E enjte, 25.04.2024, 05:15 AM (GMT+1)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Atentat islamik ndaj rendit kushtetues laik shqiptar

E merkure, 06.07.2016, 09:00 PM


Gjyqtari i Gjykatës së Lartë të Arabisë Saudite drejtoi faljen e Bajramit në bulevardin e Tiranës- atentat islamik ndaj rendit kushtetues laik shqiptar

Nga Kastriot Myftaraj

Dje Komuniteti Mysliman i Shqipërisë organizoi faljen e namazit të Fitër Bajramit në bulevardin kryesor të Tiranës. Faljen e drejtoi Sheiku Saleh bin Muhammed bin Ibrahim al Talib i cili në Arabinë Saudite mban dy detyra, atë të imamit të Xhamisë së Kaabas (Qabes) në Mekë, të njohur si Masjid Al Haram, si dhe të anëtarit të Gjykatës së Lartë të Arabisë Saudite.

Në Arabinë Saudite shteti dhe feja (Islami) nuk janë të ndarë. Kurani është Kushtetuta e vendit dhe Shariah, ligji kuranik është ekuivalenti i legjislacionit penal dhe civil në vendet laike.

Shqipëria është një vend laik ku feja është e ndarë nga shteti. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, me marrëveshjen që ka bërë me qeverinë shqiptare dhe që është ratifikuar nga Kuvendi duke u shndërruar në ligj (Ligji 10056, dr. 22. 1. 2009), ka fituar të drejta dhe ka marrë përsipër detyrime. Një nga detyrimet që ka marrë përsipër është ai i përcaktuar në nenin 12, që rregullon marrëdhëniet me bashkësitë e huaja fetare. Paragrafi i parë i këtij neni thotë:

“Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka të drejtë të krijojë dhe të mbajë kontakte me bashkësi fetare të të një vendi tjetër ose ndërkombëtare, të marrë pjesë në veprimtaritë e tyre fetare e bamirëse, për aq sa këto kontakte nuk bien ndesh me rendin e brendshëm kushtetues.”

Në rastin e ftesës zyrtare që Komuniteti Mysliman i Shqipërisë i bëri imamit-gjykatës saudit kemi të bëjmë pikërisht me një kontakt që bie ndesh me rendin e brendshëm kushtetues laik shqiptar.

Neni 10 i ligjit të cituar më lart, përcakton se: “Palët angazhohen për respektimin e parimeve kushtetuese mbi të cilat ndërtohet kjo Marrëveshje dhe do të punohet së bashku për zbatimin e legjislacionit shqiptar në fuqi.”

Kjo do të thotë se Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është i detyruar të respektojë parimin e laicizmit, të ndarjes së fesë nga shteti.

Pjesëmarrja e një funksionari të lartë shtetëror të një vendi tjetër në ceremoninë zyrtare të faljes të organizuar nga një Komuniteti Mysliman, në rolin e e drejtuesit të ceremonisë, përbën një atentat ndaj rendit kushtetues laik shqiptar, madje një vepër penale.

Si zyrtar i lartë i një shteti tjetër, Sheiku Saleh bin Muhammed bin Ibrahim al Talib ishte nën mbrojtjen e posaçme të Policisë së Shtetit dhe posacërisht të agjentëve të Antiterrorit, gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri. Me këtë rast edhe këta kanë kryer veprimtari antikushtetuese.

Nuk po merrem këtu me faktin që Sheiku Saleh bin Muhammed bin Ibrahim al Talib është një ideolog wahhabi, si klerik. Kjo është një histori tjetër. Fakti që ai është dhe një zyrtar i lartë shtetëror e bën edhe më të rëndë praninë e tij si drejtues në një ceremoni zyrtare fetare.

Tashmë është e qartë se kemi të bëjmë me një strategji për goditjen dhe zhdukjen e laicizmit në Shqipëri dhe ngjarja e mësipërme shkon në këtë kahje.



(Vota: 9 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora