E marte, 19.10.2021, 03:10 AM (GMT+1)

Kulturë

Tahir Bezhani: Koha shprushë plagët e vjetra

E premte, 08.07.2016, 07:07 PM


KOHA  SHPRUSHË PLAGËT E VJETRA...

Shaban Bali Nokshiqi:”N’kufi te shqipes e thej gurin”, vargje epike, botoi “Blini”-BK- Gjakovë.

Nga Tahir Bezhani

Këto ditë me vapë vere, Shaban Nokshqi, botoi librin e tij të tretë me poezi epike, me titull: “N’kufi te shqipes e thej gurin”, libër me rreth 100 faqe,  ku trajtohen mjeshtërisht  pjesë të  historisë   sonë  kombëtare, në të kaluarën dhe të tashmen.

Autori i këtij libri, tani i dëshmuar në zhanrin e krijimtarisë epiko-historike,  begatoi me pendën e tij letërsinë,   këtë vakum letraro-historik, duke e brumosur me shpirtin e tij prej krijuesi   të ndjeshëm, me jetën plot katrahura, duke na sjellë vargje brilante,  që ndërtojnë e drejtojnë karakterin individual, me  ndikim    edukimin  e  mirëfilltë  patriotik e kombëtarë.

Tani kemi në dorë një librin e një autor, që koha e regji, e poç në zjarrin e sajë , duke e sprovuar gjatë jetës, i cili diti të le gjurmët  e jetës së jetuar. Sot vërehet  një kthjelltësi e paparë , te një burrë  91 vjeçar, duke dëshmuar me punën e tij,   aktivitetin e  palodhur kudo.

Vepra më e re e autorit Shaban Bali Nokshiqi, përfshinë ngjarjet e mëhershme të historisë sonë në luftërat e pareshtura për liri e bashkim kombëtarë, gjakun e derdhur nëpër beteja e varret e pagjetura  deri me sot të baballarëve tanë, duke mbrojtur këtë copë tokë nga zaptuesit e Malit të Zi e Serbisë, që përherë konsiderohen si gllabëruesit më të mëdhenj të tokave tona.

Në kontest të kësaj pjese të historisë sonë, te autori, zgjohen emocione e reaksione të reja lidhur me çështjen e kufijve të vendit tonë, ku tash e një vit, kemi parë e dëgjuar çështjen e tensionuar politike lidhur me kufirin mes Kosovës e Malit të Zi. Për këtë arsye,  autori rikthen kujtesën në vitet e mëhershme dhe reaksioni krijues, rikujton kohët,  vjell vargjet si në  poezinë e parë të librit për të rikujtuar shumë gjëra të së kaluarës, shumë gjak të derdhur, dhe rrëfen vargje:”Haxh Keri trim atdhetar/çetnikëve para u ka dalë/Kufijt shqiptar në flakë jan kallë/Kurrni pllamë s’muj me ti falë...”Në këtë kuptim, pasojnë emrat e luftëtarëve që mbajtën lartë  bajrakun e luftës për lirinë e pavarësinë e vendit. Po ashtu, duke simbolizuar qëndresën kombëtare të popullit nëpër histori, si simbol qëndrese, poeti liriko-epik, i drejtohet Shkëlzenit, të cilin e personifikon me gjithë kombin, si paralajmërim e qëndresë të rreziqeve, si të pathyeshëm dhe mjeshtërisht e artistikisht, e glorifikon me vargje:”Shkelzeni është zbukurue/Plisin e bardhë e paska nue/Popullin e ka lajmrue/Dimri na u ka afrue....”Mendoj se kjo strofë paraqet një gdhendje mjeshtërore artistike që buron nga një ndjenjë e thellë me trashëgimi kombëtare, si dëshirë  primare për lirinë e kombit.

Duke skalitur  në faqet e këtij libri emra të merituar të luftëtarëve të lirisë dhe të historisë sonë, autori Shaban Nokshiqi, i kushton një poezi të gjatë trimave të paepur , qëndresës së paparë në luftëra të gjata, si vëllëzërit Emin e Beqir Arifi,  ku pos tjerave shkruan:”Sekerica fort gjëmon/Fort shqiptarët po luftojnë/Pa dekë kufinin nuk e lëshojnë/Tokat tona  s’mujm me falë/Trashegue prej t’parve tanë”...Pastaj, në kuptimin e qëndresës në fronte, rrjedhin vargje te fuqishme qëndrese të pa parë, ku imagjinata fishtjane e autorit,  i shtjellon fort bukur:”Ç’ka ke hangër, çka ke pi/Qysh vetëm në borë e shi/Kam majt shpirtin me lvore ahi/Njiqnd vjet me dal sabahi....”

