E enjte, 28.03.2024, 06:59 PM (GMT)

Editorial » Mehmetaj

Mehmetaj: Çamëria - ndërgjegjja e vrarë e shqiptarëve

E merkure, 06.07.2016, 07:56 PM


Çamëria - ndërgjegjja e vrarë e shqiptarëve

Të vrarë e të dëbuar nga grekët, të fyer e të sharë jo rrallë nga bashkëkombësit, të shpërfillur nga pjesa tjetër e kombit jashtë kufirit, të shpërfytyruar nga hallet e shumta, të pambështetje nga institucionet evropiane, shqiptarët e Çamërisë e ruajtën gjuhën, traditën e kulturën shqiptare si askush tjetër.

Nga Gani MEHMETAJ

Kur Armando Sadiku, lojtari i kombëtares shqiptare e dha golin kundër rumunëve, dhjetë milion shqiptarë u gëzuan si asnjëherë më parë. Të gjithë u bëmë shqiptarë krenarë, të gjithë nxituam të mburremi që jemi nipërit e Gjergj Kastriotit. Euforia zgjati tërë natën.  Por të nesërmen gdhiu një portal i cili e bëri Armando Sadikun tabelë qitje, sepse qenka çam, ndërsa shqiptarët e Çamërisë u bënë objekt i fyerjeve nga më të pistat që kam lexuar ndonjëherë në gjuhën shqipe. Grekët- xhelatët e shqiptarëve të Çamërisë nuk u përmenden më asnjë fjalë. Krimi i tyre fshihej, amnistoheshin, kurse shaheshin viktimat.

Shqiptarët e Çamërisë janë kaptina  më e dhimbshme e historisë sonë kombëtare. Një krahinë të tërë gati sa Kosova e shkombëtarizuan grekët dhe e bënë pronë të tyre. Gur mbi gur nuk lanë në qytete e katunde. Shqiptarët e Çamërisë pinjoll të njërit ndër fiset më të vjetra ilire, i shndërruan me 1945 në kolona të pafundme refugjatësh. Çamëria e sotme ishte Thesprotia e lashtë ilire, luftëtarë të përkushtuar të çështjes shqiptare, ushtarë trima të Gjin Bua Shpatës e princërve të tjerë arbëror të jugut, sot bredhin dyerve të botës nga Konispoli deri në kufinjtë më të skajshëm të Anadollit, në Eskisheher, pa të drejtën elementare-kthimin në tokat e veta.

Të vrarë e të dëbuar nga grekët, të fyer e të sharë jo rrallë nga bashkëkombësit, të shpërfillur nga pjesa tjetër e kombit jashtë kufirit, të shpërfytyruar nga hallet e shumta, të pambështetje nga institucionet evropiane, ata megjithatë e ruajtën gjuhën, traditën e kulturën shqiptare si askush tjetër, kanë muzikë e këngë që të mrekullojnë, kanë valle që të mbajnë pezull, ndërsa përpiqen ta tregojnë tragjedinë -gjenocidin e përmasave biblike, por që jo rrallë tragjedia e tyre bie në vesh të shurdhër.

Papa duhet të zbresë në Çamëri

Çamëria nuk është vetëm ndërgjegjja e vrarë e Evropës, Çamëria është edhe ndërgjegjja e vrarë e shqiptarëve. Papa duhet të zbresë një ditë në Çamëri e t'ua qajë hallin, shqiptarët duhet t'i mbështesim më shumë se sa deri me tash.  Greqia i masakroi dhe i dëboi nga territori etnik, bëri gjenocid ndaj tyre, krimin më të madh në shekullin XX, Shqipëria nuk i mbështeti, komunizmi i vuri nën dyshim e karantinë, i nëpërkëmbi e përbuzi, Kosova e kishte hallin e vet, po edhe egoizmin e madh, Turqia, ish pushtuesi mizor, i përdori për kthim resto sikurse të gjithë shqiptarët myslimanë: të jep grekët e armenët e Anadollit, i tha Greqisë, më jep shqiptarët myslimanë të Çamërisë, dhe jemi të larë.  Ushtria greke i dëboi shqiptarët e Çamërisë të besimit myslimanë në Turqi, shqiptarët ortodoks i shpërndau më kërcënime më thellë në kontinent  apo ua këputi gjuhën. Për njëqind vjet gati i shkriu më shkombëtarizim, pra i vriste në heshtje, ata që nuk arriti t'i vriste më pushkë a më bajoneta. Të tjerët i detyroi të deklaroheshin grekë. Sa herë më ka rastisur mua dhe turistëve të tjerë nga Kosova të takojmë, apo të banojmë në shtëpitë e çamëve ortodoks, të cilët na prisnin aq përmallshëm deri në përlotje, kujdeseshin si askush tjetër ndaj nesh, pikërisht sepse ishim të gjakut të tyre, na e rrëfenin tragjedinë e tyre, por gjithnjë më një sy në dritare se mos i përgjonte kush, apo me veshët nga dera se mos futej ndonjë policë i fshehtë grekë. Shqiptarë ortodoks të Çamërisë për herë të fundit kam takuam më 1991.

Ndërkaq, shqiptarë të dëbuar të Çamërisë kam takuar pas vitit 1992, kryesisht në Shqipëri, por edhe në Francë e Turqi. Sa  brengos fakti që greku nuk i lejon të kthehen në krahinën shqiptare, po aq  brengosëse është pse një pjesë e bashkëkombësve nuk ua dinë hallin, i përbuzin e përçmojnë si të gjithë të dëbuarit, sepse ashtu i mësuan në kohën e Enver Hoxhës, ashtu po i mësojnë shtrembër edhe në kohën e demokracisë. Lobi i fuqishëm grekë në Shqipëri ka shtrirë rrënjë kudo dhe nuk i lë të ngrehin kokë, zëmër ngushtësia provinciale shqiptare është armiku tjetër, që i nxit shqiptarët kundër shqiptarëve, ashtu sikurse i nxiste dikur lobi serb shqiptarët kundër "kosovarëve". Shqiptarët e Çamërisë ishin tragjikë në dy plane. Shqiptarët ortodoks që shpëtuan nga masakrat greke, i shkriu dhunshëm pushteti i Athinës, duke ua prerë gjuhën e traditën kombëtare, duke i kërcënuar se po dhanë shenja ringjallje do ta pësonin; shqiptarët myslimanë Greqia i dëboi një herë në Turqi, duke ua humbur farën, ndërsa pjesën tjetër i dëboi në Shqipëri, pasi masakroi pjesën më të madhe të popullatës, gra e fëmijë. Grekët nuk bënë dallime fetare, ata bënë gjenocid ndaj shqiptarëve në Çamëri.

Gjenocidi grekë është i pashembullt, vetëm gjenocidi turk kundër armenëve mund t'i afrohet, ndërsa vetë shqiptarët nuk e ngrehin zërin kundër këtij gjenocidi, ose reagimet janë të flashkëta, shpesh të pasinqerta. Kryesisht reagojnë shqiptarët e Çamërisë, por nuk reagojnë ose fare pak reagojnë shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë, Preshevës e Bujanovcit.  Secili e ka futur kokën në zhguallin e breshkës dhe nuk i intereson çfarë ngjet jashtë katundit të vet.

Si arsyetoheshin krimet greke?

"Çamët duhet të kenë bërë diçka, prandaj i dëbuan", më tha më 1991 Llaqi, një ish pjesëtar i strukturave të Enver Hoxhës. Më la pa fjalë se si i arsyetonte krimet greke, ndërsa i fajësonte viktimat çame. Arsyetimin cinik të gjenocidit grek kundër shqiptarëve të Çamërisë e kam dëgjuar dhjetëra herë në Tiranë. Një arsyetim që s'ta kapte mendja. Gjenocidi arsyetohej me kinse bashkëpunimin më fashistët. Grekëve u lejohej bashkëpunimi më nazistët, kurse shqiptarët duhej të vriteshin e të dëboheshin. Faktet tregojnë se ishin grekët kombi më bashkëpunues më pushtuesin gjermanë në Gadishullin Ilirik. Nuk e di a e kanë shikuar mbrojtësit e gjenocidit grek kundër shqiptarëve të Çamërisë, filmin "Mediteraneo", ku vajza e dëlirë greke, ua fal dëlirësinë e vet njëkohësisht dy ushtarëve italianë. Janë dhjetëra filma që e paraqesin këtë bashkëpunim greko-italian, apo greko-gjerman edhe në instanca më të larta dhe në shtrirje më të gjëra se sa në dashuri. Megjithatë strukturat komuniste anti kombëtarizmin e qyqarin ndaj çamëve e mbulonin me ideologji, pra çamët ishin armiq, sepse ishin bashkëpunëtorë të nazizmit, nuk i ndihmuan sepse u mbetej hatri serbëve e rusëve.

Në demokraci ka zëra e grupe që i sulmojnë e fyejnë, sepse po bashkëpunuakan më Turqinë e Arabinë Saudite, ndërsa citojnë deklarata të kreut të partisë çame. Nuk e di a duhej të formohej partia çame në Shqipëri, por duket që shpërfillja e pafalshme e shtetit ndaj çamëve mund të ketë ndikuar në formimin e partisë krahinore, ndërsa nuk përjashtohet që kjo shpërfillje cinike t'i ketë hedhur në prehrin e Turqisë e islamizmit, gjë që do të ishte tragjike për këtë komunitet. Nuk ishte më i mirë pushtuesi turk nga ai grek, prandaj është kriminale nëse i afrohen Turqisë. Po ashtu, sulmi kundër Armando Sadikut, u nis, sepse një portal shkruan që ai qenka takuar më një hoxhë- korb islamik. Takimi i një sportisti më një islamik që e ngreh gishtin si antenë televizori në një shtet laik është i dëmshëm për uniformën kuq e zi e për emrin e mirë të kombit të tij, kurse bashkëpunimi apo ndihma turke për shqiptarët e Çamërisë do të ishte fatale, sepse do t'u jepte shkas grekëve të refuzojnë çdo kërkesë çame, madje s'do ta kenë as mbështetjen perëndimore.  Kush u garanton përfaqësuesve të çamëve që nuk ka marrëveshje të fshehtë greko-turke për tregtimin e interesave çame. Do t'i shes Turqia interesat e çamëve sikurse i shet limonin  e kontaminuar të bregdetit mesdhetar.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora