E premte, 24.09.2021, 01:59 PM (GMT+1)

Kulturë

Beqir Cikaqi: Londra, qytet i mbresave të pafundme!

E diele, 10.07.2016, 11:24 AM


LONDRA, QYTET  I MBRESAVE TË PAFUNDME!

Nga Beqir M. Cikaqi

Për Londrën si një ndër kryeqytetet evropiane e botërore kam dëgjuar qysh në bankat e fillores. Me kalimin e viteve zgjeroheshin njohurit për atë si qytet, vendbanim, metropol, etj. Mandej, për nga zhvillimi i shoqërisë, kulturës, sportit, bujqësisë, industrisë, etj. Si dhe për ngjarjet  me rëndësi politike ndërkombëtare dhe historike edhe për kombin tonë sikur ishin në fillim dhe në përfundim të shekullit të kaluar... Andaj, Londrën edhe pse e urreja nganjëherë, megjithatë e ëndërroja që ta vizitojë, pa e ditur se një ditë do të më epet rasti! Kam rastisur që për arsye të ndryshme ti vizitojë disa kryeqytete të shteteve ballkanike, por edhe perëndimore evropiane,si: Lubjanën, Vjenën, Budapestin, Romën, Cyrihun, Berlinin, madje edhe Kopenhagën, Oslon e Stokholmin. Të gjitha këto kryeqytete i kam vizituar si: transit, për ndonjë protestë, për përcjelljen e ndonjë ndeshje futbolli, por edhe tentim leje qëndrimi a punësimi, etj. Londra është i vetmi kryeqytet që kam “shkelur” deri më tani në cilësinë e vizitorit të rëndomtë e kurioz, pa pasur ndonjë qëllim tjetër...

Londra është kryeqytet i Anglisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, me mbi 8 milion banor me 33 komuna. Emri rrjedh nga lumi Londinium, qysh në kohën kur e pushtuan romakët. Londra është qytet i njohur në organizimin më të mirë për artin, tregtinë, modën, shërbimet e mira, shkenca, turizmi transporti, etj. Njihet si kryeqyteti kulturor i botës. I edukimit e arsimit me 43 universitet për të studiuar. Tre herë organizoi  Lojërat Olimpike. Ka disa ekipe futbolli dhe me suksese angleze e evropiane. Konsiderohet si qyteti i biliarderave. Qytet i multi kulturave. Me ndërtime antike dhe moderne. Është vendi ku mund të hasësh një kombinim i mrekullueshëm mes të kaluarës dhe të tashmes. Ka disa simbole karakteristike, si: Parlamenti Britanik, Bigë Beni, Ura Lëvizëse(Tower Bridge), Syri i Londrës(London Eye ), Katedralja( St. Pauls’s), Pallati Mbretëror(Beckingham Palace), etj.

Vetëm para disa muajve mu krijuan mundësit për ta vizituar Londrën, qytetin e ëndrrave për gjithsecilin njeri; qytetin me rëndësi të veçanet historike; qytetin më të shtrenjtë për të jetuar e punuar; qytetin që ka gjithçka për të gjithë; qytetin e simboleve të veçanta, qytetin e pasanikëve të shumtë; etj. Mundësin e krijuar e shfrytëzova gjatë majit të vitit 2016.

Se po shkojë në Londër e bëra publike nga aeroporti Sant’Angelo i Trevisos(Itali) përmes një foto të postuar në facebook, kur më përcollën im shoqe dhe Liti, diku rreth orës 21.00. Deri sa isha duke pritur për tu vendosur në aeroplan, në fb. për rrugë të mbarë e të rehatshëm pranova shumë klikime e mesazhe urimi nga familjar e miq të ndryshëm, ane mban rruzullit tokësor. Sapo u vendosa në aeroplan sipas rregullave mu desh të ç’kyçem nga  telefoni, kështu që pas dy orë fluturimi aterova në aeroportin Stansted të Londrës. Edhe pse e kyça telefonin, nuk kisha rrjet interneti për të publikuar foton e radhës në takim me vëllain që kishte dal të më pres. Ani se ky aeroport konsiderohet si ma i vogli ndër aeroportet e Londrës, prapë se prapë kishte njerëz aq shumë sa u desh kohë e gjatë derisa bëra kontrollimin e pasaportës përmes aparaturës kompjuterike të vendosur në dalje. Me vëllain u takova falë komunikimit me telefon, se për ndryshe do të ishte vështirë në gjithë atë turmë njerëzish në atë orë të  e pas mesit të natës. U nisëm për në Kingston, pjesë e Londrës ku banon tash e 10 muaj vëllai së bashku me familjen. Rrugës për banesë binte shi vazhdimisht,... Ani se me gradë Gjeneral Brigade, vëllai është duke i ndjekur  studime shtesë në Kolegjin Mbretëror për Studime të Mbrojtjes( Royal College of Defence Stadies-RCDS). Këtu është me direktivë të Ministrisë së FSK-së.

Mesi i javës, janë ditët kur angazhimi si në studime i vëllait, ashtu edhe në shkollë ku janë duke i ndjekur mësimet dy fëmijët e tij, është shumë i ngjeshur, andaj dy ditët e para më shoqëroi vetëm kunata, duke e vizituar fillimisht  RICHMOND PARK-un në Kingston, që ishte një hapësirë bukur e madhe, pasur me bimë barishtore, shkurroje e drunore. Në të jetonin  një numër i konsiderueshëm i kafshëve e shpezëve. Ishte  një park shumë i frekuentuar, sidomos  gjatë fundjavës. Lumi i Kingstonit kishte një hapësirë bukur të gjerë, ku më së shumti dalloheshin patat e bardha, anijet duke lëvizur, shtëpitë karakteristike londineze fare pran bregut të lumit. Kingstoni kishte edhe qendrën karakteristike ku zhvillohej tregu i gjelbër. Aty është e skalitur edhe Mbretëresha. Mandej qendrën komerciale - Bentalls, objektin e Levi’s-it, Universiteti Kingstonit e shkolla profesionale, etj.

Në horizont, Londra kishte mundësi të vërehet më mirë nga Alexandra Palace(Pallati i Aleksandërit). Një ndërtesë e bukur e madhe ngritur në një kodër, me një gjelbërim e hapësirë për kohë të lirë, me parkim të mjaftueshme për makina(i vetmi falas në gjithë Londrën). Brenda pallatit ka disa lokale, salla e hapësira për argëtim e qëndrim. Në këtë objekt, ka një nga studiot e veta edhe BBC, e ngjitur me pallat është antena e lart e BBC, duke përhapur valët e veta nëpër gjithë botën. Në një nga lokalet e pallatit vendosëm të freskohem me pije freskuese, dhe pas një telefonate, për vetëm 10 minuta arriti një bashkëkombës i yni që quhej Nami Llapi. Nga mbiemri vetëkuptohet prejardhja e tij, i cili drejton me sukses një firmë ndërtimi prej vitesh në Londër. Gjatë luftës së fundit të Kosovës ishte pjesëmarrës në frontin e Koshares. Shoqëruesi insistoi me këmbëngulje të qëndrojmë edhe ma shumë se sa e planifikuam, ashtu edhe vepruam... Gjatë kthimit për në banesë, për disa çaste u ndalem te stadiumi i ARSENALI, tifozët e të cilit njihen si topxhinët, andaj në pjesën e përparme i kanë simbolikisht dy topa luftarak...

Në Kolegjin Mbretëror për Studime të Mbrojtjes( Royal College of Defence Stadies – RCDS ),që është diku në mes të Londrës, e vizitova ditën e parë të atij vikendi, kur s’kishte ligjërata. Megjithatë pata mundësi që të njihem më për së afërmi me lokalet e brendshme, si: amfiteatrin, dhomat e kohës së lirë, këndin e simboleve karakteristike të vendeve që kanë studentet e tyre në këtë vit dhe viteve tjera, bufen e Kolegjit, etj. Natyrisht, se nuk e lëshova rastin të bëjë disa foto...

Pallati Mbretërorë – Rezidenca e Mbretëreshës( Beckingham Palace ), nuk kanë distancë të largët nga Kolegji..., andaj përmes një parku arritëm shumë shpejt në hapësirën para Pallatit Mbretëror. Dhe, si me “porosi”, po atë ditë zhvillohej një ceremoni me parakalimin e muzikantëve, kalorësve, këmbësorëve, por edhe fluturime të avionëve ushtarakë, etj. Ishte një ceremoni në kuadër të shumë aktiviteteve që zhvilloheshin në prag të festës për kremtimin e Ditëlindjes së Mbretëreshës  - Elizabeta II-të.

Kur je në Londër, të gjitha drejtimet dhe opsionet i ke të mundshme për të lëvizur e kapur me sy dhe aparatin fotografik shumëçka. Për mua që e konsideroja si tejet interesante, ishte lëvizja e makinave, edhe timoni i makinave në anën e djathtë, edhe pse e dija  një gjë të tillë edhe ma parë. Mandej, llogaritja e orës(për 60 minuta diferencë), monedha britanike, autobusët dykatësh urban me ngjyrë të kuqe, kabinat publike të telefonit...

