Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ilir Muharremi: Arti dhe dehja

| E merkure, 06.07.2016, 06:22 PM |


Arti dhe dehja

Nga Ilir Muharremi

Gjendja normale nuk mund të nxjerrë veçantinë, elementin kryesor që kërkohet në art, prandaj artistët dallohen me dehje, ekstazë pasi aty nuk mungojnë gjërat më intime dhe ekstreme. Efekti i artit është trazimi i gjendjes shpirtërore, pra i arritjes së dehjes. Mendimi i dehjes shkon drejt pamundësisë me qëllim të arritjes së realitetit. Në këtë dehje artisti ndjenë shije për kënaqësi, kjo është ajo rruga drejt artit. P.sh arti pesimist, a ekziston? Në literaturë e vërejë se po, mirëpo këtu ndeshëm me një kontradiktë. Disa artistë veprat e artit i vejnë në shërbim të pesimizmit. A gabojnë? Natyrisht që po. Gjërat që artistët i tregojnë janë të shëmtuara, mirëpo nga fakti që tregohen rrodhën nga shija për këtë tmerr. Oh sa të çliron  Nietzsche, Camus, Sartri, Dostojevski, Bodleri, Alan Poe, Lorka, Pushkini, Rafaeli, Mikelangelo, Da Vinçi, Van Gohu, Picasso, Dali.... Në këtë çlirim vërej dhimbje dhe bukuri. Dobësia fizike nxjerrë madhështinë shpirtërore. Në këtë betejë asnjëri nuk është humbës, njerëzimi fiton pra vetë arti dhe në thellësi është vetëvrasës, arti të vret, madje arti harron trupin e artistit, prandaj mirë e thotë Nietzsche-ja: arti është veçse art dhe asgjë tjetër. Është emër, libër, pikturë, muzikë, është punë, trembje nga suksesi, vetëdije për mossuksesin sepse mund të zgjatë sa vetë jeta. Arti është vetëm një pasion: punë dhe në disa raste heqje dorë me vetëdije nga kënaqësia e jetës.

Arti përveç që është dehje, nxitë edhe kujtimet më të holla të saja, sepse është një kujtesë tejet e veçantë që zbret poshtë gjendjes shpirtërore, atëherë te njeriu-artist, përsëritet një botë e largët ndijimesh. Këtu shohë një shkallë dhe një gjendje të njeriut. Aty njeriu ndjehet i çliruar nga vetja, ka aftësi për të folur për veten me miliona mjete të gjuhës (ngjyra, muzika...) Njeriu këtë e ndjenjë si detyrim, sepse shtyhet drejt heqjes së bollëllëkut të brendshëm, dhe aty gjejmë bashkërendim të ideve, dëshirave dhe imazheve. Këtu nevojiten stimujt që të shtyjnë të veprosh në brendësi, e këta stimuj mund të jenë vetëm dehës. “Çdo lëvizje e brendshme (ndjenjë, mendim, ndjesi) shoqërohet me variacione muskulore, pra me variacione të ngjyrës, temperaturës, rekcionit”, shkruan Nietzsche. Një bashkëveprim i brendësisë me të jashtmen, derisa ajo e jashtmja pastaj pavarësohet dhe jeton plotësisht e vetmuar. Në këtë pavarësi prapë shohë një kthim në të kaluarën, sepse në pamundësi është ekzistimi i saj. Andaj, arti në raport me njeriun gjithnjë jeton, kurse njeriu i pjekur kërkon vdekjen. Ajo që ende nuk është pjekur mirë kërkon të jetojë. Vuajtja kërkon buzëqeshjen, e buzëqeshje ngopte nga vetvetja dhe dëshiron të vuaj. Njeriu ulërinë për një trashëgimtar, por këtu ai do fëmijën-artin e jo vetveten. Kurse dehja nxjerrë nervat e holla të gëzimit, dhe gëzimi do vetveten, e nuk do trashëgimtarë (art për syrin e kritikut, por art për vetveten.) Ky art dehës do përjetësinë, absolutizimin, do gjithçka të jetë e njëjtë. Mos të harrojmë se të gjitha gjërat janë të lidhura zinxhirë dhe ajo që fut gjithkund një shkëndi është dashuria. S’ka ekstazë më të thellë dhe gjendje të përhumbjes se kjo. Njeriu kënaqet kur ikën nga vetja, kur i thotë dhimbjes ik, mirëpo sërish e kërkon sepse çdo vazhdim dhe gëzim shpreson përjetësinë. Gëzimi e do përjetësinë, ngushëllimin e të përvuajturit.... Kurse ai që nuk e kërkon gëzimin llogaritet më i tmerrshëm sepse ai e do vetëm vetveten përbrenda. Por, ky është shumë i fortë sepse e do dashurinë e urryer, dhe kërkon largësinë dhe çdo gëzim që ndihet i etur për dhimbjen, botën, trupin, është më i pasur dhe i vlefshëm.

Dehja përveç që “turbullon mendjen”, shton edhe kënaqësinë, arratisjen nga hallet dhe dertet. Van Goghu dhe Pol Gogeni krijuan nën ndikimin e pijes absint. Kurse Nietzsche-ja në momente stresi dhe frymëzimi stimulohej me hashash, vetë e pohoj në librin e tij “Ecce Homo, si bëhet njeriu ai që është”. Hemingway dhe Londoni përdorin pijen alkoolike si stimulim, ku i dyti përmendet me “Mbreti i alkoolit”, në të cilin libër pohon: “Të heqësh dorë nga alkooli, duhet ta kujtosh momentin e parë kur ke filluar ta përdorësh”. Pastaj, thënia e Latinëve të vjetër: “Në verë është e vërteta”. Edhe Mozarti kompozoj nën ndikimin e verës. Bodleri botoj edhe veprën “Parajsa artificiale, Opiumi, hashashi”. “Cili është ai burrë, që mund të dalë nga perandoria e opiumit”, kishte klithur ai në faqet e para të këtij libri. Poeti Allan Poe tërë jetën e kaloj i zhytur kokë e këmbë në alkool. Këto edhe sot janë lëngje të mrekullueshme në të cilat banorët e këtij rruzulli gjejnë guximin dhe kënaqësinë. Këta pijetarë melankolikë, pijetarë qeflinjë, ndoshta gjenin kujtimin dhe harresën, ose stimulimin e shijes për nxënien e momenteve kulminante, mirëpo asnjëherë nuk e kanë gjetur të plotë. Ja çfarë përmend Bodleri nën shfletimin e “Kreislerianë” e Hofman-it. Aty ai hasë në një rekomandim të çuditshëm: një muzikant skrupuloz, në rast se do të kompozojë opera komike, duhet të pijë verë Shampanje. Përse e bënë ai këtë? Ai përpiqet të gjejë ngazëllimin e lehtë shkumbues.  Vetë muzika fetare kërkon verë. Por, edhe në idetë më të thellë gjejmë hidhërim dehës. Poashtu muzika heroike nuk mund të bëjë pa verën, sepse kërkon afsh shumë serioz dhe joshje patriotike (fjalën e kam për muzikën serioze patriotike, e jo për atë tonën vendore nën ndikim të çajit.) Çfarë gjejmë në dehje? Nuk do të thotë të jesh i dehur e artist, por nëse ke nuanca artisti, vetëm se dehja ta plotëson. Edhe i dehuri i thjeshtë ka veshë për çdo art të thellë. Dehja na ndihmon ta çlirojmë shpirtin vetmitar, t’i dëgjojmë stuhitë më të mëdha muzikore, ngazëllimin sarkastik të padurueshëm, dëshirën për të dal nga uni, objektivitetin e ndjemë si të tepruar, shkrirja e qenies me realitetin (natyrën).

Eh, keq kush nuk i ka shijuar  kënaqësitë e thella të dehjes. “Kujtdo që i është dashur të qetësoj një brejtje të ndërgjegjes, të sjellë ndër mend një kujtim, të mbysë një dhimbje, ose thjesht të shohë ëndrra më sy hapur, të gjithë këta kanë thirr për ndihmë perëndinë misterioze të fshehur diku në fibrat e vreshtit”, shprehet hapur Bodler. Sa madhështor është ky mendim nën spektaklin e verës, ngaqë ndriçon nga dielli i brendshëm. Krijimi nën artin e dehjes është edhe përvëlues dhe epshet bëhen shumë të rrezikshme zhuritëse dhe ngacmuese. Mos të sigurohemi se dehja nuk është gjithnjë ai luftëtari i sigurt në fitore. “Vera i ngjan njeriut”, pëshpërit Bodler. Këtu ai kërkon ta trajtoj verën të barabartë me njeriun sepse asnjëherë nuk mund ta dimë se në çmasë mund edhe të prodhojë krime monstruoze dehja. “Shpesh, më bëhet sikur dëgjoj verën të flasë me shpirtin e saj, me zërin e shpirtit që vetëm shpirti e kupton”, shprehet ai. Këtu ai mbyllet në burgun e qelqtë dhe nuk rënkon për çlirimin dhe lirinë. Aty gjejmë varin e hareshëm ku ai përmbush fatin e tij me entuziazëm. Dehja të dërgon në vdekje elegante. Dehja të ndihmon të ngjitesh në shkallët e padukshme të trurit, aty ku ekzekutohet vallja supreme. Dehja bënë të dëgjosh refrene të fuqishme  të kohëve të shkuara. Artisti i dehur është arkeolog i mirë i shpirtit të tij. Bashkimi i dehjes me njeriun krijon poezinë e madhe. “ Duhet të pini e të deheni pa pushim! Po me çfarë? Me verë, poezi a virtyte, sipas shijes suaj. S'ka rendësi me çfarë, vetëm të dehur të jeni ! E në se, nganjëherë, do të zgjoheni plasur në shkallet e një pallati, mbi barin e gjelbër të një varri e pija do t'i u ketë dalë, i kërkoni erës, valës së detit, zogjve, orës së pazarit, gjithçkaje që ecën, që ikën, që këndon, që flet. Pyeteni sa vajti ora. Dhe era, vala, ylli, zogu, ora do ju përgjigjen: është sahati të bëheni përsëri tapë. Që të mos ta ndjeni veten skllevër, martirë të kohës, dehuni, dehuni pa pushim me verë, me poezi, me virtyte, sipas dëshirës ...” Ja kjo është kënga e kënduar nga vera në gjuhën e saj më misterioze nga Bodleri. Mjerë ai njëri që nuk e ka dëgjuar këtë këngë.