Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kadri Kadiu: Baxhanakët e Batos

| E shtune, 09.07.2016, 07:00 PM |


BAXHANAKËT E BATOS

Nga Kadri Kadiu

Gurtali Syrixhiu i Cangonjit kishte gjashtë çupa e dy djem. Çupën e madhe, Xhixhen, e martoi në Kapshticë me Nezir Mallin, çupën e dytë, Qanijen, e martoi në Bilisht me Muharem Çollakun, të tretën, Myrseten, në Mançurisht me Bato Muson, të katërtën, Merjemenë, në Vranisht me Dajlan Bylykbashin, të pestën, Adevijen, në Korçë me Sulo Qazimllarin    dhe të gjashtën, Kiben, e martoi me Vasfi Dylin nga Babani por që jetonte familjarisht në Sukth të Durrësit.

Pasi i kish vendosur të gjitha çupat, Gurtaliu mbylli sytë e vdiq por djalit të madh, Xhevahirit, i la amanet që "shtëpinë ta mbash hapur për të gjashtë motrat e tua dhe t'i duash e t'i respektosh ato, njësoj sikur të isha  gjallë unë, pasi Shtëpia jote do të jetë për ato Dera e Babës".

Dhe Xhevahiri, hakun mos ia hamë, e mbajti amanetin e të atit dhe i priste e i përcillte me respekt motrat e veta sëbashku me burrat e tyre dhe me nipërit e mbesat që shtoheshin nga viti në vit. Nuk ishte kollaj që të mbaje e të trajtoje gjashtë kunetër-dhëndurë, pasi secili kishte tekat e huqet e veta, por Xhevahiri ishte babaxhan, bënte shumë për ta dhe të gjithëve iu vinte sipas qejfit. Nuk linte sebep pa parë tek kunetërit dhe i ftonte edhe në shtëpinë e tij nga 2-3 herë në vit. Kuptohet që kunati i Sukthit, Vasfiu, që ishte më larg, vinte më rallë, zakonisht një herë në vit kur merrte lejën 15 ditore por ama kur vinte e zjente fare në tërë Devollin duke filluar që nga Babani ku kishte vëllezërit e farë e fisin, vizitonte edhe kushërinjtë e baxhanakët nga i kishte në Devoll, dhe natën e fundit qëndronte në Cangonj tek Xhevahiri.

Në një turne të radhës, aty nga mesi i viteve 80, Vasfiu sëbashku me bashkëshorten e vet, Kiben, dhe me tre vajzat e tyre i mbaruan vizitat  që kishin nëpër Devollin e Sipërm dhe ditën e parafundit zbarkuan në Mançurisht, tek baxhanak Batua. I priti Batua me Myrseten si jo më mirë dhe gati e gdhinë natën me muhabet. Të nesërmen, që në mëngjes Vasfiu kërkoi lejë që të iknin pasi do të shkonin në Cangonj tek Xhevahiri dhe duhej ta kishin ditën përpara pasi aty duhej të bënin nga një vizitë të shkurtër edhe nëpër disa kushërinj. Batua e kishte të qartë se miqtë nuk do të rrinin më dhe prandaj iu lutej e iu bënte rixha edhe më shumë që të rrinin edhe për drekë. Përgjigja e Vasfiut ishte e prerë që nuk do të qëndronin për drekë kështu që Batua iu tha: Mirë, atëhere unë do t'iu përcjell deri në xhade, tek Shurri i Progrit.

Jo, i thoshte Vasfiu, nuk ka nevojë, ne shkojmë vetë, mos u lodh ti.

Mirëpo Batua kishte në kokë një tjetër plan dhe nguli këmbë që që t'i përcillte medoemos. I nxorri ne Shurri i Progrit, u përshëndosh e u nda me baxhanak Vasfiun, me kunatën Kibe e me vajzat e tyre dhe pastaj u ul në buzë të xhades, nxorri bllokun e xhepit dhe një laps e shkroi pesë letra me këtë tekst: "I dashur kunat______ ; sonte kam për darkë  motrën time, Kiben dhe kunatin e dashur Vasfiun, të cilët kanë ardhur nga larg. Gëzimi im është i madh prandaj ju ftoj që sot më darkë të urdhëroni familjarisht që të gëzojmë sëbashku. Ju pres me patjetër, të fala Xhevahiri".

Pasi i shkroi të pesë letrat, shënoi për secilën emrin e kunatit të Xhevahirit, apo baxhanakut të Batos, që do i dërgohej, u ngrit dhe u vu në kërkim të "postierëve" që do i çonin letrat në adresat përkatëse. (Njërën letër ia adresoi vetes dhe e futi në xhep që t'ia tregonte të shoqes, Myrsetes).

Shurri i Progrit  është në fakt një kryqëzim rrugësh, aty ishte dhe Stacioni i Autobusave i Linjës Korçë-Bilisht,  por gjithashtu aty ishin depot e grumbullimit të produkteve bujqësore të Zonës, ishin dhe disa dyqane ushqimore, veshmbathjeje, materiale ndërtimi etj; pra në çdo kohë aty kishte njerëz. Së pari Batua u drejtua tek grumbulli i njerëzve që prisnin në Stacion autobusët për Korçë apo për Bilisht. Një bashkëfshatarit të vet që shkonte në Bilisht, Selamiut, ia dha letrën për Baxhanakun e Bilishtit, Muharemin, duke i thënë se letra është me shumë rëndësi dhe duhet t'ia shpiesh në shtëpi; shtëpinë e ka sapo hyn në Bilisht, prapa Shkollës së Mesme, porta e parë djathtas.

Po çke o ti, i tha Selamiu, kjo është punë e mbarruar, unë Muharremin e njoh, kam pirë një kazan raki me atë; ti rrofsh, se në daç në klub po ta gjej e në daç në shtëpi po t'i shkoj, ma sigurove  për sot një kafe me bisht prej Muharemit.

Letrën për në Korçë, e nisi me një nipin e vet Agimin. O Agim, i tha, a e di se ku është Merkatoja e Peshkut në Korçë?

Po si nuk e di o Dajo, i tha Agimi, po pse më pyet apo kërkon që të të ble ndonjë peshk?

Jo mo jo, i tha Batua, merre këtë letrën e t'ia shpiesh baxhanakut tim, Sulos. Ai është roje dite tek porta e një magazine ushqimore përballë Merkatos së Peshkut. Le që pyet aty se atë e njeh gjithë Korça, i thonë Sulo Kasketa.

Baxhanakut të Vranishtit, Dajlanit,  letrën ia nisi me Korrierin e Fshatit i cili ne Shurri i Progrit merrte Postën e Gazetave që e sillte autobusi i Korçës.

Baxhanaku dhe kunata e Kapshticës në atë kohë nuk jetonin më, mirëpo ata kishin lënë vajzën e tyre Eminenë, e cila ishte e martuar në Pilur me Setar Koprellin. Batua e dinte që Xhevahiri e kishte pikë të dobët mbesë Eminenë kështu që edhe Setarin e trajtonte njëlloj me kunetërit e tjerë dhe nuk e ndante në asnjë sebep, prandaj dhe Batua në një kopje të ftesës shënoi dhe emrin e Setarit.

Aty në një qoshk të Stacionit të Autobusave, një shoku i Batos, Xhemili i Pilurit, kish shkarkuar nga gomari i tij dy kosha me mollë behari të verdha dyllë dhe po i shiste. Iu afrua Batua, u përshëndet me Xhemilin dhe filluan muhabetin. Kur në kosha kishin mbetur vetëm nja 2-3 kile mollë, Xhemili i thotë: Po hë o Bato, bëmë edhe ti një çikë pazar, merri qesim këto mollë që më kanë mbetur, më jep vetëm 100 leka dhe të ik edhe unë në shtëpi.

Mirë o Xhemil, i tha Batua, unë po ta bëj këtë nder por edhe ti do të më bësh një nder mua; do t'ia shpiesh këtë letër Setar Koprellit.

Mos e thuaj atë fjalë o Bato, i tha Xhemili, po unë ne dera e shtëpisë, komshi e kam Setarin.

Bënë këmbimin, Xhemili mori një 100 lekësh dhe letrën për Setarin, Batua mori një qese me mollë, u përqafuan dhe secili u nis për në shtëpinë e vet.

Ore po nuk i thonë kot se "kur do Zoti i bën të tëra bashkë". Ato ditë unë me bashkëshorten time, Lumen, sëbashku me fëmijët tonë ishim me pushimet verore. Pasi kishim qendruar disa ditë tek prindërit e mi, shkuam për të ndenjur ca ditë edhe tek prindërit e Lumes pra tek Batua dhe Myrsetja. Kur ardhi Batua me qesen me mollë ne na gjeti në shtëpi. Myrsetja, Dede i thoshim ne, i zbrazi mollët në një frutiere e na i lëshoi mbi tavolinë kurse Batos i tha që të shkonte në dyqan për të psonisur ndonjë gjë se do të bënte darkë për dhëndrin e çupën.

Mos u shqetëso, i tha Batua, sot për darkë neve na ka ftuar ytvëlla, Xhevahiri, dhe ai do të kënaqet kur ne t'ia shpjemë aty edhe dhëndrin e çupën megjithë fëmijët. Ja, i tha, shikoje dhe letrën që na ka dërguar.

As Myrseti e as unë me Lumen nuk dinim se çfar kish kurdisur Batua, kështu që me mendjen e Batos e me qejfin tonë, u bëmë gati për tu nisur për në Cangonj.

Aty nga ora gjashtë e mbrëmjes zbritën nga Autobusi i Korçës në Cangonj Sulua e Adevija, megjith dy çupat e djalin e tyre dhe bënë përpjetë për nga Shtëpia e Xhevahirit.

Hajde, bujrëm, iu tha Xhevahiri, qenki me fat, ju solli Perëndia që të takoni këtu edhe Vasfiun e Kiben që mezi na vijnë një herë në vit.

Nuk kaloi shumë kohë dhe mbërritën nga Bilishti Muharemi me Qanijen. Megjithëse kishin një bylyk me fëmijë, ata, shyqyr, vetëm njërin kishin marrë me vete, atë më të voglin.

Heu, tha Xhevahiri, si është kjo punë, yve sikur ju ka porositur njeri që të vini bashkë kështu.

Pa u përshëndetur mirë me miqtë e Bilishtit, trokiti porta dhe hynë Dajlani i Vranishtit me Merjemenë dhe Setari i Pilurit me Eminenë.

E shoqja e Xhevahirit, Nevrezi, vazhdonte punën për përgatitjen e darkës në ashefin përjashta dhe nuk dinte gjë për kallaballëkun që ishte mbledhur, por kur u shkëput një copë herë dhe hyri në dhomën e miqve, u shastis fare; ajo kish therur vetëm një pulë por tani pa se ishin bërë më shumë se 20 miq.

Ore po pa më thoni, si është puna, tha Xhevahiri, pse kini ardhur të gjithë sot yve këtu?

Po vetë o na ke ftuar, i tha Muharemi i Bilishtit.

Kush ju ka ftuar mo, ç'është ky llaf? Pyeti Xhevahiri.

Po ja o ku e kam letrën që më ke dërguar ti, tha Sulua, dhe ia lëshoi në dorë letrën.

E mori Xhevahiri letrën, e lexoi, i ra kokës me dorë e tha: Ah po e di unë mo, këtë punë e paska bërë ai qerosi i Mançurishtit, Batua. U ngrit, u drejtua nga koteci i lepurave, i kapi dy lepura dhe e thirri të vëllanë, Bedriun. Theri shpejt, rripi dhe futi në furrë, i tha.

Të fundit mbërritëm në Shtëpinë e Xhevahirit ne, bylyku i Mançurishtit. Sa u futëm në derë u befasuam e u çuditëm nga lumi i të sharave që nxorri nga goja për Baton, Dajo Xhevahiri: Po ti o palaço, i thoshte, ç'janë këto rrengje që më bën mua?

Kujt i thua palaço ti, i thoshte Batua, të të vijë turp që m'i thua mua këto fjalë. Ti ta kesh për nder, i thoshte, që unë të kam sjellë sonte jo vetëm tëtmotër, por edhe mbesën tënde megjith dhëndërin e fëmijët e tyre, që kanë ardhur që nga Tirana. E po ç'ti bëj hatrit që kam për këta baxhanakët unë, pa dinja si të sillesha me ty, unë ta linja darkën e krisja ikja që tani.

Hajde o qeros hajde, se ti nuk ikën edhe sikur të të lëshojnë qentë, i tha Xhevahiri, e zuri për qafe dhe e uli në sofër.

Ajo natë na u duk e shkurtër fare, e gdhimë me shakara, me qyfyre, me gëzim e me dashuri, që sot na sjell aq nostalgji.

Unë ka vite që jetoj jashtë Shqipërisë por përjetime të tilla nuk kam kaluar tjetërkund. Le të më thotë njëri, nëse ka gjetur në ndonjë vend tjetër apo në ndonjë Popull tjetër, kaq dashuri njerëzore, kaq çiltërsi, kaq miqësi të sinqertë, kaq shakara me kripë, kaq ngjarje të gëzueshme e kaq të qeshura, sa në Shqipëri.