E shtune, 20.04.2024, 12:06 AM (GMT+1)

Kulturë

Kadri Kadiu: Unë, agronomii Vranishtit

E marte, 05.07.2016, 07:11 PM


UNË, AGRONOMI I VRANISHTIT

Nga Kadri Kadiu

Në qershor të vitit 1960 unë mbarova shkollën e mesme, Teknikumin Bujqësor të Korçës dhe mora diplomën "Agronom i mesëm i specializuar në frutikulturë". Isha në atë kohë një çun fare i ri, vetëm 18 vjeç dhe isha edhe fizikisht i shkurtër e i imët kështu që edhe unë ndjehesha i frikësuar se si do ta përballoja punën që do më ngarkohej, e jo më pastaj të kishin besim të tjerët tek mua.

Pas nja një muaji më vjen në shtëpi një vendim i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit Korçë, ku thuhej se isha emëruar agronom në Kooperativën Bujqësore të Bashkuar Vranisht-Pilur-Bickë të Devollit dhe duhej të paraqitesha menjëherë në detyrë.

Kooperativa e Vranishtit ishte afër Fshatit tim, Mançurishtit, nja 6-7 km, kështu që më pëlqevi ky emërim dhe vendosa që të nesërmen të shkoja në Vranisht e të filloja punën.

Në Kooperativën e Vranishtit në atë kohë, Kryetar ishte një miku jonë shumë i mirë, Seladin Becolli. Ne kishim hyrje-dalje me shtëpinë e Saladinit pasi motrën e tij, Pashuken, e kishim nuse të djalit të dajos së babait tim. Nisur nga kjo miqësi, babai nuk më la që të shkoja vetë në Vranisht. "Do të shkojmë bashkë sonte tek shtëpia e Seladinit, më tha, e do të qendrojmë aty pasi me Seladinin jo vetëm që jemi miq, por unë e kam dhe shok atë". Nuk më pëlqeu aq ky mendimi i babait tim pasi më vinte rëndë dhe më binte "burrnia" që po më shpinte në punë për dore babai, por nuk e kundërshtova dot dhe ashtu u bë, siç tha babai.

Në mbrëmje trokitëm në Shtëpinë e Seladinit.

"Bujrëm e mirëseardhët xha Safet",  i tha babait tim Lumja, bashkëshortja e Seladinit; na futi në dhomën e pritjes dhe pastaj doli jashtë e filloi të merrte masat për përgatitjen e darkës. Pas ca kohësh vjen në shtëpi dhe Seladini. U takua e u përshëndosh me përzemërsi me babain tim, por unë e ndjeva se mua nuk ma vari aq shumë, vetëm më toku dorën. Pasi u bënë të gjitha përshëndetjet e rastit dhe pasi u bënë edhe të gjitha pyetjet, siç e kemi zakon ne devollinjtë që pyesim për shëndetin e të gjithë njerëzve të shtëpisë, kokë më kokë, e madje pyesim edhe për lopën e për macen e shtëpisë, babai im i tha Seladinit: " Selo; besoj se juve e kini marrë njoftimin nga Komiteti që këtë djalin tim e kanë caktuar agronom në Kooperativën tuaj".

Seladini tani kishte marrë një pamje tjetër, dukej më i vrejtur dhe ishte në siklet i gjori për përgjigjen që do të jepte. Ishte i zënë ngushtë pasi nuk kishte të bënte me njerëz të panjohur por me njerëz të rrethit miqësor e aq më shumë që ky muhabet bëhej pikërisht në shtëpinë e tij ku miqtë i kishin bujtur për darkë.

Heshti një copë herë, por s'kishte nga ia mbante, duhej të përgjigjej, e më në fund foli: " O Safet; i tha babait tim, mik të kam, shok të kam, por ky djalka tënd nuk është për Kooperativën tonë. Ne jemi Kooperativë e madhe, me tre fshatra, neve na duhet të kemi një agronom të mirë, një njeri të pjekur e me shkollë të lartë. Ne e biseduam dhe me shokët e Kryesisë së Kooperativës këtë vendimin që na ka ardhur nga Komiteti për djalkën tënd, por ne nuk jemi dakord që ta pranojmë".

Unë u preva fare nga kjo përgjigje e Kryetarit të Vranishtit dhe sidomos më vinte inat që ai dy herë më quajti "djalkë".  Me atë mendjen time prej të riu, apo edhe prej djalke siç më quajti Seladini, unë prisja që babai tani të kërkonte lejë dhe të ngriheshim e të iknim nga shtëpia e Seladinit. Mirëpo babai im i tha: " Po mirë o Seladin, juve i dini punët tuaja dhe Komiteti i din të vetat, le të bëhet si të jetë më mirë edhe për Kooperativën edhe për djalin tim, kështu që mos ki asnjë merak, unë nuk të zemërohem, ne jemi miq e kështu do të mbetemi".

Ndërkohë, Lumja e Seladinit shtroi darkën dhe në atë darkë, për ta nderuar babain tim, erdhën edhe vëllezërit e Seladinit, Avniu, Myftari e Rahmani. Në atë darkë të gjithë bisedonin, qeshnin e tregonin qyfyre e historira, pinin raki e ngrinin dollira. Ndërsa unë, zere se nuk isha aty, as flisja e as desha të dëgjoja, as më haej e as më pihej, më buçiste koka dhe me vete thosha "si do ta gdhij këtë natë këtu".

Të nesërmen dolëm që në mëngjes nga shtëpia e Seladinit; babai im u kthye në shtëpi ndërsa unë e mbajta vrapin në Komitetin Ekzekutiv të Korçës. Më priti aty Shefi i Bujqësisë i Rrethit, Ilo Xega. Ishte një burrë i vjetër ky Ilo Xega, i rrahur me vaj e me uthull edhe në luftë, edhe në punë.

Ia shpjegova situatën; më dëgjoi dhe më tha: "Ti u paraqite në Kooperativë kështu që qysh sot je Agronom i Vranishtit, sot të ka filluar edhe roga kështu që mos u mërzit fare. Mos ki merak, atë Seladinin e llafos unë; ou nuk na pranoka agronom të mesëm ai, por harron se për vete, që është Kryetar Kooperative, ka vetëm 7-vjeçaren, ashtu si edhe unë që jam Shefi i tij. Nesër shko fillo punën aty the thuaji atij Seladinit nga ana ime se pas nja dy vjetësh ti do e zëvendësosh atë dhe do të bëhesh Kryetar i Kooperativës". (Dhe vërtet i doli profecia këtij Ilos, pas ca viteve unë u bëra Kryetar Kooperative).

Të nesërmen, sabahu mua më zuri në Vranisht. U lehtësova fare pasi Seladini më priti duke qeshur dhe më uroi punë të mbarë. Siç e sheh o "shoku agronom", më tha, neve me zyra jemi pak ngushtë, katër zyra janë këtu, dmth Zyra e Kryetarit të Kooperativës, Zyra e Kryetarit të Këshillit të Bashkuar, Zyra e Sekretarit të Partisë dhe Zyra e Llogarisë. Ti do të qendrosh në Zyrën e Llogarisë por dihet që Zyra jote e vërtetë do të jenë arat e Kooperativës. Më vonë, nuk i dihet, siç të ka thënë dhe shoku Ilo, mund të marrësh dhe Zyrën time, buzëqeshi dhe më ra krahëve me mirësi.

Në mbrëmje Kryetari mblodhi Kryesinë, përgjegjësat e sektorëve dhe brigadierët e më prezantoi mua, duke iu thënë: "Kadriu ka mbaruar me rezultate shumë të mira Teknikumin Bujqësor dhe që nga sot ai do të jetë Agronomi i Kooperativës sonë, kështu që do të zbatoni udhëzimet dhe porositë e tij". Të gjithë të pranishmit më mirëpritën e më uruan suksese në punë por tek të gjithë unë shikoja një buzëqeshje të lehtë që dyshoja nëse shprehte mirësi ndaj meje apo mosbesim ndaj një "djalke".

E kështu, e fillova unë punën në Vranisht, e kisha me pasion e me vullnet të madh. Orari i punës në Koperativë ishte "diell më diell", dmth puna fillonte kur lindte Dielli dhe mbaronte kur perëndonte Dielli. Por ky orar ishte në fakt për kooperativistët ndërsa për ne "kuadrot"  vazhdonte dhe nja dy orë të tjera pas perëndimit të Diellit pasi çdo mbrëmje mblidhej Shtabi i Koperativës, i përbërë nga Kryetari, Agronomi, përgjegjësat e sektorëve dhe brigadierët, ku analizohej puna e ditës dhe jepeshin detyrat për të nesërmen. Për mua, që isha jabanxhi, orari ishte akoma edhe më i gjatë pasi natën kthehesha në shtëpi në Fshatin tim dhe përsëri më sabah duhej të isha në punë. Duke parë situatën time, Kryetari i Kooperativës por edhe Kryetari i Këshillit të Bashkuar, Arif Paho, ma qanë hallin dhe më premtuan se do të më gjenin një dhomë që të mos shkoja çdo natë në Mançurisht. Dhe më sistemuan në një shtëpi ngjitur me zyrat e Kooperativës, ne Familja e Shaqo Hoxhës ku më lëshuan një dhomë në katin e dytë të shtëpisë.

Kooperativa e Vranishtit kishte një fushë të gjërë e të begatë që fillonte në kufi me Cangonjin e përfundonte në kufi me Bitinckën e me Babanin. Por kishte dhe disa kodra të bukura, në këmbë të Moravës, që Zoti sikur i kishte bërë me porosi për vreshta e pemëtari. E unë, agronomi i ri, i bija çdo ditë kryq e tërthor gjithë fushës e gjithë atyre kodrave, fluturoja nga gëzimi, e ndjeja veten "Zot" të tyre dhe isha i apasionuar e i vendosur që të mos kurseja asgjë për të vënë në zbatim ato që kisha mësuar në shkollë. Edhe kuadrot e Kooperativës, por edhe kooperativistët po e ndjenin vullnetin dhe vrullin tim në punë. Në fillim ata më quanin "agronomkë" por dita ditës po e ndryshonin këtë perceptim, filluan të më vlerësojnë e të më thoshin me plot gojën "shoku agronom". Kusur nuk lija në ndjekjen e punëve në terren. Nuk kish parcelë me grurë, me misër, me panxhar, me patate apo çdo kulturë tjetër dhe nuk kish vreshtë e pemëtore që unë të mos e kontrolloja çdo ditë, kështu që çdo mbrëmje iu jepja brigadierëve deryrat se çfar duhej të bënin të nesërmen.

Por profesioni i agronomit nuk ka vetëm anën operative të ndjekjes së punëve; ka edhe anën administrative. Unë isha pa eksperiencë në këtë drejtim dhe një ditë u ndjeva krejt i çarmatosur kur erdhi në Kooperativën tonë për inspektim Agronomi i Frutikulturës i Rrethit të Korçës, Dhimitër Nase. Dhimitri ishte një agronom i vjetër, me shumë përvojë, i studjuar në Perëndim. I raportova unë Dhimitrit gojarisht, ezber, për situatën dhe problemet që kishim ne në bimët e arave, në vreshta e në pemëtore. Pasi më dëgjoi Dhimitri me vëmendje ato që fola unë, nxorri nga xhepi një bllok shënimesh dhe filloi të më pyesë:

Sa hektarë tokë ka Kooperativa juaj?

Sa hektarë tokë kini nën ujë?

Sa hektarë zenë bimët e arave?

Sa hektarë kini me pemëtore?

Sa hektarë kini me vreshta?

Sa hektarë mbillni me grurë, me misër, me panxhar, me foragjere...e kështu vazhdoi pyetjet me radhë.

Për asnjërën nga këto pyetje unë nuk dhashë dot përgjigje dhe atë ditë i vura vetes notën "dysh" si agronom.

I mbaj mend si sot dhe kurrë nuk i harrova fjalët që më tha atë ditë Agronomi Dhimitër Nase. Dëgjo mor djalë, më tha: " Që Agronomi i Kooperativës të mos i dijë këto gjëra për Kooperativën e vet, është njëlloj sikur i zoti i shtëpisë të mos dijë se sa dhoma ka në shtëpi".

Atë natë nuk fjeta fare. I mora në Zyrën e Llogarisë planet dhe raportet vjetore të Kooperativës dhe në mëngjes kisha një bllok xhepi të madh ku ishin të shënuara në mënyrë të detajuar të gjithë treguesit e prodhimit dhe ata ekonomiko-financiarë të Kooperativës, duke filluar nga sipërfaqja e tokës për çdo zë kadastral, sipërfaqet dhe rendimente e  e realizuara dhe ato të planifikuara për çdo kulturë bujqësore, numrin e krerëve dhe rendimentet e prodhimit për çdo lloj të gjësë së gjallë të Kooperativës si dhe treguesit kryesorë financiarë si sasia e të ardhurave vjetore, vlera e ditës së punës etj.

Vetëm dy vjet punova në Kooperativën e Vranishtit se pastaj më doli e drejta e studimit dhe ika në Institutin e Lartë Bujqësor për tu bërë agronom i lartë, ashtu siç e deshte dhe Seladini. Por ato dy vjetë më kanë vlejtur për gjithë jetën dhe të gjitha punët që bëra aty, e të gjitha satisfaksionet që mora aty, më lanë mbresa të forta që më kanë mbetur në mendje, ashtu siç ndodh me çdo njeri që, megjithëse në jetë ka patur disa  mesues, mësuesin e klasës së parë nuk e harron kurrë.

Më duket sikur do të flas  "për Belulin", por do i them ca punë të mira, për të cilat edhe u vlerësova nga njerëzit aty. Kështu, krijova në atë Kooperativë fidanishten e parë për prodhimin e fidanave frutorë, krijova vreshtin e parë antifillokserik për prodhimin e nënshartesave të rrushit, aplikova për herë të parë në atë Kooperativë shartimin në tavolinë të hardhive, me një skuadër kooperativistësh që i përgatita vetë, projektova dhe mbollëm disa blloqe të reja me pemë e me vreshta etj. Po ashtu, në atë kohë u fut për herë të parë në kooperativat e Rrethit Korçë mbjellja e duhanit si bimë industriale. Me rasatin e duhanit që prodhonim në farishtet e Vranishtit, jo vetëm që plotësonim nevojat tona, por furnizonim edhe kooperativat e Vishocicës e të Zëmblakut që agronomët i kishin me shkollë të lartë.

Por në Kooperativë unë nuk isha vetëm agronom, unë u bëra vranishtar, merrja pjesë në të gjitha aktivitetet kulturore e artistike të Kooperativës dhe tërë vranishtarët, pilurakët e bickallinjtë më deshin e më respektonin shumë. Le ta them, pata edhe disa oferta për tu bërë dhëndër aty pasi kishte vajza të bukura e të ndershme të rritura me ujë Morave, por në atë drejtim unë vërtet isha djalkë në atë kohë dhe kisha objektiv për të vazhduar shkollën.

Në Vranisht unë bëra shokë e miq të shumtë, që më mbetën për gjithë jetën. Në mënyrë të veçantë, Familja e Shaqo Hoxhës ku unë qendroja, mu bë një shtëpi e dytë. Shaqua ishte një burrë i shkëlqyer, i urtë, punëtor, i ndershëm e i dashur sa më s'bëhet. E shoqja e Shaqos, Shefiqeja, (Ane i thosha unë), ishte një zonjë grua, ishte nikoqire e paarritshme dhe sheqer nxirrte nga goja. Shaqja dhe Aneja kishin tre fëmijë më të vegjël se unë, dy djem e një vajzë. Por me vajtjen time në Shtëpinë e tyre ata më trajtonin si djalë të tyre dhe Aneja e thoshte me plot gojën se "me Kadriun tani mu bënë tre djem". Unë rallë haja darkën vetë në dhomën time, pasi gati çdo mbrëmje Aneja më thërriste poshtë dhe më ulte në sofrën e tyre. Edhe prindërit e mi ishin shumë mirënjohës për trajtimin që më bëhej mua në atë shtëpi kështu që familjet tona u miqësuan dhe e kemi ruajtur miqësinë edhe kur unë isha larguar nga Vranishti. Më vonë unë kam punuar në rrethe të tjera të Vendit, por sa herë që shkoja në Fshatin  tim tek prindërit, shkoja edhe në Vranisht tek Ane Shefiqeja. Edhe tani që Shaqua dhe Aneja nuk jetojnë më, unë kam mall dhe shkoj bëj nga një vizitë në shtëpinë e tyre, që e quaj edhe timen. Edhe sivjet shkova aty dhe u çmalla me shtëpinë dhe me djemtë e tyre, që i kam si vëllezër, Hysenin dhe Manen.

Eh, sa shokë e miq të mirë kam patur e kam unë në Vranisht, Pilur e Bickë: Ali Kondin, Refik Xhinakun, Nazif Talen, Ismail Becollin, Drini Becollin,  Fahri Spahon, Ydri Pahon, Zime Gegollin, Nazmi Shimën, Bilal Bylykbashin, Gure Hoxhën, Agim Hoxhën, Rahmi Zizollin, Florenc Tahiraj, Nebaete Tahiraj, Xhixhe Tahon, Fatime Hoxhën...e lista s'mbaron.



(Vota: 4 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora