Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Baki Ymeri: Lotët e kohës dhe fjalët me take të larta

| E marte, 12.07.2016, 09:30 PM |


Lotët e kohës dhe fjalët me take të larta të elegancës

(Anastasia Cipi, Lotët e kohës, Amanda Edit, Bukuresht 2016)

Nga Baki Ymeri

Zonja Anastasia Cipi ka feminitet, rafinament dhe një stil të veçantë për të krijuar vlera poetike, pa u fshehur në shpinë të fjalëve. Themi stil të veçantë, edhe pse motivet janë identike me lirikën e mërgimtarëve tanë, por në esencë ajo vjen me një sensibilitet të rrallë, pa komplekse dhe pa paragjykime. Poetja ka një realizëm adekuat që i jep jetës shije për ekzistencë dhe dashuri. Një motiv plus ky për të shkruar edhe më tej. Autorja rrezaton mirësi edhe kur shkruan për dhimbjet e jetës dhe kërkon dritë.

Spiritualiteti i poetes nxjerr në pah peisazhe kozmike dhe erotike (“pakt me yjet”, “atje lart do të ndizeshim/ në atë vend mrekullie), “nektari i buzëve” etj.). Puthja është element primordial i lirikës së saj. Ide origjinale, imazhe muzash shqiptare dhe figura stilistike. Muza e saj e shpie në botën e ëndrrave të ëmbla. Bota e saj sentimentale duket si një tufë frymëzimesh “me epsh të levarashtë”. Ngjyra të ngrohta, të rafinuara dhe modele të thjeshta kanë fjalët e saj. Në spektrin e fjalëve të saj vezullon “zjarri” që nuk të djeg. Ato militojnë së bashku “Errësirën ta shkrijmë...” Me një fjalë, fjalët e saj janë në gjendje të nxjerrin në pah hijeshinë e siluetës. Fjalët e Anastasias defilojnë me take të larta të elegancës. Ato duken si do gurë të çmuar që reflektojnë shkëlqesi dhe imagjinatë.

Anastasia vjen para nesh me frymëzimin e fshehur në thellësi të shpirtit. Pasi komunikon me yjet, aajo demonstron në raste të jashtëzakonshme se ka aftësi hyjnore të forcës, të rezistencës, aftësi elektromagnetike dhe mahnitëse që vijnë nga fuqitë e panjohura të trurit për demaskimin e ligësisë. Shih poezitë “Si flutur” dhe “Kush ishe ti”, me vargje si: “Në atë ditë të kobshme,/ Të vrau dialli e zjarri im/ Pse e vrave ti shpirtin tim?” Autorja ka aftësi të shprehë tensione të një intenziteti të lartë sentimental apo ekzistencial përmes një lojë fjalësh të mirëqëlluara. Ligjërimi i saj poetik, aspak banal, luhatet mes dy linjave. E para ka të bëjë me lirikën klasike, tek-tuk me motive popullore (lidhur me bestytnitë etj.), dhe e dyta me lirikën moderne.

Anastasia Cipi vjen para nesh me enigmat e tingujve të fshehur në gurë. Ajo kërkon shpërthimin e ditës dhe dritën e dashurisë: “Nga errësira në dritë, në kërkim të vërtetës”. Autorja inkorporohet në gjirin e poetëve të diasporës që plason në peshoren e kohës jo vetëm pjesën e gëzimeve apo trishtimeve, përmes sitës së fjalëve që mbeten në kujtesë: “Me zjarrin që kam në gji/ Të ngroh, të të ngroh / Ty zambak fletë çelë të të shoh / Veç ngrohu, ti lule që ngrin” (Mos u dorëzo). Mos u dorëzo Anastasia, sepse në buzëqeshjen e fjalëve tua lulëzojnë bagremat. Aroma e dritës vrapon përtej kohës. Në portat e dashurisë të presin heruvimët. Me zambakët e dashuruar nga vesa e fushës.