 

Një moshë e shtyrë dhe nostalgjia si ndjenje ngacmuese...

 

Tani , dihet mirëfilli se autori i librit më të ri, ”N’kufi te shqipes e thej gurin”, z.Shaban Nokshiqi, ka vite të ngarkuara mbi supet e tij dhe se  përjetimet janë shumë të gjata, të mundimshme,  një jetë shumë kontroverse, e cila padyshim se ka lënë gjurmë, e këto gjurmë i shndërron në art, pasuri letrare,  për t’ua dhuruar gjeneratave. Këtë edhe po e bënë z. Shaban Nokshiqi,  duke na trasuar një rrugë të mundimshme,  ecje nëpër flakë,  një përvojë  me vlera historike si trashëm. Në këtë kontest Shabani nuk i këndon vetëm të kaluarës, por edhe të sotmes,  me baticat e zbaticat e saja. Shaban Nokshiqi,  duke qenë vet emingart,  që njëzet e më shumë vite në SHBA, duke parë e ndier në shpirt peshën e kurbetit, pasojat në gjeneratat e reja, pamëshirshëm aludon më thesarin e tij krijues që mos t’i lënë  trojet e shkreta, mos ta lënë shtëpinë pa Zot, mos t’i lënë djepat e zbrazët në këtë truall të lasht.  Nuk është vetëm vetmia si shkas, por edhe rreziqet që sjellë apo ka sjellë eksodi shqiptarë kurdoherë. Në poezinë”Puna e kurbetit”, pos tjerash shkruan:”E provuam shpesh punën e kurbetit/Plot me djem asht fundi i detit...”ose:”Nuk ka nanë që s’digjet malli/Kah kqyr derën, mos po i vjen djali...”Dhe, ajo qe aludon poeti ne këtë poezi, si porosi imanente, vijnë vargjet:”Ktheni djem, msyne vatanin/Babës e nanës kajani hallin/Hajde e mos rrini n’gurbet/Leni helmin, për këtë sherbet...”Me pjekuri mund të them se këto vargje, kanë në vetvete karakterin edukativ, që ndikojn në ndalimin e ikjes nga vendi, shtojnë dashurinë ndaj atdheut e vendlindjes. Në këto kohë plot valëvitje politike brenda kombit tonë, këso vargje janë specifike e me peshë, ju ngjajnë rilindësve për nga porositë, por që do ishte e udhës për një dëgjueshmëri të spektrit politik me qëllim të një mbarëvajtje ndryshe politike. Mbi të gjitha,  krijuesit kanë synim, pa asnjë dyshim,  edhe ndikimin  në masë, ndryshimin e raporteve shoqërore  për një jetë sa më të mirë e të begatshme për të gjithë , për një harmoni brenda kufijve të vendit të vet.

Një poezi nostalgjike, mjaft  e sinqertë, plot dashuri e respekt nga autori,   me rastin e ftesës së Bytyqit në Dajt, vjen si një kushtrim shpirtërorë. Në pamundësi që të jetë pjesëmarrës në atë manifestim, poeti Shaban Nokshiqi, shprehet me vargje :

“Ja la Dajtit  ni amanet/Veç për mue çoje ni shnet/ T’parin shnet çoje për Ptyçn/M’nderuet mue e krejt Nokshiqin...”

Janë këto vargje me shumë refleksion, me shumë ndjenjë, kur dëshira  të shtytë të jesh në mesin e atyre që të donë, por mundësia fizike frenon....

Marrë në tërësi, libri me poezi i autorit Shaban Nokshiqi,  është edhe një e  arritur e suksesshme në moshën këtij burri  me freski të paparë, një pasuri  me larmi temash të  ndryshme që duhet pasur lakmi.  Ky libër i thurur bukur me vargje epike, bartë në brendësi zjarrin e një kohe plot vuajtje e gjak, një libër me përjetime të rënda personale, shoqërore e kombëtare, me të cilat vargje, jo vetëm se plotësohet një vakum historiko-letrarë në fushën e letërsisë, por tërheq vërejtjen për syçelësi  veprimesh politike me armiqtë historik të këtij trualli....



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora