E merkure, 24.04.2024, 11:47 PM (GMT+1)

Mendime

Ndue Dedaj: Pse ky folklorizëm i vonuar?

E diele, 03.07.2016, 12:06 PM


PSE KY FOLKLORIZËM I VONUAR?

Nga NDUE DEDAJ

Ka një shpërthim laraman të folkut gjithandej. Vërehet folklorizim i skenave dhe rrugëve të qyteteve, pa qenë ndonjë sezon folklorik. Çiftelia në disa rrethe të Veriut vazhdon të mbetet mbreti i veglave muzikore, aq sa kitara, piano, saksofoni, violina ndihen në “turp” para saj. Teksa qeleshja ka filluar të shfaqet si dikur në pazarin e Shkodrës. Artistët profesionistë mjaftohen me nënqeshjen e këtij folklorizmi patriotik apo patriotizmi folklorik, pa iu thënë qeleshe - çifteli - shpërdoruesve, mjaft më me folklorizma! Mirëpo sapo të ngresh zërin kundra kësaj dukurie “arkaike” do të hasësh në kundërshtimin e rreptë të “folkloristëve” të disa institucioneve dhe shoqatave të kulturës, ku shtysa e tyre nuk është ruajtja e trashëgimisë kulturore, por përfitimi i projekteve në emër të saj.

Po si mund ta ndajë lexuesi se ku është e duhura dhe ku teprimi? Ishte mjaft domethënëse kur fëmijët e disporës shqiptare në Amerikë, Zvicër, Belgjikë etj., në ditën festive të mbylljes së shkollës, këndonin së bashku me prindërit e mësuesit këngën “Kur bie fyelli e çiftelia”, ashtu siç recitonin vjersha atdhetare kushtuar gjuhës shqipe nga rilindasit. E megjithatë në koncertet e tyre filmuar nga RTK nuk kishte aspak rapsodizëm, pasi e gjitha bëhej për ta ruajtur të pashprishur thesarin kulturor të vendit amë. Apo mjafton të shohësh se çfarë qytetarie treguan shqiptarët sportdashës në stadiumet e Francës, veshur masivisht me “fanelën” kuqezi të kombëtares sonë, duke tërhequr vëmendjen botërore.

Tradita kur gërshetohet me bashkëkohoren fiton një bukuri të pashoqe. Por është tjetër kjo dhe tjetër ngarendja “folklorike” nëpër skena, ku më shumë improvizohet, sajohet, aktrohet, sesa luhet me mjetet e folkut burimor. Mirdita, Lezha, Puka etj. nuk po dinë të dalin nga kulla e folkut, si nga një “mallkim” dashurie për çiftelinë e qeleshen, ndonëse rrojmë në një shoqëri që po diferencohet vrullshëm për nga shijet muzikore, me një rini që shkon përherë e më larg e përfshirë nga rrymat moderne e postmoderne dhe, nga na tjetër, një publik i gjerë në zonat ndërmjetëse (mes rurales dhe urbanes) që shtyhet për nga rrënjët me thellë se paraardhësit, dhe pse magjja e folkut nuk mbrunë dot më bukë(!) Atëherë si është e mundur që të gjithë vrapojnë të mvishen me ngjyrat e ndezura të folkut, njerëz dhe institucione. A jemi në kohë me këtë vezullim të paparë folklorik? A thua në këtë mënyrë po i hyjmë në hak muzikës qytetare të kultivuar? Para tridhjetë e pesë vitesh Mirdita përfaqësohej sa me folkun e saj burimor autentik në Festivalin e Gjirokastrës, aq dhe me këngët lirike të Luljeta Përbashës në festivalet e muzikës së lehtë në Radio-Televizion? Poeti Gjok Beci shkruante dhe perlat folklorike të “Grupit të Burrave”, dhe poezitë e këngëve të Vaçe Zelës e Feim Ibrahimit. Lezha kishte dhe lahutarët e moçëm Prekushi e Nonaj dhe grupin muzikor modern “Djemtë e Detit”. Në rrethet e mësipërme punonin kompozitorë profesionistë si Dorian Nini, Agim Velaj, Sabrie Nushi etj. Pra ishte dhe njëra, dhe tjetra. Dhe folklorikja, dhe muzika e lehtë.

Folku tradicional vazhdon të jetë i parapëlqyeri i publikut të këtyre trevave dhe s’ka pse të mos e vazhdojë udhën e vet si trashëgimi, muzeologji arti e atraksion turistik, por jo të shtiremi sikur po bëjmë folk sot? Folku si i tillë tashmë është një mision i kryer. Një muzikant na thoshte: “Nuk mund të mblidhet më thuajse asgjë folklorike, ka vite që vetëm sajojmë folklor”. Është e mjaftueshme kjo për të mos vazhduar më tej të “prodhojmë” folklor për projekte. Ka disa arsye që në vitet ’60-’70 folku shqiptar mori publikim të madh, u nxor nga kullat dhe u ngjit në skenë. Kjo dhe për faktin se dy nga parimet estetike të artit të kohës ishin karakteri popullor dhe fryma kombëtare. Tashmë arti nuk e ka domosdoshmërisht tiparin popullor, ashtu siç nuk kemi më drejtësi popullore, ekonomi popullore etj. Kategori të tilla si popullorja shprehen përmes bashkëkohores, universales. Se si është përthithur folku në muzikën e kultivuar e kanë treguar me kohë mjeshtrit e mëdhenj të monumenteve muzikore në Europë dhe në Shqipëri e Koaovë. Se ç’cilësi të re i japin ata këngës shqiptare të traditës e tregon jo vetëm Tefta Tashko, Marie Kraja e Nexhmie Pagarusha, po dhe repertori i sotëm (në të vërtetë modeli) i krijuar nga Elina Duni me këngë si “Kur pata nji lule të bukur” etj. Është tjetër t’iu mësojmë të rinjve shkollarë se si ka qenë tradita jonë muzikore dhe tjetër të ndërmarrim nisma për t’ua “injektuar” fëmijëve folkun në bangat e shkollës. Nuk thuhet më kot se folku thithet me qumështin e nënës dhe jo me shkopin e dirigjentit. Thënë ndryshe, nuk shkojnë bashkë lahutarja dhe dixhitalja.

Argument 1. Nuk janë fëmijët dhe të rinjtë që e kanë për zemër folkun, por më së shumti shtyhen drejt tij nën presionin në dukje pozitiv të specialistëve të muzikës dhe prindërve të tyre. Këtë e tregon dhe fakti se nxënësit kërkojnë të vazhdojnë liceutë artistikë dhe jo ndonjë “shkollë” folklorike. Gjatë një dëgjese muzikore një nxënëse 12-vjeçare ngulmonte se asaj i pëlqente të luante në piano. Kur u pyet nëse asaj i pëlqente çiftelia, ajo u përgjigj prerë jo, duke ngulmuar se nuk donte asnjë vegël tjetër përveç pianos. Ka gjasë që ajo vogëlushe të jetë ndjerë në faj, ngaqë nuk dinte e nuk donte me i ra dyzenit, duke mos u përshtatur me “sipas vendit bëhet kuvendi”. Teprimet dhe abuzimet me folkun nuk mund të përligjen me kinse nevojën e ruajtjes së trashëgimisë. Praktikat e vjetra vijnë si mbijetoja dhe nuk mund të mbahen gjallë me artifice mediokrish.

Argument 2. Çiftelia, lahuta, sharkia, fyelli, zumarja, bilbili janë vegla muzikore të një rrafshi kulturor, ndonëse ca kordofone e ca frymore, atëherë si është e mundur që për çiftelinë gjenden plot “instrumentistë” të vegjël nëpër shkolla, kurse për veglat e tjera që cekëm më sipër thuajse asnjë? Kjo sepse çiftelisë i bien të gjithë, kush më pak e kush më shumë. Teksa ajo e ka mbyllur ciklin me gjeniun Ndue Shyti, që gjysmë shekulli më parë pati fituar “Gjerdanin e Artë” në Dizhon të Francës. Çiftelia me dy tela nuk mund t’i mbijetojë globalizimit kulturor, ashtu si pipëza, gjethja, kumbonët, guralecët etj., përpos se të shkrira në orkestrat bashkëkohore, siç kemi parë në Kosovë etj. Vetë kryemjeshtri Shyti shprehet pa medyshje: “Askush nuk mund ta gdhendë më çiftelinë si Gjin Shkoza. Kush mund ta bëjë sot timbrimin e saj si e kemi bërë ne? Kam frikë se ai lloj timbrimi s’do të jetë më. Tash janë instrumentet moderne”. Me këtë nuk duam të themi që çiftelisë t’i vihet viza, në QKF-të e qyteteve të mos ketë “grup çiftelish”, por ajo të jetë krahas rretheve të tjera muzikore e jo të mbivlerësohet, që fëmijët të ushtrohen në të gjitha veglat muzikore.

Argument 3. Fakti që veglat dhe veshjet popullore njerëzit nuk i kanë në shtëpi, të vetat, por i tërheqin nga magazinat e pallateve të kulturës apo artizanet rrobapunuese tregon se i duan sa për një “fotografi” dhe jo se janë të lidhur shpirtërisht me to. Si mund ta ketë përzemër kostumin tradicional një vogëlushe, kur e ëma e ardhur nga fshati e ka flakur me të hyrë në qytet, në emër të modernes?! Dikur punuesit e veshjeve popullore ishin të rrallë dhe në zë, kurse sot presin e qepin për treg individë që nuk e zotërojnë këtë njeshtri.

Shkurt, me gjithë nderimin dhe adhurimin për gjyshërit dhe çiftelinë e tyre të paarritshme për kohën, sot për fëmijët dhe të rinjtë do të dëshironim në radhë të parë flautin, pianon, mandolinën. Folku tradicional është vesh, muzika e kultivuar është notë, pentagram. Me folkun merren të gjithë (si në odat e dikurshme), me artin e kultivuar muzikor vetëm mjeshtrit. Çdo kohë ka gjuhën e vet muzikore, që do të thotë të merremi me folkun aq sa duhet, si në të gjithë vendet e qytetëruara europiane dhe jo nga zelli për traditën të dëshmojmë pa dashje “provincializëm”. Aq sa ç’ishin me vend në çeljen e sezonit turistik në Sarandë dhe Tropojë kostumet popullore gjithë larmi e bukuri dhe ritmet muzikore popullore të atyre zonave, aq pa vend kanë qenë disa improvizime folklorike në skenat shkollore, kinse në emër të “komunitares”, dhe kur është fjala për veprat e Kadaresë, Camajt, Podrimjes etj., që i përkasin letërsisë moderne dhe jo orës së folklorit.

Parë dhe në kontekstin social-politik-kulturor të sotëm, nuk mund të shkohet në Europë vetëm me folk, aq më tepër me folklorizma.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora