E enjte, 25.04.2024, 06:25 AM (GMT+1)

Mendime

Xheladin Zeneli: 6 ditë ankthi dhe qendrese

E hene, 04.07.2016, 07:33 PM


Me rastin e 25 vjetorit të një mobilizimi famëkeq

GJASHTË DITË ANKTHI DHE QENDRESE

(Si refuzuan të rinjtë shqiptarë në Mal të Zi të shërbejnë në radhët e ushtrisë  jugosllave, në prag të konflikteve të përgjakshme të viteve ’90-të !)

Nga Xheladin Zeneli

Fillimi i muajit korrik i vitit 1991, do të mbetet gjatë në kujtesen e te rinjëve shqiptarë të cilët në at kohë morën thirrjet për mobilizimin ushtarak në famëkeqën Armata Popullore e Jugosllavisë(APJ).Koha e mobilizimit përkonte me fillimin e luftërave në ish-Jugosllavi, gjegjësisht me fillimin e agresionit serbo-malazez ndaj popujve tjerë të atij shtetit federativ. Udhëheqja e atëherëshme e Beogradit me në krye kriminelin e luftës Millosheviqin, në bashkëpunim me udhëheqjen e atëherëshme servile të Malit te Zi me në krye Momir Bullatoviqin, u angazhuan dhe dhënë urdhrin për mobilizimin ushtarak të të rinjëve me qëllim që t’i dërgonin ata në frontet e luftës së pakuptimë, përkatsisht në Republikën e Sllovenisë,Kroacisë dhe Bosnjë-Hercegovinës.

Nga trevat shqiptare në Mal te Zi u mobilizuan rreth 3000 rezervistë, te cilët u shpërndanë në qendra të ndryshme të kësaj republike. Rreth 1000 prej tyre u vendosën ne kazermën ushtarake të Tivarit .Jo larg tyre , në Sutorman u vendosën 750 vetë.Ndërsa 1000 te tjerë, shkuan në afërsi të Podgoricës. Sipas ligjit të atëhershëm të forcave të armatosura jugosllave , mobilizimi duhet të zgjaste vetëm 24 orë . Brenda këtij afati të shkurtër kohor , i mobilizuari ( rezervisti), ose dërgohet në luftë ose kthehet në shtëpi, pra lirohet nga detyrimi.Por në këte rast nuk ndodhi as njëra as tjetra.Të mobilizuarit , shumica dërmuese e të cilëve ishin shqiptarë,u mbajtën kundër vullnetit të tyre dhe kundër ligjit , për gjashtë ditë të tëra.

Rezervistët në Sutorman( mal në afërsi të Tivarit) i kishin izoluar në një luginë pyllore ku i furnizonin me racione të kufizuara ushqimi të dobët, pa të drejtë vizite nga të afërmit e tyre dhe fakti me rrënqethës ishte që pjesëtaret e kombësisë serbo-malazeze ishin të furnizuar me armatim te plotë (pushkët e tyre kishin fishekë) kurse atyre shqiptarë dhe te tjerët me kombësi jo sllave, iu ishin dhënë armët e zbrazura.Ky gjest i hapur urryes dhe racist i Shtabit mobilizues të APJ-së (lexo Ushtrisë serbo-malazeze), u shfaq jo vetëm ndaj ushtarëve rezervistë, por edhe ndaj oficerëve rezervistë shqiptar.Një ndër pjesëmarrësit e këtij mobilizimi ishte edhe oficeri rezervistë ,Vehbi Spahiu i cili dëshmon se refuzoj të marrë në dorëzim pushkën pa fishekë.

Pas këtij akti diskriminues dhe kundër çdo ligji ushtarak , rezervistët shqiptarë, me plot të drejtë , filluan të dyshojnë në qëllimet e vërteta të eprorëve te tyre serbo-malazez.Në mendje u shkonte kujtimi i hidhur i ngjarjeve, ku pothuajse në rrethana të ngjajshme , në vitin 1945,jo shumë larg Sutormanit, (vendit ku ishin te vendosur rezervistët), u pushkatuan në mënyrë ç’njerëzore dhe barbare rreth 4000 shqiptarë të pa armatosur. Ata ishin sjellë nga Kosova nga gjakpirësit sllavo-komunist , gjoja për të shkuar në luftë “për mbrojtjen e atdheut nga pushtimi gjerman”,ngjarje kjo e cila njihet në histori si “Tragjedia” apo ” Masakra e Tivarit”.

“Ujku ndërron qimën e jo vesin “ thotë një fjalë popullore ,dhe shovenistët serbosllav nuk e ndërruan vesin e tyre të mashtrimit.Ata edhe kësaj herë në Sutorman , përmes gënjeshtrës(të vetmin mjet qe ata njohin për arritjen e qëllimeve të veta ),u munduan që të bindin rezevistët e mobilizuar se duhet të jenë të gatshëm për luftë.Sipas tyre në kufi të Sllovenisë janë afruar forcat austriake dhe gjermane me qellim sulmi,kundër forcave jugosllave.Ngjarjet historike që pasuan , provuan se kjo ishte mashtrim i radhës.

Protestat e prindërve të rezervistëve në Ulqin dhe ne trevat tjera shqiptare ne Mal te Zi , për mosdërgimin e bijve te tyre në frontet e luftës , hasi në vesh të shurdhër të udhëheqjes politike dhe ushtarake të Malit të Zi.

Autori i këtij shkrimi i cili gjatë kësaj kohe ishte deputet në Parlamentin e Mali te Zi, e shtroj ketë çështje në Parlament (me 4 korrik 1991) dhe duke protestuar ndaj mobilizimit të të rinjëve shqiparë, ne mes tjerash tha: “… ju percjell shqetësimet e prindërve nga Komuna e Ulqinit , të cilët me kanë porositur që t’i them opinionit malazez se ata (prindërit shqiptarë) , nuk kanë bij për çfarëdo lufte të pakuptimtë brenda Jugosllavisë. Gjithashtu , ata nuk do të lejojnë që bijtë e tyre të shfrytëzohen për arritjen e qëllimeve politike të askujt.I bashkangjitem propozimeve të cilët kërkojnë që ushtarët tanë me shërbim ushtarak në Slloveni, të tërhiqen menjëherë…”.

Siç dihet nga rrjedhja e ngjarjeve te mëvonshme, Serbia dhe Mali i Zi , jo vetëm qe i injoruan kërkesat e shqiptarëve , por vazhduan gati për një dhjetëvjeçar të tërë me politikën e tyre hegjemoniste dhe ekspansioniste.

Me 6 korrik 1991, komandanti i batalionit Misho Gjikanoviq, iu drejtua rezervistëve dhe ushtarëve në llogorën e Sutermanit se ka ardhur urdhri nga “lart” qe të nisen për në kufi të Republikës së Bosnjës dhe Hercegovinës dhe nga atje t’iu bashkohen forcave tjera malazeze.Por, te gjithë të mobilizuarit shqiptarë kundershtuan njëzëri dhe i thanë eprorëve malazezë se ata nuk dëshironin te largoheshin nga komuna e Tivarit .Eprorët filluan të përdorin frikën dhe kërcënimin si mjet për arritjen e synimit të tyre qëllimkeq me ç’rast iu drejtuan të mobilizuarëve duke iu thanë se të gjithë ata që nuk zbatojnë urdhërat ushtarake “do të dënohen sipas ligjit”.Mirëpo shqiparët nuk u tunden nga qëndrimet e tyre për të mos shkuar në frontet e luftës,kështu që autobusat që kishin ardhur nga Nikshiqi për t’i marrur, u kthyen mbrapa të zbrazur.Për hir të korrektësisë duhet përmendur edhe fakti se ka pasur edhe disa rezervistë të kombësisë malazeze të cilët i kanë përkrahur rezervistët shqiptarë dhe njikohësisht iu janë bashkangjitur protestave të tyre.

Pas kësaj, rezervistët filluan që të organizojnë veprimet e veta dhe të bëjnë artikulimin e kërkesave të tyre.Madje ata vendosen që nëse eprorët nuk do t’ju pergjigjen kerkesave të tyre , të gjithë rezervistët , në mënyrë të organizuar dhe demonstrative do të largoheshin nga llogorja.Këtu u dalluan disa rezervistë shqiptarë, te cilët folën në emër të rezervistëve të tjerë e keto ishin Riza Milla, Selman Haxhimurati, Zaim Curaj (këto të tre më vonë edhe u paraburgosën nga organet kompetente ushtarake), mandej Hasan Mikuliqi etj., kurse në emër të nënave shqipare foli Ziqe Ulqinakja.Të paraburgosurit u liruan si rezultat i protestës dhe ndërhyrjes së Mehmet Bardhit kryetarit të LD në MZ, ,partisë së vetme shqiptare të atëhershme në Mal te Zi.

Eprorët serbo-malazezë u nervozuan si pasojë e qendrueshmerisë dhe kembënguljes së shqiptareve dhe kjo e ashpërsoj situatën.Në këtë moment,papritmas, llogorën e rrethuan forcat speciale të ushtrisë dhe rezervistët shqiptarë dhe te tjerë ishin ne shënjestër të pjesëtarëve të APJ-së. Mungonte vetëm një urdhër nga “lart” dhe çdo gjë mund të merrte fund.

Por fatmirësisht nuk ndodhi ajo që në historinë e vuajtur të shqiptarëve të shkruhet edhe një tragjedi tjetër me përmasa të mëdha.Kjo u arrit, jo për hir të mirësisë apo tolerancës së shtetit të papërmirsuar shoven serbo-malazez. Por tragjedia u shmang si rezultat i gjakftohësisë së rezervistëve shqiptarë që nuk iu përgjigjen provokimeve të eprorëve serbo-malazez.

Me lirimin e rezervistëve , nuk përfunduan edhe vuajtjet e tyre.

Udhëheqja politike e Mali të Zi kishte një plan tjetër, me perfid, për “eliminimin fizik” të rezervistëve shqiptarë.Tre ditë pasi u liruan të mobilizuarit, kryetari i atëhershëm i Malit të Zi, Momir Bullatoviq, deklaroj para qytetarëve në televizionin malazez se “nacionalistët shqiptarë” nga Tivari e Ulqini “dezertuan” nga ushtria dhe kërkoj që të merren masa politike dhe ligjore kundër tyre. Kështu, ata u shpallën dezertorë, ku sipas ligjit të atëhershëm, për një veprim të tillë, parashikohej edhe burgim. Mijëra të rinj shqiptarë, për t’i ikur burgimit nga ana e pushtetit malazez si dhe dërgimit të mëtëtejshëm me dhunë në frontet e luftës, u detyruan që të marrin rrugën e mërgimit për në shtetet përendimore.Kjo shënoj një valë të re emigrimi të shqiptarëve nga trojet e tyre etnike në Mal të Zi.Nuk duhet harruar se zbrazja dhe shpopullimi i këtyre trojeve është qëllimi përhershëm dhe final i qarqeve nacionaliste malazeze.

Megjithatë, ato gjashtë ditë ankthi të mobilizimit të shqiptarëve 25 vite më parë, do të mbeten në kujtesën tonë si ditë të qendresës.Të rinjtë shqiptarë patën guxim t’i thonë “Jo” politikës luftënxitëse të Serbisë dhe Malit të Zi.

Xheladin Zeneli

Ish deputet në parlamentin e Malit të Zi (1990-1991)

( Marrë nga libri ” Diaspora dhe Vendlindja” i të njëjtit autor)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora