E shtune, 20.04.2024, 12:05 AM (GMT+1)

Mendime

Marku: Përfaqësimi politik i shqiptarëve në Austri

E hene, 04.07.2016, 08:18 PM


Sfidat e përfaqësimit politik të shqiptarëve në Austri

Shkruan Anton Marku

Në rastin e Austrisë, si njëri nga vendet më të prekura nga fenomeni i migrimit, shqiptarët ende nuk po arrijnë të gjejnë format dhe metodat e duhura që do të rezultonin me një pëfaqësim real, së paku në proporcion me numrin e tyre, në këtë vend alpin. Në këtë proces ata ende po ballafaqohen me sfida nga më të ndyshme, gjë që po e vështirëson dhe ngadalëson promovimin e tyre si qytetarë të barabartë në raport me popullatën vendase dhe të huajt e tjerë, një pjesë e të cilëve kanë arritur të pozicionohen shumë më mirë në administratën dhe institucionet lokale dhe qendrore.

Shqiptarët në Austri, faktorë, aktorë apo spektatorë?

Edhe përkundër mungesës së ndonjë registrimi formal, mendohet se në Vjenë dhe rrethinë jetojnë afër 40 mijë shqiptarë. Prej këtij numri supozohet se së paku një e treta posedojnë nënshtetësinë e këtij vendi. Pra, mund të votojnë në zgjedhje. Por, sa prej tyre dalin fare të votojnë? Mbase kjo shifër sillet nën 10%. Në këtë kontekst, pyetja adekuate do të ishte: sa intelektualë shqiptarë ka Vjena? Kush janë ata? Ku janë ata? Sa janë ata aktiv në shoqëri? Pyetjet tjera që presin përgjigje do të ishin: A kanë shqiptarët në Austri preferenca politike ndaj një apo disa partive të caktuara? Në çfarë niveli është vetëdija e tyre politike? Sa është numri i tyre dhe cilët janë shqiptarët e angazhuar nëpër partitë politike në këtë shtet? Cili është roli i tyre në subjektet ku aderojnë? Janë zëra apo numra?

Kandidaturat shqiptare

Është për tu admiruar guximi i atyre kandidatëve të diasporës shqiptare të cilët, në një moment të jetës së tyre, kanë marrë vendimin që të garojnë në zgjedhjet austriake. Ata do të mbahen mend si pionerë të përpjekjeve të njerëzve tanë për përfaqësim politik jashtë atdheut.

Në anën tjetër, është për të ardhur keq që, me ndonjë përjashtim të rrallë, si në Landin e Austrisë së Epërme, ku në zgjedhjet e vitit 2015, nga radhët e social-demokrateve, i riu me prejardhje nga Kosova, Lulzim Fejzullahu, u zgjodh këshilltar në asamblenë e komunës së Ebensee-së, në qytetet e mëdha të Austrisë, aty ku dhe është koncentrimi më i madh i diasporës sonë, e sidomos në Vjenë, kandidatët shqiptarë le që nuk po arrijnë as për së afërmi të marrin numrin e votave të nevojshme që do të siguronin një vend që ofron një karrige këshilltari në njërin nga 23 qarqet sa ka kryeqyteti, por nuk po ja dalin të dallohen as me ndonjë fushatë parazgjedhore për tu mbajtur mend. Kështu si e kanë kuptuar dhe si veprojnë ata në politikë, nuk punohet më (as nivelet lokale) as në viset nga vijmë, në Ballkan.

Rezonim në retrospektivë

Deri më tani, një fushatë klasike e një kandidati shqiptar në Austri dukej përafërsisht kështu:

Në aspektin organizativ kandidati fillon të ‘‘aktivizohet’’ tek disa javë para zgjedhjeve. Zakonisht lëviz vetëm, pa ndonjë grup të bashkëpunëtorëve apo vullnetarëve. Për marrje me qera të një lokali për komunikim ditor me qytetarët apo krijim të një shtabi zgjedhor vetjak as që bëhet fjalë.

Në aspektin teknik takimet i bën në ambiente të mbylluara (kafene, klube, shtëpia/banesa private, etj). Në këto raste, e tërë biseda fokusohet në shpërndarje të kartëvizitave dhe ‘‘programeve’’ (fletëpalosje të vogla, në format A5), për tu mos parë më.

Në aspektin promovues shumica prej tyre nuk kanë të hapur web-faqe në internet. Të gjithë kanë nga një të tillë në platformën sociale në facebook. Ato, në vend se të përdoreshin për prezantimin e ideve, incimin e bashkëbisedimeve me votuesit potencialë dhe tematizimin e çështjeve me interes të përbashkët, shfytëzohen për LIKE-LIKE urime dhe dëshira për njëri-tjetrin. Pak ditë para datës së zgjedhjeve, pasi tashmë ka krijuar apo huazuar një listë të email adresave të disa qindra bashkëatdhetarëve tanë, kandidati ju dërgon një fotografi, një CV personale dhe një letërthirrje për të votuar mu atë. Zakonisht dita e zgjdhjeve kalon me dërgimin e sms-ve grupore në facebook dhe viber. Me urime për fitore dhe me premtimin se vota do të shkoj aty ku është thënë. Pak ditë më pas rezultatet për kandidtatë bëhen publike. Zhgënjimi po ashtu.

