E premte, 17.09.2021, 11:14 AM (GMT+1)

Kulturë

Skënder Buçpapaj: Poezi e dramës njerëzore

E marte, 05.07.2016, 06:47 PM


MONOLOG I ASHTIT-POEZI E DHIMBJES SË DLIRË DHE DRAMËS SË THEKSHME NJERËZORE

(Tahir Bezhani: “Monologu i ashtit”, poezi-botoi Klubi Letrar “Gjon Nikollë Kazazi”-Gjakovë, 2016)

Nga Skënder BUÇPAPAJ

Monolog i Ashtit, titulli i librit më të ri të Tahir Bezhanit, një metaforë metonimi, njëherësh mund të shërbejë edhe si titull i të gjithë krijimtarisë poetike të autorit të tij, si çelës për të hyrë në kullën e tij të heshtjes. Këtë çelës të zotët e kullës, poetët, e lëshojnë në duart e lexuesve të specializuar, kritikëve, atëherë kur ata kanë arritur një stad domethënës krijues.

Ashti është miniaturë e kësaj kulle, thelbi i thelbit të saj, është materializim i dhimbjeve, vajeve, pritjeve, rënkimeve, kujtimeve, përmallimeve, pikëllimeve, hidhërimeve, ngujimeve, mendimeve, vuajtjeve, lodhjeve, trishtimeve, ëndrrave, shpresave, hareve, gëzimeve, dashurive, krenarive, porosive, amaneteve, bukurive, shëmtive, të gjitha këto nocione abstrakte, të gjitha këto kryefjalë të frymëzimeve, të gjitha këto here në njëjës, here në shumës, vetëm vuajtja, durimi, sidomos heshtja janë në njëjës.

Krahas dhimbjes, përkatësisht dhimbjeve. heshtja është fjala më e pranishme në poezitë, në titujt e tyre, gjithnjë në rol metafore. Të gjitha fare mirë mund të kërkojnë kuptimisht rasën gjinore – i, e, të, së ashtit.

Poezia e Tahir Bezhanit edhe në këtë libër është lirikë meditative, çka parakupton që hovet e ndjenjave të fluturojnë brenda qiejve të mendimeve, hovet e ndjenjave nuk lejohen të dalin përtej kubeve të këtyre qiejve. Monologu është bisedë me vetveten. Lirizmi meditativ mundëson që edhe kur poeti, njëlloj si kur i drejtohet vetes së tij me ti, ashtu t’iu drejtohet edhe vetjeve të tjerëve, duke i shndërruar edhe ata në vetvete, në unë, pra duke i marrë botët e tjera në botën e vet, në kullën e vet të heshtjes, në ashtin e vet, ku shënohet, gdhendet gjithçka.

Këtij rregulli i përket domosdo ngujimi shembullor i poetit në dhomën e tij të punës “Dhoma ime katrore/ Një tavolinë, dy karrige/ Heshtja rri përballë/ Mbi të një laps

Një fletë e bardhë”. Nga ky rregull nuk bën përjashtim as dalja e përkohshme nga ngujimi në hapësirën qiellore:”Fluturoj me aeroplan/ Kaltërsisë qiellore/ Atje mbi retë e bardha/ Në gjithësi/ Heshtja ngrin gëzimin”. Brenda rregullit është poeti edhe kur ndërmerr aventurën e lundërtarit të vetmuar në oqean, të cilit eshtrat I përfundojnë në fund të ujit të madh.

Këtë filozofi e shpreh më së thekshmi poezia “Pëlcitje vaji befas’, ku duket sikur poeti është duke biseduar vetëm me veten, vetëm me veten e me askënd tjetër, por, befas, në përfundim të poezisë, kemi vargjet: “Që të mësohem me kohën,/ Si qen duhet të leh/ Ose qentë do më hanë/ Baba.” Kjo porosi dhënë vetvetes është ndarë po me vetveten e tij, ndonëse në vetë të dytë gramatikore, siç është babai.

Dhe është një konkluzion artistik që arrihet pas një përballjeje tejet të fuqishme, tejet dramatike pikërisht brenda vetvetes. Dramacitetin e përfton vetmia që ndrydh, heshtja që gërryen, terri që kafshon, trazimet që kacafyten, mendimet që përplasen, gëzimi që kriset, vaji që pëlcet, pezmi që piskat. Nocionet abstrakte asnjëherë nuk mbeten pasive, nuk mbeten dekor, në teatrin pa dekor të poezisë së Tahir Bezhanit. Madje edhe nocione konkrete që janë simbole të heshtjes nuk pranojnë të mos i dëshmojnë zëshëm, madje zhurmshëm përjetimet e tyre.

Lirizmi meditativ e mundëson sa dhe e parakupton dramatizmin e brendshëm. Kështu poezia e Tahir Bezhanit përkufizohet si lirikë meditative dramatike.

Poeti shkruan:«Majmunët shëmtinë e kanë frikë/ Kur shikohen në pasqyrë», për të dhënë një situatë të pazakonshme ballafaquese. «Kukull akulli» quan ai një bukurie të ftohtë, një bukurie falso, të rreme, një bukurie që ngjall ngjethje estetike. «Lotët vënë lëmashk qepallave», kur vajet nuk kanë mbarim, nuk kanë të reshtur. «Një shi i qetë/ Si vaj fëmije jetim» tregon një gjendje të amullt, të papërcaktuar shpirtërore, ngërthyer në mëdyshje të shumta, pa rrugëdalje. «Vetëm stërpikat në xhama/ Ngjajnë në veten time” shprehin dërmimin e tejskajshëm të qenies. «Bukuri e varur në lotë të shterrur» është bukuria që pa taka ec nëpër poret e trupit të të dashurit. Figura të tilla i ka zili çdo poet. Ato janë të shpeshta në poezinë e këtij vëllimi poetic, duke i dhënë kështu asaj një intensitet artistik të veçantë, çka e përshkon pothuaj çdo krijim të librit.

Duke qenë poezi e dhimbjes së dlirë, poezi e dramës së thekshme njerëzore,  artistikisht e përjetuar dhe e përgjithësuar nëpërmjet unit të poetit, poezia e Tahir Bezhanit, në këtë libër të ri është poezi e frymëmarrjeve gjithnjë e më të gjera, e hapësirave gjithnjë e më të shpalosura të shpirtit të njeriut të kohës, e përjetimeve të tij tragjike dhe heroike. Gjithherë drama burrërore e poetit është pjesë e dramës së popullit të vet, e lartësive dhe thellësive më të bukura shprehëse të kësaj drame. Asnjëherë poezia e Tahir Bezhanit nuk është qerthull i mbyllur i ndjenjave meskine, të ngushta, të vogla.

Poezia për Tahir Bezhanin nga një hobi e jetës është tashmë një përkushtim i jetës. Kjo ndihet bukur nga vëllimi në vëllim, nga poezia në poezi. Tahir Bezhani i është kthyer plotësisht vokacionit të tij. “Monolog i ashtit” është padyshim vëllimi i tij më i mire poetik dhe dëshmi se frymëzimet e tij janë gjithnjë e më të pashterrëshme.Tahir Bezhani është poet i trevës më të famshme poetike, asaj në të dy anët e Malit Shkëlzen. Është bir Gjakove dhe nip Tropoje. Ai është lindur dhe rritur me mallin për Valbonën dhe i kushton atij krijime të bukura. Shpesh e më shpesh ndërmerr udhëtime për të shua sadopak mallin e një jete të tërë, por edhe mallin e atyre që janë larg.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora