Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Përparim Hysi: Lamtumirë, Mësues i dashur!

| E shtune, 09.07.2016, 06:17 PM |


Lamtumirë, Mësues i dashur!

In memoriam, SOTIR MEÇOS!

Nga Përparim Hysi

Unë isha 5-vjeç dhe ju, i dashur mësues me gjithë tëtshoqe, mësuesen aq të mirë, Dhoksinë, tek qetë mysafirë  në shtëpinë tonë në Petovë të re, në rrethin e Fierit, veç tjerash, sikur bëtë ca "ushtrime të qëllimta"  me mua. "Ushtrime" të tilla i bëjnë veç mësues pasionantë dhe ju, që të dy ( unë kurrë nuk guxoj t'u ndajë njërin nga tjetri), ishit pasionantë. Ishit njerëz që e donit profesionin dhe, pse qetë të tillë, sado që nuk ishit nga Petova, u bëtë petovarakë. Shtëpitë e Petovës (atëherë kish dy Petova; njëra e vjetër dhe tjetra e re), ishin të hapura dykanatëash për ju. Dhe nuk latë  shtëpi pa shkelur me këmbë dhe nuk mbeti shtëpi në  të dy Petovat që mos u priste me krahëthapur. Kjo ndodhte se  ju veç si mësues, ishit familjarë model dhe duke qenë që të dy si bashkëshortë nga fshati, nuk e kishit fare për gjë që të uleshin shesh apo gju më gju me fshatarët që, aso kohe, sa kishin dalë nga lufta. Kam shumë për të shkruar për ju dhe, pse ju dua, ju kam përjetuar tek libri im me poezi "Njerëz që  dua".

*     *      *

Sot është herë e parë që ty, i dashuri mësues i  im, po të ndajë nga mësuese Dhoksia. Kjo ndarje është jashtë mundësive të mia dhe unë e përjetoj si një dhëmbje apo  ca më keq: si një plagë që më dhëmb. Kjo plagë imja, sa u hap dhe, tek shkruaj, për ty,MËSUESI IM I DASHUR, ndjeva që plaga të më rrjedhë.  Sot, Josif Pelari, më mori në telefon dhe, sa shkëmbeva alo-n e parë, pyeta për ju, i dashur mësues. Kur më tha,se ju jini ndarë nga jeta para një jave, ndjeva zemrën të më dhëmb. Të më dhëmb zemra për ju, o  MËSUESI IM I DASHUR, se, nëse në jetë u bëra diçka apo bëra qoftë dhe modestisht një emër, padyshim, veç prindërve, një meritë të madhe kini ju dhe mësuesja ime e dashur, Dhoksia. Kur them kështu, kam parasysh atë "testimin" tuaj në shtëpinë tonë në Petovë të re dhe, ngaqë "testimi" juaj kish dalë me sukses, atëherë bëtë çapin tjetër ( sa i madh ai çap në jetën time!), më morët si në krahë dhe më regjistruat në klasën e parë qysh 5-vjeç. Unë fillova klasën e  parë dhe duket nuk ia"nxiva" faqen testimit tuaj. Nëse ndodhi kështu, them se ju u bëtë që të dy si prindër të dytë: Dhoksia si nënë dhe ju si Atë. Dhe vërtet i tillë qetë. Atë shkollën atje në Petovë të vjetër ju e bëtë si shtëpi tuajën, se, pikërisht, në një  nga dhomat e shkollës dhe flinit dhe, sa mbaj mend, atje, nëpër këmbët tona, vërtitej dhe djali juaj i madh,Shkëlqimi (atëkohë:tri-katër vjeç).

*    *    *

Shkolla atë vit( në vitin shkollor 1948-1949) kish katër mësues, por ju,i dashur Sotir, jo vetëm ishit drejtori por mbi ju mbetnin sytë e të gjithë nxënësve.  Nuk ishe veç mësues, por një organizator dhe veprimtar që kushdo mund ta kishte zili. Jo vetëm në shkollë, po se po, po edhe në fshat.

Nuk kam se si harroj atë ceremoni festive (jo askund nuk ka ndodhur ashtu siç i bënit ju, i dashur, mësuesi im) në mbylljen e vitit shkollor. Gjithë Petovat në festë: si në dasëm! Me saze dhe gjithkush të përgatitur në shtëpi,shtruar aty tek sheshi para shkollës.  Një tavolinë para të ftuarëve dhe ata të tavolinës, njerëzit më të respektuar të fshatit. Veë tjerash, edhe hoxha i fshatit, Efendi YZEIR SALLATA. Ju e mbajtët fjalën përshëndetëse dhe, mbasi uruat për mbarimin e shkollës, filluan recitimet. Ju ishit nga ata që të"vrisnit" me pambuk apo"ilaç e shkuar ilaçit", kur thoshin populli. Kush nuk ra përmbys nga të qeshurit, kur ju djallt të hoxhës,  Zenelit , i kishit dhënë për të recituar vjershën "Po kërkoj ilaçe". Zeneli (të më ndjejë miku im që po i lëndoj kockat) jo vetëm recitonte me pathos, por erdhi mu përpara hoxhës dhe recitoi: "... pyeta një hoxhë që kisha në mëhallë/ më tha je ogradiosur dhe ke sheklur djall/...pështy në këtë fletë dhe thuaj që u binde/ se ty, mor evlat të kanë zënë xhinde/. Hoxha qe liberal dhe kapërceu humorin, por njerëzit u kënaqën.   Pastaj unë, si skraaprli, një vjershë pak "militare" si "Dua të jem ushtar. të më thonë luftar... etjera e të tjera. Mandej xha Zeqoja me sazet sa u shkul vendi. Se kjo traditë e bukur qe si një pemë e gjelëbër që e mbollët ju dhe, sa ikët nga Petova, ajo "pemë" u tha.

*      *      *

Por unë kam shumë për të thënë për ju, mësues i dashur. Kur u martova në janar 1962, theva një rit: e mora nusen orthodokse. Familja e nuses më bëri hasha. Dhe kur "akujt u shkrinë", për çudinë time të madhe, palës të të zëmëruarëve u printe në krye as më shumë dhe as më pak, por ju, mësuesi im i dashur. Pa ju thënë kush, por me dëshirën tënde të madhe, prije si garanci e një miqësie të sinqertë. Dhe kishit vjete që kishit ikur, por shpirtërisht kurrë nuk  kishit ikur nga ne.

*     *    *

Aty, mes viteve '80-të, fëmijtë e mi dhe të tim vëllai u bënë për shkollë të lartë.  Ne kishim xhaxhanë të pushkatuar dhe duhej një ndërhyrje pak "madhore" për të marrë të drejtën e studimit. Dhe ju, MËSUESI IM I SHTRENJTË, shkove në komitetin e partisë dhe duke lëshuar me shkrim një deklaratë garancie na "i zbardhe" biogarfinë dhe, nëse fëmijtë tanë shkuan në universitet, ju na hapët dritën jeshile. Jo kuhsdo mund ta bënte atë çap pak "homerik" për kohën.

*     *    *

Në qershor 2004, në fshatin Mbrostar-Ura, në Fier, vdiq nëna ime, Zengjineja. Unë dhe dy vëllezërit  e mi, më i madhi, Qazimi dhe më i vogli, Gëzimi, që të tre ishim në Amerikë.Asnjëri prej nesh nuk i hodhi nënës një grusht dhe. Nuk e bëmë ne, por MËSUESI IM I DASHUR, SOTIR MEÇO, u nis në këmbë nga Fieri dhe  sado mbi tetëdhjetëvjeç i bëri 4 km në këmbë dhe varrosi nënën tonë.

Po a mund të mbaroj e të shkruaj për këtë MËSUES, për këtë MIK, për këtë NJERI?

Lamtumirë, i dashur MËSUES! Lamtumirë, O MIK!

Kurrë- kurrë nuk do të harrojmë  si familje!

Të qoftë dheu i lehtë!

Tiranë, 8 korrik 2016