Duke i bluar në mendjen time këto edhe të tjera, ecja rrugëve të Londrës në drejtim të Bigë Benit, u ndalua lëvizja për pak  çaste para portës së Kryeministrisë angleze, me sa u kuptua ishte duke lëvizur ( hyrje a dalje)me një pjesë të eskortës kryeministri David Cameron. Nga objekti i kryeministrisë nuk ishte larg Parlamenti Britanik dhe Bigë Beni, të njohur në gjithë botën. Janë të dyja fare afër njëra tjetrës. Përballë tyre ishte një hapësirë e gjelbëruar dhe busti i politikanit të njohur britanik, Vinston Çurçil. Nga ky pozicioni i këndvështrimit, nuk munguan fotot  dhe debatet në mes personave që shoqëroheshim... Kuptova se në bufen e këtij parlamenti punon një shqiptar i Kosovës nga rrethi Podujevës. Meqenëse ishte ditë pushimi për administratën, nuk mundemi ta vizitojmë brendësinë e këtij objekti, përmes telefonit u kuptuam me podujevasin që ditën e parë të  javës tjetër, kjo është e mundshme. Vizita brenda Parlamentit Britanik kësaj radhe dështoi, jo me fajin e shqiptarit që punon aty, por në mungesë kohës time...Në ndërkohë në ato çaste duke iu përgjigjur telefonatës së mikut Tonin Nikolli nga Verona, që interesohej për pjesëmarrjen time në “Grilaten Poetike”, më kishin kapur në “pat” pozicion me dy telefona në Londër...!

Iu afrova lumit Thames të Londrës, matanë vërehej qartë edhe mrekullia tjetër e quajtur Syri i Londrës(London Eye). Nga pamja e diametrit dhe lartësisë prej 135 metrash, epte një pamje të mrekullueshme. Nuk u vendosa në të, por thonë se lëvizë afërsisht sa dy herë një breshkë, ku për 30 minuta kthehet në pozicionin fillestar...Për tu kthyer te makina, u shfrytëzua treni duke përjetuar një pjesë nëntokësore të metrosë londineze.

Të gjitha këto janë vetëm disa nga shumë mrekullitë e Londrës. Por, për mua (dhe jo vetëm për mua) vendi ku qëndrova gjatë atyre ditëve të majit, kishte një vendim historikë jo të mirë për shqiptarët. Ishte vendimi i Konferencës së Ambasadorëve në Londër më 1913... E kërkova dhe e gjeta se ku është. Iu solla rreth me urrejtje pallatit St. James’s Palace, po brenda nuk hyra dhe  as që isha i interesuar të hyjë, ndonëse edhe ashtu ishte e mbyllur për vizitor. Miku  Ndue Llazri nga Italia, më sugjeroi të ia heqë 3-4 tulla në shenjë proteste, pas një fotoje të publikuar në facebook, po nuk e realizova “amanetin” e tij...

Londra kishte edhe lagje të tëra me të huaj, andaj një pasdite të hershme isha për ta vizituar një nga lagjet që është e frekuentuar më së shumti me të huaj. Më ra në sy lokalet turke ku dalloheshin nga mbishkrimet. Njëkohësisht, sipas propozimit të Blerim, në atë lagje vendosëm të drekojmë në një restorant. Përndryshe, Blerimi është nga rrethi i Therandës, i cili ka vite që është në migracion. Si student ka veshur uniformen e UÇK-së. Është plagosur në luftë dhe për shërim i është dashur të shkojë në Gjermani. Derisa u ishte shëruar, lufta ka përfunduar dhe dallgët e jetës e sollën në Angli. Kishte disa vite që drejton një firmë ndërtimi së bashku me vëllain këtu në Londër, fitimet i ka investuar në Kosovë dhe Shëngjin. Në drekën e  Londrës  na u bashkua edhe Feti Aliu, gjithashtu shqiptar nga Prishtina, familja e të cilit  për nevojat e Shkollës Shqipe gjatë viteve të ’90-ta i kishte liruar shtëpitë e veta, andaj nga regjimi okupues kishin qen të përndjekur...

Pas drekës së përbashkët, vendosëm të shkojmë ta vizitojmë Urën Lëvizëse(Tower Bridge). Më shoqëruan për dëshirë timen, sepse  ata kishin vizituar shumë herë...Ura si objekt kishte një konstruksion mjaftë interesant. Ecja nëpër urë, vazhdimisht duke medituar e parafytyruar që sa e sa herë e kam pa në ekranin e televizionit, në kronika ditore, në emisione dokumentare e  sekuenca filmi. Me shoqëruesit qëndruam deri në orët e para të mbrëmjes. Ishte mbrëmja e fundit në Londër, sepse te nesërmen qysh në ora 05.30 duhet ta kap linjën e fluturimit me Ryanair, e të kthehem prej nga edhe kam ardhur...

Normal, se për një periudhë disa ditësh nuk mundem ta vizitojë e gjithë  Londrën dhe të kuptojë gjithçka për të. Duke shpresuar në një vizitë tjetër do të mundohem ti plotësojë përshtypjet e reja... Jam shumë i befasuar për shumë gjëra të mira duke më dhuruar mbresa të veçanta. U binda, se : Londra, është qytet i mbresave të pafundme!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora