Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Përparim Hysi: Ish-koleges sime, Afërdita Bega

| E diele, 03.07.2016, 10:11 AM |


Një mbresë që nuk e mbaj dot për vete

Ish-koleges sime, Afërdita Bega (Xhokaxhiu)

(skicë letrare)

Nga Përparim Hysi

Aty nga mesvitet  '70-të të shekullit që iku, në shkollën tonë, në Petovë të rrethit të Fierit, erdhi  një mësuese e re.

E re në moshë; e re në profesion dhe, sa erdhi, ra në sy për punën e saj me pasion. Nëse thuhet që  pema bie nën pemë, kjo duhej thënë dhe për mësuesen që erdhi: quhej Afrëdita Xhokaxhiu dhe vetëm mbiemri qe pak i veçantë: nuk qe as më pak dhe as më shumë, por një nga vajzat e profesorit të nderuar të gjeografisë, Petraq Xhokaxhiu. Mësuesja nga portreti qe me sharm dhe të kujtonte atë Afërditën aq të bukur, të cilën si model e solli, i pavdekshmi, Sterio Spasse.

Afërdita, çupa e profesorit tim dhe i sa të tjerëve si unë, qe e bukur dhe më të bukur e bënte puna pasionante me nxënësit. Ajo, veç biologjisë, për plotësim norme jepte dhe lëndën e muzikës dhe, tek e ndiqje në përgatitjet që bënte për  koncertet që jepte me nxënësit në shkollë, në zonë apo deri në rreth, të binte në sy një intimitet timid me nxënësit.

E donin dhe i donte.

Ajo punoi disa vite në shkollën tonë dhe, kur qe bërë si e shtëpisë, befas u largua nga kolektivi ynë. Një djalë fierak, nga një familje fisnike në Fier, sado që me punë qe në Tiranë, tek bënte jak e ik nga  Tirana në Fier, në ato shetitjet tradicionale që bëheshin në mbasditet e vona në të gjitha qytetet,kish parë mes tjerash dhe çupën e profesorit: të bukurën Afërditë. U pa, u bë. Afrëdita, kolegja jonë e bukur, u martua me zooteknikun fierak, Llazar Begon. Edhe në Tiranë Afrëdita punoi si mësuese deri sa doli në  pension.

*     *     *

Natyrisht, pas martesës, me Afërditën shiheshim më rrallë dhe, ca nga ca, edhe më rrallë.

Por ja,  tani që kam ardhur në Tiranë, jemi parë pak si më dëndur,se, siç duket, na bashkon "psonisja" si pensionistë që jemi. Është bërë gjyshe nga djali e nga çupa, por, për çudi, është përsëri një zonjë sharmante. Unë xhëku e ngacmoi dhe i them:- Je si dikur, por, padyshim, është vetëm një kortezi që në fakt e meriton.

Por qëllimi im nuk është që të shkruaj për portretin aq sharmant të ish-koleges sime, por është i qëlimshëm.

Dje, në mëngjes heret, tek kisha  dalë për të psonisur, e pashë miken time, të thyer dysh, që diç kërkonte. Unë sa e pashë në pozicion të tillë, sulmova:

-Afrëditë, në ke humbur lekë, lëri se t'i jap unë. Po të ketë rënë unaza, gjeje se do të lërë Llazari (bashkëshorti i nderuar i Afrëditës)... dhe ajo, tek u ngrit, erdhi drejt meje dhe më tregoi "unazën" e gjetur: ishte një flutur shumë e bukur.

-Pa shiko,- më tha,- a nuk është gjynah që kjo bukuroshe të shkelet  nga këmba e dikujt? Dhe shkoi e vendosi "bukuroshen" e saj tek një pemë. U mbresova aq shumë sa nuk e mbajta për vete dhe, tek ua tregova dy miqëve të mi shkrimtarë, Meri Lalajt dhe Ilinden Spasse, që të dy mbetën të mbresuar.

Afrëdita, ajo mësuesja pasionante e biologjisë,  e meriton një shkrim. Qe thirrja e fortë e profesionit që e shtyu të bëhej dysh, për të ngritur një flutur nga toka. Sa me vend është ajo thënia:" Sa më shumë i njoha njerëzit, aq më shumë i dua kafshët!". Ia vlen ca më shumë ky gjestmadhor dashurie qoftë dhe për një flutur, kur shoqëria shqiptare është "plevitosur". Me ftomë në të dy krahët. "Avropianizuar" shqiptarët aq shumë,sa dhe komshiun që ke përballë, tani as e njeh më. Të përshëndes, fisnkja Afërditë! Je pema e rënë në pemë: e profesorit tim të nderuar, të ndjerit Petraq Xhkoxhiu, që "ftomën" në biografi ia "thau" vetëm ardhja e demokracisë.  Mjerisht, atëherë, ai s'rronte  më, por, sidoqoftë, nderi iu vu në vend: ai është në PANTEONIN E MËSUESËVE-KRENARIA E ARSIMIT!

Tiranë, 29 qershor  2016