E enjte, 25.04.2024, 09:45 PM (GMT+1)

Kulturë

Vala, mbretëresha e detit

E diele, 17.08.2008, 10:03 PM


Janë të buta, përkëdhelëse, të bardha, por edhe kërcënuese e rrënuese

Lindin nga asgjëja e mund të "shkatërrojnë" botën

Lindin pothuajse nga asgjëja: nga era që lëviz sipërfaqen e ujit dhe krijon valëzime të larta vetëm disa milimetra. Por më pas këto valëzime mund të rriten dhe të marrin përmasat e një përbindëshi, duke arritur deri në disa dhjetëra metra dhe në gjëndje të përmbysin një naftëmbajtëse. Por ato më spektakolaret lindin nga furtunat e mëdha, spostohen për qindra kilometra dhe thyhen kur arrijnë bregun. Por ka edhe dallgë misterioze: "dallgët anormale", që janë akoma më të mëdha se ato të zakonshmet dhe vetëm tani ekspertët janë duke i deshifruar. Ja pse këto masa të mëdha uji në lëvizje kanë apasionuar shkencëtarët, metreologët dhe sërfistët.

Dallgët e nevojshme

Dallgët më të zakonshme shkaktohen nga era normale: le të imagjinojmë një situatë ku deti është krejtësisht i qetë, më pas fillon të fryjë një erë e lehtë dhe konstante. Dallgët e para që do të formohen janë të larta jo më shumë se disa milimetra dhe lëvizin në drejtimin e erës: janë pak a shumë si valëzimet që krijohen në një pishinë kur fillon të fryjë pak erë. Këto dallgë të vogla janë shumë të domosdoshme për marinarët dhe metereologët sepse përmasat e tyre janë në proporcion me intensitetin dhe erën që i krijon: këto fenomene shfrytëzohen për vëzhgimet satelitore me anë të një radari. Më e fortë bëhet era, më të larta bëhen edhe këto valëzime dhe rrjedhimisht më i fortë bëhet sinjali radar, që regjistrohet më pas nga të interesuarit.

Më të larta se 30 metra

Pra kur lindin në fillim, ato janë të vogla. Por më pas, nën shtytjen e erës, rriten dhe transformohen në fillim si dallgë mesatare dhe më pas të mëdha. Me kalimin e kohës era fillon t‘i ushqejë me energji ato dhe nëse ajo është konstante dhe në rritje, dallga fillon të rritet, të bëhet më e lartë, më e gjerë, më e shpejtë. Pra, praktikisht një dallgë rritet deri sa shpejtësia e saj të jetë e njëjtë me atë të erës dhe situata e ekuilibrit quhet "det totalisht i zhvilluar". Për të bërë një shembull, me një erë konstante prej 10 metrash në sekondë (36 km për orë), një dallgë duhet të përshkojë për një orë, nga 2 deri në 300 kilometra që të arrijë lartësinë maksimale prej 2 metrash. Por nëse shpejtësia e erës do të arrinte në 20 metra për sekondë, atëherë edhe lartësia maksimale që do të arrinte dallga do të ishte 8 metra. Pra nëse shpejtësia e erës dyfishohet, atëherë lartësia e dallgës katërfishohet. Kështu mund të krijohen përbindësha të vërtetë, të lartë me dhjetëra metra. Dallga më e lartë është regjistruar në Tajvan tetorin e shkuar, pas një tifoni të fuqishëm. Ishte e lartë 32.3 metra, afërsisht sa një pallat me 10 kate. Por nuk ka një limit teorik, përsa i përket lartësisë që mund të përfitojë një dallgë, pasi kjo varet nga intensiteti i erës dhe nga hapësira që dallgët kanë në dispozicion për t‘u rritur. Në fakt dallgët më të mëdha krijohen gjithmonë në oqeane. Ndërsa dallgët më të mëdha të detit Mesdhe, kanë arritur deri në 20 metra. Por gjithsesi një dallgë e tillë mund të përmbysë një anije. Por, të mëdha a të vogla, dallgët pasi formohen mund të udhëtojnë për qindra kilometra edhe në mungesë të erës. Por nuk duhet të ngatërrohemi në përceptimin e saj, pasi lëvizja e dallgëve nuk korrespondon me spostimin e grimcave të ujit. Dallga, në fakt është një turbullim i cili spostohet në det pak a shumë si "ole-ja" e tifozëve në stadium.

Uji nuk lëviz!

Kur kalon një dallgë, molekulat e ujit kryejnë një levizje në formën e rrethit. Dimensionet e kësaj lëvizjeje bëhen gjithmonë e më të vogla në thellësi. Në thellësi më të vogla se gjysma e gjatësisë së dallgës, uji është më pak i turbulluar. Si kunkluzion, kur kalon një dallgë, molekulat e ujit vihen në lëvizje, por në fund përfundojnë aty ku ishin në fillim. Ndërsa dallga, pra turbullimi i ujit, vazhdon të spostohet duke transportuar energji. Dhe forma e saj zbaton rregulla preçizë: në përgjithësi, gjatë një stuhie, lartësia e dallgës është e barabartë me 4 përqind të gjatësisë së saj (një dallgë e gjatë 10 metra do të ishte 40 centimetra e lartë).

Dallga perfekte

Çka thamë më sipër vlen kur gjithçka ndodh në det të hapur. Por dallgët e ndryshojnë temperamentin e tyre kur arrijnë pranë bregut. Fillojnë të ngadalësohen për shkak të thellësisë së limituar dhe bëhen akoma më të larta. Ky fenomen fillon të ndodh kur thellësia është e barabartë me gjysmën e gjatësisë së dallgës. Një dallgë e lartë 4 metra dhe e gjatë 100 metra, do të fillonte të ndjente efektin e fundit të detit, kur thellësia është më pak se 50 metra. Në këtë rast, dallga në përgjithësi fillon të ngadalësohet dhe të bëhet më e lartë, deri sa përplaset me tokën. Këto janë pikërisht dallgët që pëlqejnë sërfistët: janë të famshme ato që formohen në ishujt e oqeanit Paqësor dhe mbi të gjitha në Polinezinë franceze. Por përse pikërisht atje? Për të paktën dy arsye: 1. Sepse aty përfundojnë dallgët e mëdha që krijohen nga stuhitë e Paqësorit dhe të Artikut, të cilat kanë në dispozicion qindra kilometra për t‘u rritur dhe 2. Sepse këto dallgë, duke arritur brigjet, hasin një fund deti tepër të fortë, për shkak të barrierës së koraleve në sipërfaqen e fundit dhe më pas gjejnë një fund deti gati të sheshtë, i cili i lejon të thyen gradualisht.

Anormalet dhe misteriozet

Gjithesi dallgët që shohim në det zakonisht, nuk janë të gjitha njëlloj. Mund të caktohet një lartësi me anë të shikimit të lirë, por ka dallgë të vogla ose më të mëdha që nuk cilësohen kollaj. Dhe jo rrallë, siç e dinë mirë marinarët, shfaqet ndonjë dallgë anormale, tepër më e madhe nga të tjerat. Një dallgë mund të përcaktohet si anormale ose ekstreme nëse lartësia e saj është të paktën 2.5 herë më e madhe se lartësia e atyre që quhen të mëdha. Por origjina e këtyre përbindëshave nuk është akoma e qartë. Ka tre hipoteza. E para është mbivendosja e rastësishme e dallgëve më të vogla: në këtë rast, do të kishim një të tillë në 270 mijë dallgë. Mbivendosja zgjat disa minuta, ndërsa më pas dallgët origjinale ndahen dhe secila shkon në drejtimin e saj. Një mundësi e dytë është se dallgët anormale formohen përballë një rryme të fortë oqeanike. Për shembull ndodh me rrymat e Agulas, përgjatë brigjeve juglindore të Afrikës. Aty janë pikasur shpesh dallgë që arrinin 20 metrat, kur mesatarja e dallgëve të tjera nuk i kalonte 7 ose 8 metrat. Dhe duket se shpjegimi është ky: rryma bllokon dallgët që vijnë nga drejtimi i kundërt dhe ato fryhen dhe fitojnë lartësi sikur të ishin pranë bregut. Dhe në fund qëndron një hipotezë e tretë: një fenomen i cili ndodh kur një dallgë merr energji nga të tjerat që ka pranë dhe kthehet në më të madhen. Pak a shumë siç ndodh me një lente kur e fokuson dritën vetëm në një pikë.

Si 400 bomba

Më pak misterioze, por akoma më shumë të frikshme janë dallgët gjigande të quajtura tsunami. Nuk gjenerohen nga erërat, por në mënyrë të veçantë nga tërmetet detarë. Shkaku është lëvizja vertikale e fundit të detit, prej të cilit mundësohet lëvizja e fortë e masës së ujit që gjendet sipër. Një tsunami është edhe i ndryshëm nga një dallgë normale: në mes të oqeanit është i lartë rreth një metër, ndërsa i gjatë mund të jetë edhe 200 kilometra, tepër e shpejtë (shpejtësia varet nga fundi i detit dhe në oqeane varion nga 700 deri në 1000 kilometra për orë). Kur afrohet me bregun, një tsunami e kalon tokën e thatë dhe vazhdon të avancojë për disa minuta. Dhe është pikërisht kjo çfarë e bën shkatërrues dhe të frikshëm…veç energjisë që transporton: sipas llogarive, tsunami që goditi Sumatrën më 26 dhjetor të vitit 2004, kishte energjinë e 400 fishit të bombës atomike që goditi Hiroshimën, si të merrnim sëbashku 1 kwh energji për çdo banor të Tokës.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora