Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Përparim Hysi: Kohë djalërie

| E merkure, 13.07.2016, 06:54 PM |


Kohë djalërie/ 1

(cikël me poezi)

Nga Përparim Hysi

 

1.Ah, kjo ditë me shi!

"...binte e binte shi"

Kadare

 

Ah, kjo ditë! Kjo ditë me shi!

Ky shi i rëndë që bie me shtëmba

Seç më kujton, mua, tani

Kur me mua qe ballë argjënda.

 

Në rrugë na zuri... vetëm të dy

Dhe shiu çurgonte-litar

Çadër nuk kishim as unë as ti

Shiu sikur do na hajë të gjallë.

 

Vetëm në rrugë (njeri?xhin-xhan)

-O burra të futemi tek bunkeri!

Shiu s'na u nda... si  tufan

Shpëtim mund të gjesh dhe tek "terri"

 

Terr është vërtet tek bunkeri

Kiameti të  bëhet: të dalë ku të dalë?

Por veç territ... u gjet mjaltë-sheqeri

U "thamë" me miken dhe shkuam në djall..

 

2. Kam pirë

 

Kam pirë raki "thatë" si një pijanik

Gjuha më është trashur, m'u bë kopaçe

Kam pirë, or miq, se jam ashik

Me miken jam  zënë "esnafçe"

 

I thashë, më tha... e sa rëndësi

Ku mbahem unë për fjalë

Ia putha asaj syrin e zi

Por më rrëshqiti si ngjalë.

 

Epo këtë hiç nuk e prisja

T'ma hedhë ajo çuditërisht

Ndaj si ujë më duket rakia

Gotat as i numëroj hiç.

 

Një "betejë" humba, por jo luftën

Të marrë unë gjak në vetull

E gjej unë vetëm  atë "çupën"

Dhe me të rashë si i vdekur.

 

3.Ç'është ai rebelim?

 

Ç'është ai rebelim, moj mike?

Si një kalë që nuk pranon frerin

Ah, ta dish! Ta dish, moj shpirte!

Unë për ty pranoj dhe  ferrin.

 

Se rebelimi zë e më shtie çikë

Si karshillëk për një betejë

Rebelimin dua ta bëj zap dhe pikë

Dhe nuk kam se ç'shtoj më tej.

 

Rebelimi  është si një harlisje

Të një bime që do dorën e kopshtarit

Ndaj dhe unë, moj rebelja mike,

"Ia vura mëgojzën kalit..."

 

4. Kur pres miken tek shelgjishtja

 

Kur pres miken tek shelgjishtja

Jam i tëri sy e veshë

Fshehur seç më vjen mikja

Ia shoh buzën që më qesh.

 

Erdh tinëzisht si firare

Nuk të lënë sytë e botës

Por mes nesh ka aq malle

Sa na luan çargu i kokës.

 

Erdhi... erdhi. Eh, çfarë çasti!

Të dy puthemi fshehurisht

Por më tej, do thoni:-Ç'vajti?

Po... u dogjëm dashurisht.

 

5. Dialog

 

I them asaj:- Të dua!

Më thotë:- Po bën shaka?!!!

Besomë,- i them,- ti mua

Ajo veç qesh ha-ha...

 

Ha-ha si lozonjare

(Më do... po dhe nuk më do)

Tani s'e pyes hiç fare

Ngulmoj:- Po a jo?

 

E pashë që uli kokën

Sikur tak u fal

Tani as pyes për botën

E puth miken me mall.

 

Ua bën... sikur habitet

Por buza vesh më vesh

Tani mua hiç s'më pritet

(S'duroj që t'më "përqesh")

 

Me dy duar e zë miken

Ca puthje si kapar

E  fashiti ajo "habitjen"

"Hesapi" tani i qëruar.

 

* Poezi  nga vëllimi në pritje "Kohë djalërie"

Tiranë, 12 korrik 2016