ju kam sjellë një mik të mirë sonte, Baton e Mançurishtit, iu tha atyre Xhemili.

Ua, tha plaka, po ne e njohim Baton, mirëse ka ardhur dhe i lumshin këmbët, po urdhëroni, futuni brenda ne Dhoma e Miqve.

U fut Xhemili, sëbashku me mikun Bato dhe u ulën të dy në një  divan.

Pas pak, Xhemili i thotë: Bato, do të më falësh se unë do të dal pak në oborr, t'iu pres ca dru atyre grave që të na i bëjnë darkën.

Doli Xhemili mirëpo nuk po kthehej në dhomë kështu që Batua u ngrit e doli në oborr për ta parë.

Hë Bato, i tha plaka, mos u mërzit të keqen nëna se ja tani vjen edhe djali nga puna.

Po pse, tha Batua, ku shkoi Xhemili?

Po Xhemili iku në Shtëpinë e tij, tha plaka.

Po pse, nuk është Shtëpia e Xhemilit kjo?

Jo të keqen nëna, ç'është ky llaf? Kjo është Shtëpia e Hajros dhe unë jam nëna e Hajros.

Ah maskarai ç'më paska bërë, tha Batua dhe u nis për të dalë, por në atë moment hapet porta dhe hyn Hajrua.

Në fillim Hajrua u habit kur e pa Baton, por pastaj, i gëzuar, i tha: Po shyqyr o Bato që u kujtove të vish e që ma gjete Shtëpinë.

Nuk ta gjeta vetë Shtëpinë o Hajro, tha Batua, më solli këtu ai matrapazi i Pilurit, ai arapi i zi, Xhemili.

Mirë, i tha Hajrua, futemi brenda tani dhe të llafosemi shtruar.

U futën të dy brenda dhe Batua vazhdonte sharjet për Xhemilin.

E mo se shaka ka bërë, i thoshte Hajrua, fundja edhe ti ia ke punuar ca herë atij. Ja unë do t'i dërgoj haber tani atij që të vijë për darkë dhe t'i sqarojmë e t'i sheshojmë gjërat këtu.

Po e thirre ti këtu atë, thoshte Batua, unë do ta rrah.

Po të jetë puna për ta rrahur o Bato, i thoshte Hajrua, më takon mua që ta rrah atë. Se ja, sonte ai vërtet të gënjeu ty, por dëmin ma bëri mua. Ja, ajo nëna ime sëbashku me nusen time po djegin e po pjekin tani aty në ashef që të na bëjnë darkën neve kurse ato zonjat e Shtëpisë së Xhemilit nuk po venë asnjë xhezve në zjarr.

Batua me Hajron vazhdonin të ziheshin se kujt i takonte për ta rrahur Xhemilin, kur Xhemili hyri në dhomë dhe iu drejtua Hajros: Hë mo Hajro, i tha, paske miq sonte ë?

E o maskara, i tha Batua, ti do dru, por ska kush të të japë.

Në këtë kohë hyri në dhomë nusja e Hajros dhe filloi të shtrojë mbi tavolinë pjatat me meze, me byrek, me ëmbëlsira e me fruta.

U ngrit edhe Hajrua, solli një shishe me raki dhe dy shishe me verë e tha: Zotërinj; mund të pini sipas dëshirës, daç raki, daç verë; ti Xhemil mos ki frikë se rakinë nuk e ka sjellë Batua.

U pajtuan, çfar të bënin, ditët që vinin do të sillnin numra e shakara të reja, se pa to ata nuk rronin dot.