Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Albert Habazaj: Perla e gjyshit

| E marte, 05.07.2016, 06:33 PM |


ALBERT HABAZAJ

 

PERLA E GJYSHIT

 

Kjo ditë m'u zgjua si lule e bukur,

Po mos më pyesni më tepër si e qysh,

Lumturinë e statusit kaq të lumtur

Po prek sot me dorë, që po bëhem gjysh.

 

Fluturoj mbi Vlorë (si Vlora tjetër s'ka dy)

Me mua-shkëlqimi i mëngjesit nga vesa,

Asnjë tjetër bukuri s'po më hyn në sy,

Sytë e mi patjetër janë te mbesa.

 

Një ndjenjë me diell më çel në zemër,

E spërkatur me pjalmin hyjnor të shpirtit.

Si mbret fluturoj në krahët e këngës,

Të një kënge të rrallë, musht trëndafili.

 

Një thërrime buke, e dashur, e ëmbël,

E freskët si ajër, si gëzim i pastër,

Në gjumë do ta vërë nga lodhja Nënën,

Gjumin do t'ia heqë Babait natën.

 

Dhe ç' e mban gjyshen, po mua, gjyshin ç'më mban!

Në qiellin e shtatë në këmbë shkela...

Figurat letrare që fjalori përmban

M'i eklipson mbesa sa një pikël-PERLA.

 

Gjyshi, Albert Habazaj

E diel, 3. 07. 2016, ora 05:30’- 05:41'