Formula që mund të sjellë sukses

Sot komuniteti shqiptar në Austri ka nevojë për tejkalimin e turbo-folkorizmit dhe pseudopatriotizmit. Atij i duhen ide dhe angazhim konkret. Për këtë arsye do të ishte e udhës të inkurajohen të gjithë ata që mendojnë, duan dhe eventualisht dhe munden, të jenë zëri ynë në këtë rrugë të ndryshimeve pozitive. Ndër veprimet që do të mund të ndërmerreshin, në mënyrë që shqiptarët, në një të ardhme optimale, të kenë përfaqësuesit e tyre politik në strukturat e pushtetit lokal apo qendror në Austri, mund të jenë:

Bërja publike me kohë e kandidaturave për zgjedhje:-Në një afat të arsyeshëm kohor, më së paku gjashtë muaj para mbajtjes së zgjedhjeve, kandidatët duhet komunikuar vendimet e tyre për të garuar;

Përpilimi dhe shpalosja e programeve politike:-duhet bërë në bashkëbisedim me votuesit, duke u njohur më për së afërmi me nevojat dhe intereset e tyre;

Krjimi i strategjisë për fushatë zgjedhore:-Në këtë kontekst, është shumë e nevojshme që kandidatët të mos lëvizin ‘‘solo’’ por të themelojnë shtabin zgjedhor dhe grupin e vullnetarëve, të cilët do të shoqëronin kandidatët përgjatë tërë kohës së fushatës parazgjedhore;

Partneriteti me komunitetet tjera në Austri:-Kandidatët duhet fuqizuar bashkëpunimin me bashkësitë tjera dhe shoqatat e tyre, sidomos me ato kroate, turke, boshnjake, etj;

Sigurimi i mbështetjes shoqërore dhe institucionale:-Shoqëritë e miqësisë austriako-shqiptare dhe austriako-kosovare, këshilli koordnues i shoqatave shqiptare në Austri, asociacioni i bizneseve shqiptare në Austri, shoqata e juristëve, etj, pos tjerash, do të mund të bënin thirrje publike drejtuar mërgatës sonë që, nëse jo për të votuar për kandidatin X apo Y, së paku për të marrë pjesë në zgjedhje dhe votuar njërin prej tyre.

Themelimi i grupeve ‘‘Miqët e X kandidatit’’:-Nga radhët e intelektualëve, aktivistëve me autoritet dhe studentëve do të mund të themeloheshin ekipe lobuese, të cilët do të promovonin hapur kandidaturën e njërit apo tjetrit pretendent.

Rikapitullim

Mund të konstatohet se në Austri në përgjithësi dhe në Vjenë në veçanti ka shumë intelektualë shqiptarë. Një pjesë e madhe e tyre kanë studiuar në universitetet më me renome të këtij vendi dhe fituar tituj të ndryshëm akademikë. Shumë prej tyre, pas diplomimit dhe punësimit tërhiqen nga zhvillimet në komunitet dhe pasivizohen, duke u vetmjaftuar me pagën që fitojnë. Preferencat politike të bashkësisë shqiptare në Austri janë të padefinuara strategjikisht dhe institucionalisht. Përpos mungesës së interesimit, vullnetit, dëshirës dhe vetbesimit për tu marrë aktivisht me politikë, është shumë evidente edhe vetëdija e ulët për të marrë pjesë në zgjedhje, qoftë dhe si votues i thjeshtë. Si pasojë, numri i shqiptarëve të angazhuar nëpër partitë politike në këtë shtet mbetet skajshmërisht i ulët, përderisa roli i tyre në subjektet ku aderojnë kufizohet në grumbullimin e atyre pak votave për partitë. Për fat të keq ata vazhdojnë të jenë numra e jo zëra. Një tendencë për ndryshimin e kësaj gjendje nuk po vihet re.

Integrim do të thotë edhe pjesëmarrje. Mjerisht, më shumë se sa faktorë, shqiptarët në Austri vazhdojnë të jenë aktorë pasiv të skenës politike dhe spektatorë të painteresuar për të kontribuar përmbajtësisht në jetën shoqërore në këtë shtet mik.

Anton Marku ka përfunduar studimet master në shkencat politike në Universitetin e Vjenës. Për katër vite (2009-2013) ka shërbyer si diplomat në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Austri.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora