Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Puntorie Ziba: Kur putha sytë e një qyteti

| E diele, 03.07.2016, 11:09 AM |


Puntorie Ziba

 

Njujork, 2016

 

Kur i putha sytë e një qyteti

 

( Për pak s'e harrova zanafillën)

 

I rash tej e ndanë Atlantikut

kaprëceva sinorin

dola nga barku i bishës gojë ashpër,

m'u përlot njëra faqe

e ç'mu pupurriq lëkura e mëndafshtë,

shikimi u mbërthye

në nurin pa harqe gotike

tej mureve të fildishta.

Me qerpik preka qelqet

kokrra-kokrra kristalesh,

njëri sy mu tha nga hijeshia…

( lektisur)

Ç’ mu duk korb vetja

mua të zezës,

sikur mijëra gishtërinjë ma nduknin lëkurën

e ç’mu dëshirue me i harrue hallexhinjtë e praptuar

te urat argshe ballkanike,

pa nur hëne.

Lektisa për gjakun tim

që më ndiqte si hije, hap – pas hapi

udhëve qelqore

ku kërkoja lëmoshë ndjenje.

( ngjyresat lëkurore)

Fshika buzët

eh, ç’mu bë dysh kurmi e shpirti,

tejendan njerëz që ecnin furishëm

e nuk msyshonin ngjyresat lëkurore.

(gra të kamura)

Tufa grash të veshura me gabardine e tantella fije-fije ,

nazemëdhaja me shikime të përhumbura.

Ato s’donin të vdisnin

për kokë të atyre që përgojonin dashurinë.

( ajka e gjellës)

Kipci im pranë sofrës gjigante,

grrumbull me ushqime magjike

servuar në pjata të mëdha,

në ca gota plumbi e silikati

mbush me qumësht shpendësh..

Gjerba aromë gjellësh

mbeta e stërfryer me barkun lodër,

mu gërvisht mukoza e lukthit

e u thanë shqisat e të shijuarit.

Ca jarg rrëshqitën mbi fustanin leskra-leskra,

e ç’ mu tha njëra dorë.

(rrahaderë)

Mora lebetinë,

me këmbë të drunjta nisa të kalamendem

bulevardeve pa fund,

dëshirohesha të humbem mes turmës

ku endeshin soj e sorollop racash,

nga tërë rruzulli.

Ndjeva ngrohtësi

përcolla fjalët triumfuese tek hallexhinjtë e mi:

si ia putha sytë këtij vendi

si mu tha fshika në buzë

përse u bë ky qytet,

si u bë nanë për të gjithë

si pinin ujë rruzulli

bijtë e diellit dhe të hënës

dhe

në mugëtirë

përpak s’e harrova zanafillën…

E ç’mu dëshirue me fërshëllye unë buzë fshikura

e të dukem si e marrë përmes rrugësh,

sa t’i kthejnë sytë, nga sytë e mi

e të më flet njëherë me gojë

ky soj e sorollop

që nuk më shikon vëngërr.

(Çapat e mia morën dalldinë)

Në vlugun e ecejakeve të turmës

puthja qytetin nazemadh

e më ngecën qerpikët në ajër

tek spiralja e një furtune.

 

( në shtrat)

Në një shtrat me pupla

me shkëlqim mbuluar

nën hije eukaliptiku

regëtinte zemra

frushkullonin retë

dhe rrëzonin ëndrrat,

s’rehatoheshin qiejtë

për një rrisk puhize

tej Atlantikut.

 

Maj, 2016

 

Fjalët e pikturave tua dhe gratë si puhizë tekanjoze

 

(Për ty Frida Kahlo)

 

U bëre copë e thërrime

midis errësirës dhe errësimit,

lëkura e mëndafshtë të mekëtohej

s'mbeti gjë nga fytyra e trëndafiltë:

as gushë pëllumbesha

as xhufka në floknajë

as gjinjtë plasur si kokrra e fikut në zheg

as faqkat lule murrizi

as figura e selvisë

së parritur

edhe buzët t'u përthyen;

buzëqeshja ngeci

dimërore e dimërore

uraganore e uraganore...

Tërë forcën e skalite

në ballëlartin

aty mes vetullngjiturash trashë.

Zëri i pikturës tënde

përqeshte gërdall?t,

vetullinatçorët e universit

që cicërronin si çafkëlorë

e buzëhendeqeve

gjaku bëhej ploje.

Në ujë e në shkretirë

mbi dheun e kurmit tënd kockanjar,

motrat e tua amazone

shohin gjurmët e virtyteve

mes vetullash lidhur nyjë

dhe vjeshtë për vjeshte

kur era shkund fjalët

nga portretet e trëndafilta,

hapin prehërin

dhe e mbushin me fjalë:

kuq, bardhë, kaltër...

Ato divinet,

duke përthyer buzët

shtrydhin amanetet e Fridës.

Mot pas moti

skuqin faqet

kur kujtojnë zogëzat e avlëmendit

që mund të vijnë

tekanjoze

të brishta,

me vuajtjet e tyre

dhe britmat e shtërzimeve

tej tingujve të një kitare...